Si në tërë botën mesdhetare nën influencën e arkitekturës bizantine edhe në vendin tonë, gjatë shekujve X-XV gjen përhapje tipi arkitektural me planimetrinë në formë kryqi me kupolë. Karakteristikë e kishave të këtij tipi është planimetria me formën simbolike të kryqit, si në trajtën e plotë kryq i lirë, ku konturet e jashtme të ndërtesës i përmbahen formës së kryqit dhe pjesa qendrore mbulohet me kupolë, ashtu edhe në formën që studiuesit e kanë quajtur “kryq i brendashkruar” ku planimetrisë drejtkëndëshe i korrespondon një ndërtim struktural e vëllimor që në pjesën e sipërme bën të dalë në dukje forma e kryqit, duke pasur pjesën qendrore mbuluar me kupolë. Në vendin tonë takohen tërë variantet që ndërtohen në kryeqytet dhe provinca. Shtrirja territoriale, niveli teknik i ekzekutimit dhe ai arkitektural, përmasat dhe dekori, të shpien në përfundimin se edhe tek ne ky tip ka qenë dominues sidomos gjatë shek. XIII-XIV. Kishat e këtij tipi ndërtoheshin jo vetëm në qytete por edhe në manastire e fshatra, duke ju përshtatur kështu një shije arkitekturale sunduese, edhe në të njëjtën kohë mbeten një dëshmi e shkallës së lartë të zhvillimit ekonomikoshoqëror e kulturor të trevave shqiptare. Për nga tipologjia do të klasifikojmë monumentet tona në dy nëngrupe kryesore: me planimetri në formë kryqi të lirë dhe me planimetri në formë kryqi të brendashkruar. Në vendin tonë ruhen dy monumente me planimetri në formë kryqi, i cili vizohet qartë me konturet e jashtme të ndërtesës dhe në ndërtimin e brendshëm.
Ndodhet në jug të gjirit të Vlorës, pranë qendrës mesjetare të Jerikosë, Orikumit të lashtësisë. Është me planimetri kryq i lirë me kupolë mbi tambur dhe me narteks. Kryqi është i lexueshëm jo vetëm në planimetri por edhe në ndërtimin vëllimor e struktural të brendësisë dhe pamjen e jashtme. Krahët verior dhe jugor janë më të shkurtër se do të tjerët. Kisha është e ndërtuar me gurë duke pasur vetëm pak tulla në absidë. Muret e saj të rrafshëta prej guri përfundojnë me korniza të drejta të frontoneve, mbi çatinë e të cilëve ngrihet tamburi cilindrik dhe i lartë mbuluar me çati konike. Nga përmasat e vogla në muret ka vetëm dyer, duke u ndriçuar brendësia vetëm nga dritaret e tamburit të kupolës. Nga afresket e dikurshme ruhen vetëm fragmente të dëmtuara, ndërsa nga narteksi i rrënuar vetëm fillimet e mureve. Duke u nisur nga përmasat e vogla, proporcionet dhe format arkitekturale, si dhe krahasimi me kishat e të njëjtit tip të vendeve fqinjë, monumenti datohet si jo më i vonë se i shek. XIII.
në ishullin homonim të liqenit të Nartës. Është një kapelë të cilës më vonë i është shtuar një narteks i dytë dhe një hajat me kolona në anën veriore. Kisha përbëhet nga naosi me planimetri në formë kryqi të lirë dhe narteksi ngjitur krahut perëndimor, i mbyllur me qemer cilindrik me formuese verijug, duke pasur një lidhje më të drejtpërdrejtë (jo më portë si në Marmiro) të naosit me narteksin. Muret janë me gurë, duke i pasur të skuadruar ata të qosheve. Në dallim nga Marmiroi, muret anësore zbukurohen nga arkada që flasin për një influencë perëndimore. Ndryshe nga Marmiroi, kisha e Zvërnecit është me vlera më të mëdha arkitekturale, e arritur për nga proporcionet, trajtimi i jashtëm me arkada dhe korniza e dyfishtë e kupolës. Duke u nisur nga këto të dhëna, kisha datohet në shek. XIII-XIV. Kishat me planimetri kryq i brendashkruar me kupolë. Në këtë nëngrup hyjnë një numër i konsiderueshëm i kishave të kësaj periudhe, karakteristikë e të cilave është formimi i kryqit në brendësi nga qemerët që mbulojnë krahët e kryqit dhe në anën e jashtme nga çatitë që i mbulojnë ato.
Ndër këto monumente mund të dallohen ato kapela që nuk kanë mbështetje të brendshme, dhe ato ndër të cilat kupola ngrihet mbi mbështetje të brendshme. Ky tip i fundit që formohet në Kostandinopojë nga fundi i shek. IX fillon të njihet në vendin tonë gjatë shek. X-XI, në fillim me forma që ruajnë akoma mjaft tipare të tipave të mëparshëm me planimetri bazilikale.
Është selia e dikurshme peshkopatës së Drinopojës (Adrianopoja e antikitetit). Sot kisha është e transformuar nga një shtesë e vjetër në anën jugore dhe meremetime e përforcime, si në brendësi, ashtu dhe në muret e jashtme e pranë tyre. Forma e vjetër e kishës ishte me katër pilastra, si mbështetje të sistemit të qemerëve që mbajnë tamburin me kupolën. Duke qenë ndër shembujt e parë të ndërtuar tek ne nga ky tip, pilastrat akoma nuk janë mbështetje të lira në kuptimin e plotë të fjalës, por pjesë të mureve-arkada që ndajnë pjesën qendrore dhe krahët e kryqit nga ambientet këndore. Në këtë mënyrë, i jepet brendësisë një pamje pak a shumë bazilikale në pjesën e poshtme, dëshmi e një datimi të hershëm dhe e lidhjes me tipat më të vjetër. Muret e kishës janë ndërtuar kryesisht me gurë. Tullat janë vendosur vetëm në absidën e madhe e cila është zbukuruar së tepërmi me harqe tullash me shije primitive. Mbi çatitë, sot të tjetërsuara, ngrihet tamburi me kupolën, i ulët, i ndërtuar me gurë dhe ndonjë rresht tullash në nivelin e dritareve dysh.
Fazës së dytë të ndërtimit i takon një ambient i ndërtuar në anën jugore, me mure me kluasonazh dhe pjesën lindore të zbukuruara në tërë frontonin me rreshta tullash të vendosura pjerrtazi e rozeta, të ngjashëm me Shën Theodorën në Artë (Greqi), shek. XIII-XIV.
Monumenti paraqet rëndësi të veçantë për ndërtimin vëllimor, krijimin e tipit, hapësirën e brendshme statike ku mbizotëron vëllimi e qëndron nën kupolë (fig. 29). Datimi i tij bëhet duke u nisur nga ndërtimi planimetrik e vëllimor primitiv (afri me bazilikat dhe bema si vëllim i veçantë në anën e jashtme) proporcionet e rënda, mungesa e kluasonazhit duke vlerësuar këtu edhe kornizat e zhvilluara me dy rreshta dhëmbësharre, veçimin e ndjeshëm të pilastrave në anën perëndimore nga muri arkadë. Nga këto të dhëna dhe krahasimi me monumente të tjera të ngjashme si ato në German (Maqedoni), Mesemvria (Bullgari), Gaurolimini e Korfuz (Greqi), kisha datohet si e fundit të shek. X deri në mesin e shek. XII. Kufiri i fundit përputhet me mbishkrimin që udhëtari anglez Holland lexonte në fillim të shek. XIX që kisha është ndërtuar në kohën e Manuel Komnenit (1143- 1180), duke pasur një sërë rezervash për këtë lexim. Për sa i përket fazës së dytë ajo duhet t’i takojë fundit të shek. XIII fillimit të shek. XIV.
Asaj i mungojnë kolonat perëndimore, duke pasur në vend të tyre mure që veçojnë nga naosi ambientet këndorë veri dhe jugperëndimorë, të cilët hapen ndaj narteks. Si material ndërtimi është përdorur guri dhe tulla. Tullat në muraturë janë vendosur në radhë horizontale, ndërmjet gurëve vertikalisht dhe të pjerrura anash këtyre të fundit, si në Kostur, Bual dhe më vonë në Labovë të Kryqit. Dekori i dritareve të mëdha dhe frontoneve të krahëve të kryqit, tamburi i kupolës dhe kornizat në formë dhëmbësharrë, janë ndërtuar tërësisht me tulla. Ndërsa frontonet e krahëve të kryqit përfundojnë me vija të mprehta, ato të narteksit janë me vija të lakuara, shenjë e një lidhje me shkollën arkitekturale greke. Monumenti karakterizohet për një shije primitive si në dekorin e mureve dhe format e pazhvilluara ashtu edhe në ndërtimin e brendësisë dhe proporcionet e rënda, sidomos të tamburit cilindrik të madh dhe të ulët. Datimi i tij si i gjysmës së parë të shek. XII bëhet mbi bazën e ndërtimit planimetrik e vëllimor, arkitekturën e jashtme, proporcionet e rënda, kluasonazhi jo i formuar mirë. Nga monumentet e tjerë të këtij nëngrupi, dy kisha në kalanë e Beratit kanë një rëndësi të veçantë për studimin e tipit për shkak të ndërtimit të plotë të tij dhe të formuar në të tëra aspektet, të vendosjes së tyre në kohë dhe zhvillimit që paraqesin njëri ndaj tjetrit.
Megjithëse e transformuar në shek. XVI kur është edhe ripikturuar nga Nikolla i Onufrit, kisha ruan qartë format e dikurshme të kishës me planimetri kryq i brendashkruar me katër mbështetje të brendshme. Si struktura nga ajo ruhen dy pilastrat lindore, pjesë të ambientit të altarit që ruhet në trajtat e dikurshme, si dhe muret anësore të naosit. Nga këto, i plotë ka arritur muri lindor me absidën trefaqëshe. Në muret verior dhe jugor dallohet prania e frontoneve me dritare të krahëve të kryqit, qemerët e të cilëve bashkë me kupolën me tambur janë rrëzuar përpara rindërtimit që përmendëm më lart. Muratura është e ndërtuar me gurë e tulla, sipas teknikës së kluasonazhit. Me tulla janë harqet e shkallëzuara të dritareve, pjesët e zbukuruara mbi të nën kornizat me dy radhë tullash të dhëmbëzuara, që fillojnë e bëhen pjesë e traditës vendase arkitekturale. Kisha ka një pamje të rëndë dhe primitive në proporcionet e sidomos në teknikën e ndërtimit dhe për pasojë dhe dekorin. Format dhe proporcionet janë pak të kërkuara dhe dëshmojnë për një nivel jo të lartë ndërtimi.
Po në kala, më të vonë dhe më të përsosur se ajo. Kjo kishë, që ruhet tërësisht, paraqet pas punimeve restauruese shembullin më të mirë të këtij tipi. Kisha përbëhet nga naosi me katër mbështetje dhe narteksi i shtuar pak më vonë, në mos në një kohë me naosin. Të dy këta paraqesin në çati formën e kryqit, Në naos ai formohet nga sistemi i qemerëve të krahëve, që dalin nga qendra e mbuluar me kupolë mbi tambur, duke pasur ambientet këndore në nivel më të ulët dhe të mbuluara me kësulë sferike, shenjë e një influence të shkollës kryeqytetase. Muret e kishës janë ndërtuar me gurë dhe copëra tullash në pjesën e poshtme dhe kluasonazh në pjesën e sipërme. Element qendror i dekorit të mureve janë dritaret e mëdha të frontoneve, me një dritare dyshe në mes, nike anash, të tëra të rrethuara me harqe të shkallëzuara tullash, ndërsa fusha me tulla të vendosura në formë zigzagu. Frontonet përfundojnë me hark të mprehtë, ndërsa tamburi me kornizë të valëzuar mbi koloneta prej guri çmërs. Faqet e tij kanë alternativisht nike e dritare, të rrethuar nga harqe të shkallëzuar në tërë lartësinë e tamburit. Fusha e nikeve është me tulla të vendosura zig-zag. Ky monument përbën një ndërtim të arritur të arkitekturës bizantine të vendit tonë, jo vetëm në anën e jashtme por edhe në brendësi, ku mbizotëron si aksi vertikal ashtu dhe ndjenja e hapësirës së pafund krahas karakterit intim. Kolonat, harqet, dritaret, afresku dhe ndriçimi, që të tëra këto së bashku ndihmojnë për një perceptim të tillë. Në anën e jashtme kemi dekorin piktoresk keramoplastik, formën karakteristike planimetrike të çative me lëvizjen e volumeve. Datimi i këtij monumenti është gjysma e dytë e shek. XIII fillimi i shek. XIV, ndërsa narteksi jo më vonë se gjysma e parë e shek. XIV.
I vetmi shembull i variantit kryeqytetas të kishave kryq i brendashkruar me kupolë, që ka si tipar dallues karakteristik praninë e një hapësire ndërmjet bemës dhe naosit, d.m.th. ka të plotë krahun lindor të kryqit, i cili vjen menjëherë pas ambientit të altarit, është kisha e Manastirit të Shën Mërisë së Pojanit të Fierit. Ajo përbëhet nga naosi, ambienti i altarit, narteksi, një ekzonarteks i shtuar më vonë, një skevofilakion, në anën veriore dhe një kapelë e vonë dedikuar Shën Mitrit në anën veriore. Naosi nënshtrohet nga hapësira qendrore nën kupolën, duke pasur mjaft të vegjël ambientet këndorë, të mbuluar me qemerë cilindrik si në provincë. Kisha është ndërtuar me gurë të mëdhenj të marrë nga teatri i Apolonisë, ndërsa pjesët e sipërme, kornizat dyfishe në formë dhëmbë sharre, si dhe kupola janë ndërtuar me tulla. Tamburi është dymbëdhjetë faqesh, të formuara këto faqe nga nike të harkuara në pjesën e sipërme. Shenjë tjetër dalluese e influencave të kryeqytetit është edhe absida pesëfaqëshe. Në hyrjet veriore e jugore të naosit dhe narteksit ka portikë të vegjël, portat e të cilave janë mbuluar me harqe të mprehta, që krahas kapiteleve mbi katër kolonat e naosit janë influenca të arkitekturës dhe artit perëndimor. Në një kohë të dytë është shtuar ekzonarteksi me portikun me kapitele karakteristike të artit romanik. Duke u nisur edhe nga një mbishkrim në absidë që mban datën 1250 ky monument datohet si i gjysmës së parë të shek. XIII, në mos dhe më i hershëm. Në brendësi është me interes krijimi i një hapësire pak a shumë statike, për shkak të vëllimit të madh të pjesës nën kupolë dhe mos përfshirja e pjesëve anësore në të. Një gjë e tillë ndihet më pak në anën e jashtme me faqe të rrafshëta e të gurta vetëm në pjesët e sipërme për shkak të lëvizjes së madhe në vëllimet e çatisë. Ndër kishat e tipit kryq i brendashkruar me kupolë duhet futur për formën e jashtme dhe tipare kryesore të ndërtimit te brendshëm edhe kisha e Shën Mërisë në Labovë të Kryqit të Gjirokastrës, e cila ka edhe mjaft tipare të veçanta që e dallojnë nga tipi. Kisha në gjendjen e sotme përbëhet prej bërthamës së vjetër gati katrore në plan dhe shtesave në anët jugore, veriore dhe perëndimore. Gjithashtu, në vitin 1776 janë rindërtuar absidat dhe janë bërë një sërë përforcimesh në brendësi për të mbajtur strukturat e dëmtuara të kishës. Vetë kisha e vjetër përbëhet nga pjesa qendrore katrore mbuluar me kupolë, nga e cila hapen katër krahët e kryqit të mbuluar me qemerë cilindrikë, ndër të cilët ai lindori është më i shkurtër. Pjesa qendrore me kupolë ndahet nga pjesët anësore nëpërmjet arkadave treshe dykatëshe, duke u theksuar në këtë mënyrë si vëllim qendror i naosit. Kupola mbështetet mbi harqet mbajtës që ngrihen mbi katër pilastra masive në këndet e këtij vëllimi qendror. Këto pilastra, në anën lindore shërbejnë për të formuar ambientin e altarit, ndërsa në anën perëndimore për të veçuar si ekzonarteks krahun perëndimor të kryqit dhe ambientet këndorë. Në anë e jashtme muret e kishës janë ndërtuar me gurë e tulla. Deri në nivelin e frontoneve të krahëve të kryqit muratura është me kluasonazh, me veçantinë që tullat vertikale shoqërohen nga të dy anët me gjysma tullash të vendosur pjerrtas (teknikë e hasur në Kostur, Cerckë, Bual e Kosinë). Pjesët e tjera, frontonet dhe tamburi i kupolës janë zbukuruar vetëm me tulla të vendosura në vizatime nga më të ndryshmit (tulla të plota, trekëndëshe, këlliç, rombe etj.), duke i veshur këto pjesë me një qilim të kuq tullash (dekor i hasur në Kostur, Artë, Ohër). Me përmasat e tij të mëdha (17 m lartësia) dhe me përpunimin dekorativ të pamjeve të jashtme, ky monument arrin të krijojë ndjenjën e madhështisë dhe të hapësirës së pafundme. Tipologjikisht, forma e veçantë mund të shpjegohet së pari me ndikime të tipave të vjetër të Selanikut e Kostandinopojës (shek. VIII-IX), ku krijohet ambienti qendror dhe së dyti, me përpjekjet që bëhen në Konstandinopojë e gjetkë në fund të shek. XII, për të gjetur shprehje të reja arkitekturale në formimin e pjesës qendrore. Kisha datohet në gjysmën e dytë të shek. XIII për këto lidhje të fundit tipologjike dhe për hovin që merr arkitektura në Despotatin e Epirit. Krahas ndërtimeve të mësipërme ku tipi është i formuar qartë nga qenia e katër mbështetjeve të lira qëndrojnë në vete dhe kishat pa mbështetje të lira. Karakteristike e tyre janë përmasat e vogla, planimetria drejtkëndëshe, mungesa e mbështetjeve të lira (pilastra apo kolona) në brendësi. Ndërsa forma e kryqit formohet në brendësi nga qemerët që mbulojnë krahët e kryqit, kurse në anën e jashtme (jo gjithnjë) nga qenia në nivel më të lartë e çative të krahëve të kryqit.
Është një kapelë mjaft piktoreske nga trajtimi i jashtëm dhe proporcionet e goditura. Ajo sot është e dëmtuar dhe me një hajat të vonë në anët jugore dhe perëndimore. Brendësia është mjaft intime si rezultat i krahëve të kryqit mjaft të vegjël me kupolë mbi tambur që nënvizon vertikalitetin. Në anën e jashtme kisha është ndërtuar me gurë dhe tulla, duke pasur dhe pjesë me kluasonazh, ndërsa tamburi i kupolës është i tëri me tulla, tetë faqesh me koloneta në qoshet. Sipas mbishkrimit të ruajtur në pikturën e murit perëndimor, kisha është ndërtuar në vitin 1389.
E ndërtuar jashtë mureve të kalasë, në shkëmbin e thepisur që bie mbi lumin Osum Është një kapelë që për përmasat, proporcionet, format dhe dekori arkitektural, vendosja dhe lidhja me ambientin përbën një nga zgjidhjet më të mira të arkitekturës mesjetare të vendit tonë. Ajo përbëhet nga naosi dhe narteksi më i ulët i mbuluar me qemer cilindrik në anën perëndimore. Kisha është ndërtuar e tëra me kluasonazh me dy tulla vertikale, ndërsa pjesët në dukje të tamburit me tulla. Çatia e naosit është me frontone që takohen në qoshet e naosit (pra forma e kryqit nuk duhet në çati) ndërsa çatia e kupolës ndjek formën e harqeve mbi koloneta. Ndryshe nga kishat e tjera të kësaj periudhe të Beratit, këtu është më i theksuar sensi vertikal për shkak të lartësive të mëdha si të naosit, ashtu edhe të tamburit me kupolën e zbukuruar nga harqet e shkallëzuar që rrethojnë niket e dritaret. Me interes është të shënohen harqet e mprehta në brendësi, shenja të ndikimeve të arkitekturës perëndimore, ndofta tashmë pjesë e repertorit teknik lokal. Datimi i këtij monumenti si i shek. XIV është bërë jo vetëm për nga format arkitekturore por dhe nga krahasimi me kishat e tjera të Beratit e rrethet e tij, duke dalluar një zhvillim ndër ta, një përvojë në krijimin dhe përdorimin e formave arkitekturore dhe rritje të mjeshtërisë ndërtimore. Ndër kishat me kupolë është dhe një kapelë e vogël, Shën Mëria në Dhërmi të Vlorës, e tipit me naos katrorë me kupolë (kohës para pushtimit turk i takon vetëm pjesa sot ambient i altarit), ndërtuar me gurë dhe tulla, që për nga dekori, proporcionet dhe teknika e ndërtimit datohet në shek. XIII-XIV.