Në trevën ilire të kohës pararomake mjaft i shpeshtë është edhe simboli i kryqit. Ndërkaq, ky motiv ndeshet rëndom në stoli të ndryshme (tokëza, aplika), por jo si simbol më vete. Prandaj mund të dyshohet nëse ka të bëjë, në ato paraqitje, me simbolin religjioz apo është fjala për pjesë funksionale të kësaj stolie. Megjithatë, për disa paraqitje të kryqit mund të pohojmë mjaft bindshëm se kanë edhe domethënie simbolike. I tillë është rasti me kryqin në amuletët në formë të sopatës së dyfishtë (labrys-i) nga lokaliteti Visoi I afër Bitolit, kështu që me kryqin e formuar prej një sërëxhunge në një fibulë pafte nga Bilishani te Obrovci, në të cilën gjendet gjithashtu motivi i gdhendur i sopatës së dyfishtë, etj. Lidhja e motivit të kryqit me sopatën e dyfishtë shpie në përfundim se kryqi edhe te ilirët ka pasur domethënien e simbolit të jetës dhe të dritës, siç e ka pasur edhe tek disa religjione të tjera, sidomos në religjionin e krishterë.
Te ilirët gjejmë edhe një dëshmi për karakterin solar të kryqit. Këto janë shumë disqe nga treva e liburnëve, disqe që në masë shumë më të vogël ndeshet edhe në viset e tjera ilire, të cilat në mes e kanë kryqin. Është interesant disku me kryqin në këmbën e një fibule të shek. VI ose V. para e.r. i gjetur afër Novalës në ujdhesën Pag. Ky disk gjendet i aplikuar pikërisht në vendin në të cilin shumë shpesh, në fibula të tipit të tillë, gjenden protomet e shpezëve moçalikë, deshët dhe kuajt.
Ndryshe, ky simbol është shumë i përhapur në kohërat parahistorike, kurse në pjesën perëndimore të Ballkanit, është i njohur edhe në kohërat parailire.