Kaonia
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Kaonia

Kjo krahinë e Shqipërisë jugore shtrihet gjerësisht në bregdetin jonian, nga grykëderdhja e lumit Thiamis (ose Kalamas) deri në malet Akrokeraune (ose Karaburun). Në drejtim të pjesës së brendshme, nga ana veriore, lumi Aoos (ose Vjosa) shënon kufirin midis kaonëve dhe popullsive ilire, ndërsa, në drejtim të lindjes, kaonët janë fqinjë me parauejt që banojnë në pellgun e Përmetit, domethënë në luginën e mesme të lumit Aoos midis degës së Sarandaporos, që shënon kufirin aktual midis Greqisë dhe Shqipërisë, dhe grykave të Aoos-it mbi Tepelenë; më në juglindje, kaonët janë fqinjë me molosët; në jug, janë tesprotët që ndajnë me kaonët krahinën e Kestrinës, e përfshirë midis luginës së Thiamisit dhe asaj të Pavlës, ngaqë Gitani, qyteti i madh tesprot, është ndërtuar në bregun e djathtë të Thiamisit. Në të vërtetë, me hollësi, kufijtë e Kaonisë antike është e vështirë të përcaktohen. Në fakt, amantët që janë të vendosur në jug të luginës së Aoos-it, midis Shushicës dhe Aoos-it, përreth qendrës së tyre, Amantia, e lokalizuar në fshatin Ploçë, nuk i përkasin bashkësisë së kaonëve, as edhe Olympes (në fshatin e sotëm të Mavrovës); po kështu, qytetet e zhvilluara të bregut të detit Jon, veçanërisht Himara, duket se nuk përfshihen as ato te Kaonët, por kanë qenë njohur si shtete të pavarura. Një rast të tillë përbën edhe Oriku, i vendosur në brendësi të gjirit të Vlorës. Po të pranojmë se territori i Amantëve është i mbrojtur në drejtim të jugut nga kalaja e Matohasanajt, mund të themi se Kaonia shtrihet deri në Tepelenë, duke u lënë amantëve krahinat malore të jugperëndimit. Kaonët jetojnë kryesisht përreth dy pellgjeve lumore: lugina e Drinosit në lindje, e quajtur gjithashtu Dropull, që përkon sot me me pellgun me qendër qytetin e Gjirokastrës, dhe lugina e Bistricës që mbaron në jug me liqenin e Butrintit; secili nga këto pellgje kishte, në antikitet, një qendër të ndryshme nga ajo që është sot: Antigonea, 5 km në lindje të Gjirokastrës, ishte qendra e pellgut të Drinos, ndërsa Foinike ishte qendër e pellgut të Bistricës; këtë rol e ka luajtur më vonë Delvina ndërsa tani qyteti port, Saranda. Ky organizim i Kaonisë të kujton polisin grek, me qendrën e vet qytetare, territorin e vet fshatar (hora) dhe kalatë e veta që mbyllnin kalimet në territorin e qytetit. Por kaonët nuk hoqën dorë asnjëherë, deri në pushtimin romak, nga organizimi i tyre më i gjerë dhe më i lashtë, ai i etnosit, i cilësuar shpesh si Koinon, domethënë një kuadër më i gjerë dhe sigurisht më mirë i përshtatur ndaj jetës baritore që bënte një pjesë e rëndësishme e popullsisë, karakteristike kjo edhe për molosët fqinjë. Në rrethanat kur koinoni po shkonte drejt shpërbëijes, kuadri që u ruajt ishte ai i një koinoni më të ngushtë, sikurse ai i Prasaibëve të vendosur përreth Butrotit.

Asnjëherë, në historinë e kaonëve, qyteti i Foinikes nuk është përpjekur të bëhet një polis autonom, po kështu as Antigonea, të cilat mbeten në gjirin e bashkësisë së kaonëve deri në pushtimin romak.

Kaonët e pavarur (shekujt V-IV p.e.sonë)

Tukididi (II, 80, 5) është autori i parë i lashtë që i ka përmendur kaonët në fillim të Luftës së Peloponezit, lidhur me ngjarjet e verës së vitit 429. Ata figurojnë midis atyre që historiani i cilëson si “barbarë”, aleatë të Spartës; ata dërgojnë një kontigjent prej një mijë burrash dhe Tukididi saktëson se kaonët janë abasileutoi (pa mbret); Tukididi fut te “barbarët” edhe tesprotët, molosët, atintanët, parauejt dhe orestët. Në të vërtetë, për një athinas, këto popullsi të veri-perëndimit nuk flasin një greqishte korrekte; për më tepër, sikurse e nënvizon Pseudo-Skylaksi (28), “ata jetojnë në fshatra”. Midis këtyre popullsive, kaonët, ende në shekullin e V, ushtrojnë një hegjemoni të vërtetë mbi fqinjët e tyre (Strabon, VII, 7, 5 c 324) dhe mbahen si luftëtarët më të mirë (Tukidid, II, 81, 4). Gjatë Luftës së Peloponezit, Korkyra tronditet thellë nga një luftë e egër civile që vë përballë demokratët dhe aristokratët; është ky padyshim momenti për kaonët që shtijnë në dorë territoret kontinentale të kontrolluara nga korkyrasit, për t’i përfshirë ato në gjirin e bashkësisë së kaonëve; pikërisht në këtë kohë Butroti hyn në tërësinë kaone.

Në vitin 385, ilirët e Bardhylit, të armatosur nga Denisi, tiran i Sirakuzës, u shkaktojnë një humbje shkatërruese molosëve që humbin pesë-mbëdhjetë mijë burra në luftë (Diodor i Sicilisë, XV, 13, 1-3). Vështirë që ilirët të ardhur nga veriu të kenë mundur të përballen me molosët, pa kaluar nëpër Kaoni, me shumë gjasë duke ndjekur luginën e Drinos, por nuk dihet asgjë për qëndrimin dhe fatin e kaonëve në këtë përballje. Molosët duket se e marrin shpejt veten, aq sa në Epir supremacia kalon nga kaonët te molosët, të cilët e zgjerojnë territorin e tyre në dëm të tesprotëve në perëndim dhe kasopasve në jug; ata marrin në dorë kontrollin e tempullit të orakullit të Dodonës; por nuk është e pamundur që supremacia të jetë vendosur përpara sulmit ilir të vitit 385.

Kaonët e humbën mbretërinë e tyre, sikurse edhe tesprotët, ndryshe nga molosët, orestët dhe parauejt që e ruajtën atë, sipas Tukididit. Për kaonët është fjala me sa duket në vitin 429, për një zhvillim të kohëve të fiindit, sepse ata janë drejtuar nga dy magistratë të përvitshëm, të quajtur prostatë nga Tukididi, të cilët dilnin nga familja princërore, ashtu sikurse familja e vjetër mbretërore e zgjeruar duhej, çdo vit, të nxirrte dy magistratë. Prostasia është një magistraturë shumë e njohur në Epir dhe më gjerë, që përfaqësonte një magistrat që ishte mbrojtës i popullit, sikurse në Sirakuzë, ose kryetar, ose ndonjëherë mëkëmbës, kuptime që mund të shkonin të gjitha për kaonët. Këta magistratë drejtonin vendin e kaonëve krahas një Asambleje popullore, për të cilën nuk dihet asgjë në epokën klasike.

Gjatë çerekut të tretë të shekullit të IV, organizimi i shteteve në Epir, në jug të Kaonisë, është përshtatur në formë me zgjerimin gjithnjë e më të madh të koinonit të molosëve të drejtuar nga dinastia e Ajakidëve. Molosët e shtrijnë zotërimin e tyre drejt perëndimit në dëm të tesprotëve dhe në drejtim të jugut mbi tokat e kasopasve. Krahasimi i dy listave të tearodokëve, asaj të Epidaurit që datohet në vitet 360, dhe listës së Argosit që i takon një brezi më vonë, është shumë domethënës: ndërsa Epiri, në listën e parë, është i ndarë në shtatë shtete që vizitohen nga teorët e ardhur nga Epidauri, të dërguarve fetarë të ardhur nga Argosi u mjafton të vizitojnë mbretëreshën Kleopatra, gruaja ose e veja e mbretit Aleksandër Molosit, që është gjithashtu e bija e Filipit të II të Maqedonisë, pra motra e Aleksandrit të Madh, dhe pastaj të shkojnë në Foinike. Kjo do të thotë se rreth vitit 330, uniteti i Epirit është forcuar shumë përreth fronit të Ajakidëve; vetëm kaonët kanë mbetur jashtë këtij bashkimi dhe vazhdojnë të formojnë një shtet të pavarur.

Bashkimi i kaonëve me molosët në një shtet epirot

Eshtë e vështirë të përcaktohet me saktësi se në ç’datë është kryer ky afrim midis këtyre dy bashkësive. Denisi i Halikamasit (XX, 1, 2 ; 1, 5; 2, 4) i përmend kaonët dhe tesprotët në radhët e ushtrisë së Pirros në betejën në Auskul, më 279. Ky terminus ante quem mund të shtyhet dukshëm në kohë, deri në vitet e para të mbretërimit të Pirros, nisur nga themelimi i qytetit të Antigonesë, që përbën qendrën e pellgut të lumit Drino, në zemër të Kaonisë. Ky qytet, që mund të ketë ekzistuar më parë, mori emrin e gruas së parë të mbretit Pirro, që hipën në fronin e Ajakidëve në vitin 297. Antigonea, vajzë e një martese të parë të mbretëreshës Berenika, grua e Ptoleme Soterit, lind Ptolemeun, djali i madh i Pirros dhe vdes shumë shpejt më pas, më 296 ose 295. Meqenë se Pirrua mund t’i japë emrin e gruas së vet, Antigonea, qytetit që kontrollon pellgun e Drinos, kjo do të thotë edhe se në këtë kohë (midis viteve 297 dhe 295) mbreti ajakid ka vendosur autoritetin e vet mbi këtë pjesë të Kaonisë, dhe me shumë siguri mbi të gjithë Kaoninë, e përfshirë në gjirin e mbretërisë së Ajakidëve. Nuk është e pamundur që të çohet edhe në vitet e fundit të shekullit të IV ky bashkim i kaonëve dhe molosëve, në një shtet që do të mund të ishte Symahia e Epirotëve, të cilën e bën të njohur një mbishkrim i Dodonës (SGDI 1336), nën mbretërimin e Neoptolemit, që duhet vendosur diku midis viteve 317 dhe 297. Nëse nuk mund të jemi më të saktë, kjo është për shkak të dolasit Dorimahul, që e plaçkiti sanktuarin e Dodonës në vitin 219, duke shkatërruar statujat dhe mbishkrimet e periudhës së mëparshme, pikërisht të mbretërimit të lavdishëm të Pirros.

Natyra e shtetit epirot është shumë më e qartë, pas rënies së dinastisë ajakide më 232, në sajë të mbishkrimeve që bëjnë shumë mirë të njohur Koinonin e Epirotëve, që ka mundur të ekzistojë më herët, nën Ajakidët, por që funksionimi i tij njihet vetëm pas rënies së kësaj familjeje mbretërore. Në Epirin republikan, pushteti ekzekutiv drejtohet nga Strategu i Epirotëve, në krah të të cilit, në mbishkrimet e Dodonës, është edhe një prostat i cilësuar si i Molosëve, ndërsa në mbishkrimet e Butrotit prostati është i Kaonëve. Strategu i Epirotëve zgjidhet herë nga pjesa molose e Koinonit dhe herë nga pjesa kaone, por nuk mund të thuhet me saktësi se ky ndërrim është krejtësisht i rregullt nga njëri vit në tjetrin. Secila nga pjesët e këtij shteti federal ruante disa kompetenca, ndërsa të tjerat i takonin pushtetit federal (ushtria, marrëdhëniet ndërkombëtare), gjë që nënkupton të ardhura të përcaktuara në nivel federal. Disa kompetenca të tjera mbeteshin në nivelin e secilave prej dy njësive: është për këtë arsye që kaonët kishin mundësi të mermin vendim për ndërtimin e një teatri në Butrot, me përmendjen e vetëm të prostatit të kaonëve si eponim në mbishkrimin e kushtimit të teatrit; ata mundnin madje, sikurse duket, t’i jepnin prokseninë një të huaji, në këtë rast një korkyrasi, sipas një mbishkrimi të Foinikes të përmendur nga S. De Maria, (nëse ky mbishkrim i përket një periudhe të mëvonshme nga bashkimi i kaonëve dhe molosëve). Kjo do të tbotë se masa e autonomisë që i ishte lënë secilës prej pjesëve përbërëse të shtetit epirot është e rëndësishme.

Kjo është ndoshta njëra prej arsyeve që shpjegon shpërbërjen e Koinonit të Epirotëve gjatë luftës së tretë të Maqedonisë. Ndarja ndodh në vitin 170, midis Karopsit të Ri që merr anën e Romës dhe që ndikimi i madh i të cilit ushtrohet mbi kaonët, dhe magistratëve të pjesës molose. Gjyshi i tij, Karopsi i Vjetër, ishte tesprot nga një grup etnik i quajtur Opatas, sikurse e saktëson mbishkrimi i kushtimit të Bouleuterionit të Dodonës; mbishkrimet e Butrotit na bëjnë të njohur shumë herë me një etnik shumë të përafërt, Opatos, që lejon që ky etnos të vendoset në Tesprotinë e veriut, fare pranë tokave kaone. Karopsi i Ri kishte studiuar në Romë, sikurse edhe shumë të rinj të familjeve të mëdha, që ftoheshin në Romë si pengje, dhe ai ishte kthyer që andej, i bindur për interesin që paraqiste aleanca me Romën. Gjatë kësaj kohe, drejtuesit molosë dëshirojnë t’i mbeten besnikë aleancës maqedonase dhe uniteti i Koinonit epirot shkërmoqet tërësisht. Ka shumë mundësi që në përqendrimin e vëmendjes së romakëve mbi këto krahina bregdetare të kenë luajtur rol shkëmbimet tregtare midis dy brigjeve të detit Jon, ndërsa Molosia, më kontinentale, ruante marrëdhëniet e fqinjësisë me maqedonët, duke bërë një jetë baritore të ngjashme si në të dy shpatet e Pindit. Kaonët kanë patur, më në fund, përfitim nga kjo zgjedhje, sepse pas disfatës së mbretit maqedon Perseut në Pidna në vitin 168, prokonsulli Pal Emili urdhëron plaçkitjen sistema-tike të territorit molos: 150 000 banorë u morën si skllevër, 70 oppida u plaçkitën, u dogjën dhe muret e tyre u rrëzuan. Që atëherë Epiri qendror dhe jugor kthehet në gërmadhë dhe kjo gjendje vazhdon deri në epokën e Augustit. Eshtë ky momenti kur një mbishkrim përmend një shtet të quajtur Koinoni i Epirotëve që janë përreth Foinikes, që duhet të jetë emri i mbajtur nga pjesa kaone e Koinonit të vjetër të Epirotëve i shkatërruar nga separatizmi i Karopsit të Ri. Tirania e ushtruar nga ky i fundit, ka qenë shumë mizore për banorët e Kaonisë, sipas Polibit: listat e intemimit që godisnin të pasurit (burra dhe gra), dënimet me vdekje, vrasjet. Tirani vdes midis viteve 159 dhe 157. Pikërisht para vdekjes së tij shteti i kaonëve pëson një ndarje tjetër që mund të datohet në vitin 163, vit ky i konsullatit të Tiberius Sempronius Gracchus, baba i Grakëve; Polibi (XXXI, 1) dëshmon për ndërhyrjen e tij pranë Kammanoi-ve, emri i të cilëve del shumë herë në mbishkrimet e Butrotit dhe Stefan Bizantini e quan Kammaninë si një pjesë të Tesprotisë, Kestrina, që ndodhet midis lumenjve Thiamis dhe Pavlla. Eshtë momenti kur konsulli romak pranon organizimin e Koinonit të prasaibëve, përreth Bouthrotos-it, sikurse do ta shohim kur të paraqesim këtë qytet.

Të gjitha këto krahina, Kaonia, sikurse Molosia, përfshirë edhe shtetin e prasaibëve, kalojnë në duart e romakëve, me siguri në provincën e Akaisë duke filluar nga viti 27 para Krishtit. Nën mbretërimin e Trajanit, pak pas vitit 108, u krijua provinca prokuratoriane e Epirit. Roma themeloi gjidiashtu disa koloni veteranësh, përkundër perpjekjeve të përbashkëta të Ciceronit dhe të mikut të tij T. Pomponius Atticus, dhe, më në veri, në Bylis.

Buthrotum

I vendosur në fund të gadishullit të Ksamilit. Butroti duket sot si i izoluar, por afersia me ngushticën e Korkyrës e bënte atë një qendër të privilegjuar pranë njërës nga rrugët më të rëndësishme detare të antikitetit. Butroti ishte njëkohësisht edhe qendra e koinonit të prasaibëve (163- 44 p. Kr.), pjesë e krahinës epirote të Kaonisë.

Straboni (VH, 7, 5) na informon se liqeni quhej Pelodes dhe kepi pranë Butrintit, Poseidon.

Çuka e Ajtoit

Në kodrën e njohur me emrin Çuka e Aetojt, që ndodhet në afërsi të Konispolit, janë ruajtur rrënojat e një qyteti antik. Në vitet '30 kjo qytezë u bë objekt i kërkimeve të Misionit Arkeologjik Italian, të kryesuar nga L. M. Ugolini, i cili ndërmori këtu disa sondazhe dhe bëri rilevimin topografik. Rezultatet e këtyre kërkimeve nuk u botuan dhe dokumentacioni i tyre konsiderohet i humbur në një katastrofë ajrore. Shënime të shkurtra mbi Çukën e Aetojt jep më vonë dhe N. Hammond.

Në vitin 1959, një ekspeditë e kryesuar prej meje, rimori kërkimet e filluara prej Misionit Arkeologjik Italian. Gjatë kësaj fushate u bë rikonstruksioni i kodrës mbi të cilën shtrihej qyteza, si dhe u kryen sondazhe te banesa e quajtur nga vendasit "Pallati" dhe te Porta I e Akropolit. Gërmimet nuk dhanë rezultate të kënaqshme sepse shtresa kulturore te "Pallati" ishte e dëmtuar nga sondazhi italian, ndërsa te Porta I, depozitimet ishin të varfra. Disa vite më vonë, nën kujdesin e Dh. Budinës, u bë rilevimi topografik i qytezës dhe u botua një planimetri e saj. Meqenëse kjo planimetri paraqitej me mjaft të meta, në vitin 1973 vendosa të bëj një përpjekje të re për korrigjimin e saj. Përfundimet e arritura gjatë kësaj pune dhe vëzhgimet e mëpastajme më lejuan të përcaktoj më mirë kufijtë e Akropolit dhe të vlerësoj, me të drejtë, sistemin e fortifikimit të tij. Kjo bëri të mundur, nga ana tjetër, që të shihej më qartë edhe shtrirja e qytetit të poshtëm. Ndërkaq, vëmendjen tonë e tërhoqën edhe rrënojat e shumta të banesave që ruheshin si në Akropol, ashtu edhe në qytetin e poshtëm. Prania e tyre ishte vënë re edhe më përpara, por njoftimet e studiuesve që kanë vizituar Çukën e Aetojt, nuk i kalojnë kufijtë e një konstatimi të thjeshtë. Ky problem u bë tema qendrore e kërkimeve të ekspeditës sonë të fundit, në vitin 1979.

Fortifikimi i Vagalatit

Ndonëse syprina e qytetit është mjaft e pjerrët, në të, përjashtuar anën veriore të parrahur nga dielli, hasen kudo gjurmë banesash. Ndonëse skema urbanistike nuk është e rregullt, vërehet kujdesi për renditjen e banesave në vargje, gjatë së njëjtës vijë rrushkulluese. Këtij lakimi i përmbahen dhe rrugët mes tyre, 2,80 m të gjera. Lumit Pavël para se të hyjë në fushën e Kestrinës (Vrinës) i duhet të kalojë së pari Grykën e Bogazit (tq. Grykë) e cila ndodhet ndërmjet Malit të Milesë dhe Malit të Saraqinit.

Fortifikimi ndodhet në një kodër shkëmbore, e cila nga jugu bie me faqe të thikta. Fortifikimi përbëhet prej një muri 26 metërsh, i cili në anën lindore lidhet me një kullë drejtkëndëshe. Muri dhe kulla në skajet janë pajisur me vija peshimi çka tregon se ata nuk vijoheshin prej muresh të tjerë. Një strukturë e tillë kërkon detyrimisht vazhdimin e tyre me palisadë druri, sot të zhdukur, në të kundërt i tërë sistemi mbetet pa funksion. Muri (3,50 m) vijon tërthor izoipseve nga lindja në perëndim. Afër bashkimit me kullën në të gjendet shkalla për në shtegun e kalimit (6 x 1,3 m).

Kulla nivelohet nga para, deri në 3,5 m lartësi nga terreni i jashtëm, me një mbushje dheu dhe zhavorri. Mbi këtë nivel kulla vijon edhe 3,6 m duke arritur një lartësi 7,1 m nga terreni i jashtëm. Kulla (9,5 x 6,5 m) ka mure 1,2 m të gjera. Në brendi të mjedisit të katit të parë kalon një hyrje (1,2 m). Në këtë kat ndodhen 3 frëngji piramidale 1,5 m të larta, për shigjetë ose shigjeta hedhës të mesëm. Nuk është e qartë nëse kulla ka pasur edhe një kat tjetër mbi katin e parë.

Muri dhe kulla janë punuar me blloqe gëlqerori të latuar në trajtë paralelopipedi me ballë të mysët. Muratura është pseudoizodomike, me rreshta paralelë (1- 1,6 x 0,35-0,50 m). Kurtinat përbëhen prej dy faqeve të lidhura tërthor dhe emplectoni ndërsa tek kullat gjerësia e murit krijohet nga dy blloqe gjatësore të këmbyer me një bllok të tërthortë.

Malathrea

Fortifikimi i Malathresë ndodhet 4 km në veri të qytetit antik në Çukën e Ajtoit dhe 6 km në jugë të Buthrotit, në një terren ku vargjet malorë pararenden prej kodrash të ulëta që bien butë drejt fushës pjellore të Vrinës.. Fortifikimi ndodhet 5 km larg bregut të Jonit, në të djathtë të rrugës Aulonë ose Epidamn - Ambraki (TP Miller IR 559; IA Cuntz 323-5).

Foinike

Qyteti antik i Foinikes gjendej mbi kodrën e Finiqit (282 m), në lindje të fshatit me të njejtin emër, e cila zotëron mbi fushën e Vurgut në vendin e takimit të lumenjve Bistrica dhe Kalasa. Në antikitet prej saj kontrolloheshin edhe rrugët natyrore që vinin nga Grykat e Antigonesë, drejt Kaonisë, nëpër qafën e Skërficës, apo nëpër qafën e Muzinës. Qyteti gjendej rreth 7 km nga bregu i detit dhe skela e Onkezmit mendohet të ketë shërbyer si port i tij.

Onhezmi

Onhezmi, i quajtur nganjëherë edhe Ankiazëm, ndodhet në bregun e detit Jon, përballë ishullit të Korfuzit. Është porti i Shqipërisë së jugut, i njohur në kohën moderne me emrin e manastirit Santi Quaranta (Dyzetë Shenjtorët), sot qyteti i Sarandës. Në antikitet, Onhezmi ishte dalja detare e natyrëshme e qytetit të madh të Foinikes-Finiqit, që ndodhet rreth pesëmbëdhjetë kilometra larg si dhe e gjithë pellgut të Bistricës. Marrëdhëniet e tij detare me ishullin fqinj të Korfuzit e vinin atë në kontakt me botën greke.

Kështjella e Këlcyrës

Kështjella e Këlcyrës ndodhet në një kodër shkëmbore mbi Qytetin e Këlcyrës. Kodra e ngushton tepër luginën e Aosit (Vjosës) përgjatë së cilës kalonte një nga rrugët e rëndësishme të antikitetit. Shkëmbi ndodhet direkt e mbi rrugën, duke e kontrolluar fizikisht atë. Emri Këlcyrë tregon se në periudhën bizantine këtu ndodhej njësia administrativo-ushtarake e Klisurës, detyrë parësore e së cilës ishte kontrolli i kalimit në pikat me rëndësi strategjike.

Në pjesën e sipërme të shkëmbit ndodhet një fortifikim mesjetar (0,4 ha) në muret e të cilit janë përdorur si spolje një shumicë blloqesh antikë. Në anën veriore dhe lindore ruhen trakte “ in situ” të fortifikimit antik, të cilat tregojnë se fortifikimi kishte planimetri trekëndëshe me sipërfaqe rreth 0,8 ha. Muret e fortifikimit antik e qarkonin shkëmbin nga veriu dhe lindja ku shpatet bien me pjerrësi, ndërsa në anën nga humnera perëndimore mbrojtja i është besuar natyrës.

Në anën veriore (180 m) kurtinat vazhdojnë të dhëmbëzuara (18, 32, 18 m). Pas një kthese kënd gjerë muri vijon në anën lindore ku pas 40 m ruhet fillimi i një kthese a kulle. Hyrja ballore, në trajtë korridori (2,3 x 6 m) ndodhet në anën veriore, e flakuar prej dhëmbëzimit. Muratura është izodomike, prej blloqesh gëlqerori (rreth 1 x 0,45 m) në formë katërkëndëshe. Blloqet me faqe bashkimi të latuara mirë dhe ballë të mysët janë identikë me ata të Gurit të Qytetit në Përmet.

Kështjella e Limarit

Krahina malore e Zagorisë dhe Pogonit kufizohet ndërmjet Malit të Dhëmbelit dhe vargut Lunxhëri- Bureto. Kalimi në të nga Lugina e Drinos, i mundshëm vetëm nëpërmjet Luginës së Suhës, hermetizohet nga fortifikimi në Labovën e Madhe, ndërsa ai nga Lugina e Vjosës, i mundshëm vetëm nëpërmjet luginës së Lumit të Zagorisë, hermetizohet nga fortifikimi në fshatin Limar. Terreni përreth është i përshtatshëm për blegtori dhe bujqësi të kufizuar.

Fortifikimi kurorëzon një kodër shkëmbore e cila përzgjatet nga jugu në veri. Drejt perëndimit kodra bie me 40 - 45° pjerrësi ndërsa nga lindja dhe veriu rrëzohet thikë. Muret rrethues të fortifikimit 1,5 hektarësh qarkojnë anën e gjatë perëndimore dhe një pjesë të anës së shkurtër veriore. Në lindje dhe veri mbrojtja i besohet shkëmbit të thiktë. Në perëndim, ndonëse terreni është mjaft i pjerrët, vijon një sistem paralel muresh të dyfishtë, 50 m larg njëri - tjetrit, të cilët e ndjekin terrenin me vija të drejta dhe kthesa këndgjera ose kënddrejta. Muri i jashtëm është i pajisur me kulla, veçori e të cilave është gjatësia më e madhe se gjerësia (8,5 x 5,5 m). Hyrja në murin e jashtëm e tipit ballor mbrohet nga një kthesë e terrenit dhe murit. Hyrja tjetër (2,25 m) në murin e brendshëm është po ballore.

Muret (2,50 m) përbëhen nga dy faqet e lidhura tërthor me njëra-tjetrën (2,5 - 3 m) dhe emplecton-i i shtresëzuar me gurë. Blloqet e tija janë katërkëndësh me lartësi 0,7- 0,15 m me ballë të thyer vrazhdët dhe faqe anësore të latuara. Fugatura vijon horizontale, por e dhëmbëzuar. Krahasuar me fortifikimet e tjera të luginës së Drinos dhe Vjosës muratura është më e çrregullt, më “provinciale”

info@balkancultureheritage.com