Konstantini (307-337), biri i Konstanc Klorit, ishte me prejardhje nga Naisi (Nishi). Ai siguroi aleancën me Veronën dhe me Akuilenë, para se të të përleshej me Maksencin në urën Milvi (më 312). Kthimi i tij në fenë e krishterë solli një ndryshim të thellë në vendin që zinte kjo fe e re në Perandori, si edhe, tërthorazi, në vendin e paganizmit. Diokleciani u shua i tërhequr në Aspalathos (Split) në vitin 313. Përsa u përket kufijve, shqetësimi i tij ishte i njëjtë me atë të paraardhësve: perandori qëndroi në Sirm në vitet 326-327, pastaj prapë më 329. Themelimi i Konstantinopojës nuk mund veçse ta rriste rolin e via Egnatia-s, e cila lidhte dy kryeqytetet e Perandorisë përmes gadishullit ballkanik, për më tepër që, nga viti 330, perandori u vendos atje. Por edhe rruga e Danubit ishte mjaft e rrahur, për të lidhur kufirin renan me atë të Danubit dhe me Bosforin. Punëtorët e punishtes së monedhave të Akuilesë u shpërngulën në Romën e re. Qendra e rëndesës së Perandorisë Romake u zhvendos drejt Konstantinopojës.
Kur vdiq Konstantini, tre bijtë e tij, Konstantini i Riu, Konstanci dhe Konstanti, e ndanë Perandorinë mes tyre. Pikërisht në Akuile, aty ku takoheshin Perëndimi dhe bota danubiane, Konstanti e mposhti vëllanë e tij të madh, Konstantinin, i cili u vra (më 340). Pas vdekjes së Konstantit, djali më i vogël, Konstanci, luftoi kundër Magnencit në rajonin e Emonës e të Siskias dhe ngadhënjeu. Adriatiku ishte në zemër të konfliktit: Magnenci u tërhoq në Akuile, skuadrilja e Konstancit depërtoi në Adriatik dhe zbarkoi një ushtri në grykëderdhjen e lumit Po. Magnenci u arratis në Gali (në vitin 352). Konstanci u kthye në Sirm nga viti 357 deri më 359, për të luftuar në zonën e Danubit kundër disa sarmatëve, të cilët i vendosi në jug të lumit; por kryengritja që ata bënë përfundoi me një masakër të madhe ndaj këtyre banorëve të rinj.
Ardhja në pushtet e perandorit Julian (361-363) u shoqërua me lëvizje të reja trupash të ardhura nga Galia nëpërmjet Italisë së Veriut dhe Akuilesë, qytet në rrethinat e të cilit trupat e Julianit u ndeshën me ushtarët e Konstancit. Pas mbretërimit jetëshkurtër të Jovianit, dinastia e re valentiniane ishte po ashtu me prejardhje ilire, nga krahina e Sirmit. Të dy vëllezërit, Valentiniani dhe Valensi, e ndanë Perandorinë midis tyre, i pari (364-375) mori Perëndimin, kurse i dyti (364- 378) Lindjen. Siç e vinte në dukje Amian Marcelini (XXVI, 4, 5), kërcënimi barbar ishte i përgjithshëm: “Alamanët plaçkisnin Galitë dhe Recitë; sarmatët dhe kuadët Panoninë; [...] trupat e gotëve kusarë po i shkretonin Trakinë dhe Panonitë”. Dyndja e hunëve mbi rajonin e Vollgës i vuri në lëvizje ostrogotët e vendosur në Ukrainë. Prej vitit 376, ostrogotët e kapërcyen Danubin. Kurse vizigotët u zmbrapsën dhe kërkuan strehim në Traki. Dështimi i bujshëm në Andrinopojë përballë gotëve (378), i rënduar edhe nga vdekja e Valensit, e la Maqedoninë dhe Greqinë në mëshirën e plaçkitësve. Në Perëndim, ndërkohë që Valentiniani mbronte kufirin e Rinit, Teodosi Plaku luftonte kundër alamanëve në Reci dhe i vendosi shumë prej tyre në ultësirën e lumit Po. Më në lindje, kuadët pushtuan trojet romake (374) dhe Valentiniani vdiq pa e rivendosur dot situatën. Iliriku u bë atëherë principatë më vete që iu besua Valentinianit II, i cili ishte vetëm katër vjeç.
Beteja e Andrinopojës e detyroi Gracianin, birin e Valentinianit I, që të zgjidhte Teodosin, birin e Teodosit Plakut, si August të dytë të ngarkuar me Lindjen (379)- Plaçkitja e gadishullit ballkanik nga gotët ishte e plotë. Gotët dhe alanët pushtuan Panoninë, duke shkaktuar shpërngulje popullsish në drejtim të Dalmacisë. Shën Hieronimi, me prejardhje nga Dalmacia e Veriut (pati lindur në Stridon, sot Grahonovopolje, në Slloveni, në vitin 347) shkroi: “Nga vendi ku kam lindur ka mbetur vetëm qielli e toka, ferra e pyje; çdo gjë është shuar”. Graciani dhe Teodosi u takuan në Sirm, pa mundur t’i vënë fre këtij shkatërrimi. Teodosi u vendos më pas në Thesalonik dhe në Konstantinopojë, pa bërë asnjë veprim më shumë kundër pushtuesve. Si njëra palë, ashtu edhe tjetra, parapëlqyen që ta pranonin një komb gotik të vendosur në trojet e Perandorisë, si ndërmjet Danubit dhe Ballkanit, ashtu edhe në perëndim, në Panoni. Shën Ambrozi qahej, në dimrin e viteve 382-383, se mes Milanos dhe Thesalonikut marrëdhëniet ishin ndërprerë. E pakalueshme ishte edhe vif. Egnatia dhe Adriatiku u bë pak i sigurt. Në vitin 388, qytetërimi romak u shkatërrua në Panoni nga dyndje të reja sarmatësh.
Ndaija e Perandorisë më dysh u ndie edhe në fushën e fesë së krishterë. Papës së Romës nuk ia vinin më gjithmonë veshin në Lindje dhe, më 381, u mbajt një koncil në Konstantinopojë, në mungesë të përfaqësuesve të klerit perëndimor, dhe një tjetër në Akuile për të gjykuar ipeshkvët arianë të Ilirisë, Paladin dhe Sekundianin, të cilët u dënuan nën trysninë e Ambrozit të Milanos. Edhe koncili i Romës, që pasoi menjëherë, nuk i tërhoqi përfaqësuesit e Lindjes, të cilët ishin të zënë me koncilin e Konstantinopojës.
Teodosi arrita ta ribashkojë Perandorinë, pas një fushate ushtarake që e shpuri atë nga Stobi në Emonë dhe në Akuile, ku shkoi dhe vdiq rivali i tij Maksimi (388).
Në vitin 390, në veprën Renditja e qyteteve të shquara (9), Ausoni veçon, përveç Romës, vetëm tri qytete italiane: Milanon, Kapuan dhe Akuilenë. Ky i fundit ngjan të jetë përmendur për shkak të disfatës dhe të vdekjes së uzurpatorit Maksim: “Nuk e kishe vendin këtu: por, meqenëse një lavdi e vonë ta ka rritur emrin, do të të quaj të nëntin ndër qytetet e shquara, moj Akuilë, ti koloni italiane përballë maleve të Ilirisë, me nam për ato mure e për atë port që ke; por, një nder ky më i lavdishëm, Maksimi, para se t’i vinte ora, të zgjodhi ty për të vuajtur aty, pas pesë vitesh, një shlyerje të vonuar mëkati, ai harbuti me damkë, i vetëquajtur shqytar”. Pak më vonë (më 392), Valentiniani II vdiq në Vjenë, ndërkohë që Milano po i lutej Ambrozit t’i bënte thirije këtij perandori për të mbrojtur shtigjet e kalimit të Alpeve nga kërcënimi barbar. Teodosi doli fitimtar mbi uzurpatorin Eugjen, po në rrugën që të shpinte nga Emona në Akuile (më 394). Ai vdiq në fillim të vitit 395 në Milano, duke ua lënë Perandorinë dy të bijve, Arkadit Lindjen dhe Honorit Perëndimin; nuk ishte hera e parë që kryhej një ndarje e tillë e Perandorisë, por kjo do të dallohej nga të tjerat se bëhej një herë e përgjithmonë. Dalmacia u sulmua nga veriu dhe nga jugu, duke përfshirë edhe Salonën, dhe popullsitë nuk dinin më se ku të emigronin.