Nëse ka një tipar mesdhetar që haset edhe në Adriatik, ky është pikërisht ai i larmisë së peizazheve. Kjo shumëllojshmëri yjen në radhë të parë nga përzgjatja e gjiut Adriatik në gjerësi gjeografike.
Në pellgun mesdhetar, Adriatiku është një gji që futet thellë drejt veriut. Triestja ndodhet pothuajse në të njëjtën gjerësi me Lionin apo me deltën e Danubit, në pellgun e Detit të Zi. Triestja gjendet më në veri sesa Beogradi dhe Bukureshti.
Në pjesën veriore të Adriatikut, vendet bregdetare afrohen pra, përsa i përket peizazhit natyror, me ato të Europës Qendrore: mjegulla dimërore e Venecias është po aq e dendur sa ajo e Milanos a e Lionit. Në pjesën e poshtme të ultësirës së lumit Po, bimësisë nuk i mbetet më asnjë tipar mesdhetar: aty as që bëhet fjalë për ullirin. Në bregdetin e Kroacisë, si në Istrie ashtu edhe në Dalmaci, brenda njëzet kilometrash njeriu kalon nga një peizazh mesdhetar klasik në pyje halore si ato që gjen në Europën Qendrore. Ky kontrast i menjëhershëm krijohet për shkak të pendës malore dinarike që shkon përgjatë bregut, rrafsh me buzën e detit.
Veriu i Adriatikut, një zbritje në det e ultësirës së lumit Po, i kundërvihet jugut të tij që ndodhet nën qiej më të mëshirshëm: gadishulli i Puljes vuan nga thatësira dhe nga zhegu i verës ku temperatura i afrohet nganjëherë asaj të Siqelisë.
Për më tepër, shpati italik dallon nga pjerrësia e kurrizit dinarik, si nga trajtat e relievit ashtu edhe nga vetitë klimatike apo tiparet e mbulesës bimore.