Ndodhet në jug të gjirit të Vlorës, pranë qendrës mesjetare të Jerikosë, Orikumit të lashtësisë. Është me planimetri kryq i lirë me kupolë mbi tambur dhe me narteks. Kryqi është i lexueshëm jo vetëm në planimetri por edhe në ndërtimin vëllimor e struktural të brendësisë dhe pamjen e jashtme. Krahët verior dhe jugor janë më të shkurtër se do të tjerët. Kisha është e ndërtuar me gurë duke pasur vetëm pak tulla në absidë. Muret e saj të rrafshëta prej guri përfundojnë me korniza të drejta të frontoneve, mbi çatinë e të cilëve ngrihet tamburi cilindrik dhe i lartë mbuluar me çati konike. Nga përmasat e vogla në muret ka vetëm dyer, duke u ndriçuar brendësia vetëm nga dritaret e tamburit të kupolës. Nga afresket e dikurshme ruhen vetëm fragmente të dëmtuara, ndërsa nga narteksi i rrënuar vetëm fillimet e mureve. Duke u nisur nga përmasat e vogla, proporcionet dhe format arkitekturale, si dhe krahasimi me kishat e të njëjtit tip të vendeve fqinjë, monumenti datohet si jo më i vonë se i shek. XIII.