Studiuesi francez E. Isambert ishte i pari që më 1873 botoi një përshkrim të mureve rrethuese dhe stadiumit të qytetit antik, si dhe identifikoi aty Amantian. Më 1904 Karl Patsch vizitoi Amantian dhe botoi një përshkrim të një hyrjeje me hark, si dhe të një numri të madh relievesh, skulpturash, mbishkrimesh dhe pjesësh arkitektonike. Muret rrethuese dhe gjetje arkeologjike nga Amantia u trajtuan edhe nga italianët B. Pace dhe L.M. Ugolini.
Në vitin 1950 filloi gërmimi i stadiumit të Amantias si dhe sondazhe në nekropol nën drejtimin e H. Cekës dhe S. Anamalit, që vazhduan në vitet 1952-1953 dhe 1957. Në vitet 1988-1989 V. Bereti kreu gërmime në nekropolin e qytetit.