Kulti i të vdekurve
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Roma Mbretërore
~Shaban Dervishi
Republika e hershme
~Shaban Dervishi
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Kulti i të vdekurve

Shumë shpejt këto besime do të shpinin në krijimin e rregullave të sjelljes. Meqenëse, i vdekuri kishte nevojë për ushqim dhe pije, njerëzit e panë plotësimin e kësaj nevoje si një detyrë të të gjallëve. Përkujdesja për t'u shpënë të vdekurve ushqim nuk iu la në dorë trilleve apo ndjenjave të ndryshme të njerëzve, ajo ishte e detyrueshme. Në këtë mënyrë u krijua një besim mbi vdekjen, dogmat e të cilit u shuan shpejt, ndërkohë që ritet e tij u ruajtën deri në triumfin e krishterimit.

Të vdekurit konsideroheshin si qenie të shenjta. Njerëzit e lashtësisë u jepnin atyre epitete nga më të respektueshmet që ata mund të gjenin; ata i quanin të mirë, të shenjtë, të lumë. Ata ushqenin për ta gjithë nderimin që njeriu mund të ketë për hyjninë që ai do ose i druhet. Në mendimin e tyre, çdo i vdekur ishte një perëndi.

Kjo lloj apoteoze nuk ishte privilegj i njerëzve të mëdhenj; midis të vdekurve nuk bëhej dallim. Ciceroni thotë: "Stërgjyshërit tanë kanë dashur që njerëzit e larguar nga kjo jetë të numëroheshin në radhën e perëndive." Madje, nuk ishte e domosdoshme të kishte qenë njeri i virtytshëm; i keqi konsiderohej perëndi po aq sa edhe i miri; vetëm se ai ruante në këtë ekzistencë të dytë të gjitha prirjet e këqija që kishte pasur në të parën.

Grekët i quanin me dëshirë të vdekurit perëndi të nëndheshme. Tek Eskili, biri i drejtohet të atit të tij të vdekur kështu: "Ti që je një zot nën tokë". Duke folur rreth Alcestit, Euripidi thotë: "Pranë varrit të tij, kalimtari do të ndalet dhe do të thotë: 'Ky njeri tashmë është një hyjni e lume.'" Romakët u jepnin të vdekurve emrin e zotit të manëve. "Jepuni zotave të manëve atë që u përket", thotë Ciceroni. "Ata janë njerëz që kanë lënë jetën, konsiderojini ata qenie hyjnore.

Varret ishin tempujt e këtyre hyjnive. Dhe ato mbanin mbishkrimin e shenjtëruar Dis Manibus. Atje jeton e varrosur perëndia, Manesque sepulti, thotë Virgjili. Para varrit, sikurse edhe para tempujve të perëndive, ngrihej një altar kushtuar flijimeve.

Ky kult i të vdekurve gjendet te helenët, te latinët, te sabinët, tek etruskët; ai gjendet gjithashtu edhe tek ariat e Indisë. Ai përmendet te himnet e Rigvedave. Libri i ligjeve Manu e konsideron këtë si kultin më të lashtë të praktikuar ndonjëherë prej njerëzve. Në këtë libër shihet se ideja e metempsikozës është më e vonë sesa ky besim i vjetër; madje, ajo paraprihet edhe nga besimi Brahma, e megjithatë në kultin Brahma, në doktrinën e metempsikozës, feja e shpirtrave të të lashtëve vijonte të mbijetonte, e gjallë dhe e pashkatërrueshme, duke e detyruar përpiluesin e ligjeve Manu ta mbajë atë parasysh dhe të vazhdojë të pranojë në ligjet e shenjta udhëzimet e saj. Ruajtja e rregullave që kanë të bëjnë me këto besime të lashta nuk përbën veçorinë e vetme të këtij libri kaq të çuditshëm, ndonëse dihet se është shkruar në një epokë kur kishin filluar të mbizotëronin besime krejt të kundërta. Kjo provon se, në rast se për shndërrimin e besëtytnive njerëzore duhet shumë kohë, ndryshimi i riteve të jashtme dhe ligjeve kërkon edhe më tepër kohë. Madje edhe sot, pas shumë shekujsh dhe revolucionesh, hindutë vazhdojnë ende t'u ofrojnë të parëve dhurimet e tyre. Këto ide dhe këto rite përfaqësojnë atë çka është më e lashtë në racën indoeuropiane dhe gjithashtu edhe fenomeni më i rrënjosur në të.

Ky kult ishte i njëjtë, si në Indi ashtu edhe në Greqi dhe Itali. Hinduja duhej tu siguronte manëve ushqimin, që quhej sraddha. "I zoti i shtëpisë duhet të përgatisë sraddha-n me oriz, me qumësht, me rrënjë, me fruta, me qëllim që të tërheqë drejt vetes mirësinë e manëve." Hinduja besonte se në çastin që ai ofronte këtë ushqim mortor, shpirtrat e të parëve vinin dhe uleshin pranë tij dhe hanin ushqimin që u ishte sjellë. Ai besonte gjithashtu se ky ushqim u jepte të vdekurve një gëzim të madh: "Kur sraddha përgatitet sipas riteve, të parët e atyre që ofrojnë ushqimin, përfshihen nga një ndjenjë gëzimi të papërshkrueshme".

Kështu pra, Ariat e Lindjes kanë menduar fillimisht si ata të Perëndimit për sa i përket misterit të botës pas vdekjes. Përpara se të besonin te metempsikoza, gjë që nënkuptonte një dallim absolut mes shpirtit dhe trupit, ata kanë besuar në ekzistencën e vagëlluar e të papërcaktuar të qenies njerëzore, e padukshme, por aspak jomateriale, dhe që kërkonte nga vdekatarët ushqime dhe pije.

Si hinduja, ashtu edhe greku, i shihnin të vdekurit si qenie hyjnore që kishin një ekzistencë të lumtur. Por, për lumturinë e tyre, kishte një kusht; të gjallët duhej t' u ofronin atyre rregullisht dhurime. Nëse sraddha që i ofrohej të vdekurit ndalej, shpirti i të vdekurit linte strehën e tij të qetë dhe kthehej në shpirt endacak, i cili mundonte të gjallët; kësisoj, nëse manët ishin me të vërtetë perëndi, ata ishin të tillë vetëm për aq kohë sa të gjallët i nderonin me një kult.

Grekët dhe romakët kishin krejtësisht të njëjtat besime. Në rast se të vdekurve nuk do t'u ofrohej më ushqimi mortor, ata do të dilnin menjëherë nga varret; hije endacake, rënkimet e tyre do të mbushnin natën e heshtur. Ata qortonin të gjallët për indiferencën e tyre përdhosëse; ata kërkonin ndëshkimin e tyre, u dërgonin sëmundje apo shkretonin arat e tyre, duke i kthyer ato në shterpë. Të gjallët nuk do të gjenin prehje deri ditën kur ata të rifillonin dërgimin e ushqimit mortor. Flijimi, dhurimi i ushqimit dhe libacioni i varreve me verë e mjaltë, bënin që shpirtrat të ktheheshin përsëri në to, duke iu rikthyer njerëzve prehjen dhe të mirat hyjnore. Njeriu ishte përsëri në paqe me ta.

Nëse i vdekuri që harrohej ishte një qenie e ligë, ai që nderohej ishte një perëndi mbrojtëse. Ai donte ata që i sillnin atij ushqim. Për t'i mbrojtur, ai vazhdonte të merrte pjesë në punët njerëzore; në to, ai luante shpesh rolin e vet. Edhe pse i vdekur, ai e dinte se ishte i fortë dhe veprues. Atij i drejtoheshin lutje; i kërkohej mbështetje dhe favore. Sa herë që dikush ndeshte ndonjë varr, ndalonte dhe thoshte: "Ti që je perëndi nëntokë, ji e mirë me mua."

Forca që njerëzit e lashtësisë u mvishnin të vdekurve, mimd të gjykohet nëpërmjet lutjes që Elektra u drejton manëve të atit të saj: "Kini mëshirë për mua dhe tim vëlla, Orestin; bëni që ai të rikthehet sërish; o atë, dëgjoma lutjen; përmbushi dëshirat e mia, duke pranuar verën dhe mjaltin që po hedh mbi varrin tënd." Këto perëndi të fuqishme nuk japin vetëm të mirat materiale; sepse Elektra shton: "Bëj që zemra ime të jetë më e dëlirë se ajo e ime ëme dhe duart e mia më të pastra." Nga ana tjetër, hinduja u kërkon manëve që "në gjirin e familjes së tij të shtohet numri i njerëzve të mirë dhe ai të ketë mundësi të japë më shumë."

Këto shpirtra njerëzore, të hyjnizuara nga vdekja, përbënin ata që grekët i quanin demonë ose heronj. Latinët i quanin Larë, Mane, Xhinde. "Stërgjyshërit tanë kanë besuar, thotë Apuli, se kur manët ishin keqbërës, ata duhej të quheshin larva, dhe ata i quanin Larë kur ata ishin dashamirës dhe ndihmues." Në një vend tjetër, lexojmë: "Xhind dhe Lar është e njëjta qenie; kështu kanë besuar të parët tanë." Dhe te Ciceroni: "Ata që grekët i quajnë Demonë, ne i quajmë Larë.

Duket se feja e të vdekurve është feja më e vjetër që ka ekzistuar në gjirin e racës njerëzore. Përpara se të konceptonte dhe adhuronte Indrën ose Zeusin, njeriu adhuroi të vdekurit; ai pati frikë prej tyre, ai u drejtonte lutje. Duket se ndjenja e fesë nisi aty. Ndoshta, pa dyshim, nën efektin e pamjes së vdekjes, njeriu pati për herë të parë idenë e të mbinatyrshmes dhe ka dashur të shpresojë përtej asaj që shihte. Vdekja ishte misteri i parë; ajo e vendosi njeriun në rrugën e mistereve të tjera. Ajo e ngriti mendimin e tij nga ajo që shihej tek ajo që nuk shihej, nga kalimtarja tek e amshuara, nga njerëzorja te hyjnorja.

info@balkancultureheritage.com