Arkitektura e Foinikes përfaqësohet nga modele tipike për arkitekturën epirote, me paralele në atë të Ilirisë së Jugut. Fortifikimi i Foinikes është i ngjajshëm për nga planimetria me atë të Gurëzezës në trevën byline, ndërsa përsa i përket teknikës së ndërtimit është i njëllojtë me atë të Butrotit, Çukës së Ajtojt, Borshit dhe Himarës. Kollonat tetëkëndëshe janë një tjetër element që dëshmojnë për lidhje me trevën byline dhe Apolloninë.
Skulptura eshtë relativisht e rrallë. Në periudhën helenistike përdoret guri i butë gëlqeror me origjinë nga Akrokeraunet, në të cilin janë punuar një shtat i Artemisit, si dhe torsi i një djaloshi me lartësi vetëm 37 cm. Tre koka mermeri të botuara nga Dh. Budina duket se i takojnë shek. III p.e.sonë.
Një numur skulpturash mermeri me kualitet të lartë i takojnë periudhës së Antoninëve. Përfaqësuese është statuja acefale e Artemisit( lartësi 0.85 m), e gjetur gjatë gërmimit të banesës C 11. Me periudhën e Severëve lidhet edhe një kokë djaloshi, punë lokale prej guri gëlqeror.
Qeramika më e hershme e gjetur në nekropol i takon gjysmës II të shek. IV p.e.sonë., por prejardhja e saj është e pasigurtë. Prodhimi vendës fillon në shek. III dhe përsërit tipet e njohura helenistike, apo, më vonë, romake.