(Fshati Himarë, rrethi Vlorë). Në krahun e djathtë të rrugës automobilistike Vlorë-Sarandë, 8 km. në jug të Himarës, ndodhet gjiu i Porto Palermos.
Në këtë gji të bukur, mbi një kodër të vogël, të rrethuar nga të tri anët me ujë, ndodhet një kala mesjetare, ndërtuar në kohën e Ali Pashë Tepelenës. Në sipërfaqen e kodrës tek-tuk takohen fragmente qeramike të kohës antike. Simbas burimeve të autorëve antikë vendi mbi të cilin ngrihet kalaja lokalizohet me limanin e lashtë Panormi (Straboni VII, 58, Ptolemeu, III, 13,2).