Kisha e Shën Triadhës

Kisha e Shën Triadhës

Po në kala, më të vonë dhe më të përsosur se ajo. Kjo kishë, që ruhet tërësisht, paraqet pas punimeve restauruese shembullin më të mirë të këtij tipi. Kisha përbëhet nga naosi me katër mbështetje dhe narteksi i shtuar pak më vonë, në mos në një kohë me naosin. Të dy këta paraqesin në çati formën e kryqit, Në naos ai formohet nga sistemi i qemerëve të krahëve, që dalin nga qendra e mbuluar me kupolë mbi tambur, duke pasur ambientet këndore në nivel më të ulët dhe të mbuluara me kësulë sferike, shenjë e një influence të shkollës kryeqytetase. Muret e kishës janë ndërtuar me gurë dhe copëra tullash në pjesën e poshtme dhe kluasonazh në pjesën e sipërme. Element qendror i dekorit të mureve janë dritaret e mëdha të frontoneve, me një dritare dyshe në mes, nike anash, të tëra të rrethuara me harqe të shkallëzuara tullash, ndërsa fusha me tulla të vendosura në formë zigzagu. Frontonet përfundojnë me hark të mprehtë, ndërsa tamburi me kornizë të valëzuar mbi koloneta prej guri çmërs. Faqet e tij kanë alternativisht nike e dritare, të rrethuar nga harqe të shkallëzuar në tërë lartësinë e tamburit. Fusha e nikeve është me tulla të vendosura zig-zag. Ky monument përbën një ndërtim të arritur të arkitekturës bizantine të vendit tonë, jo vetëm në anën e jashtme por edhe në brendësi, ku mbizotëron si aksi vertikal ashtu dhe ndjenja e hapësirës së pafund krahas karakterit intim. Kolonat, harqet, dritaret, afresku dhe ndriçimi, që të tëra këto së bashku ndihmojnë për një perceptim të tillë. Në anën e jashtme kemi dekorin piktoresk keramoplastik, formën karakteristike planimetrike të çative me lëvizjen e volumeve. Datimi i këtij monumenti është gjysma e dytë e shek. XIII fillimi i shek. XIV, ndërsa narteksi jo më vonë se gjysma e parë e shek. XIV.

I vetmi shembull i variantit kryeqytetas të kishave kryq i brendashkruar me kupolë, që ka si tipar dallues karakteristik praninë e një hapësire ndërmjet bemës dhe naosit, d.m.th. ka të plotë krahun lindor të kryqit, i cili vjen menjëherë pas ambientit të altarit, është kisha e Manastirit të Shën Mërisë së Pojanit të Fierit. Ajo përbëhet nga naosi, ambienti i altarit, narteksi, një ekzonarteks i shtuar më vonë, një skevofilakion, në anën veriore dhe një kapelë e vonë dedikuar Shën Mitrit në anën veriore. Naosi nënshtrohet nga hapësira qendrore nën kupolën, duke pasur mjaft të vegjël ambientet këndorë, të mbuluar me qemerë cilindrik si në provincë. Kisha është ndërtuar me gurë të mëdhenj të marrë nga teatri i Apolonisë, ndërsa pjesët e sipërme, kornizat dyfishe në formë dhëmbë sharre, si dhe kupola janë ndërtuar me tulla. Tamburi është dymbëdhjetë faqesh, të formuara këto faqe nga nike të harkuara në pjesën e sipërme. Shenjë tjetër dalluese e influencave të kryeqytetit është edhe absida pesëfaqëshe. Në hyrjet veriore e jugore të naosit dhe narteksit ka portikë të vegjël, portat e të cilave janë mbuluar me harqe të mprehta, që krahas kapiteleve mbi katër kolonat e naosit janë influenca të arkitekturës dhe artit perëndimor. Në një kohë të dytë është shtuar ekzonarteksi me portikun me kapitele karakteristike të artit romanik. Duke u nisur edhe nga një mbishkrim në absidë që mban datën 1250 ky monument datohet si i gjysmës së parë të shek. XIII, në mos dhe më i hershëm. Në brendësi është me interes krijimi i një hapësire pak a shumë statike, për shkak të vëllimit të madh të pjesës nën kupolë dhe mos përfshirja e pjesëve anësore në të. Një gjë e tillë ndihet më pak në anën e jashtme me faqe të rrafshëta e të gurta vetëm në pjesët e sipërme për shkak të lëvizjes së madhe në vëllimet e çatisë. Ndër kishat e tipit kryq i brendashkruar me kupolë duhet futur për formën e jashtme dhe tipare kryesore të ndërtimit te brendshëm edhe kisha e Shën Mërisë në Labovë të Kryqit të Gjirokastrës, e cila ka edhe mjaft tipare të veçanta që e dallojnë nga tipi. Kisha në gjendjen e sotme përbëhet prej bërthamës së vjetër gati katrore në plan dhe shtesave në anët jugore, veriore dhe perëndimore. Gjithashtu, në vitin 1776 janë rindërtuar absidat dhe janë bërë një sërë përforcimesh në brendësi për të mbajtur strukturat e dëmtuara të kishës. Vetë kisha e vjetër përbëhet nga pjesa qendrore katrore mbuluar me kupolë, nga e cila hapen katër krahët e kryqit të mbuluar me qemerë cilindrikë, ndër të cilët ai lindori është më i shkurtër. Pjesa qendrore me kupolë ndahet nga pjesët anësore nëpërmjet arkadave treshe dykatëshe, duke u theksuar në këtë mënyrë si vëllim qendror i naosit. Kupola mbështetet mbi harqet mbajtës që ngrihen mbi katër pilastra masive në këndet e këtij vëllimi qendror. Këto pilastra, në anën lindore shërbejnë për të formuar ambientin e altarit, ndërsa në anën perëndimore për të veçuar si ekzonarteks krahun perëndimor të kryqit dhe ambientet këndorë. Në anë e jashtme muret e kishës janë ndërtuar me gurë e tulla. Deri në nivelin e frontoneve të krahëve të kryqit muratura është me kluasonazh, me veçantinë që tullat vertikale shoqërohen nga të dy anët me gjysma tullash të vendosur pjerrtas (teknikë e hasur në Kostur, Cerckë, Bual e Kosinë). Pjesët e tjera, frontonet dhe tamburi i kupolës janë zbukuruar vetëm me tulla të vendosura në vizatime nga më të ndryshmit (tulla të plota, trekëndëshe, këlliç, rombe etj.), duke i veshur këto pjesë me një qilim të kuq tullash (dekor i hasur në Kostur, Artë, Ohër). Me përmasat e tij të mëdha (17 m lartësia) dhe me përpunimin dekorativ të pamjeve të jashtme, ky monument arrin të krijojë ndjenjën e madhështisë dhe të hapësirës së pafundme. Tipologjikisht, forma e veçantë mund të shpjegohet së pari me ndikime të tipave të vjetër të Selanikut e Kostandinopojës (shek. VIII-IX), ku krijohet ambienti qendror dhe së dyti, me përpjekjet që bëhen në Konstandinopojë e gjetkë në fund të shek. XII, për të gjetur shprehje të reja arkitekturale në formimin e pjesës qendrore. Kisha datohet në gjysmën e dytë të shek. XIII për këto lidhje të fundit tipologjike dhe për hovin që merr arkitektura në Despotatin e Epirit. Krahas ndërtimeve të mësipërme ku tipi është i formuar qartë nga qenia e katër mbështetjeve të lira qëndrojnë në vete dhe kishat pa mbështetje të lira. Karakteristike e tyre janë përmasat e vogla, planimetria drejtkëndëshe, mungesa e mbështetjeve të lira (pilastra apo kolona) në brendësi. Ndërsa forma e kryqit formohet në brendësi nga qemerët që mbulojnë krahët e kryqit, kurse në anën e jashtme (jo gjithnjë) nga qenia në nivel më të lartë e çative të krahëve të kryqit.

info@balkancultureheritage.com