Shekujve të parë pas themelimit, kur Butroti ishte nje emporion i Korkyrës, i përket relievi i luanit që ha kokën e një demi, i ripërdorur mbi Portën e Luanit. Ai ka qenë punuar në një bllok gëlqeror lokal dhe ishte pjesë e një frizi të një monumenti, i cili gjendej në akropolin arkaik.
Gjatë periudhës së Koinonit të Prasaibëve, megjithë ndërtimet e karakterit monumental në agora, nuk janë dëshmuar vepra arti. Kjo periudhë është pak e njohur edhe përsa u përket prodhimeve artizanale.
Periudha e kolonisë romake përfaqëson edhe kohën e lulëzimit të kulturës në Butrot. Zbukurimi i monumenteve publike solli në qytet një numër të konsiderueshëm skulpturash të cilësisë së lartë. Për këtë ndikoi edhe patronazhi mbi Butrotin i familjes perandorake të Jul-Klaudëve. Pjesa më e madhe e skulpturave i takon periudhës së kësaj dinastie, por cilësia e tyre ruhet gjatë gjithë shek. I m. Kr. deri në mesin e shek. II të shek. II.
Në repertorin e skulpturave të zbuluara në Butrot mund të rreshtojmë:
Pani i dehur (Muzeu Arkeologjik, Tiranë. Bronz, lartësia 17 cm). Figurina prej bronzi është gjetur rastësisht pranë Butrintit. Perëndia identifikohet nga trupi i zhveshur me këmbë dhije, mjekra dhe flokët e shpupurisur dhe veshët e zgjatur. Në dorën e majtë mban shkopin e bariut, ndërsa dora e djathtë përmbys kupën, për të parë pikat e fundit të verës. Pamja e fytyrës tregon gjendjen e tij të dehur si shoqërues i gostive dionisiane. Pani ishte i lidhur në mitologjinë lokale me liqenin e Butrotit, por edhe me kultin e nëntokës në besimet ilire-epirote. Datohet në shek. III p. Kr.