Në këtë nëngrup bëjnë pjesë një sërë kishash me planimetri njënefëshe të cilat janë të mbuluara me çati me kapriata druri. Të tilla janë Profet Ilia në Bual të Përmetit, Shën Sergji e Baku në Himarë, Shën Jovani në Boboshticë dhe Shën Mitri në Bezmisht të Korçës, disa kisha rrënojë në Kamenicë e Butrint të Sarandës dhe kisha e Shën Kollit në Shelcan të Elbasanit. Ky variant takohet, pa ndonjë dallim thelbësor, si në kisha me përmasa të vogla, ashtu dhe në ato me përmasa të mëdha. Sidoqoftë, disa ndërtime të qendrave të mëdha dhe manastireve në zë shquhen për përmasat e tyre (Himarë, Rashkullë, Shurdhah). Por në shekujt e fundit, ndërsa në Shqipërinë e Jugut ndërtimet njënefëshe janë ndërtime të rëndomta, të vogla dhe pa pretendime, në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut ato janë tipar mbizotërues dhe për këtë, si në drejtim të përmasave, edhe të vlerave, shquhen ndaj atyre të Shqipërisë së Jugut. Të tilla janë katedralet (Shkodër, Danjë, Sapë, Lezhë) dhe kisha të tjera të mëdha (Zejmen, Pllanë), ku në një pjesë prej tyre tregohet përkujdesje e veçantë për punimin e mureve me gurë të skuadruar, në trajtimin e elementëve të tilla, si dyer e dritare, dhe absida.
Është kishë me naos drejtkëndësh, narteks dhe kolonadë në anën jugore. Nga ndërtimi i vjetër ruan muret kryesore të naosit, ndërsa i takojnë një rindërtimi narteksi, hajati dhe pilastrat në brendësi për të mbajtur mbulesën e re me qemer (fig. 1). Me interes në këtë monument është teknika e ndërtimit të mureve që mund të ndiqet kryesisht në muret verior dhe lindor. Ato janë ndërtuar kryesisht me gurë, duke pasur vende-vende tulla të vendosura horizontalisht në rreshta e njëra mbi tjetrën, si dhe tulla vertikale e tulla të pjerrta pranë tyre, më tepër në njërën anë. Teknika dhe dekori i mureve përbën një rast të ndërmjetëm të kishave të Perondisë, Kosinës dhe Labovës së Kryqit, që i takojmë më poshtë. Kemi të shpërbërë teknikën me tulla horizontale dhe futjen e dekorit me tulla të pjerrtë, por që këtu si dhe në Kosinë nuk ka marrë forma të qarta. Nga këto të dhëna kisha datohet nga fundi i shek. XI deri në gjysmën e parë të shek. XII.
Përbëhet nga naosi me absidë trefaqëshe në lindje dhe një narteksi të shtuar më vonë në anën perëndimore. Nga ndërtimi i vjetër kemi faqet lindore dhe veriore, të cilat janë ndërtuar me tulla dhe gurë çmërsi. Tullat rrethojnë gurët duke u vendosur me shumicë vertikalisht dhe në breza krye tri ose katër rreshta guri. Kjo teknikë ndërtimi me pretendime dhe vlera estetike është një shpërbërje e teknikës së njohur me emrin «kluasonazh» dhe përbën një sprovë për të fituar nga kombinimi i gurit me tullën efekte të reja dekorative, duke përdorur elementë të njohur. Në një kënd të tillë vështrimi monumenti datohet si i fundit të shek. XIV. Me interes janë gjithashtu kishat e Shelcanit (shek. XIV) dhe Bezmishtit (shek. XIV), që ruajnë pjesërisht muret e vjetra të ndërtuar me kluasonazh me dy rreshta tullash horizontalë. Jo pa vlerë janë dhe kishat e fshatit rrënojë të Kamenicës dhe ato të Butrintit, ndërtuar me gurë duke pasur vende-vende tulla horizontale. Ndër to, më të goditura janë ato të Kamenicës, ndër të cilat kisha Nr. 2, mundet më e vjetra (shek. XIII-XIV), shquhet për brezat me tulla dhe zbukurimin prej shkronjash. Në Koman, pranë Kalasë së Dalmacisë, e njohur për kulturën me të njëjtin emër të Mesjetës së Hershme, në skajet e varrezës ruhen pesë kisha, emrat e të cilave kanë arritur deri në ditët tona. Në anën lindore janë kishat e Shën Gjergjit, Shën Mëhillit dhe Shën Kollit. Dy kisha të tjera, Shën Gjoni dhe Shën Todri, janë në anën perëndimore të varrezës. Për nga vetë vendndodhja ato s’mund të jenë më të vona se shekujt XI-XII.
Në rrethin e Shkodrës ndodhen në qytetin rrënojë me të njëjtin emër, i cili është identifikuar me qytetin mesjetar të Sardës, peshkopata e së cilës varej nga kryepeshkopata e Tivarit. Në të ruhen rrënojat e mjaft kishave. Kishat më të vjetra, që është mundur të hetohen, janë të shek. XI. Ndër to është kisha, që ruhet në pjesën lindore të qytetit, ndërmjet dy mureve rrethore. Ajo është e tipit njënefëshe dhe përbëhet nga naosi dhe narteksi. Naosi është 5,30 m i gjerë dhe gjatësi rreth 10 m. Muret e tij 0,5 m të trashë janë ndërtuar me gurë gjysmë të punuar dhe të vendosur në rreshta horizontale dhe të suvatuara trashë. Dyshemeja e naosit ka qenë shtruar me pllaka drejtkëndore. Ruhen gjithashtu dhe gjurmët e fillimit të ambientit të altarit si një shkallëzim, ndërsa nuk ruhet muri lindor dhe absida. Naosi ka një portë në murin verior dhe një tjetër, që e lidh me narteksin, në anën perëndimore. Narteksi është i ngushtë dhe në të hyhet nga jugu. Kishë tjetër me vlerë është ajo pak më në jug të hyrjes në rrethimin e dytë. Prej saj, në këmbë ruhet absida dhe pjesë të mureve. Ato janë ndërtuar me gurë gjysmë të punuar, me forma të rregullta katërkëndëshe të vizuara me mistri. Kisha përbëhet nga naosi dhe narteksi i vonë në anën perëndimore. Ajo është e tipit njënefësh, me përmasa në planimetri 13 x 4,1 m dhe rreth 5,60 m e lartë. Dyshemeja që ruhet është shtruar me rrasa guri të çrregullta. Dy dritare ruhen në muret e kishës, njëra në absidë dhe tjetra pjesën jugore. Të dyja ato mbulohen me hark gjysmë rrethor. Krahas tyre, në gjendje rrënojë në Shurdhah gjenden dhe kisha të tjera mjaft prej të cilave janë rindërtuar gjatë shek. XV- XVIII. E fundit të shekullit XI duhet të jetë edhe kisha e Gëziqit në vendin e abacisë së dikurshme të Shën Mërisë së Trafandinës. Nga mbishkrimi i saj, i ripërdorur në kishën e re, kuptohet se kisha ka pas qenë e ndërtuar nga zotërit e Arbërit në harkun kohor 1190-1216. Ky manastir benediktin përmendet në vitin 1457 si kishë e dioqezës së Arbërisë.