Konflikti i klasave

Konflikti i klasave

E para, çfarë ndodhi në pohtikën e brendshme? Dymbëdhjetë Tabelat qenë një pasojë e asaj që shpesh tashmë quhet si Konflikti i Klasave (fjala latine ordo do të thotë, mes të tjerave, ‘klasë shoqërore’), konflikt që, sipas shkrimtarëve romakë, dominoi politikën e brendshme në këtë dyqindvjeçar kyç pas fundit të monarkisë. Kjo ishte një përpjekje nga shtetasit plebenj për të drejta të plota politike dhe barazi me elitën, shtetasit patricë, të cilët në përgjithësi urrenin të lëshonin nga monopoli i tyre i trashëgueshëm i pushtetit Në Romë kjo është parë që nga ajo kohë si një rivendosje heroike e lirisë politike të qytetarëve të zakonshëm dhe ka lënë gjurmët e saj në politikë dhe në fjalorin politik deri në botën moderne. Fjala ‘plebe’ mbetet veçanërisht e ngarkuar në konfliktin tonë të klasave; edhe më 2012-n, aludimi se një politikan konservator britanik ka fyer një polic duke e quajtur atë ‘pleb’-shkurt për ‘plebe’ - solli dorëheqjen e tij nga qeveria.

Siç shpaloset rrëfenja mbi këtë konflikt, vetëm pak vite pasi u themelua Republika, në fillim të shekullit të pestë p.e.s., plebenjtë filluan të kundërshtojnë për jashtimin nga pushteti dhe shfrytëzimin e tyre nga patricët. E pse duhet të luftojmë në luftërat e Romës, pyetën ata vazhdimisht, kur të gjitha përfitimet nga shërbimet e tyre mbushnin xhepat e patricëve? E si mund ta cilësonin veten shtetas me të drejta të plota kur ata qenë shpesh viktima të ndëshkimit arbitrar e madje, nëse binin në borxhe, edhe skllavërimit? Çfarë të drejte kishin patricët që t’i mbanin plebenjtë si klasë e dytë? Ose, siç e shkroi Livi me fjalët ironike të një reformatori plebe, në terma jashtëzakonisht reminishentë me kundërshtimin gjatë shekullit të njëzetë ndaj aparteidit, ‘Pse nuk miratoni një ligj për të ndaluar një plebe të jetojë ngjitur me një patric apo të ecë në të njëjtën rrugë ose të shkojë në të njëjtën festë apo të qëndrojë njëkohësisht me të në të njëjtin Forum?

Më 494 p.e.s., të rraskapitur nga problemet e borxheve, plebenjtë organizuan të parën grevë masive në qytet, një kombinim i kryengritjes me grevën, në përpjekje për të detyruar patricët të pranojnë reformën. Kjo funksionoi. Kështu filloi një seri e gjatë koncesionesh, të cilat gradualisht gërryen të gjitha dallimet e rëndësishme mes patricëve e plebenjve dhe efektivisht rishkruan strukturën e pushtetit politik në qytet. Dyqind vjet më vonë kishin mbetur pak privilegje për patricët, me përjashtim të së drejtës për të mbajtur disa poste të lashta priftërinjsh dhe për të veshur një formë të caktuar këpucësh mode.

Reforma e parë më 494p.e.s. ishte emërimi i përfaqësuesve zyrtarë, të njohur si tribunë të popullit (tribuni plebis), për të mbrojtur interesat e plebenjve. Pastaj u krijua një asamble e veçantë vetëm për plebenjtë. Kjo u organizua, njësoj si Asambleja e Centurieve, në një sistem votash në bllok, por detajet teknike qenë të ndryshme në mënyrë thelbësore. Ajo nuk bazohej në një hierarki të pasurisë. Në vend të kësaj, grupet e votave qenë përkufizuar gjeografikisht, me votuesit të anëtarësuar në tribu (tribus) ose nën ndarjet rajonale të territorit të Romës, të cilat nuk kishin të bënin me një grupim etnik në kuptimin modern të fjalës ‘tribu’. Në fund, pas një greve finale, në një reformë që Shipio Barbatus duhet ta ketë parë vetë më 287 p.e.s., vendimeve të kësaj asambleje iu dha forca e plotë e ligjit mbi të gjithë shtetasit e Romës. Me fjalë të tjera, një institucion plebenjsh mori të drejtën për të vënë ligje mbi, dhe për llogari, të të gjithë shtetit në tërësi.

Mes viteve 494 dhe 287 p.e.s., mes më shumë retorikave trazuese, grevave dhe kërcënimeve për dhunë, të gjitha postet kryesore të priftërinjve u hapën njëri pas tjetrit për plebenjtë dhe statusi i tyre si klasë e dytë u çmontua. Një nga fitoret më të famshme të plebenjve erdhi më 326 p.e.s., kur sistemi i skllavërimit për borxhe u anulua, duke themeluar parimin se liria për shtetasin e Romës ishte një e drejtë e paprekshme. Një masë kyçe po kaq domethënëse, por politikisht më e vogël ishte miratuar dyzet vjet më herët, më 367 p.e.s. Pas shumë dekadash refuzimi dhe pretendimesh nga patricët e vijës së ashpër se ‘ishte një krim kundër zotave të lejohej një plebe të bëhej konsull’, u vendos që një nga postet e konsujve të hapej për plebenjtë. Nga viti 342 p.e.s. u ra dakord që të dy konsujt mund të jenë plebenj, në rast se zgjidheshin të tillë.

27. Një nga postet që mbeti gjithmonë i kufizuar për patricët ishte ‘flaminate’, një post i lashtë fetar i disa prej zotave më të rëndësishme. Një grup i këtyre priftërinjve shikohen këtu në shekullin e parë p.e.s. në Altarin e Paqes (shiko figurën 65), të dallueshëm nga kapelat e tyre të çuditshme.

Por ngjarjet më dramatike nga të gjitha u shënuan në konfliktin rreth hartimit të Dymbëdhjetë Tabelave, në mes të shekullit të pestë p.e.s. Klauzolat që janë ruajtur mund të jenë të shkurtra, me nënkuptime e ndoshta edhe pak të thata, por, siç e treguan historinë vetë romakët, ato u hartuan në një atmosferë tragjike mashtrimesh shumëngjyrëshe, aludimesh për tirani, tentativë për përdhunim dhe vrasje. Rrëfenja thotë se për shumë vite plebenjtë patën kërkuar që ‘ligjet’ e qytetit të bëheshin publike dhe jo thjesht një burim sekret për patricët; dhe, si koncesion, postet normale politike u pezulluan më 451 p.e.s. dhe dhjetë burra (decemviri) u caktuan për të mbledhur, hartuar dhe publikuar ato. Në vitin e parë, decemviri me sukses plotësoi dhjetë tabela me ligje, por puna e tyre nuk pati përfunduar. Kështu, për vitin pasardhës u krijua një bord tjetër, i cili rezultoi shumë i ndryshëm dhe në karakter shumë më tepër konservator. Ky bord i dytë prodhoi dy tabelat e mbetura, duke vendosur një klauzolë famëkeqe që ndalonte martesat mes patricëve dhe plebenjve. Megjithëse iniciativa për hartimin e ligjeve nisi si frymë reformiste, ajo u kthye në përpjekjen më ekstreme për t’i mbajtur të dyja grupimet jashtëzakonisht të ndara: ‘ligji më çnjerëzor’ e quajti Cicero atë, tërësisht kundër frymës së hapjes së Romës.

Por më e keqja erdhi më vonë. Bordi i dytë decemviri - të Dhjetë Tarkuinët, siç njihen ata në disa raste - filloi të imitojë sjelljen e tiranëve, deri te dhuna seksuale. Në atë që është pothuajse një përsëritje e përdhunimit të Lukrecias, e cila solli themelimin e Republikës, njëri prej tyre, patrici Apius Kladius (një stërstërgjysh i ndërtuesit të rrugës) kërkoi seks me një grua të re plebeje, e cila kishte emrin e përshtatshëm Virgjëresha, e pamartuar, por e fejuar. Mashtrimi dhe korrupsioni pasuan. Apius korruptoi një prej mbështetësve të vet që të pretendonte se ajo ishte skllavja e tij, e cila ishte vjedhur nga i ashtuquajturi babai i saj. Gjykatësi në këtë rast ishte vetë Apius, i cili natyrisht vendosi në favor të bashkëfajtorit të vet dhe eci nëpër Forum për të rrëmbyer Virgjëreshën. Në debatin që pasoi, babai i saj, Lucius Virginius, rrëmbeu një thikë nga tezga e një kasapi aty pranë dhe e theri vajzën për vdekje: TJnë po të çliroj ty fëmija im, në mënyrën e vetme që më ka mbetur’; bërtiti ai.

Historia e Virgjëreshës ka qenë gjithmonë shumë më shqetësuese sesa ajo e Lukrecias. Ajo jo vetëm që kombinon vrasjen brenda familjes me brutalitetin e konfliktit të klasave, por në mënyrë të pashmangshme ngre pyetjen se çfarë çmimi duhet të paguhet për dëlirësinë. Çfarë lloj modeli prindi është ky? Kush kishte më shumë faj? A duhet që parimet e larta të ruhen me një çmim të tillë të tmerrshëm? Por edhe një herë përdhunimi (në tentativë) rezultoi një kataklizëm për ndryshimin politik. Ekspozimi i trupit të Virgjëreshës dhe fjalimi pasionant që Virginiusi mbajti para ushtrisë solli përleshje, kryengritje, shkarkimin e bordit tiranik të decemvirëve dhe, siç thotë Livi, rikuperimin e lirisë. Pavarësisht njollosjes nga tirania, Dymbëdhjetë Tabelat mbetën. Ato shpejtfilluan të shikohen si paraardhëse të denja të ligjit romak, me përjashtim të ndalimit të martesave mes klasave, i cili u anulua shpejt.

Rrëfenja e Konfliktit të Klasave përbën një nga manifestet më radikale dhe më koherente të pushtetit popullor dhe lirisë që ka mbijetuar nga bota e lashtë - shumë më tepër radikale nga ato që kanë mbijetuar prej Athinës demokratike klasike, shumica e shkrimtarëve të së cilës kundërshtonin demokracinë dhe pushtetin popullor sa herë që duhej të thonin ndonjë gjë konkrete për këtë temë. Të marra së bashku, kërkesat që u janë vënë në gojë plebenjve ofronin një program sistematik për reformë politike, bazuar në aspekte të ndryshme për lirinë e shtetasve, nga liria për të marrë pjesë në qeverisjen e shtetit dhe liria për të ndarë shpërblimet, te liria nga shfrytëzimi dhe liria për informim. Kjo rrëfenjë nga lashtësia që tregon se si veprimi i organizuar i popullit të Romës detyroi aristokracinë trashëgimtare të patricëve të bëjë lëshime dhe siguroi të drejta të plota politike për plebenjtë, frymëzoi lëvizjet e klasës punëtore në shumë vende në shekullin e nëntëmbëdhjetë dhe njëzetë, të cilat gjetën në të një precedent të vlefshëm dhe disa nga argumentet më bindëse. Gjithashtu nuk është çudi që sindikatat e para shikonin grevat e plebenjve si një model për greva të suksesshme.

Por sa e saktë është historia që romakët rrëfyen për këtë konflikt? Dhe sa dritë hedh ajo në ‘hopin e madh përpara’ të Romës? Këtu copat e mozaikut bëhen më të vështira për t’u bashkuar. Por konturet e panoramës dhe disa data, që ka gjasa janë kyçe, gjenden. Shumë aspekte të kësaj historie që ka ardhur deri te ne duhet të jenë të gabuara, shumë të modernizuara nga shkrimtarë të mëvonë, veçanërisht drejt fillesave të periudhës së konfliktit, fillesa që shtrihen shumë më tepër në mite sesa në histori. Virgjëresha ka gjasa është jo më pak personazh imagjinar sesa Lukrecia. Ka një mospërputhje të rëndë mes klauzolave të mbijetuara të Dymbëdhjetë Tabelave dhe historisë së stërholluar të decemvirëve. Nëse hartimi erdhi drejtpërsëdrejti nga përplasja mes patricëve dhe plebenjve, si shpjegohet që në klauzolat e ruajtura ka vetëm një referencë për këtë dallim (te ndalimi i martesave)? Shumica e argumenteve, e akoma më shumë e retorikës, së reformatorëve të hershëm plebenj është pothuajse e sigurt se është pjellë e imagjinatës së shkrimtarëve të shekullit të parë p.e.s., e nxjerrë nga debatet e sofistikuara të ditës së tyre dhe jo produkt i botës së Dymbëdhjetë Tabelave - dhe mund të jetë më shumë provë për ideologjinë popullore politike të një periudhe të mëvonë sesa e Konfliktit të Klasave. Për më tepër, pavarësisht sigurisë me të cilën flisnin romakët se përjashtimi i plebenjve nga pushteti datonte që nga rënia e monarkisë, ka sinjale që sugjerojnë se ai u zhvillua vetëm gjatë rrjedhës së shekullit të pestë p.e.s. Lista standarde e konsujve, për shembull, sado imagjinare që të jetë, përfshin në fillim të shekullit të pestë p.e.s. shumë emra që dallohet se janë plebenj (përfshirë atë të konsullit të parë, vetë Lucius Junius Brutus), gjë që zhduket tërësisht në gjysmën e dytë të atij shekulli.

Pasi të themi këtë, duhet shtuar se nuk ka dyshim që periudhat e gjata të shekujve të pestë dhe të katërt p.e.s. qenë të copëtuara nga përplasjet shoqërore dhe politike mes një minorance me privilegje të trashëguara dhe pjesës tjetër. Dallimi formal mes familjeve patrice dhe atyre plebeje vijonte të mbijetonte edhe një gjysmë mijëvjeçari më vonë, si një nga ato ‘fosilet’ që unë i diskutova më parë, por që shprehej thjeshtë me një shfryrje snobizmi dhe asgjë më shumë. Është e vështirë të shpjegosh se pse ky dallim ekzistonte nëse dallimi mes dy grupeve nuk pati qenë dikur shënjues domethënës i pushtetit politik, shoqëror dhe ekonomik. Ka gjithashtu arsye të forta për të menduar se viti 376 ishte një pikë madhore kthese, edhe pse jo në atë mënyrë se si e imagjinuan historianët romakë.

Për ta, ky ishte një moment revolucionar kur u vendos që jo vetëm posti i konsullit duhej të ishte i hapur për plebenjtë, por se një nga dy konsujt duhej të ishte gjithmonë plebe. Nëse është kështu, ligji u shkel sapo ai u bë, sepse në shumë raste në vitet që pasuan u regjistruan si konsuj dy emra patricësh. Livi e vuri re problemin dhe sugjeron në mënyrë jobindëse se plebenjtë qenë të kënaqur thjesht me fitimin e së drejtës për të garuar, por jo shumë të shqetësuar për t’u zgjedhur. Ka më shumë gjasa ky të jetë viti kur posti i konsullit u themelua si zyrë e përhershme që rinovohej çdo vit dhe që supozohej se qe e hapur si për patricët ashtu edhe për plebenjtë, pavarësisht se zgjedhja e një plebeu nuk qe e detyrueshme.

Kjo me siguri që përputhet me dy të dhëna të tjera domethënëse. E para, edhe në kronikën tradicionale të Romës, të dhënat për shumicën e viteve nga 420 në 360 p.e.s. mbajnë emra të ‘kolonelëve’ misteriozë si zyrtarët më të lartë të shtetit. Kjo ndryshon një herë e mirë më 376 p.e.s., kur konsujt bëhen normë për pjesën e mbetur të historisë së Romës. E dyta, ka gjithashtu gjasa që senati mori formën përfundimtare në këtë kohë. Shkrimtarët romakë kishin tendencën ta merrnin si të mirëqenë se origjina e senatit gjendej pas në kohën e Romulit, si një këshill ‘burrash të moshuar’ (senes), dhe se nga fundi i shekullit të pestë p.e.s. ai ishte sakaq një institucion i plotë që vepronte pak a shumë njësoj si në vitin 63 p.e.s. Një zë shumë teknik në një fjalor të lashtë romak nënkupton një version shumë të ndryshëm, duke sugjeruar se vetëm rreth mesit të shekullit të katërt p.e.s senati u themelua si një trupë permanente me anëtarë përgjatë të gjithë jetës dhe jo një grup i ngritur sipas rastit me miq dhe këshilltarë të atyre që qenë zyrtarë në detyrë, pa vijimësi nga një vit në tjetrin e madje nga një ditë në tjetrën. Nëse kjo është e saktë (dhe, natyrisht, jo të gjitha copat e informacionit teknik janë domosdoshmërish të sakta), atëherë kjo mbështet idenë se sistemi politik i Romës mori formën e tij karakteristike në mesin e shekullit të katërt p.e.s. Fakti është se Roma nuk dukej dallueshëm ‘romake’ edhe për një shekull pas vitit 509 p.e.s, pavarësisht se çfarë paraardhësi kishin institucionet e saj apo çfarë elementësh të tillë si asambletë apo censuset mund të kenë funksionuar më herët.

Kjo do të thotë se ajo që ne gjejmë të shfaqur në varrin e Barbatusit nuk është një karrierë tradicionale e një anëtari tradicional të elitës së Romës; megjithëse kjo është siç u panë gjërat më vonë. Varrosur diku në fillim të shekullit të tretë p.e.s., Barbatusi ishte në fakt një përfaqësues i një rendi relativisht të ri republikan në Romë - dhe, siç do ta shohim më tutje, edhe jashtë saj.

Bota jashtë: Veii dhe Roma

Ekspansioni i pushtetit romak nëpër Itali ishte dramatik. Është e lehtë të habitesh apo të rrëqethesh, nga perandoria e mëvonë përtej detit e Romës, e cila në fund ishte mbi tre milionë kilometra katrorë; nëse merr si të mirëqenë idenë se Italia ishte romake. Por transformimi i qytezës së vogël pranë Tiberit më 509 p.e.s. në një shtet më shumë se trembëdhjetë mijë kilometra katrorë në vitin 280 p.e.s., me kontroll efektiv në së paku gjysmën e gadishullit Italian, ishte po aq trullosëse. Si ndodhi kjo? Dhe kur?

Marrëdhëniet e Romës me botën e jashtme qenë tërësisht të thjeshta, për aq sa mund të themi, deri rreth vitit 400 p.e.s. Marrëdhëniet e saj të tregtisë me zonën e Mesdheut qenë jo më shumë sesa e zakonshmja për një qytezë italiane. Ndërveprimet e drejtpërdrejta qenë më së shumti vendore, para së gjithash me bashkësitë latine në jug, të cilat kishin një gjuhë të përbashkët një ndjesi prejardhjeje të përbashkët dhe shumë festivale e vende të shenjta të përbashkëta me Romën. Maksimumi që mund të thuash është se nga fundi i shekullit të gjashtë p.e.s., romakët ka gjasa të kishin një farë kontrolli mbi disa grupe latinësh. Si Cicero ashtu edhe historiani Polibius (një vëzhgues i mprehtë grek i Romës, i cili shfaqet shumë në kapitullin e ardhshëm) pretendon se ka parë dokumente ose ‘traktate’, nga kjo periudhë që sugjerojnë se Roma ishte në atë kohë një lojtar i madh në këtë botë të vogël vendore latine. Dhe, siç e kemi parë, historia e shekullit të pestë p.e.s. sugjeron pak a shumë shpërthime vjetore luftimesh, por në shkallë të kufizuar, pavarësisht se me çfarë termash lavdëruese u përshkruan më vonë. Argumenti më i thjeshtë për këtë është se nëse do të kishte viktima të shumta çdo vit për disa dekada, qyteza e vogël e Romës nuk do të mund të kishte mbijetuar.

Momenti i ndryshimit erdhi nga fillimi i shekullit të katërt p.e.s., me dy ngjarje që luajnë një rol kryesor dhe jashtëzakonisht të mitologjizuar në të gjitha kronikat e lashta mbi ekspansionin e Romës: shkatërrimi i qytetit fqinj Veii nga romakët nën heroin Kamilus më 396 p.e.s., dhe shkatërrimi i Romës nga galët më 390 p.e.s. Se çfarë gjendet pas përplasjes së Romës me Veii është tërësisht e panjohur, por ajo është shkruar a thua se ishte ekuivalenti italian i Luftës së Trojës: dhjetë vjet rrethim u deshën për të pushtuar qytetin, e barabartë me dhjetë vitet e rrethimit të Trojës; dhe romakët fitimtarë në fund e kapën qytetin duke dalë nga një tunel nën Tempullin e Junos, si një ekuivalent i kalit të Trojës. Realiteti i pushtimit’ (term ky me gjasa tepër i fryrë), duhet të ketë qenë shumë më modest. Kjo nuk ishte një përplasje superfuqish. Veii ishte një qytezë e pasur, pak më e vogël se Roma, dhe vetëm 15 kilometra përtej Tiberit.

Megjithatë, pasojat e fitores romake qenë domethënëse, edhe pse jo në mënyrën që sugjerohet nga shkrimtarët romakë, të cilët theksuan skllavërimin e popullsisë, me të gjitha mallrat dhe plaçkat të rrëmbyera pas fitores, si dhe me shkatërrim total të qytezës. Treqind e pesëdhjetë vjet më vonë, poeti Propertius rrëfeu për një panoramë të dëshpëruar të Veiit në ditën e tij, si shtëpi e jo më shumë sesa ca deleve dhe disa ‘barinjve të ngeshëm’. Ky është më shumë një leksion moral mbi rrezikun e disfatës sesa një përshkrim i saktë (ka gjasa që Propertius të mos ta ketë vizituar kurrë vendin e qytetit), sepse arkeologjia e këtij vendi sugjeron një të vërtetë shumë të ndryshme. Megjithëse mund të ketë pasur grabitje të pandërprera e skllavërim në çastin e fitores së romakëve si dhe një fluks banorësh të rinj, shumica e vendeve të shenjta të zonës vijuan të funksionojnë njësoj si më parë, qyteza vijoi të jetë e banuar, edhe pse në një shkallë më të vogël dhe ato prova që ne kemi nga fermat bujqësore sugjerojnë për vijimësi më shumë sesa për ndërprerje.

Ndryshimi ishte i rëndësishëm në një drejtim tjetër. Roma aneksoi Veiin dhe tokat e saj, duke rritur menjëherë përmasat e territorit romak me rreth 60 për qind. Shpejt pas kësaj, katër tribu të reja gjeografike me shtetas të Romës u krijuan, për të përfshirë Veiin, banorët indigjenë të saj, si dhe banorët e rinj. Ka shenja se zhvillime të tjera të rëndësishme ndodhën afersisht në këtë kohë dhe ka gjasa të kenë qenë të lidhura me të. Livi pretendon se ishte pas rrethimit të Veiit kur ushtarët romakë u paguan për herë të parë, nga taksat e Romës. Pavarësisht nëse është literalisht e vërtetë apo jo (dhe sido që të jenë paguar ata për shkak se monedha nuk ekzistonte ende), ky mund të jetë indikacion i një lëvizjeje përpara në një organizim më të centralizuar të ushtrive të Romës dhe një rënieje të luftës private.

Disfata pasoi shpejt fitoren. Rrëfimi vijon se në vitin 390 p.e.s. një bandë galësh - ndoshta një fis që po lëvizte në kërkim të tokës ose me gjasa, një trupë e mirëstërvitur mercenarësh që kërkonin punë më poshtë në jug,- mposhti një ushtri romake në lumin Alia, jo shumë larg qytetit. Romakët duket se bënë pak më shumë sesa thjesht t’ia merrnin vrapit dhe galët marshuan për të pushtuar Romën. Një rrëfenjë apokrife përshkruan se si një plebe virtuoz, me emrin e përshtatshëm Markus Kaedicius (paralajmëruesi i katastrofave’), dëgjoi zërin e një zoti të panjohur që e paralajmëroi atë se po afroheshin galët, por raporti i tij u injorua, për shkak të statusit të tij të ulët. Kjo rezultoi një mësim për patricët,- mësuar përmes pësimit - se zotat komunikonin edhe me plebenjtë.

Rrëfimtaria romake i dha një mbulim ekstravagant kapjes së qytetit, me akte të ndryshme heroizmi për të lënë mënjanë shkatërrimin e kudogjendur. Një i varfer tjetër dha prova të devocionit të tij kur hodhi gruan dhe fëmijët nga karroca dhe e vuri karrocën në shërbim të Virgjëreshave të Vestës, të cilat po evakuonin emblemat e tyre të shenjta dhe hajmalitë drejt një vendi të sigurt në qytezën Kaeres aty pranë. Shumë aristokratë të moshuar thjesht vendosën të përballen me të pashmangshmen dhe qëndruan me durim në shtëpi duke pritur për galët, të cilët për një çast kujtuan se pleqtë qenë statuja para se t’i masakronin ata. Ndërkohë, Kamilusi, shkurtimisht në ekzil i akuzuar për përvetësim të plaçkës së luftës, u kthye tamam në kohë për të ndaluar romakët nga pagesa e një haraçi të madh te galët, duke bindur bashkëpatriotët e tij të braktisnin qytetin dhe të iknin te Veii, si dhe të mermin përsipër ta rithemelonin qytetin. Ose së paku ky është një version. Një rrëfenjë më pak nderuese thotë se galët ikën triumfalisht bashkë me haraçin.

28. Një vizatim i fillimit të shekullit të njëzetë e realizuar (nga një fotografi më e hershme) tregon mbetjet e murit Servian pranë stacionit qendror hekurudhor të Romës. Seksione të këtij fortifikimi vijojnë t’i përshëndesin udhëtarët që dalin nga Roma Termini, megjithëse tashmë ato janë pak a shumë të zymta të mbyllura pas kangjellave.

Ky është një rast tjetër i ekzagjerimit të romakëve. Rrëfenjat e ndryshme, të cilat u bënë të zakonshme për memorien kulturore romake, ofronin një leksion të rëndësishëm patriotik: në vendosjen e nevojave të vendit mbi atë të familjes, në tregimin e trimërisë përballë disfatës së sigurt dhe në rrezikun që mbart matja së vlerës së qytetit në termat e arit. Katastrofa u bë kaq shumë pjesë e imagjinatës popullore romake sa disa kundërshtarë të ashpër po e përdomin atë në vitin 48 të e.s. si argument (ose lojë e dëshpëruar) kundër propozimit të perandorit Klaudius për të pranuar galët në senat. Gjithsesi, nuk ka prova arkeologjike për këtë lloj shkatërrimi masiv që romakët e më vonë e imagjinuan, përveç rastit nëse djegiet e datuara rreth vitit 500 p.e.s. janë në fakt, siç kanë menduar dikur arkeologët, mbetjet e sulmit galik që ndodhi njëqind vjet më vonë.

Një shenjë e qartë për grabitjen në panoramën e Romës është muri i stërmadh mbrojtës, disa seksione mbresëlënëse të së cilit janë ende të dukshme, të ndërtuara pas ikjes së galëve dhe me një gur veçanërisht të fortë, që ishte produkt i territorit të ri të Romës përreth Veiit. Por ka arsye të fuqishme se pse kjo disfatë është një episod i vlefshëm për t’u theksuar nga historianët romakë. Ajo vë në dukje ankthet romake mbi pushtues nga përtej Alpeve, nga të cilët Hanibali ishte më i rrezikshmi, por jo i vetmi. Kjo ka ndihmuar gjithashtu për të shpjeguar se pse kaq pak prova të forta kanë mbijetuar nga Roma e hershme (sepse ato u dogjën), dhe kështu shënon një fillim të ri, në termat antikë, të ‘historisë moderne’. Kjo i jepte përgjigje se pse Republika më e vonë e qytetit të Romës, pavarësisht famës së vet botërore, ishte ende një labirint lepujsh: romakëve iu desh ta rindërtonin atë me shpejtësi, pasi galët ikën. Dhe ai hapi një kapitull të ri në marrëdhëniet e Romës me botën.

info@balkancultureheritage.com