Toka pjellore, hapësira e gjerë detare, klima e shëndetshme, kullotat e shumta, pyjet e dendura, ujërat e bollshme, fauna e pasur e Gadishullit Apenin ofronin kushte ideale për jetesë normale. Për këto arsye Italia ka qenë e banuar qysh nga epoka e paleolitit dhe neolitit.
Të dhënat e zbulimeve arkeologjike tregojnë se në periudhën e paleolitit të vonë të vdekurit i varrosnin në gropa të cekëta. Në varr, bashkë me trupin, fusnin edhe armët dhe veglat e punës, që ai i kishte përdorur kur ishte gjallë.
Në fund të epokës së paleolitit në Gadishullin Apenin ndodhën ndryshime gjeologjike dhe klimatike të rëndësishme. Megjithëse bënte pjesë në një zonë tektoniko-vullkanike aktive, qysh atëherë u krijuan ato kushte natyrore, që e karakterizuan Italinë historikisht.
Me epokën e neolitit lidhen banesat, kasollet e rrumbullakëta dhe në formë ovale. të cilat ishin të grupuara, gjë që tregon se njerëzit e neolitit, kishin kaluar nga banimi nëpër shpella në një shkallë më të lartë jetese, duke formuar në këtë mënyrë vendbanime pak a shumë të qëndrueshme dhe bashkësi social-ekonomike më solide.
Shprehje dhe dëshmi për këtë ishin shfaqja e bujqësisë, si dhe e qeramikës primitive, zbutja e kafshëve etj. Njerëzit e asaj epoke ishin të lidhur kryesisht me qendrat e kulturës së Egjeut. Kjo mund të thuhet veçanërisht për rajonet e Sicilisë dhe Italisë Jugore, ndërsa krahinat e tjera duke përfshirë dhe Korsikën kishin marrëdhënie me qendrat e kulturës të Spanjës së Vjetër, si dhe ato të përtej Alpeve.
Me mijëvjeçarin III p.e.s. filloi kalimi nga neoliti, në eneolit ose halkolit. Dëshmitë materiale të kulturës eneolitike, si: sende, objekte e stoli prej bakri janë gjetur kryesisht në Italinë e Mesme.
Më vonë, në pjesë të ndryshme të Italisë u kalua në një stad më të lartë zhvillimi dhe pikërisht në epokën e bronzit. Në Apulia ky proces u krye nën ndikimin e Sicilisë, e cila ishte integruar me qendrat e kulturës kreto-mikenase.
Në krahinat veriore të Italisë rëndësi të veçantë në këtë drejtim pati ardhja e banorëve të rinj, rreth vitit 1800 p.e.s. Ata i ndërtonin banesat e tyre mbi trarë. Këto banesa, që quheshin palafite, fillimisht ndërtoheshin mbi ujërat e lumenjve, liqeneve, më vonë edhe në tokë. Tokat përreth vendbanimeve të tipit të palafiteve italianët e sotëm i quajnë terra mara, që do të thotë toka të yndyrshme.
Prej këtej gjithë trashëgimia e epokës së bronzit mori emrin Kultura terra mara.
Në qendrat e kësaj kulture janë gjetur artikuj të ndryshëm prej bronzi, si: armë, vegla pune, sende dhe objekte shtëpiake etj. Banorët e kulturës terra mara arritën një nivel relativisht të lartë prodhimi. Ata merreshin para së gjithash me blegtori. Në atë kohë për herë të parë filloi të përdorej karroca e tërhequr nga dy kuaj.
Krahas blegtorisë rol të rëndësishëm luante bujqësia. Nga bimët bujqësore mbilleshin drithërat dhe bathët. Gjithashtu, qysh nga ajo kohë, për herë të parë filloi kultivimi i hardhive dhe pemëve të tjera frutore.
Njerëzit e epokës së bronzit ose të kulturës terra mara e kishin zakon t’i digjnin të vdekurit. Hirin e trupave të tyre e fusnin në enë të posaçme dhe pastaj i varrosnin. Kultura terra mara u zhvillua kryesisht në Italinë Veriore, por ajo ushtroi ndikim edhe në krahinat e tjera, veçanërisht në Lacio.
Krahas kulturës terra mara në Italinë Qendrore dhe atë Jugore u zhvillua edhe kultura tjetër e epokës së bronzit, Kultura apeninistike, e cila ishte e lidhur ngushtë me kulturën e pellgut të Egjeut. Ndikimi i botës së kulturës egjeane qe më i madh në Lacio.
Këtë e dëshmojnë konstruksionet e ndërtimeve të tipit ciklopik, të njëjta me ato të Mikenës. Po kështu, në këto pjesë të Gadishullit Italik janë zbuluar grumbuj të qeramikës së pikturuar, e ngjashme me qeramikën greke të epokës mikenase. Te njerëzit e Kulturës apeninistike mbizotëronte riti i varrosjes së të vdekurve.
Në fund të mijëvjeçarit të dytë dhe në fillim të mijëvjeçarit të parë para erës sonë, një valë e re emigrantësh, që u dynd në Itali, solli një kulturë të re. Meqenëse gjurmët e kësaj kulture u zbuluan nga arkeologët në lokalitetin Vilanova, pranë Bolonjës në Italinë Veriore, ajo u quajt Kultura e Vilanovës.
E reja e kulturës së Vilanovës qëndron në përdorimin e hekurit. Ky fakt shënoi një kthese, pasi prej asaj kohe Italia hyri në një epokë të re zhvillimi, në epokën e hekurit.
Siç del nga objektet arkeologjike të zbuluara në Vilanovë dhe në pjesë të tjera të Italisë, zhvillimi i epokës së hekurit kaloi nëpër dy etapa. Etapa e hershme rrok harkun kohor 1000-700 p.e.s., kurse etapa e vonë përfshin periudhën e viteve 700-500 p.e.s. Pavarësisht se në fillim të mijëvjeçarit I p.e.s. hekuri kishte “pushtuar” të gjithë Gadishullin Apenin, kjo nuk do të thotë aspak se shkalla e përhapjes së tij qe kudo e njëjtë. Veglat e punës dhe armët prej hekuri kishin përparësi mbi ato të bronzit në krahinat që ndodheshin më pranë vendburimeve të këtij metali, siç qenë: Etruria, Bruti etj.
Shkencëtarët e shek. XIX e.s. mendonin se njohja e hekurit në Itali u bë e mundur në saje të fiseve italike, që u vendosën aty me banim të përhershëm, qysh nga fundi i mijëvjeçarit II p.e.s. Krejt ndryshe mendojnë arkeologët e sotëm, që priren nga mendimi se hekurin në Itali e bënë të njohur tregtarët fenikas, më pas ata grekë dhe më vonë etruskët.
Përhapja e veglave të punës prej hekuri pati rëndësi të madhe tekniko-ekonomike. Përdorimi gjithnjë e më masiv i tyre, veçanërisht i plugut me plor hekuri, lejoi një punim më të mirë të tokës dhe shtimin e sipërfaqes së mbjellë. Kjo bëri të mundur jo vetëm zhvillimin cilësor të bujqësisë, por edhe të blegtorisë.
Krahas këtyre, zejtaria njohu arritje të mëdha, sidomos metalurgjia e përpunimit të metaleve. Rritja e prodhimit zejtar, bujqësor e blegtoral e zgjeroi më tej gamën e shkëmbimit të produkteve të prodhuara edhe me vendet jashtë Gadishullit Apenin, si me Greqinë, Ilirinë, Egjiptin, Azinë e Vogël dhe me vendet e tjera mesdhetare.
Në rrjedhat kohore të epokës së hekurit u shfaqën hera-herës vendbanimet e rrethuara me mure mbrojtëse ose “qytetet” në kuptimin e vjetër të kësaj fjale. Popullsia e këtyre të ashtuquajturave qytete ndahej sipas pasurisë që zotëronin njerëzit. Për këtë dëshmojnë varret e zbuluara, që i përkasin kësaj etape zhvillimi.
Inventari i sendeve të gjetura në këto varre nuk është i njëjtë, por i diferencuar në mënyrë të dukshme. Në disa varre ai është i bollshëm, kurse në shumicën e tyre, tejet i varfër. Madje në nekropolet e Bolonjës, në Veit, Ceres, Tarent dhe gjetiu janë vërtetuar varrime rituale të skllevërve, domethënë. varrosja e skllevërve së bashku me kufomat e zotëruesve të tyre nga radhët e aristokracisë së pasur fisnore, e cila qe distancuar shumë nga masa e popullsisë.