Kisha e Shën Stefanit në Dhërmi

Kisha e Shën Stefanit në Dhërmi

Paraqet, në gjendjen e sotme, një kapelë të periudhës së pas pushtimit turk, në muret e së cilës janë përfshirë edhe pjesë muresh më të vjetra. Studimi i tyre dhe shtrirja planimetrike flasin qartë se ndërtimi i vjetër ka qenë një bazilikë trenefëshe. Kapela e re është ndërtuar duke përdorur pjesë të absidës së vjetër dhe është në brendësi të nefit qendror. Muri i absidës është ndërtuar me gurë lumi, lidhur me llaç gëlqereje. Në fugaturën me llaç të bollshëm ndërmjet gurëve janë vendosur dhe copëra tjegullash. Në ndonjë vend ka dhe tjegulla të vendosura pjerrtas. Si ndërtimi planimetrik, ashtu edhe teknika e ndërtimit të mureve të shtyjnë të mendosh për një datim të hershëm të kishës. Nisur nga mënyra e ndërtimit të mureve që takohet edhe në Himarë, ne do të mendonim se kjo kishë është ndërtuar gjatë shekujve XI-XII.

info@balkancultureheritage.com