Është selia e dikurshme peshkopatës së Drinopojës (Adrianopoja e antikitetit). Sot kisha është e transformuar nga një shtesë e vjetër në anën jugore dhe meremetime e përforcime, si në brendësi, ashtu dhe në muret e jashtme e pranë tyre. Forma e vjetër e kishës ishte me katër pilastra, si mbështetje të sistemit të qemerëve që mbajnë tamburin me kupolën. Duke qenë ndër shembujt e parë të ndërtuar tek ne nga ky tip, pilastrat akoma nuk janë mbështetje të lira në kuptimin e plotë të fjalës, por pjesë të mureve-arkada që ndajnë pjesën qendrore dhe krahët e kryqit nga ambientet këndore. Në këtë mënyrë, i jepet brendësisë një pamje pak a shumë bazilikale në pjesën e poshtme, dëshmi e një datimi të hershëm dhe e lidhjes me tipat më të vjetër. Muret e kishës janë ndërtuar kryesisht me gurë. Tullat janë vendosur vetëm në absidën e madhe e cila është zbukuruar së tepërmi me harqe tullash me shije primitive. Mbi çatitë, sot të tjetërsuara, ngrihet tamburi me kupolën, i ulët, i ndërtuar me gurë dhe ndonjë rresht tullash në nivelin e dritareve dysh.
Fazës së dytë të ndërtimit i takon një ambient i ndërtuar në anën jugore, me mure me kluasonazh dhe pjesën lindore të zbukuruara në tërë frontonin me rreshta tullash të vendosura pjerrtazi e rozeta, të ngjashëm me Shën Theodorën në Artë (Greqi), shek. XIII-XIV.
Monumenti paraqet rëndësi të veçantë për ndërtimin vëllimor, krijimin e tipit, hapësirën e brendshme statike ku mbizotëron vëllimi e qëndron nën kupolë (fig. 29). Datimi i tij bëhet duke u nisur nga ndërtimi planimetrik e vëllimor primitiv (afri me bazilikat dhe bema si vëllim i veçantë në anën e jashtme) proporcionet e rënda, mungesa e kluasonazhit duke vlerësuar këtu edhe kornizat e zhvilluara me dy rreshta dhëmbësharre, veçimin e ndjeshëm të pilastrave në anën perëndimore nga muri arkadë. Nga këto të dhëna dhe krahasimi me monumente të tjera të ngjashme si ato në German (Maqedoni), Mesemvria (Bullgari), Gaurolimini e Korfuz (Greqi), kisha datohet si e fundit të shek. X deri në mesin e shek. XII. Kufiri i fundit përputhet me mbishkrimin që udhëtari anglez Holland lexonte në fillim të shek. XIX që kisha është ndërtuar në kohën e Manuel Komnenit (1143- 1180), duke pasur një sërë rezervash për këtë lexim. Për sa i përket fazës së dytë ajo duhet t’i takojë fundit të shek. XIII fillimit të shek. XIV.