Komani
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Komani

Ky fshat gjendet nën juridiksionin e nënprefekturës së Pukës, e cila nga ana e saj varet nga prefektura e Shkodrës. Në Koman, që është larg një ditë të mirë ecje nga ky qytet, shkohet me tepër mundim për shkak të mungesës së rrugës: herë-herë një shteg i thiktë, mezi të shënuar me gurishte apo me shembje të rrëpirët të dheut të shkrifët, herë-herë mungon edhe gjurma e tij. Megjithatë, një mundim i tillë është mjaft i shpërblyer nga bukuria e peizazhit, i cili zotëron nga momenti në moment diçka të një bukurie të frikshme. Rrjedha e Drinit është e fuqishme, me shtrat herë shumë të gjerë, herë në të kundërt të mbyllur, me grykë të ngushtë dhe me faqe të thikta.

Në një pjesë të shkurtër të lugajës pjellore që laget nga Drini shtrihet fshati i vogël i Komanit, por i banuar nga njerëzit krenarë dhe të paepur dukagjinas; dhe jo shumë larg prej këtu gjendet një majë mali e quajtur Kalaja e Dalmaces, që në shqip do të thotë “Fortesë Dalmate”. I tërhequr nga toponimia, shkova në këtë vend, por qe mundim i pavlerë, pasi e gjithë ajo që sipas informatorëve të mi duhet të gjendej aty, në realitet nuk ishte. Nuk pashë ndonjë gjurmë ndërtimesh murale.

Në të kundërt është mjaft me interes një nekropol që gjendet jo shumë larg që këtej, prej të cilit m’u dha mundësia tëshoh vetëm pak më tepërse gropat e dhunuara më parë dhe që ishin mbuluar shpesh me gjethnajë apo me dhë. Sidoqoftë, përveç kësaj dhe me gjithë kohën e shkurtër të qëndrimit tim në këtë vend, arrita të krijoj një mendim se për çfarë bëhej fjalë. Do të flas shkurtimisht tashmë për të.

Nekropoli është shumë i gjerë si nga sipërfaqja e zënë, ashtu dhe nga numri i varreve (fig. 30). Këto janë të përhapur pa rregull dhe largësia mes tyre po ashtu. Varret janë të llojit primitiv, ngaqë gropa mortore është e mbuluar në të gjithë krahët e saj me rrasa shkëmbore të bashkuara mes tyre pa u latuar. Në shumë prej tyre mungojnë rrasat në këmbët ose në ftind. Brenda ka një skelet (në më të mëdhenjtë, më tepër se një), të shoqëruar me sende mortore. Brenda varrit ndeshen shpesh mbetjet e qymyrit. Nuk më rezulton që të jenë gjetur ndonjëherë enë kuzhine.

Përmasat e gropave mortore, të cilat mund t’i quajmë “varre në formë arke”, janë të larmishme, por të tilla natyrisht sa të mund të nxënë një person qoftë të rritur qoftë në moshë të njomë. Pajisjet mortore që gjenden në këto varre përbëhen nga objekte që ishin të dashura për personin që është varrosur më pas këtu: objekte zbukurimi, armë sulmi apo mbrojtjeje, ose edhe vegla pune.

Le të shohim një grup të vogël prej tyre — nga ato që kam mundur të vizitoj - më parë se të vijojmë me caktimin e epokës dhe qytetërimit si për objektet, ashtu dhe për vetë varret.

Pajisje që vijnë nga gjashtë varre

Ky material është mbledhur nga persona që nuk kishin përvojë në këtë lëndë, por që kanë pasur zgjuarsinë e urtë për të mbajtur të ndarë materialin e gjetur në një varr nga ai i zbuluar në të tjerat. Kështu, së paku, më qe thënë, për rrjedhojë kam menduar të paraqes materialin sipas grupeve në të cilat i kam parë. Megjithatë, unë nuk kam mundësinë të garantoj në mënyrë të prerë se ndonjë objekt nuk është kaluar nga tërësia e atyre të një varri në një grup tjetër materialesh, ose që objektet e më tepër se një varri të jenë bashkuar dhe përzierë. Për këtë rast të dytë do të kujtoj se, për shembull, vathët të krijojnë përshtypjen se janë grupuar pasi qenë nxjerrë nga varre të ndryshme, me qëllimin për të grumbulluar së bashku objektet e të njëjtit lloj.

Rëndësia e materialit që po paraqes nuk zhvlerësohet, ngaqë na është hequr siguria për të bërë dallimin me saktësi të pajisjeve të secilit varr. Për studimin tonë paraqitet gjithherë një varg i tërë objektesh, të cilat vijnë me siguri nga nekropoli i Komanit, prandaj mund të mbështetemi mbi to në kërkim të epokës dhe të qytetërimit, si të vetë objekteve, ashtu dhe të varreve në të cilat ato ishin mbyllur.

Drejtoria e Muzeut Kombëtar të Romës i bleu këto objekte në vitin 1923 nga një emigrant shqiptar; por më pas, nëpërmjet Misionit Arkeologjik Italian në Shqipëri, ia ktheu me bujari Shqipërisë, duke ia dhuruar Ministrisë së Arsimit Publik. Tashmë objektet, siç shihet në fig. 2, janë vendosur në Muzeun Kombëtar Shqiptar të Tiranës.

Objekte mortore të rastësishme

Objektet që do të përshkruaj tashmë vijnë të gjitha nga nekropoli i Komanit. Nuk do të duhej të dyshohej për këtë prejardhje, edhe nëse për këtë nuk kisha marrë siguri nga njerëz që meritojnë besim, pasi tipi, lloji dhe stili i objekteve (të cilat shpesh nuk janë tjetër veçse përsëritje e atyre që kemi shqyrtuar deri më tash) do të zbulonin vetvetiu qartas prejardhjen e tyre nga nekropoli i Komanit. Në përshkrimin e objekteve që paraqiten po filloj nga radha e parë lart dhe nga ekzemplari i parë majtas. Për objekte që mungojnë fotografitë nuk mund të paraqes tjetër për to veçse disa shënime të shkurtra që mora kur pashë objektet që janë ruajtur në Muzeun e Etërve Jezuitë të Shkodrës. Shtoj se shumë prej këtyre ekzemplarëve nuk japin ndonjë shpjegim bindës rreth përdorimit të tyre, prandaj do t’i shmangem interpretimeve që mund të mbeten më tepër në fushën e hamendësimeve. E sigurt është se shumë prej tyre duhet të kenë qenë stoli veshjesh dhe rripash, ngaqë edhe në ditët e sotme, malësorët shqiptarë e kanë zakon të mbajnë objekte të ngjashme si zbukurime. Në fund shënoj se objektet janë të gjitha prej bronzi.

  1. Unazë e pajisur me pesë toptha apo shtojca sferike mbi sipërfaqen e jashtme, të vendosura në mënyrë simetrike. Kemi parë një tjetër të këtillë që vjen nga varri E, por vetëm me katër prej këtyre shtojcave.
  2. Vath i punuar me një shufër me prerje të rrumbullakët, e shrypur në petëz në pjesën e poshtme, me qëllim zbukurues. Sistemi i mbylljes është i zakonshmi, domethënë me vjegë, si në ato të varreve B dhe C. Tipi afrohet me palën e vathëve me gjysmëhënë të dhënë dhe në numrin 10 të përshkrimit, por është me punim mjaft më të trashë se ky.
  3. Rreth që i përket një vathi me varëse pllakëze si ato të gjetur në varrin G.
  4. Tub i vogël me trung konik, me majë të shtypur dhe të thyer. Duket se ka qenë tubi i bishtit të një maje të vogël heshte.
  5. Dy rrathë të lidhur së bashku. Në dy trekëndëshat e vegjël që formohen pranë pikës së lidhjes janë ngjitur dy rrathë të vegjël të tjerë, besoj në përforcim të njësimit.
  6. Rreth tjetër si ai i përshkruar në numrin 3.
  7. Rreth tjetër si ai i përshkruar në numrin 3.
  8. Vath i tipit të atij të paraqitur në numrin 2. Megjithatë besoj se ai nuk bën palë me këtë, pasi është me përmasa më të mëdha.
  9. Dy rrathë për vathë të llojit të zakonshëm me varëse pllakëze, por me diametër më të vogël.
  10. Tre rrathë të tipit të ngjashëm me atë të varrit D dhe me ato të varrit G (numri 13).
  11. Një palë vathë të llojit më pak të zakonshëm, por një ekzemplar të ngjashëm me to e kemi parë në varrin D, në radhën e qendrës dhe djathtas, - numri 8 i përshkrimit).
  12. Tre rrathë të tjerë të ngjashëm me n.l 1-13.
  13. Dy varëse të njëllojta, të punuara me filigran, që duket se vareshin në një palë vathë dhe mbanin ndonjë varëse tjetër më të vogël të zgjidhshme.
  14. Unazë në syprinën e së cilës është brendashkruar një kryq me krahë të plotë që zgjerohen gradualisht drejt rrethit ku janë fiksuar. Së jashtmi unaza ka 8 shtojca të ngjashme me ato që kemi parë në unazën numër 1. Sipërfaqet janë zbukuruar me vija dhe pikëza të ngulura.
  15. Disk me ngritje gjysmësferike në qendër. Rreth buzës të diskut ka dy lloje shtojcash, gjithsej gjashtë (njëra e punuar me filigran dhe më e gjerë). Pikëza dhe vija të ngjitura stolisin sipërfaqet.
  16. Shtojcë objekti e punuar me filigran.
  17. Unazë në syprinën e së cilës është brendashkruar një rreth tjetër më i vogël i lidhur me më të madhin, me anë tërthorësesh të vogla të vendosura si punë rreze rrote.
  18. Objekt i punuar me filigran dhe ndoshta i përshtatur për të njëjtin përdorim me të cilin ishin destinuar objektet me numër 21 dhe 25.
  19. Tre rrathë të bashkuar mes tyre prej kontaktit të njërit me tjetrin.
  20. Unazë në syprinën e të cilës është gdhendur një kryq i parregullt. Një vjegëz e vogël e përbërë nga tri shule; shërbente për të mbajtur të varur këtë objekt si varëse-stoli.
  21. Kryqth, me dy krahët vertikalë më të gjatë se ato të tërthortë. Çdo krah është formuar nga një disk i vogël gjatosh. Buza e kryqit është pak e ngritur dhe në pikën qendrore të takimit të krahëve ka një nyjëz. Përmasat: 2 cm lartësi dhe 1.5 cm gjerësia e përgjithshme e krahëve më të vegjël.
  22. Unazë e vogël që mban të gdhendur në rrethin e gurit një katërkëmbësh, mjaft e trashë si punim dhe e stilizuar.
  23. Një monedhë romake e gërryer nga fërkimi, më tepër se nga oksidi i bakrit, e pamundur të identifikohet. Megjithatë, mund të përcaktohet si e periudhës së hershme perandorake. Ka një vrimëz për varje, që gjendet në buzë të monedhës dhe mbi kokën e figurës. Konsumimi i vrimës tregon se monedha qe mbajtur si varëse-stoli për një kohë të gjatë.
  24. Një dorezë shpate e madhe , me mbrojtëse të thjeshta të pjerrëta nga lart, me dy lloj mollëzash në skajet dhe veç kësaj që ka në krahët e vrimës dhe në të dy hapjet, ka dy krahëz të mprehur, si në sakicën e paraqitur (varri F). Është e gjatë rreth 20 cm.

Pajisje të paraqitura në ekspozitën e Vatikanit

Në Ekspozitën Misionare të Vatikanit të vitit 1925, Shqipëria bënte figurë të mirë me praninë e veshjeve të saj karakteristike, të armëve të lashta dhe të objekteve të tjera të bukura të karakterit etnografik. Në një vitrinë ishte ekspozuar edhe materiali arkeologjik. Prej këtij kishte një pjesë që unë e kisha parë tashmë në Shkodër, por kishte edhe një sërë objektesh për të cilat nuk dija se ekzistonin. Pothuaj të gjitha këto të fundit ishin përsëritje të llojeve që njihja dhe për të cilat kam folur tashmë, por kishte edhe një objekt që meriton të paraqitet këtu. Është një qafore prej teli bronzi, që ka një diametër me përmasa pak më të mëdha se ato që kishin qaforet që kemi parë deri më tash. Veçantia që ia vlen të shënohet është se nga ajo varej një kryqth, gjithashtu në bronz, i tipit të atij të paraqitur.

Shqyrtim antropologjik i kafkës së varrit I

Për faktin se unë nuk kam kryer gërmime në nekropolin e Komanit, nuk arrita të mbledh eshtrat e të varrosurve në këtë vend. Prandaj tani nuk mund të parashtroj para studiuesit ndonjë arritje të mirë të të dhënave antropologjike.

Do të rendis rezultatin e hulumtimeve mbi kafkën e varrit I, që po e paraqes në katër pozicione. Ajo nuk është e plotë siç duket edhe nga fotografitë. Eshtrat janë shumë të thyeshme dhe disa pjesë të shkëputura janë rivendosur në vendin e tyre dhe janë ngjitur. Por fotografitë e norma verticalis dhe e norma occipitalis janë kryer para ribashkimit.

Kafka - pesha 498 gram. Vërehet se mungojnë gjashtë dhëmbë dhe të tjerët janë  pjesërisht të brejtur.

Nofulla - pesha 75 gram. Mungojnë gjashtë dhëmbë.

Rrethi kafkor 557 mm; diametri i përparmë fundor 195 mm; diametri gjerësor 140 mm; treguesi cefalik 72 Dolikoqefal', formë elipsoidale.

E dala oksipitale shumë e spikatur. Qepjet në asnjë pikë të ngjitura, të gjitha të dukshme, shumë gjarpëruese: vërehet një vormian ndërmuror (ala Lamda) dhe një varg kockash natyrore përgjatë muralit-oksipital. Kockat kanë trashësi të dukshme: ajo në qendër të muralit rreth dhjetë milimetra. Mungojnë dymbëdhjetë dhëmbë. Dhëmbët prerës dhe kaninët ekzistues janë të konsumuar; dhëmballët janë pak a shumë të brejtura, përveç dy dhëmballëve të fundit të poshtme, që janë të shëndoshë, me katër apo pesë maja.

Jam mjaft i përmbajtur, nga shqyrtimi i vetëm një kafke, që të arrij në përfundime të karakterit të përgjithshëm, dhe për t’i shtrirë ato në të gjithë të varrosurit e nekropolit. Një kafkë e vetme nuk është e mjaftueshme për të përligjur një përgjithësim të tillë. Veç kësaj, për këtë argument të shihet kapitulli i pjesës antropologjike në konkluzionet përfundimtare.

Përfundime në lidhje me varret e Komanit

Pasi kam përshkruar varret e Komanit dhe materialin që përmbahet në to, e shoh me vend që të vij në ndonjë përfundim, fillimisht me epokën dhe më pas me qytetërimin që përfaqësohet nga nekropoli. Kjo detyrë nuk është shumë e lehtë për t’i dhënë zgjidhje, kur mungon çdo lloj e dhëne për stratigrafinë e truallit dhe kur më është dashur t’u përmbahem vetëm krahasimeve tipologjike. Këto bëhen disi të pasigurta, pasi materiali nuk është i shumtë, paraqet anëpamje të larmishme dhe të ndryshme, dhe nga ana tjetër nuk është e mundur të ngrihen raporte ngjashmërie me materiale të vendbanimeve apo nekropoleve shqiptare të ngjashme, që janë datuar më parë, pasi sipas dijenisë sime dhe deri në ditët tona, nuk njihen të tilla.

info@balkancultureheritage.com