W. M.Leake ishte i pari që tërhoqi vemendjen mbi fortifikimet e Finiqit dhe dalloi edhe teatrin antik. L. M. Ugolini përcaktoi shtrirjen e fortifikimit të qytetit dhe bëri një përpjekje për dallimin e tipologjisë dhe kronologjisë së mureve rrethuese. Në vitet 1926-1927 ai kreu gërmime arkeologjike, duke zbuluar thesaurosin dhe dy stera antike. Gjithashtu ai pastroi pjesë të mureve rrethuese, gërmoi disa varre në nekropolin e Foinikes dhe dokumentoi disa rrënoja të periudhes së vonë antike midis shtëpive të fshatit Finiq.
Një studim të mureve rrethuese të Finiqit e ka bërë N. G. L. Hammond.
Në vitet 1980- 1981 rifilluan gërmimet arkeologjike në Foinike nën drejtimin e Dh. Budinës, duke zbuluar një pjesë të skenës së teatrit, si dhe disa varre në nekropolin e qytetit.
Në vitet 1989-1991 A. Nanaj dhe Dh. Çondi gërmuan një banesë me peristil, pastruan një pjesë të murit rrethues, filluan gërmimin e teatrit dhe zbuluan disa varre në nekropolin e qytetit antik.
Që nga viti 2000 janë zhvilluar gërmime sistematike nga një ekspeditë e përbashkët e Institutit të Arkeologjisë dhe e Universitetit të Bolonjës, e drejtuar nga Sh. Gjongecaj dhe S. De Maria, gjatë të cilave u vazhdua gërmimi në lagjen e banesës me peristil dhe në teatrin e qytetit.