Është një kapelë mjaft piktoreske nga trajtimi i jashtëm dhe proporcionet e goditura. Ajo sot është e dëmtuar dhe me një hajat të vonë në anët jugore dhe perëndimore. Brendësia është mjaft intime si rezultat i krahëve të kryqit mjaft të vegjël me kupolë mbi tambur që nënvizon vertikalitetin. Në anën e jashtme kisha është ndërtuar me gurë dhe tulla, duke pasur dhe pjesë me kluasonazh, ndërsa tamburi i kupolës është i tëri me tulla, tetë faqesh me koloneta në qoshet. Sipas mbishkrimit të ruajtur në pikturën e murit perëndimor, kisha është ndërtuar në vitin 1389.