në ishullin homonim të liqenit të Nartës. Është një kapelë të cilës më vonë i është shtuar një narteks i dytë dhe një hajat me kolona në anën veriore. Kisha përbëhet nga naosi me planimetri në formë kryqi të lirë dhe narteksi ngjitur krahut perëndimor, i mbyllur me qemer cilindrik me formuese verijug, duke pasur një lidhje më të drejtpërdrejtë (jo më portë si në Marmiro) të naosit me narteksin. Muret janë me gurë, duke i pasur të skuadruar ata të qosheve. Në dallim nga Marmiroi, muret anësore zbukurohen nga arkada që flasin për një influencë perëndimore. Ndryshe nga Marmiroi, kisha e Zvërnecit është me vlera më të mëdha arkitekturale, e arritur për nga proporcionet, trajtimi i jashtëm me arkada dhe korniza e dyfishtë e kupolës. Duke u nisur nga këto të dhëna, kisha datohet në shek. XIII-XIV. Kishat me planimetri kryq i brendashkruar me kupolë. Në këtë nëngrup hyjnë një numër i konsiderueshëm i kishave të kësaj periudhe, karakteristikë e të cilave është formimi i kryqit në brendësi nga qemerët që mbulojnë krahët e kryqit dhe në anën e jashtme nga çatitë që i mbulojnë ato.
Ndër këto monumente mund të dallohen ato kapela që nuk kanë mbështetje të brendshme, dhe ato ndër të cilat kupola ngrihet mbi mbështetje të brendshme. Ky tip i fundit që formohet në Kostandinopojë nga fundi i shek. IX fillon të njihet në vendin tonë gjatë shek. X-XI, në fillim me forma që ruajnë akoma mjaft tipare të tipave të mëparshëm me planimetri bazilikale.