Themeluesi ishte njeriu që përmbushte aktin fetar, pa të cilin asnjë qytet nuk mund të ekzistonte. Ishte ai që ndërtonte vatrën, ku duhej të digjej përjetësisht zjarri i shenjtë; ishte ai që, nëpërmjet lutjeve dhe riteve të tij, u bënte thirrje perëndive dhe i vendoste ato një herë e përgjithmonë në qytetin e ri.
Respekti që i kushtohej këtij njeriu të shenjtë është i kuptueshëm. Në të gjallë të tij, njerëzit shihnin tek ai, autorin e kultit dhe atin e qytetit; i vdekur, ai kthehej në një stërgjysh të përbashkët për të gjithë brezat që ndiqnin njëri-tjetrin; për qytetin, ai ishte çka stërgjyshi i parë ishte për familjen, një lar familjar. Kujtimi i tij përjetësohej si zjarri i vatrës, që ai pat ndezur. Atij i kushtohej një kult, ai konsiderohej zot dhe qyteti e adhuronte si shpëtimtarin e vet. Çdo vit, mbi varrin e tij bëheshin flijime dhe kremtoheshin festa.
Të gjithë e dinë se Romuli adhurohej, se ai kishte tempullin dhe priftërinjtë e tij. Vërtet senatorët e vranë atë, por ata nuk mundën ta privonin atë nga kulti ndaj të cilit ai kishte të drejtën e themeluesit. Po kështu, çdo qytet kishte të drejtë të adhuronte njëlloj individin e vet themelues. Cekropsi dhe Tezeu, të cilët konsideroheshin njëri pas tjetrit si themelues të Athinës, kishin aty tempujt e tyre. Abderi bënte flijime për themeluesin e vet Timesios, Thera për Therasin, Tenedosi për Tenean, Delosi par Aniosin, Kirena për Batosin, Mileti për Nelan, Amfipolisi për Hanjonin. Në kohën e Pisistratit, Miltiadhi themeloi një ngulim në Kersonezë të Thrakës; pas vdekjes, ky ngulim i përkushtoi atij një kult, "sipas zakonit të pranuar." Hieroni i Sirakuzës, themelues i qytetit të Etnas, pas vdekjes "gëzoi të drejtën e kultit që u kushtohej themeluesve.
Për një qytet nuk kishte gjë më të shtrenjtë sesa kremtimi i kujtimit të ditës së themelimit të tij. Kur Pauzanias vizitoi për herë të dytë Greqinë, në shekullin e dytë të erës sonë, çdo qytet ishte në gjendje t'i thoshte atij emrin e themeluesit të vet, bashkë me gjenealogjinë dhe bëmat kryesore të jetës së tij. Ky emër dhe këto bëma nuk mimd të dilnin nga kujtesa, pasi ato ishin pjesë përbërëse e besimit dhe kujtoheshin çdo vit gjatë ceremonive të shenjta. Ruhet kujtimi i një sërë poemash greke, të cilat kishin si subjekt themelimin e një qyteti. Filokori i kishte kënduar themelimit të Salaminës, Joni Hiosit, Kritoni Sirakuzës, Zopiri Miletit; Apolloniusi, Hermogjeni, Hellanikusi, Dioklesi kishin thurur poema ose histori mbi të njëjtin subjekt. Ndoshta, nuk kishte qytet që të mos zotëronte poemën apo të paktën, himnin e vet, lidhur me aktin e shenjtë që kishte çuar në lindjen e tij.
Mirëpo, midis morisë së atyre poemave të lashta, të cilat kishin për objekt themelimin e shenjtë të një qyteti, gjendet një poemë, e cila nuk ka humbur; edhe pse subjekti i saj e bënte atë më të shtrenjtë për një qytet, bukuria që ajo ngërthen e ka bërë atë të çmuar dhe të shtrenjtë për të gjithë popujt dhe shekujt. Dihet se Enea ka themeluar Laviniumin, prej ku do të rridhnin albanët dhe romakët, ndaj për këtë arsye, ai shihej si themelues i parë i Romës. Rreth tij ishin krijuar dhe përqendruar një sërë traditash dhe kujtimesh, të cilat gjenden në vargjet e Naeviusit të moçëm dhe në historitë e Katonit të vjetër. Virgjili do e kapte këtë temë dhe do të shkruante poemën kombëtare të qytetit romak.
Subjekt i Eneidës është mbërritja e Eneas, ose më saktë zhvendosja e perëndive të Trojës në Itali. Poeti i këndon këtij njeriu që përshkoi detet, për të shkuar dhe themeluar një qytet, duke i shpënë perënditë e tij në Latium,
dum conderet urbem
Inferretque deos latio.
Eneida nuk duhet gjykuar mbi bazën e ideve që ne kemi sot. Ngandonjëherë është thënë se Eneidës i mungon guximi, vrulli, pasioni. Lexuesi lodhet nga prania e madhe e epitetit fetar, i cili haset pa reshtur. Çuditemi tek shohim atë luftëtar që nuk resht së këshilluari penatët e vet me një përkujdesje aq të madhe, ti lutet në çdo çast ndonjë perëndie, të ngrejë krahët drejt qiellit, kur fjala është për të luftuar, të lërë veten në mëshirën e orakujve e të përshkojë shkulmën e deteve e madje të derdhë edhe lot në afrimin e një rreziku. Gjithashtu, ajo qortohet për ftohtësinë e treguar ndaj Didorit dhe njeriu është i tunduar të akuzojë këtë zemër që nuk preket nga asgjë:
Nullis ille movetur
Fletibus, aut voces ullas tractabilis audit.
Arsyeja është se këtu nuk bëhet fjalë për një luftëtar apo për një hero romanesk. Poeti kërkon të na paraqesë një prift. Enea është prijësi i kultit, njeriu i shenjtë, themeluesi hyjnor, mision i të cilit është shpëtimi i penatëve të qytetit:
Sum pius Aeneas raptos qui ex hoste penates
Classe veho mecum.
Cilësi sunduese e tij duhet të jetë mëshira, dhe epiteti nëpërmjet të cilit poeti e cilëson atë më shpesh është njëherazi edhe epiteti që i përshtatet atij më mirë. Virtyti i tij personifikohet te ftohtësia dhe distancimi i lartë, i cili e bën atë jo njeri, por mjet në duart e perëndive. Përse duhen kërkuar pasione tek ai? Ai nuk ka të drejtë të ketë pasione ose edhe nëse ka, ai duhet të dijë t'i ndrydhë ato në fund të shpirtit të vet:
Multa gemens multoque animum labefactus amore,
Jussa tamen Divum insequitur.
Tashmë edhe te Homeri, Enea ishte një personazh i shenjtë, një prift i madh, të cilin populli "e nderonte të barabartë me perëndinë", dhe që Jupiteri e donte më shumë se Hektorin. Te Virgjili, ai është ruajtësi dhe shpëtimtari i perëndive trojane. Natën e rrënimit të qytetit, Eneas do t' i shfaqet në ëndërr Hektori. "Troja, thotë ai, të beson perënditë; kërko për to një qytet të ri." Ai i dorëzon atij njëkohësisht edhe sendet e shenjta, statujëzat mbrojtëse dhe zjarrin e vatrës, i cili nuk duhej të shuhej. Kjo ëndërr nuk është një zbukurim, i vendosur aty si rrjedhojë e fantazisë së poetit. Përkundrazi, ajo përbën themelin mbi të cilin mbështetet e gjithë poema; falë saj, Enea është kthyer në ruajtës të perëndive të qytetit dhe atij i caktohet një mision i shenjtë. Qyteti i Trojës është shuar, por jo shpirti dhe ideja e tij; falë Eneas, vatra nuk shuhet dhe perënditë kanë ende një kult; shpirti i qytetit dhe perënditë largohen bashkë me Enean; ata përshkojnë detet dhe gjejnë një vend, ku atyre u thuhet të ndalen:
Considere Teucros,
Errantesque Deos agitataque numina Trojae...
Enea kërkon një vendbanim të përhershëm, sado të vogël, për perënditë e etërve të vet
Dis sedem exiguam patriis.
Por zgjedhja e këtij vendbanimi, me të cilin do të jetë i lidhur përgjithmonë fati i qytetit, nuk varet nga njerëzit; ai u përket perëndive. Enea këshillohet me fallxhorët dhe pyet orakujt. Ai nuk e përcakton vetë rrugën dhe qëllimin e tij; ai udhëhiqet nga hyjnia:
Italiam non sponte sequor.
Ai deshi të ndalej në Thrakë, në Kretë, në Sicili, në Kartagjenë, së bashku me Didonin; fata obstant. Midis tij dhe dëshirës për t'u prehur, midis tij dhe dashurisë së tij, ndërhyn dhe vendoset vendimi i perëndive, fjala e zbuluar nga hyjnitë, Jata.
Por le të mos gënjehemi: heroi i vërtetë i poemës nuk është Enea: janë perënditë e Trojës, të njëjtat perëndi që një ditë do të ishin perënditë e Romës. Subjekt i Eneidës është lufta e perëndive romake kundër një hyjnie armiqësore. Përpara tyre ngrihen pengesa të të gjitha llojeve:
Tantae molis erat romanam condere gentem!
Ata rrezikojnë të gëlltiten nga stuhia apo të bien nën vargonjtë e një femre. Por ata triumfojnë ndaj gjithçkaje dhe arrijnë qëllimin përfundimtar:
Fata viam inveniunt.
Ja pra, ajo që do të zgjonte interesin e veçantë të romakëve. Në këtë poemë ata shihnin veten, themeluesin, qytetin, institucionet, besimet dhe perandorinë e tyre: sepse pa këto perëndi, qyteza romake nuk do të kish ekzistuar.