Historia dhe zhvillimi i kështjellës së Kaninës ka qenë e lidhur gjithmonë me atë të qytetit të Vlorës, 370m larg mureve të saj. Kështjella është një trekëndësh i madh i çrregullt, forma e të cilit diktohet shumë nga trajta e shkëmbinjve mbi të cilët mbështetet. Muret e ndajnë pjesën e brendshme në dy pjesë të veçanta: lartësia më e madhe është Yç Kale i osmanëve. Kështjella e Kaninës përmendet në shekullin VI nga Prokopi (si Kionina), pastaj në fillimin e shekullit XI nga Vasili (Cari Bullgar) dhe përsëri në vitin 1081, kur ajo shërbente si bazë pushtimi për Normanët e Siçilisë, Ajo mund të ketë qënë bërë bazë osmane, së bashku me Vlorën, në vitin 1417. Regjistrimi i përgjithshëm osman i vitit 835 H (1431) përmend 216 familje joushtarake në Kaninë, që e bënë atë një nga qendrat më të mëdha urbane në vend. Zhvillimi i saj mund të ketë qenë i shpejtë, veçanërisht gjatë shekullit XV, meqë në fillim të shekullit XVI, ajo nuk ka patur më pak se 514 familje, ende të gjitha kristiane. Kur e vizitoi Kaninën në vitin 1081 H (1670/71), Evlia Çelebiu ka parë 320 shtëpi në kështjellë dhe 300 në qytet (varosh). Ajo që mund të nxirret si përfundim nga shifrat e tij është se Kanina tashmë kishte arritur kufijtë e zgjerimit përpara kohës së tij.
Në rast se i referohemi Evlias, jeta islame nuk ishte e mirëzhvilluar në këtë qytet të vogël malor. Në kështjellë ndodhej një xhami e Sulltan Mehmed Hanit me një minare të balancuar siç duhet. As në kështjellë dhe as në qytet nuk kishte ndonjë monument apo ndonjë ndërtesë tjetër jofetare: hani, imareti, pazari dhe hamami. Gazi Sinan Pasha, pallati madhështor i të cilit dukej akoma në kështjellë, me pamje nga Vlora, ka ndërtuar një xhami shumë të bukur në Varosh, xhami kjo me një minare të veçantë të gjatë dhe elegante. Ai ka ndëituar gjithashtu një teqe shumë madhështore për urdhrin bektashian, e cila ka qenë banesë e klerikëve më të devotshëm dhe shumë dervishëve besnikë. Ajo ka patur një “Kuzhinë Keykavus” shumë mikpritëse. Vakfi i teqesë ka qenë shumë pjellor dhe përfshinte krejt tokën e kopshtit dhe drurët frutorë përreth. Gazi Sinan Pasha u varros në një tyrbe të lartë të kësaj teqeje, së bashku me të gjithë të afërmit dhe shërbyesit e tij.
Në kohën e Evlias, kështjella e Kaninës ishte akoma e mbushur me garnizone. Ai përmend 400 ushtarë, edhe pse buxheti osman i vitit 1079/ 80 H (1669/70) kishte vetëm 120 burra në listën e pagave. Në të vërtetë është interesant shënimi i tij se ekzistonte një mbishknm i Sulltan Sulejmanit mbi Portën veriore e cila ishte porta kryesore që të çonte në Vlorë. Përmendet se kështjella ka qenë “e meremetuar dhe e riparuar” nga ai sulltan. Edhe pse nuk jepet ndonjë informacion shtesë, ne e datojmë këtë riparim në të njëjtin vit kur Sulejmani ndërtoi kështjellën e madhe të Vlorës gjatë qëndrimit të tij në verën e vitit 1537, në kohën e ekspeditës ushtarake kundër Korfuzit. Asnjëra prej ndërtesave osmane të përmendura nga Evlia, nuk kanë rezistuar deri sot. George von Hahn e ka parë teqenë e Sinan Pashës rreth vitit 1850 dhe ka shprehur respektin e madh për këtë vend. Kështjella e Kaninës dhe qyteti u bombarduan rëndë nga italianët. Fermerët e armatosur i përzunë ata. Ka mundësi që xhamia e Sulltan Mehmedit dhe mbishkrimi i Sulltan Sulejmanit të jenë zhdukur gjatë këtij luftimi. Kur Babingeri e vizitoi Kaninën në vitin 1929, ai nuk mundi ta gjente përsëri atë mbishkrim. Megjithatë, fati i mbishkrimit të Sulejmanit në Lezh, gjithashtu i humbur për gjysmë shekulli por më pas i rigjetur, na jep shpresë që ky mbishkrim mund të gjendet përsëri.
Kërkimi i hollësishëm shqiptar në vitet 1970 i bërë nga Apollon Baçe ka vërtetuar historinë e gjatë të ndërtimit të kështjellës së Kaninës. Në përshkrimin vijues, unë do të bazohem në përfundimet e tij, të cilat mbështeten në gërmimet arkeologjike.
Kështjella e Kaninës zinte një hapësirë shumë të çrregullt, që mund të përshkruhet si një trekëndësh i çrregullt me tri “cepa”, e dalë jashtë në drejtim të veriperëndimit, veriut dhe lindjes. Zona me mur është 3,6ha, me një gjatësi totale të mureve prej 985m. Pjesa perëndimore e kështjellës me pamje nga fusha, është më e larta. Ajo është 397m mbi nivelin e detit, ndërkohë që pjesa më e madhe e kështjellës ndodhet 370-380m mbi nivelin e detit. Kjo pjesë perëndimore është e ndarë nga pjesa kryesore e kështjellës me anë të një muri të veçantë dhe formon atë që osmanët e quajtën kështjella e brendshme (Yç Kale). Deri para një shekulli ekzistonte një mur tjetër ndarës, duke e ndarë kështu kështjellën në tri pjesë. Ai është parë nga Von Hahn në mesin e shekullit XIX, por më pas është zhdukur, pa ndonjë gjurmë. Sot, kështjella ka vetëm shtatë kulla apo rrënojat e tyre, por në Mesjetë dhe gjatë pjesës më të madhe të periudhës osmane, ajo nuk ka patur më pak se 18 kulla. Ato u shkatërruan nga venedikasit, pas pushtimit të Vlorës dhe të Kaninës prej tyre, në vitin 1690, gjatë luftërave kundër Austrisë dhe Venedikut. Gjatë riparimit të kështjellës, pas vitit 1690, osmanët nuk i rindërtuan kullat e prishura, por thjesht i mbyllën të çarat në mure.
Studimi i Baçes ka treguar se kështjella e Kaninës ëshë ndërtuar dhe rindërtuar shtatë herë radhazi, duke filluar nga shekulli III deri në shekullin XIX. Faza e parë përfaqsohet nga disa themele. Nuk është gjetur ndonjë provë arkeologjike që është më e vjetër se në shekullin e tretë: faza e parë e ndërtimit i takon periudhës 280-320. Pikërisht në këtë kohë kështjella mori formën që ka ende, formë kjo e diktuar nga terreni mbi të cilët është ndërtuar.
Faza e dytë është e karakterizuar nga motivet “opus mixtum”, në stilin e ndërtimit të vonë romak dhe atij të hershëm bizantin. Kjo është koha që i referohet Prokopi. Ajo përcaktohet nga disa monedha nga mbretërimi i Justinianit të Madh. Faza e tretë lidhet me luftën e normanëve dhe bizantëve në Shqipëri, në shekullin XI. Vetë zgjatja e mureve midis kullave 1, 3 dhe 10 i përket kësaj faze të ndërtimit. (Unë llogaris të gjitha kullat, përfshi këtu edhe ato që nuk ekzistojnë më dhe filloj me kullën në formë katrore, në pjesën veriore të kështjellës dhe në drejtim të akrepave të orës).
Faza e katërt prezantohet nga punë riparuese në kohën e sundimit të anzhuinëve, në gjysmën e dytë të shekullit XIII. Ndërtimi i fazës së katërt është bërë me punë kluasonazhi mjaft të rregullt dhe është shumë e lehtë për t’u dalluar. Ndërtimi në këtë fazë është pak a shumë i rregullt, por mund të konsiderohet si punë kluasonazhi e ndërprerë me një grumbull tjegullash dhe tullash të thyera. Një pjesë e madhe e murit midis portës lindore dhe kullës 8, është punë e anzhuinëve. Periudha e pestë e ndërtimit ndahet në tri faza të ndryshme. Ndërtimi është kluasonazh shumë e ashpër e llojit të gjetur në kishat e shekullit XIV në Berat dhe në kalanë e Petrelës. Pjesa më e madhe e murit veriperëndimor daton në këtë kohë (shekulli i XIV). Pothuajse gjysma e murit, që e ndan kështjellën dhe Iç Kalen i përket gjithashtu kësaj periudhe, ashtu sikurse kulla 8.
Kulla 1 dhe kulla 9 i përkasin pjesës së tretë të fazës së pestë. Muret midis kullës 11 dhe asaj 12 janë gjithashtu të kësaj periudhe, ashtu sikurse edhe zgjatja e murit në jug të kullës 4. Kjo është faza e ndërtimit e periudhës së hershme osmane, në shekullin e XV. Tipi i ndërtimit është ai i shekullit XIV, gjë që tregon vazhdimësinë e praktikave të vjetra ndërtuese. Megjithatë, lidhjet e mureve ndryshojnë nga ato të fazave të tjera, ashtu sikurse edhe përbërja e Uaçit.
Periudha më e rëndësishme e ndërtimit është ajo e kohës së Sulltan Sulejmanit. Gjatë fushatës së Korfuzit të vitit 1537, ai urdhëroi ndërtimin e një kështjelle të madhe të re në Vlorë, në një tokë të pashkelur. Fortifikimet e Kaninës datojnë në të njëjtin vit apo pak më pas. Fortifikimi i Sulejmanit u kufizua në riforcimin e mureve ekzistuese dhe përshtatjen e tyre si mbajtëse të artilerisë. Për këtë qëllim u shtuan një varg kullash të reja gjatë gjithë perimetrit të mureve. Kudo ku terreni e lejonte një gjë të tillë, kullave iu dha forma e një bastioni të vogël. Kullat 3, 4, 5, 10, 12, 13, 14 dhe ndoshta edhe ato 17 dhe 18 i përkasin fazës së gjashtë të ndërtimit. Fatkeqësisht, të gjitha këto kulla “moderne”, përveç kullës 3 dhe 10 u hodhën në erë nga venedikasit në vitin 1690 dhe, ashtu sikurse u tha më sipër, ato nuk u rindërtuan më. Mbyllja e të çarave të lëna nga shkatërrimi i tyre përbën fazën e shtatë. Porta veriore dhe ndërtimi i mureve i atribuohet Sulejmanit. Kjo portë ishte hyrja kryesore e kështjellës, kur vije nga Vlora, poshtë në fushë. Në këtë portë ndodhej mbishkrimi që lidhet me rikonstruktimin e kështjellës nga sulltani i madh. Forma e kullave të shkatërruara në vitin 1690 është e ditur nga një planimetri e detajuar e fortesës, e hartuar nga hartografi-gjeograf venecian Koroneli. Forma e frëngjisë (mazgallës) e kullës 3 të ruajtur është tipike e kohës së artilerisë. E gjithë kulla ngjan shumë me kullat e kështjellës së Sulejmanit në Vlorë, nga e cila janë ruajtur shumë skica (shih pjesën Vlora më tej).
Faza e tetë dhe e fundit e ndërtimit të kështjellës së Kaninës pasqyrohet nga disa punime të vogla riparuese të bëra më 1832 apo para këtij viti nga feudali i fuqishëm i zonës Ibrahim Pashë Vlora, në atë kohë zotërues i sanxhakut të Beratit, Vlorës dhe ndërtues i njërës prej xhamive të ruajtura në Berat. Puna e bërë në kështjellë u përqendrua në ndërtimin e portës jugore, e vetmja portë e kështjellës, që qëndron akoma në këmbë dhe në ndërtimin e skajit verior të kështjellës.
Në pjesën e fundit të shekullit XIX, kështjella doli nga përdorimi, por, megjithatë, ajo shërbeu gjatë luftimeve të suksesshme të fshatarëve shqiptarë kundër italianëve në vitin 1920. Pas bombardimeve të atij viti, ajo u braktis. Studimi shkencor për të filloi vetëm në kohën e Republikës Popullore. Në këtë kohë u hartua një program restaurues dhe u bënë disa punime të rëndësishme për forcimin e saj.