Gjatë shek. III-II Bylisi ishte nën ndikimin e Apolonisë në mënyrën e ndërtimit të institucioneve politike, tipet dhe format e arkitekturës, panteonin mitologjik, shprehjet artistike, shkrimin, etj. Në leknikën e fortifikimit, tipet dhe format arkitekturore e urbanistike, ka ndikime të qarta nga Epiri dhe Magna Grecia
Objektet e para artistike në Bylis i takojnë shek. III p. Kr. dhe përfaqësohen nga relieve, ose skulptura prej guri gëlqeror lokal. Midis tyre dallohet skllavi mbi altar (Muzeu Arkeologjik, Tiranë. Gur gëlqeror, lartësia 0,95 cm), ka qenë gjetur rastësisht në fillim të shek.XX, gjasisht në teatrin e Bylisit. Mbi altarin e Dionisit është paraqitur një aktor me maskë komik, i cili luan rolin e një skllavi të ndjekur nga i zoti i zemëruar.
Sipas zakonit të lashtë, për t’i shpëtuar ndëshkimit, skllavi mund të strehohej në një vend nën mbrojtjen e perëndive, në këtë rast në teatrin e Dionisit. Pjesa e poshtme e altarit ka qenë punuar për t’u futur në dyshemenë e orkestrës së teatrit. Skulptura është punuar me shumë mjeshtëri në gur gëlqeror nga një artist vendës.I takon kohës së ndërtimit të teatrit, në çerekun e dytë të shek.III p.Kr. Ruhet në Muzeun Arkeologjik të Tiranës.
Pas vendosjes së kolonisë romake pati një romanizim të kulturës, që shprehet me zëvendësimin e shkrimit grek me atë romak, futjes së onomastikës latine, ndyshimin e tipeve arkitekturore, etj.
Nga periudha romake ka një numur skulpturash prej mermeri, midis së cilave dallohet një portret i perandorit Hadrian (117-138 m.Kr.), i gjetur pranë banesës B. Koka prej mermeri të bardhë ka qenë pjesë e një shtatoreje në madhësinë natyrore, kushtuar perandorit. Mjaft e ngjajshme me një portret të perandorit të gjetur në Apoloni, vepra ka qenë punuar nga një artist i mirë dhe ishte realizuar sipas tipit zyrtar, i cili e paraqet perandorin në një pamje të qetë, me tipare të rregullta të tipit grek. Ruhet në Muzeun Arkeologjik të Tiranës.