Kisha e Shën Kollit në Perhondi të Beratit

Kisha e Shën Kollit në Perhondi të Beratit

Është një bazilikë trenefshe mbuluar me çati druri. Ajo përbëhet nga naosi trenefësh, narteksi me kambanoren në anën perëndimore dhe ambienti i altarit i ndarë në bemë, protezis dhe diakonikon, me nga një absidë për secilën, ndër të cilat ajo qendrorja është më e madhe, e ndriçuar nga një dritare e madhe treshe. Nefi qendror është i lartë dhe ndriçohet me nga tre dritare për çdo anë në murin që ngrihet mbi arkadat ndarëse të nefeve. Muret e kishës janë ndërtuar me gurë dhe tulla. Këto të fundit janë vendosur sipas një teknike të rregullt, me veçanti vendosjen në radhë jo të plota, si dhe njëra mbi tjetrën ndërmjet gurëve. Duke u nisur nga tipi arkitektural, ndarja e qartë e ambientit të altarit, mbulimi i bemës në nivel më të ulët se nefi qendror dhe teknika e ndërtimit kisha datohet si e shek. X-XI. Një fazë më të vonë i takon ndërtimi i kambanores dhe pjesërisht i narteksit, me gurë dhe breza tullash, njëlloj si në muret e fillimit të shek. XIII në kalanë e Beratit. Me interes është kambanorja e lidhur me narteksin, shenjë e influencës së arkitekturës perëndimore dhe një ndër shembujt më të parë në arkitekturën bizantine të Ballkanit. E një kohë edhe më të vonë (shek. XIII-XIV) është ngritja me teknikën e kluasonazhit e mureve të narteksit dhe nefeve anësore për të zbutur pjerrësinë e çatisë. Edhe pse nuk mund të quhet e përkryer në aspektin estetik, nëpërmjet proporcioneve, lëvizjes së vëllimeve, dekorimit piktoresk të mureve ndërtuesit na kanë dhënë një godinë që shquhet ndër monumentet e kësaj periudhe. Duke u ruajtur në tërësinë e saj, ajo gjithashtu përbën një dëshmi të dorës së parë për njohjen dhe vlerësimin e arkitekturës të shek. XI-XIV.

info@balkancultureheritage.com