Koha që kalon
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Koha që kalon

Le t’i kthehemi përsëri rrëfenjës në mënyrë më anekdotike. Pandora hyn në shtëpinë e Epimeteut, bëhet bashkëshortja e parë Prometeut, e cila është qerthullore a me lakadredha. Ajo tregon një gjallim të ngjashëm me hënën, bie fjala, që rritet, tretet, pastaj përtërihet, e kështu pa mbarim. Kjo kohë prometejane është e ngjashme me lëvizjet e trupave qiellorë, domethënë me ato lëvizje qerthullore që skaliten në kohë, që lejojnë ta matësh kohën me anë të tyre. Nuk është përjetësia e perëndive, nuk është as edhe koha tokësore, koha vdekatare, që rrjedh gjithmonë në të njëjtin kah. Kjo është një kohë për të cilën filozofet do të mund të thonë se është imazhi i lëvizshëm i përjetësisë së palëvizshme. Edhe personazhi i Prometeut ndehet, porsi mëlçia e tij, midis kohës lineare të njerëzve dhe qenies së përjetshme të perëndive. Funksioni i tij si ndërmjetësues në këtë histori shfaqet shumë qartas. Për më tepër, ai është vendosur në mesin e një shtylle, midis qiellit e tokës, diku ndërmjet. Ai përbën hallkën lidhëse mes epokës shumë të largët kur në një kozmos të organizuar nuk kishte ende kohë, kur perëndi e njerëz ishin të përzier, kur mbretëronte mosvdekja, pavdekësia, dhe epokës së vdekatarëve, këtej e tutje të ndarë nga perënditë, të nënshtruar ndaj vdekjes dhe ndaj kohës që kalon. Mëlçia e Prometeut është sipas shembullit të yjeve, e ngjashme me atë çka i jep ritëm dhe masë përjetësisë hyjnore dhe që luan kësisoj një rol ndërmjetësie midis botës hyjnore dhe botës njerëzore.

Lufta e Trojës

Ndryshe nga ajo çfarë ka pretenduar Zhiroduja, lufta e Trojës ka ndodhur vërtet. E pse ta tregosh kot pas Homerit, poetit që e bëri të njohur! Kjo do të ishte një përmbledhje e rëndomtë. Mbase do të ishte më e udhës të përpiqeshim të rrëfejmë arsyet dhe kuptimin e këtij konflikti. Përleshja i ka rrënjët thellë në një të shkuar shumë të moçme. Që të përpiqesh ta kuptosh, duhet të zhvendosesh kah një mori malesh, që qëndrojnë në «*

zanafillë të kësaj drame të jetuar nga vdekatarët. Eshtë Pelioni, në Greqi, por edhe mali Ida, në Trojadë dhe Tajgeti në Spartë. Këta janë male shumë të lartë, domethënë vende ku largësia midis perëndive dhe njerëzve është më e vogël se gjetkë, ku pa qenë plotësisht të fshira, kufijtë midis vdekatarëve dhe të pavdekshmëve bëhen në njëfarë mënyre të depërtueshëm. Qëllon që të ndodhin shkarje midis asaj që është hyjnore dhe asaj çka është njerëzore. Herë-herë, si në rastin e luftës së Trojës, perënditë përfitojnë nga kjo afri, nga këto takime në kreshta, për t’u përcjellë njerëzve të këqijat, katastrofat që ata duan t’i heqin qafe, duke i përzënë nga hapësira e ndritshme ku kanë ngritur selinë e vet për t’i ngulitur në sipërfaqe të tokës.

Kështu, gjithçka zë fill majë Pelionit, me dasmën e Peleut, mbretittë Ftisë dheTetidës,Nereidës. Ashtu si pesëdhjetë motrat e saj, që popullojnë me praninë e tyre dashamire e magjiplotë syprinën e ujërave dhe thellësitë e detit, Tetida është vajza e Nereut, që quhet “plaku i detit”. Vetë Nereu është bir i Pontsit, Deti, që Gjea e lindi në të njëjtën kohë me Uranin, Qiellin, në zanafillë të gjithësisë. Nga nëna e tyre, Dorida, Nereidat janë nga fara e Okeanosit, lumit kozmik të kryehershëm, që qarkon gjithësinë duke e mbajtur të shtrënguar në rrjetin qerthullor të ujit të vet. Tetida është, mbase bashkë me Amfitritën, më përfaqësuesja e Nereidave. Si hyjnesha të tjera detare, ajo ka një dhunti të pabesueshme metamorfoze. Tetida mund t’i marrë të gjitha format, mund të bëhet luan, flakë, palmë, zog, peshk. Ajo zotëron një hapësirë të gjerë shndërrimesh. Hyjneshë e detit, ashtu si uji, gjithë rrjedhshmëri, ajo nuk ngujohet në asnjë formë. Mund të kalojë gjithmonë nga njëra pamje në tjetrën, t’i shpëtojë dukjes së saj nga jashtë, si uji që rrjedh midis gishtërinjve pa mundur që ta mbash. Kjo hyjneshë, ndoshta nga vetë zhdërvjelltësia e saj e skajme, nga rrjedhshmëria e pakapshme, përfaqëson në sytë e grekëve një trajtë fuqie që e kanë trashëguar vetëm disa hyjni. Kështu, në veçanti hyjnesha Metidë, ajo me të cilën Zeusi u martua në martesën e parë. Siç e pamë, Zeusi jo vetëm që u martua me Metidën, njërën ndër hyjneshat e tjera, por e bëri bashkëshorten e vet të parë, sepse e dinte që, për shkak të vetë cilësive të pabesueshme të zhdërvjelltësisë, finesës, paqëndrueshmërisë, fëmija që do të lindte Metida do të ishte një ditë edhe më mendjemprehtë dhe e fuqishme se ai. Prandaj, me ta lënë shtatzënë perëndeshën, ai nxiton, me anë dredhish, ta kapërdijë që Metida t’i bëhet e brendshme. Fëmija që do të lindë do të jetë Athinaja dhe nuk do të ketë tjetër.

Fuqia valëzuese dhe e mprehtë që përfaqëson Metida, qysh asohere është përfshirë e gjitha te vetë Zeusi. Nuk do të ketë pra djalë që, me të ardhur çasti, t’ia kalojë të atit. Kështu, përmbyset ajo që përbën trashëgiminë e mirëfilltë të njerëzve: sado i fortë qoftë një njeri, sado i fuqishëm, meijdjehollë, mbretëror e i gjithëfuqishëm, vjen një ditë kur koha e vë përpara, kur mosha e rëndon dhe, për rrjedhojë, pinjolli që ka pjellë, vocërraku që hidhte e priste në prehër, që e ruante dhe e ushqente, bëhet burrë më i fortë se i ati, i paracaktuar t’i zërë vendin. Ndërsa, në botën e perëndive, me të zënë vend e me ta marrë fuqinë Zeusi, kurrgjë e askush nuk do të ketë zotësinë ta mënjanojë për t’i zënë fronin.

Kjo Tetidë, me dhuntinë e saj, magjinë e metamorfozës, është një krijesë mahnitëse, gjithë joshje. Dy hyj kryesorë kanë rënë në dashuri me të: Zeusi dhe Poseidoni. Ata hahen për të dhe sekush prej tyre ka ndër mend të martohet me Tetidën. Në konfliktin që kundërvë në këtë botë hyjnore Zeusin ndaj Prometeut, arma që Titani mban rezervë, karta e tij e fortë, është se ai dhe vetëm ai mban në lidhje me këtë çështje një sekret të tmerrshëm: po qe se Zeusi e përmbush dëshirën e vet, në qoftë se ai ia del mbanë të bashkohet me Tetidën, fëmija e tyre do t’u bëjë një ditë atë që ai vetë i bëri të atit, Kronit, e ky babait të vet, Uranit. Lufta e brezave, rivaliteti që i kundërvë të rinjtë ndaj pleqve, djalin ndaj babait, do të ndërhynte atëherë njëherë e mirë në botën hyjnore dhe do ta vinte përgjithmonë në pikëpyetje rendin që Zeusi e deshi të pacenueshëm, ashtu siç e krijoi vetë si i gjithëfuqishmi i gjithësisë.

Si ia doli mbanë Zeusi ta merrte vesh këtë sekret? Njëra nga rrëfenjat thotë që Prometeu pajtohet me Zeusin dhe se Herakliu, me pëlqimin e mbretit të perëndive, shkon ta çlirojë Titanin me kusht që ai të pranojë t’i tregojë sekretin. Pra, Zeusi vihet në dijeni për rrezikun, po ashtu edhe Poseidoni. Perënditë heqin dorë atëherë nga bashkimi me Tetidën. Mos vallë ajo do të mbetet përjetë e virgjër e nuk do ta njohë kurrë dashurinë? Jo, hyjtë janë zemërgjerë, ata do ta heqin qafe, në kurriz të njerëzve, këtë fatalitet, i cili bën që, me t’ia behur çasti, t’u lihet vendi të rinjve. Tetida iind një femijë vdekatar, në të gjitha drejtimet i jashtëzakonshëm e që do t’ia kalojë në të gjitha rrafshet atij që i ka bërë kokën: një hero model që në botën e njerëzve përfaqëson, kulmin e virtyteve luftarake. Ai do të jetë më i miri, i vetmi që s’i gjendet shoku. Kush do të jetë ky femijë? Biri i Tetidës dhe i Peleut, Akili. Ky është njëri nga personazhet kryesorë të luftës së Trojës, vetë shpërthimi i së cilës lidhet me gjithë këtë çështje.

Martesa e Peleut

Zeusi dhe perënditë vendosin kështu njëzëri që Peleu nga Thesalia, mbret i Ftisë, duhet të martohet me Tetidën. Si të merret pëiqimi i perëndeshës? Si ta bindësh që ajo duhet të ulë veten e të martohet me një vdekatar, paçka se është ijala për një mbret? Nuk u takon perëndive të ndërhyjnë e t’i imponojnë njërës prej tyre një martesë me dikë të rangut më të ulët. Pra, duhet që Peleu t’ia dalë mbanë vetë për t’ia fituar zemrën bashkëshortes, të bëjë me të si heronj të tjerë që ia kanë dalë mbanë të nënshtrojnë hyjni detare dhe të përfitojnë prej tyre atë çka prisnin. Kështu bëri Menelau, duke luftuar ngadhënjyeshëm kundër Proteut dhe metamorfozave të tij. Pra, Peleut i duhet ta rrëmbejë Tetidën për ta kaluar, në përputhje me ritin, nga banesa detare ku ajo ka selinë, gjer te shtëpia, pallati, banesa dhe vatra e bashkëshortit të saj të ardhshëm.

Një ditë të bukur, ja tek ia beh Peleu në brigjet e detit. E sheh Tetidën tek shfaqet, i fiet dhe e kap nga krahët, e tërheq pas vetes. Për t’i shpëtuar, ajo merr të gjitha trajtat. Peleu qe paralajmëruar: me këto hyjni valëzuese dhe me metamorfoza, e vetmja gjë për t’u bërë është që t’i mbërthesh me një të kapur që nuk jepet, një kapje që i qarkon. Lypset që të zihet hyjnia me një lidhje qerthullore krahësh, të dyja duart të mbërthyera me njëra-tjetrën, cilatdo qofshin trajtat që ajo mund të marrë - derr i egër, luan i fuqishëm, flakë përvëluese a ujë - dhe të mos lëshohet më, çfarëdo që të ngjasë. Pikërisht atëherë hyjnia e mposhtur heq dorë nga shpalimi i arsenalit të trajtave që zotëron e që nuk është i pafund. Pasi ka përshkuar gjithë ciklin e pamjeve të huajtura, ajo merr përsëri formën e saj të parë, autentike, të perëndeshës rioshe e të pashme: është mposhtur. Forma e fundit që mori Tetida për t’u çliruar nga shtrëngimi që e ka mbërthyer është forma e një sepjeje. Qysh atëherë, gjuhëza e tokës që përparon në det dhe ku është zhvilluar lufta paramartesore e Peleut dhe Tetidës mban emrin e kepit Sepias, Kepi i Sepjeve. Përse sepja? Sepse, në çastin kur duam ta kapim, a kur një kafshë detare e kërcënon, ajo e ka zakon të lëshojë në ujë, përreth vetes, atë bojën e zezë që e fsheh plotësisht, në mënyrë të atillë sa zhduket si e mbytur në një errësirë të përftuar e të shkaktuar nga vetë ajo. Kjo është karta e fundit e Tetisit, ashtu si sepjes, i duhet të lëshojë bojën e saj. Me sy të terratisur në këtë nxirosje të përgjithshme, Peleu mbahet fort. Ai nuk e jep veten e, më në fund, është Tetida ajo që duhet të lëshojë pe. Martesa do të bëhet që ç’ke me të. Ajo kremtohet pikërisht në majën e Pelionit. Ky nuk është vetëm një mal që afron perënditë dhe njerëzit që i bashkon në fund të një shkëmbimi të pabarabartë. Me anë të privilegjit të martesës me një hyjneshë, perënditë i dërgojnë Peleut të gjitha rreziqet që kjo martesë përfaqësonte për të pavdekshmit, e që ata nuk i duan, rreziqe që lypset, njëfarësoj, t’i përcillen botës njerëzore. Të gjitha perënditë mblidhen, zbresin nga Olimpi, qielli i etertë, gjer në kreshtat e Pelionit. Aty, kremtohet martesa.

Mali është jo vetëm një pikëtakimi midis perëndive dhe njerëzve, por është edhe një vend i dykuptimshëm, vendqëndrimi i Centaurëve, në veçanti i Centaurit Kiron, më i moçmi, më i përmenduri midis tyre. Centaurët kanë një status të dyvlershëm, një pozicion të dykuptimshëm: ata kanë kokë njeriu, kraharor kali dhe së fundi trupin e një kali. Janë qenie të egra, nënnjerëzore, mizore - janë në gjendje të dehen, janë rrëmbyes grash - e njëherësh mbinjerëzore sepse, ashtu si Kironi, ata përfaqësojnë një model urtie, guximi, të të gjitha virtyteve që duhet të përvetësojë një djalosh i ri, për t’u bërë personazh i vërtetë heroik: të dalë për gjueti, të përdorë të gjitha armët, të këndojë, të kërcejë, të arsyetojë, të mbetet gjithmonë zot i vetes. Pikërisht këtë gjë do t’u mësojë Centauri Kiron femijëve të ndryshëm e në veçanti Akilit. Te ky vend pra, ku perënditë përzihen me njerëzit e që është i populluar njëherësh nga qenie shtazore e mbinjerëzore, u kremtua martesa. Janë Muzat ato është njëri nga personazhet kryesorë të luftës së Trojës, vetë shpërthimi i së cilës lidhet me gjithë këtë çështje.

Triperëndesha përballë një molle të artë

Kështu përfundon akti i parë i skenarit që do të çojë në luftën e Trojës. Kujt do t’i takojë, me mollën, çmimi i bukurisë hyjnore? Perënditë nuk mund të marrin një vendim. Nëse do të zgjidhte Zeusi, vetëm njëra perëndeshë do të kënaqej në kurriz të dy të tjerave. Si i gjithëfuqishëm i paanshëm, ai i ka përcaktuar pushtetet, fushat, privilegjet përkatëse të secilës prej tri perëndeshave. Në qoftë se Zeusi jep parapëlqim për Herën, do të fajësohej për njëanshmëri në favor të bashkëshortes, po të zgjidhte Athinanë, do t’i përmendin dobësinë atërore, dhe nëse shprehet pro Aferditës, aty do të shihet prova që ai nuk mund t’i bëjë dot ballë dëshirës dashurore. Në hierarki, asgjë nuk lë shteg midis tyre për ndryshim. E pamundur për të që të gjykojë. Edhe këtë duhet ta marrë përsipër ndonjë vdekatar i thjeshtë. Edhe në këtë rast, perënditë do t’ia kalojnë njerëzve përgjegjësinë e vendimeve që nuk pranojnë të marrin mbi vete, siç u kanë caktuar fatkeqësi e mynxyra që nuk ia dëshironin vetes.

Akti i dytë. Në malin Ida. Pikërisht në këtë vend, në Trojadë, u mbrujt rinia heroike. Ashtu si Pelioni, vend rrafshnaltash djerrë, larg qytetesh, arash të mbjella, tokash me vreshta, pemëtoresh, hapësirë jete të ashpër e fshatare, vetmie që ka për shoqëri vetëm barinjtë e kopetë e tyre, gjuetie kafshësh të egra. Djaloshi, edhe vetë ende i egërsuar, duhet të bëjë aty mësimin e virtyteve të guximit, të qëndresës, të zotërimit të vetvetes, që e bëjnë njeriun heroik.

Personazhi që u zgjodh për t’i dhënë zgjidhje garës midis tri perëndeshave quhet Parid. Ai ka një emër të dytë: Aleksandër, që është emri i fëmijërisë. Paridi është më i riu nga bijtë e Priamit. Kur Hermesi, i pasuar nga tri perëndeshat, zbret nga kreshtat e malit Ida për t’i kërkuar Paridit të gjykojë e të thotë cila është për të më e bukura, Paridi po ruante kopetë mbretërore të të atit në malin Ida. Pra, ai është një lloj mbreti bari a bariu mbretëror, fare i ri, një kuros, ende në lulen e rinisë.

Paridi ka pasur një femijëri dhe një rini të jashtëzakonshme, është djali më i vogël i Hekubës, bashkëshortes së mbretit Priam, sundimtarit të Trojës, këtij qyteti të madh aziatik në bregdetin e Anadollit, shumë të pasur, shumë të bukur, shumë të fuqishëm.

Pak para se të lindte, Hekuba pa në ëndërr sikur po pillte jo një qenie njerëzore, por një pishtar që do t’i vinte zjarrin qytetit të Trojës. Natyrisht, ajo i kërkoi shortarit, a disa të afermve të njohur për zotësinë e tyre në shpjegimin e ëndrrave, se ç’domethënie kishte kjo gjë. I dhanë kuptimin që deri diku është i qartë: ky fëmijë do të jetë vdekja e Trojës, shkatërrimi i saj me zjarr e flakë. Ç’duhet bërë? Atë çka bënin të moçmit në raste të këtilla. Ta dënojnë femijën me vdekje, pa e vrarë: duke e vënë përballë saj. Priami ia beson femijën një bariu që ai ta braktisë, pa ushqim, pa përkujdes, pa mbrojtje, në po ato vise vetmie ku ushtrohet rinia heroike, jo në fushën e mbjellë e të populluar, por në shpatet e atij mali, larg nga njerëzit e të lënë në mëshirën e egërsirave. Të braktisësh një fëmijë, është si t’ia taksësh vdekjes, pa i ndotur duart me gjakun e tij, ta dërgosh në botën e përtejme, ta zhdukësh. Mirëpo, qëllon ndonjëherë që fëmija nuk vdes. Kur rastësisht shfaqet sërish, ai kthehet me disa cilësi që vijnë pikërisht nga ajo që, i paracaktuar për të vdekur, ka kaluar atë sprovë dhe ka mundur t’i shpëtojë. Fakti që ka kapërcyer ngadhënjyeshëm që në lindje dyert e vdekjes, i jep të shpëtuarit shkëlqimin e një qenieje të veçantë, të një të zgjedhuri. Çfarë ngjau me Paridin? Thuhet se në filiim, për disa ditë, e mëndi një arushë. Femra e ariut, me mënyrën e vet të ecjes dhe përkujdesjes ndaj të vegjëlve, shihet shpesh si një lloj nëne njerëzore. Ajo e ushqen hë për hë këtë të sapolindur, pastaj disa barinj, ruajtës të kopeve të mbretit në malin Ida, e zbulojnë dhe e marrin. Ata e rrisin në mes tyre, afërmendsh pa e ditur se kush është. I vënë emrin Aleksandër në vend të Parid, emër që ia kishin vënë kur lindi i ati dhe e ëma.

Vitet kalojnë. Një ditë, një kasnec i pallatit vjen të kërkojë demin më të bukur të tufës mbretërore për një fli të përmortshëm që Priami dhe Hekuba duan të bëjnë për atë fëmijë që ia dhanë vdekjes, për të nderuar atë nga i cili u desh të ndaheshin. Ky dem është i parapëlqyeri i Aleksandrit të ri, që vendos ta shoqërojë e të orvatet për ta shpëtuar. Si çdo herë kur ka kremtime mortore për nder të një të ndjeri, ka jo vetëm flijime, por edhe lojëra dhe gara të përmortshme, vrapimi, boksi, mundjeje, hedhje shtize. Aleksandri i ri regjistrohet për të konkurruar me bijtë e tjerë të Priamit kundër ajkës së rinisë trojane. Ai del fitimtar në të gjitha garat.

Të gjithë habiten dhe pyesin cili është ky bari riosh i panjohur, aq i pashëm, aq i fuqishëm, aq i shkathët. Njërit nga bijtë e Priamit, Deifobit, të cilin ne do ta hasim sërish gjatë kësaj historie, i hipin xhindet dhe vendos që ta vrasë këtë furacak që ngadhënjeu përmbi të gjithë. Ai e ndjek këmba-këmbës Aleksandrin e ri që shkon e strehohet në tempullin e Zeusit, ku ndodhet edhe motra e tyre, Kasandra, një virgjëreshë e re, shumë e bukur, me të cilën ra në dashuri Apolloni por që nuk ia fitoi dot zemrën. Për t’u hakmarrë, perëndia i fali një dhunti të pagabueshme parashikimi, por e cila nuk i hyn në punë për kurrgjë. Përkundrazi, kjo dhunti vetëm sa do t’ia rëndojë më shumë fatkeqësinë, sepse askush nuk do t’u besojë ndonjëherë parashikimeve të saj. Në situatën e pranishme, ajo shpall hapur: “Kujdes, ky i panjohur është Paridi ynë i vogël”. Dhe në të vërtetë Parid-Aleksandri nxjerr pelenat që kishte pasur të veshura kur e braktisën. Mjafton të tregojë këto që ta njohin. E ëma, Hekuba, çmendet nga gëzimi, kurse Priami, mbret plak shumë i mirë, është edhe ai i ngazëlluar që e gjeti përsëri të birin. Ja, pra, Paridi, i përfshirë sërish në familjen mbretërore.

Në çastin kur të tri perëndeshat, të shoqëruara nga Hermesi, të cilin Zeusi e ngarkoi të zgjidhte çështjen në emër të tij, i vijnë për vizitë, Paridi e ka zënë përsëri vendin e vet në gjirin e fisit mbretëror, por, meqenëse e ka kaluar të gjithë rininë si bari, e ka ruajtur zakonin të shkojë e t’i shohë kopetë. Ai është një njeri i malit Ida. Paridi i sheh tek mbërrijnë Hermesi dhe tri perëndeshat, ndihet disi i befasuar dhe i shqetësuar. I shqetësuar, sepse, në përgjithësi, kur një perëndeshë i shfaqet haptas një qenieje njerëzore, me lakuriqësinë e saj, me vërtetësinë e vet të pavdekësisë, punët marrin për keq e mos më keq për spektatorët: askush nuk ka të drejtë ta shohë hyjninë. Kjo gjë është njëherësh një privilegj i jashtëzakonshëm dhe një rrezik nga i cili nuk e merr dot veten. Kështu, Tiresiu, ngaqë pa Athinanë, e humbi shikimin. Në po këtë mal Ida, Aferdita, e zbritur nga qielli, u bashkua me Ankizin, babanë e atij që do të jetë Eneu. Pasi fjeti me të, si me një vdekatare të thjeshtë, në mëngjes Ankizi e sheh në gjithë bukurinë hyjnore, e zë tmerri, i lutet duke i thënë: “Unë e di që jam i humbur tanimë, nuk do të kem më kurrë mundësi për kontakt epshor me ndonjë krijesë femërore. Kush ka shkuar me një perëndeshë, nuk mund t’u jepet më pastaj krahëve të një vdekatareje të thjeshtë. Jeta, sytë, burrëria e tij janë venitur”.

Në fillim pra, Paridi është i llahtarisur. Hermesi i jep siguri. Ai i shpjegon që ka për detyrë të zgjedhë, të japë çmimin, kështu kishin vendosur perënditë dhe se i takonte atij të thoshte cila ishte për të më e bukura. Paridi bie në hall të madh. Tri perëndeshat, pa dyshim, me bukuri të barasvlerë, përpiqen kush e kush ta joshë me premtime ngashënjyese. Po u bë e përzgjedhura e tij, secila prej tyre bën be se do t’i sjellë një pushtet unik e të veçantë, që vetëm ajo e ka privilegjin ta japë.

Çfarë mund t’i ofrojë Athinaja? Ajo i thotë: “Po më zgjodhe mua, do të kesh fitoren nëpër përleshjet në luftë dhe urtinë që do ta kenë zili gjithë bota”. Hera i deklaron: “Po më zgjodhe mua, do të fitosh mbretërimin, do të jesh sundimtar i gjithë Azisë, sepse si bashkëshorte e Zeusit, në shtratin tim është skalitur sovraniteti”. Aferdita nga ana e saj i thotë: “Po më parapëlqeve mua, do të jesh ngashënjyesi i plotë, gjithë çka është më e bukur në planin femëror do të jetë jotja dhe, në veçanti, Helena e bukur, fama e së cilës është përhapur ngado. Kur të të shohë, ajo nuk ka për të të kundërshtuar. Ti do të jesh dashnori dhe burri i Helenës së bukur”. Fitoren në luftë, sovranitetin, Helenën magjiplotë, bukurinë, qejfin, lumturinë me një grua... Paridi zgjedh Helenën. Me sfond nyjën e marrëdhënieve midis perëndive dhe njerëzve, ja tek vihet në çast në punë mekanizmi, ngritja e të cilit përbën aktin e dytë të kësaj historie.

Helena, fajtore apo e pafajshme

Akti i tretë luhet përreth Helenës. Kush është Helena? Ajo është vetë fryt i një futjeje të perëndive në botën e njerëzve. E ëma, Leda, një vdekatare, është e bija e mbretit të Kalidonit, Testit. Në moshë fare të re, ajo takon një laqedemonas, Tindarin, që të papriturat e jetës politike e kanë përzënë nga atdheu dhe që ka gjetur strehë pranë Testit. Para se të kthehej në Spartë për të rimarrë mbretërimin që ia kishin zhvatur, Tindari bie në dashuri me Ledën dhe e kërkon për grua. Bëhet dasmë e madhe. Mirëpo, bukuria e pashoqe e vajzës së re nuk joshi vetëm të shoqin. Nga lartësitë e Olimpit e pikasi Zeusi. Pa marrë parasysh as Herën, as ndonjë tjetër nga bashkëshortet e tij hyjnore, ai ka vetëm një mendim në kokë: të bëjë dashuri me këtë grua të re. Ditën e martesës, po atë natë kur Tindari dhe Leda flenë në të njëjtin shtrat, Zeusi i shkon dhe bashkohet me të në trajtën e një mjellme. Leda mban njëherësh në gjirin e saj femijët e Tindarit dhe femijët e Zeusit. Katër femijë: dy vajza, dy djem. Herë-herë, thuhet se, në të vërtetë, Zeusi zuri me zor një perëndeshë, Nemesidën. Për t’i shpëtuar, ajo kishte marrë trajtën e një pate dhe Zeusi u bë mjellmë për ta mbarsur. Skena u zhvillua në lartësitë e malit Tajget, pranë Spartës dhe, pikërisht në majë të malit e vendosi Nemesida-patë vezën (apo të dyja vezët) që një bari rendi t’ia çojë Ledës. Në pallatin e mbretëreshës, vogëlushët dalin nga lëvozhga e tyre dhe Leda i bën femijët e vet.

Nemesida është një hyjni për t’ia pasur frikën, bijë e Natës, e të njëjtit soj me vëllezërit e motrat e lindura si ajo nga fuqia e Territ: Vdekja, Parkat, Lufta (Erida) me shpurën e tij: Vrasjet, Kërditë, Përleshjet. Mirëpo, Nemesida mbart edhe pamjen tjetër të femërisë natore: Gënjeshtrat ëmbëlake (Pseudea), Ëmbëlsinë dashurore (Filotes'), që bashkon kënaqësi dhe mashtrime. Nemesida është një hakmarrëse që kujdeset për shlyerjen e gabimeve. Ajo nuk gjen prehje për aq kohë sa nuk e ka kapur fajtorin për ta ndëshkuar, për aq sa nuk e ka ulur të pacipin që është ngritur shumë lart, duke ngjallur me teprinë e ngadhënjimit zilinë e perëndive. Nemesida - Leda: në njëfarë mënyre, është Nemesida, perëndesha, ajo që merr pamjen e Ledës, një gruaje të thjeshtë, për t’i bërë vdekatarët të paguajnë fatkeqësinë e të mosqenit perëndi.

Katër femijë pra, dy djem, Dioskurët (“bijtë e Zeusit” që janë njëkohësisht Tindaridët, bij të Tindarit) Kastori dhe Poluksi; dy vajza, Helena dhe Klitemnestra. Në ta janë bashkuar, për të mirë e për të keq, hyjnorja dhe njerëzorja, fara e Tindarit, bashkëshortit njeri dhe e Zeusit, dashnorit perëndi, duke u përzier në pëqinë e Nemesida - Ledës për t’u bashkuar, duke mbetur të dallueshme dhe të kundërta. Nga dy binjakët meshkuj, njëri, Poluksi, rrjedh drejtpërdrejt nga Zeusi, është i pavdekshëm; tjetri, Kastori ngjan më shumë nga Tindari. Në përleshjen që zhvillojnë ndaj dy kushërinjve të vet, Idit dhe Linkeut, Kastori gjen vdekjen dhe zbret në Ferr, kurse Poluksin fitimtar, por të plagosur, Zeusi e ngjiti në Olimp të mbuluar me lavdi. Gjithsesi, me gjithë prejardhjen dhe natyrën e tyre në kontraste, të dy vëllezërit mbeten binjakë, po aq të lidhur njëri me tjetrin, po aq të pandashëm sa dhe dy skajet e trarit horizontal, që i paraqet në Spartë. Poluksi e bind Zeusin që pavdekësia të ndahet në mënyrë të barabartë midis atij dhe të vëllait, duke përfituar secili përgjysmë një qëndrim në qiell te perënditë e një mërgim nën dhë, në Ferr, në mbretërinë e hijeve, me vdekatarët. Edhe Klitemnestra dhe Helena, nga ana e tyre, shfaqen si një hata e dyfishtë. Por Klitemnestra, për të cilën thuhet se është plotësisht e bija vdekatare e Tindarit, është sterrë e zezë: ajo mishëron mallkimin që rëndon mbi fisin e Atridëve, është shpirti hakmarrës që i sjell një vdekje me turp ngadhënjimtarit të Trojës, Agamemnonit.

Helena, pjellë e Zeusit, ruan nga ana e vet, gjer në mynxyrat që shkakton, një hije hyjnore. Shkëlqimi i bukurisë që e bën atë, për nga pushteti joshës, një qenie llahtarisëse, nuk rresht megjithatë së rrezatuari vetvetiu duke e mbështjellë me një dritë ku shndrin vezullimi i hyjnores. Kur largohet nga bashkëshorti, nga pallati, nga femijët, për t’u çapitur pas hapave të djaloshit të huaj që i shtie ndër mend një dashuri kurorëshkelëse, a është vallë fajtore, apo e pafajshme? Ndonjëherë thuhet se ajo u dha edhe më lehtë përpara thirrjes së dëshirës, kënaqësisë së shqisave, kur u magjeps nga luksi, pasuria, kamja, shkëlqimi oriental që shpaloste princi i huaj. Herë-herë, përkundrazi, pohohet se ajo është rrëmbyer me forcë, pa pëlqimin e saj dhe me gjithë qëndresën që ka bërë.

Megjithatë, një fakt është i sigurt. Ikja e Helenës me Paridin shpërtheu luftën e Trojës. Gjithsesi, kjo luftë nuk do të kishte qenë ajo që qe, nëse do të bëhej fjalë vetëm për xhelozitë e një bashkëshorti të vendosur për të shtënë sërish në dorë të shoqen. Çështja është shumë më e rëndë. Paqja, mikpritja, lidhjet e fqinjësisë, zotimet, ndërhyjnë përballë dhunës, urrejtjes, përçarjes. Kur Helena është në moshë për t’u martuar, i ati, Tindari, përballë një bukurie të këtillë, karshi një stolie kaq të çmuar, thotë me vete që kjo gjë nuk është punë e lehtë. Pra, ai thërret gjithë sa Greqia kishte në lule të moshës, princër, mbretër ende beqarë, që të shkojnë tek ai e që zgjedhja midis tyre të bëhet duke e ditur se si qëndron çështja. Ata qëndrojnë njëfarë kohe në oborrin e mbretit. Çfarë vendimi të merret? Tindari është në hall. Ai ka një nip shumë dinak, Odiseun, që duhet përmendur, sepse edhe ai luan rol në këtë histori. Odiseu i thotë babait të Helenës pak a shumë këto fjalë: “Ti ke vetëm një mjet për të hedhur lumin. Para se të përcaktosh zgjedhjen, çka do të shkaktojë me siguri irëmujë, kërkoju të gjithë mëtonjësve të bëjnë njëzëri një betim se, cilido qoftë yendimi i Helenës, ata do ta miratojnë këtë zgjedhje dhe se për më tepër të gjithë do të jenë të angazhuar me këtë martesë. Nëse atij që ajo do të zgjedhë, i qëllon që në marrëdhëniet martesore t’i ndodhë diçka që nuk shkon, ata do të ndihen të gjithë solidarë me burrin”. Të gjithë bëjnë betimin dhe i kërkojnë Helenës të shprehë haptas parapëlqimin e saj. Ajo zgjedh Menelaun, mbretin e Spartës.

Menelau e njihte me kohë Paridin. Gjatë një udhëtimi në Trojadë, kishte bujtur në shtëpinë e tij. Kur Paridi vjen vetë në Greqi, i shoqëruar nga Eneu, e presin së pari, me bujë të madhe vëllezërit e Helenës, Dioskurët, para se Menelau ta çojë në Spartë, ku ndodhet Helena. Gjatë njëfarë kohe Menelau e mbyt me dhurata e përkujdesi bujtësin Parid. Pastaj atij i duhet të shkojë në varrimin e një të afermi. Atëherë, ia beson Helenës kujdesin për ta zëvendësuar në detyrat e tij të mikpritjes. Pikërisht me rastin e kësaj zie dhe largimit të Menelaut, mysafiri pritet në mënyrë më vetjake nga Helena. Mund të hamendësohet që, për aq kohë sa Menelau ndodhej aty, gratë e pallatit mbretëror të Spartës nuk jetonin në afri të madhe me një të huaj. Kjo ishte çështje e mbretit. Tani ishte e Helenës.

Paridi dhe Eneu i kthehen sërish detit dhe, pa pritur më, ia mbathën për në Trojë me të bukurën Helenë, me hir a me pahir, brenda në anije. Me t’u kthyer përsëri në Spartë, Menelau sulet tek i vëllai, Agamemnoni, që ta vërë në dijeni për tradhtinë e Helenës, e sidomos për pabesinë e Paridit. Agamemnoni ngarkon një mori personazhesh, midis tyre Odiseun, për të vënë në dijeni të gjithë mëtonjësit e dikurshëm e për të bërë thirrje për solidaritet. Fyerja qe e atillë sa, përveç vetë Menelaut dhe Agamemnonit, lypsej që gjithë Helada të mblidhej për ta detyruar Paridin që ta paguante paq rrëmbimin e një gruaje, e cila nuk është vetëm më e bukura, por edhe greke, bashkëshorte, mbretëreshë. Megjithatë, në çështje nderi, bisedimet kanë mundësi t’i paraprijnë dhe, herë-herë, ta zëvëndësojnë përdorimin e armëve. Fillimisht, Menelau dhe Odiseu, nisen pra si delegacion në Trojë, për t’u përpjekur t’i ndreqin gjërat urtë e butë, me qëllim që harmonia, marrëveshja, mikpritja të mbretërojnë përsëri, duke paguar ndonjë gjobë a shpagimin e fajit që qe bërë. Ata priten në Trojë. Midis parisë së Trojës, disa janë idhtarë të kësaj zgjidhjeje paqësore, në veçanti Deifobi. Vendimin duhet ta marrë pikërisht kuvendi i pleqve të Trojës. Kjo çështje i kapërcen edhe kompetencat e pushtetit mbretëror. Pra, të dy grekët priten në kuvend ku disa pasardhës të Priamit, jo vetëm që bëjnë intriga për të hedhur poshtë çdo kompromis, por janë, madje, të mendimit që Odiseu dhe Menelau nuk duhen lënë të kthehen të gjallë. Mirëpo Deifobi, që i priti si mysafirë, i merr ata në mbrojtje. Ata kthehen nga misioni duarthatë për të njoftuar në Greqi dështimin e orvatjes për pajtim. Tanimë, gjithçka është gati që konflikti të shpërthejë.

Të vdesësh i ri, të mbijetosh me lavdi

Ekspedita kundër Trojës nuk duket se ka ngjallur, që në fillim, te grekët ndonjë entuziazëm të njëzëshëm.

Ka të ngjarë që edhe Odiseu të jetë orvatur të bishtnonte. Penelopa sapo i kishte bërë një djalë, Telemakun. Atij i dukej se çasti nuk qe i përshtatshëm për të braktisur nënën dhe femijën. Kur vijnë e i thonë se duhej t’u hipnin anijeve e të shkonin të shtinin përsëri në dorë, me forcën e armëve, Helenën e rrëmbyer nga princi trojan, për t’i shpëtuar këtij detyrimi, ai shtiret si i çmendur. Më i urti, më finoku, hiqet si mendjelehtë. Vetë Nestori plak vjen gjer në Itakë për t’i dhënë urdhrin e grumbullimit. Ai e sheh Odiseun tek tërheq një parmendë ku qenë mbrehur një gomar dhe një ka. Heroi ecën praptazi duke mbjellë guralecë në vend të grurit. Të gjithë tmerrohen, përveç Nestorit, që është mjaft i zgjuar për ta marrë me mend se Odiseu po luan një nga rrengjet e tij të zakonshëm. Ndërsa Odiseu ecën praptazi e parmenda bën përpara, Nestori mbërthen Telemakun e vogël dhe e vendos përpara plorit. Në këtë çast, Odiseu i thërret mendjes dhe e merr foshnjën në krahët e veta, që të mos i ndodhë gjë. Ja tek iu çor maska; pranon të niset.

Përsa i përket plakut Pele, bashkëshortit të Tetidës, të cilit i kanë vdekur shumë nga femijët, atij i ka mbetur vetëm Akili dhe nuk e duron dot mendimin që ai të niset ndonjë ditë në luftë. Atëherë ai kujdeset që ta dërgojë djaloshtn në Skiros, midis vajzave të mbretit të ishullit. Akili jeton, pra, si vajzë, në atë gjinece. Pasi u rrit, në rininë e hershme, nga Kironi dhe Centaurët, ka arritur tani në atë moshë kur dallimet seksuale ende nuk bien në sy, nuk duket sheshit. Mjekra nuk i ka dalë ende, as qimet nuk i kanë dirsur. Ai ka pamjen e një çupëline shumë të hijshme, atë bukuri të papërcaktuar mirë të adoleshentëve që janë sa djem aq edhe vajza, sa vajza aq edhe djem. Ai qëndron midis shoqeve të veta, i shkujdesur. Odiseu vjen dhe e kërkon. Aty i përgjigjen se nuk ka djalë në atë vend. Odiseu, që u hiqet si tregtar shëtitës kinkalerish, kërkon të futet. Ai shikon nja pesëdhjetë vajza dhe Akili nuk dallon nga to. Odiseu nxjerr nga koshi i vet, për t’i ekspozuar, disa basma, qëndisma, kapëse, stoli, dhe dyzet e nëntë prej vajzave turren për të adhuruar ato xhingla, por njëra syresh mbetet mënjanë, mospërfillëse. Odiseu nxjerr ndërkaq një kamë dhe kjo e re shumë e bukur i turret kamës. Pas mureve, ushton një bori lufte. Panik në lagjen e grave, të dyzet e nëntë vajzat ia mbathin me petka të zhubrosura, vetëm njëra me kamë në dorë, drejtohet nga muzika për t’u nisur në luftë. Odiseu i heq maskën Akilit, siç ia hoqi Nestori Odiseut. Edhe Akili nga ana e vet është gati të niset në luftë.

Për të gjithë fëmijët që pati Tetida para Akilit, shtatë djem, perëndesha nuk mund të pranonte lehtë që ata të ishin vdekatarë të thjeshtë si babai i tyre. Pra, ajo përpiqej që në ditët e para t’i bënte të pavdekshëm. I vinte në zjarr që ai të digjte brenda tyre gjithë atë lagështirë mbartëse kalbjeje, e cila bën që qeniet njerëzore të mos jenë kryekëput flakë e shndritshme. Por, në zjarr bijtë e saj treteshin e vdisnin. Peleu i gjorë ishte mynxyrosur. Prandaj, kur lindi Akili, Peleu tha me vete se së paku këtë të fundit do të përpiqej ta shpëtonte. Në çastin kur e ëma po bëhej gati ta vinte në zjarr, babai ndërhyn dhe e kap. Zjarri i kishte djegur fëmijës vetëm buzët dhe një kockë të thembrës që kishte marrë fund. Centauri Kiron i premton Peleut që të shkojë në malin Pelion dhe të zhvarrosë kufomën e një Centauri jashtëzakonisht të shpejtë në vrapim, që t’ia heqë njërën thembër kufomës e t’ia vendosë Akilit të vogël, i cili që në moshë fare të njomë vrapon po aq shpejt sa një dre. Ky është një version i parë. Një tjetër tregon që, për ta bërë të pavdekshëm, meqë nuk mund ta hidhte në zjarr, Tetida e zhyti në ujin e Stiksit, atij lumi ferri që ndan të gjallët nga të vdekurit. Afermendsh, ai që zhytet në ujërat e Stiksit dhe del përsëri prej andej, përfton virtyte e cilësi energjish të veçanta. Akili, i kredhur në këto ujëra ferri, i bëri ballë provës. Vetëm thembra, nga ku e mbante të varur e ëma, nuk u lag nga uji. Akili nuk është vetëm luftëtari që vrapon shpejt, ai është edhe luftëtari i pacenueshëm nga plagët njerëzore, me përjashtim të një vendi, thembrës, nga ku mund t’i qaset vdekja.

Një nga rezultatet e kësaj martese të pabarabartë, midis një perëndeshe dhe një qenieje njerëzore, është se i gjithë shkëlqimi, e gjithë fuqia që lidhen me Tetidën hyjnore, pjesërisht vijnë e kurorëzojnë me lavdi personazhin e Akilit. Në të njëjtën kohë, figura e tij mund të jetë vetëm tragjike: pa qenë perëndi, Akili nuk do të mundte as të jetonte, as të vdiste si njerëzit e zakonshëm, si vdekatar i thjeshtë. Por, megjithatë, fakti që i shpëton shtresës së zakonshme të njerëzimit, nuk e bën Akilin një qenie hyjnore, të siguruar me pavdekësi. Fati i tij, që për të gjithë luftëtarët, të gjithë grekët e asaj kohe ka vlerë modeli, vazhdon të na magjepsë: ai zgjon brenda nesh, si jehonë, vetëdijen që e bën ekzistencën njerëzore të kufizuar, të pikëlluar, të ndarë, një dramë ku drita dhe hija, gëzimi dhe dhembja, jeta dhe vdekja janë pazgjidhmërisht të përziera. Fati i pashoq i Akilit është damkosur me vulën e dykuptimësisë. Me prejardhje gjysmë njerëzore, gjysmë hyjnore, ai nuk mund të jetë plotësisht as nga njëra anë, as nga tjetra.

Në prag të jetës, që në hapat e parë, rruga nëpër të cilën ai duhet të çapitet, degëzohet në dy drejtime. Cilido qoftë drejtimi që do të zgjedhë, atij do t’i duhet, në udhë e sipër, të heqë dorë nga një pjesë thelbësore e vetes. Ai nuk mund, njëherësh, edhe të gëzojë atë çka ekzistenca në dritën e diellit i dhuron si më të ëmbël njerëzve, dhe t’i sigurojë vetes privilegjin për të mos i munguar kurrë kjo dritë, për të mos vdekur. Ta gëzosh jetën, pasurinë më të çmuar për krijesat e përkohshme, këtë pasuri unike, të pakrahasueshme me asgjë tjetër, sepse është një dhe e vetmja që, me ta humbur, nuk e gjen dot më, do të thotë heqje dorë nga çdo shpresë pavdekësie. Të duash të bëhesh i pavdekshëm, do të thotë, deri diku, të pranosh ta humbasësh jetën, madje para se ta kesh jetuar atë plotësisht. Në qoftë se Akili zgjedh, siç uron babai plak, të qëndrojë atje ku është, në shtëpinë e vet, në Fti, pranë familjes dhe në siguri, ai do të ketë jetë të gjatë, të qetë e të lumtur, duke përshkuar të gjithë ciklin e kohës që u është dhënë vdekatarëve, gjer në një pleqëri të rrethuar me dhembshuri. Por, sado shkëlqimtare që të jetë, qoftë edhe e ndriçuar nga më e mira e asaj çka kalimi në këtë dhë u sjell si lumturi njerëzve, ekzistenca e tij nuk do të lërë pas vetes asnjë gjurmë të shkëlqimit të saj. Që nga çasti kur merr fund, kjo jetë kridhet në terrin e natës, në hiç. Njëkohë'sisht me të, heroi zhduket i gjithi dhe përgjithmonë. Duke u zhytur në Had, pa emër, pa fytyrë, pa kujtesë, ai shuhet sikur të mos ketë ekzistuar kurrë.

Përndryshe, Akili mund të bëjë zgjedhjen tjetër: jetën e shkurtër dhe lavdinë për gjithmonë. Ai zgjedh ikjen larg, vendos të lërë gjithçka, të rrezikojë gjithçka, t’i kushtohet që më parë vdekjes. Ai dëshiron të bëjë pjesë te pakica e të zgjedhurve që nuk çajnë kokë as për rehati, as për pasuri, as për ndere të zakonshme, por që duan të ngadhënjejnë nëpër beteja, ku është gjithmonë në lojë vetë jeta e tyre. T’u bësh ballë në fushën e betejës kundërshtarëve më të kalitur, do të thotë ta vësh vetveten në provë, në një garë vlerash ku secili duhet të tregojë kush është, të shfaqë në sytë e të gjithëve zotësinë e vet, një zotësi që arrin kulmin në përleshjen luftarake dhe që përmbushet me “vdekjen siç ka hije”. Në mes të betejës, në lule të rinisë, fuqitë burrërore, trimëria, energjia, hijeshia rinore, të pacenuara, nuk do ta njohin kurrë rrëgjimin e pleqërisë.

A thua se do të duhej që, për të shkëlqyer në kthjelltësinë e shndritjes së saj, flaka e jetës të çohej në një pikë të atillë përskuqjeje të madhe, saqë të tretet në po atë çast që ndizet. Akili zgjedh vdekjen me lavdi, në bukurinë e pacenuar të një jete fare të re. Jetë e shkurtuar, e gjymtuar, e rrëgjuar dhe lavdi e pavdekshme. Emri i Akilit, aventurat, historia dhe personi i tij mbeten përgjithmonë gjallë në kujtesën e njerëzve, brezat e të cilëve pasojnë shoqi-shoqin nga shekulli në shekull, për t’u zhdukur të gjithë, njëri pas tjetrit, në errësirën dhe heshtjen e vdekjes.

Odiseu ose aventura njerzore

Grekët janë fitimtarë. Më në fund, pas aq e aq vitesh rrethimi dhe betejash përpara mureve të Trojës, qyteti ra. Grekët nuk u kënaqën që e mposhtën, që e morën; ata e plaçkitën, e dogjën, në sajë të një dredhie - kalit të famshëm prej druri, të cilin trojanët e futën në qytetin e tyre, duke pandehur se bëhej fjalë për një blatim të përshpirtshëm për perënditë. Një pararojë mundi të dalë nga ijet e kalit, hapi dyert e qytetit, për të bërë të mundur që, ushtria greke të përhapej nëpër qytet e të masakronte gjithçka aty ku kalonte. Burrat u vranë, gratë e femijët u kthyen në skllevër, mbetën vetëm rrënoja. Grekët pandehin se më në fund çështja u zgjidh, por pikërisht atëherë zbulohet ana tjetër. e kësaj aventure të madhe luftarake. Në një mënyrë a në një tjetër, do të duhet që grekët t’ i paguajnë krimet, teprimet, hubris-in, për të cilin janë bërë fajtorë pikërisht gjatë fitores së tyre. Qysh në fillim, një mosmarrëveshje ia beh midis Agamemnonit dhe Menelaut. Ky i fundit dëshiron të niset menjëherë, të kthehet pas sa më shpejt. Përkundrazi, Agamemnoni dëshiron të qëndrojë aty ku është, për t’i bërë fli Athinasë që, duke mbrojtur kauzën e tyre te perënditë, vendosi për fitoren. Odiseu, me të dymbëdhjetë anijet që ka sjellë, pa pritur më gjatë, vendos të niset për udhë në drejtim të Itakës. Bashkë me Menelaun, ai hipën në të njëjtën anije ku udhëton edhe plaku Nestor. Por, në ishullin Tenedos, Odiseu grindet me Menelaun dhe kthehet përsëri në Trojë, për t’u bashkuar me Agamemnonin. Pra, ata do të nisen së bashku me karvan anijesh, me shpresë që të mbërrijnë njëkohësisht në Greqinë kontinentale. Perënditë vendosin ndryshe. Shpërthejnë erërat, rrebeshet, stuhia. Flota shkatërrohet. Shumica e anijeve mbytet, duke marrë me vete në fund të detit ekuipazhet e detarëve dhe të luftëtarëve. Të rrallë janë ata grekë që kanë fatin të kthehen në shtëpi. Dhe disa nga ata që deti i kurseu, do ta gjejnë vdekjen te pragu i shtëpisë. Kështu dhe Agamemnoni. Sapo vë këmbën në truallin e atdheut, bie në kurthin që i ngrenë e shoqja, Klitemnestra, dhe Egisti, dashnori i kësaj bashkëshorteje të pabesë. Agamemnoni, pa pikë dyshimi, vjen si cjapi te kasapi, plotësisht i kënaqur që u kthye sërish në vathën e dashur. Ai do të goditet pa mëshirë e do të theret nga të dy bashkëfajtorët.

Midis anijeve të Agamemnonit, që përbëjnë shumicën e flotës, dhe atyre të Odiseut, stuhia do të shkaktojë hallakatjen. Kështu Odiseu do të gjendet i izoluar në det me flotiljen e vet. Ai u bën ballë të njëjtave vështirësi, pëson po ato shtrëngata si dhe shokët e tij në fatkeqësi. Më në fund, kur zbarkon në Traki te Qikonët, pritja është armiqësore. Odiseu pushton qytetin e tyre, Ismarin. Ai sillet me të mundurit, ashtu siç bënin shumë heronj grekë. Vret shumicën e banorëve të këtij qyteti, por ia fal jetën njërit: priftit të Apollonit, me emrin Maron. Në shenjë mirënjohjeje, Maroni i dhuron shumë shakuj me një verë që nuk është pije e zakonshme, por një lloj nektari hyjnor. Odiseu urdhëron që t’i çojnë shakujt si rezervë në anijet e tij. Grekët, shumë të kënaqur, ngrenë gjatë natës fushimin e tyre përgjatë bregut, në pritje për t’u nisur ndaj të gdhirë. Mirëpo, Qikonët e fshatrave, të vënë në dijeni për mbërritjen e armiqve, i sulmojnë në mëngjes dhe vrasin një numër të madh prej tyre. Ata që shpëtuan, hipin nxitimthi nëpër anije dhe çanë sa më shpejt që qe e mundur nëpër det.

info@balkancultureheritage.com