E ndërtuar jashtë mureve të kalasë, në shkëmbin e thepisur që bie mbi lumin Osum Është një kapelë që për përmasat, proporcionet, format dhe dekori arkitektural, vendosja dhe lidhja me ambientin përbën një nga zgjidhjet më të mira të arkitekturës mesjetare të vendit tonë. Ajo përbëhet nga naosi dhe narteksi më i ulët i mbuluar me qemer cilindrik në anën perëndimore. Kisha është ndërtuar e tëra me kluasonazh me dy tulla vertikale, ndërsa pjesët në dukje të tamburit me tulla. Çatia e naosit është me frontone që takohen në qoshet e naosit (pra forma e kryqit nuk duhet në çati) ndërsa çatia e kupolës ndjek formën e harqeve mbi koloneta. Ndryshe nga kishat e tjera të kësaj periudhe të Beratit, këtu është më i theksuar sensi vertikal për shkak të lartësive të mëdha si të naosit, ashtu edhe të tamburit me kupolën e zbukuruar nga harqet e shkallëzuar që rrethojnë niket e dritaret. Me interes është të shënohen harqet e mprehta në brendësi, shenja të ndikimeve të arkitekturës perëndimore, ndofta tashmë pjesë e repertorit teknik lokal. Datimi i këtij monumenti si i shek. XIV është bërë jo vetëm për nga format arkitekturore por dhe nga krahasimi me kishat e tjera të Beratit e rrethet e tij, duke dalluar një zhvillim ndër ta, një përvojë në krijimin dhe përdorimin e formave arkitekturore dhe rritje të mjeshtërisë ndërtimore. Ndër kishat me kupolë është dhe një kapelë e vogël, Shën Mëria në Dhërmi të Vlorës, e tipit me naos katrorë me kupolë (kohës para pushtimit turk i takon vetëm pjesa sot ambient i altarit), ndërtuar me gurë dhe tulla, që për nga dekori, proporcionet dhe teknika e ndërtimit datohet në shek. XIII-XIV.