Libri I
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Libri I

Lufta kundër Tarentit dhe mbretit Pirro.

Vjen pastaj lufta e Tarentit që nga titulli dhe emri kujtojnë se është drejtuar kundër një populli të vetëm, por që nga fitoija kap shumë popuj. Në fakt kampanët, apulët, lukanët dhe krerët e kësaj lufte tarentasit s.m.th. gjithë Italia dhe bashkë me ta Pirrua, mbreti më i famshëm i Greqisë, u përfshinë në një rrënim të përbashkët; kështu që në të njëjtën kohë me këtë luftë, përfundonte pushtimi i Italisë dhe fillonte preludi i triumfeve të përtejdetit.

Tarenti i ndërtuar nga lakedemonët, njëkohësisht kryeqytet i Kalabrisë, Apulisë e gjithë Lukanisë, është i përmendur për madhështinë e tij, për muret dhe limanin e vendosur në ngushticën e detit Adriatik, që admirohej për pozicionin që kishte. Anijet e tij vozisin në të gjitha tokat, në Istri, Iliri, Epir, Ahe, Afrikë, Siqeli. Mbi skelë, përballë detit, ngrihet një teatër i madh, i cili qe burimi i të gjitha shkatërrimeve të këtij qyeti fatkeq. Tarentasit zhvillonin lojëra, kur panë rastësisht një flotë romake që lundronte gjatë brigjeve; të bindur se ishin armiq, u ngritën menjëherë pa menduar dhe u shpëmdanë duke sharë: "Kush janë, thonin ata, nga vijnë këta romakë?" Nuk mjaftonte kjo, të dërguarit që kishin ardhur për t'u ankuar, i shanë me fyerje të rënda, të cilat është turp të thuhen; ky qe fillimi i luftës. Pjesëmanja në këtë luftë qe për t'u çuditur; një numër shumë i madh popujsh u ngritën në përkrahje të tarentasve; Pirrua, më i zjarrti ndër të gjithë, që digjej për të hakmarrë një qytet gjysmë grek, të themeluar nga lakedomnët, erdhi nëpër det e nëpër tokë me të gjitha forcat e Epirit, Thesalisë, Maqedonisë dhe elefantët, deri atëherë të panjohur. Fuqisë së luftëtarëve, kuajve dhe armëve i shtohej akoma tmerri që kallnin këto kafshë.

Beteja e parë pranë Heraklesë, në brigjet e Lirit, lum i Kampanisë, që u bë kur ishte konsull Levini, qe aq e tmerrshme, sa që prefekti i kalorisë ferentase, Obsidi, duke sulmuar mbretin e turbulloi dhe e detyroi të tërhiqej nga kjo përleshje, i zhveshur nga shënjat dalluese. Pirrua do të kishte mbaruar sikur elefantët, duke kthyer luftën në shfaqje, me madhësinë e trupit të tyre, me erën e tyre të panjohur dhe britmën e hollë, të mos kishin trembur kuajt, të cilët i kujtuan armiqtë më të tmerrshëm se sa ishin në të vërtetë dhe shkaktuan me ikjen e tyre një shkatërrim të madh e të përgjakshëm.

Pastaj u luftua më me sukses në Askuli, në Apuli, kur ishin konsuj Kuri e Fabrici. Tani tmerri i shkaktuar nga elefantët ishte zhdukur dhe Gai Minuci, heshtëmbajtës i legjionit të katërt, duke prerë feçkën e një elefanti, kishte treguar se këto kafshë mund të ngordhnin. Kështu /elefantëve/ ata u hodhën majat e heshtave, kurse urat e zjarrit të hedhura kundër kullave mbuluan trupat armike me zjarr e flakë. Kjo përleshje e përgjakshme mori fund vetëm atëherë kur nata i ndau luftëtarët dhe vetë mbreti, i plagosur në shpatull dhe i bartur nga roja e tij mbi mburojë, iku i fundit.

Beteja e fundit u bë në Lukani, në fushat e quajtura Arusine, nga po ata komandantë që përmenda më lart, por këtu fitorja qe e plotë dhe rasti e solli atë që duhej ta bënte virtyti. Elefantët ishin vendosur përsëri në ballë të ushtrisë; njëri prej tyre, akoma i ri, u plagos rëndë nga një heshtë që iu fut në kokë dhe, duke u kthyer pas, shpartalloi ushtarët; nga britmat e tij e ëma e njohu dhe u lëshua të hakmerrej dhe duke iu dukur çdo gjë armike solli çrregullime përreth. Kështu po ato kafshë, që në betejën e parë sollën fitoren, në të dytën sollën barazim, kurse në të tretën na e dhanë pa u ndeshur.

Mbretin Pirro e luftuam jo vetëm me armët tona dhe në fushat e betejës por edhe në kuvendet që u mbajtën në Romë. Ky mbret dinak, duke njohur qysh në betejën e parë trimërinë e romakëve, humbi shpresën e triumfit me armë dhe përdori dredhitë. Kështu i dogji të vdekurit, i trajtoi me butësi robërit dhe i ktheu pa ndonjë çmim; duke dërguar pastaj në Romë të deleguar, u mundua me çdo mënyrë të përfundonte një marrëveshje dhe të fitonte miqësinë tonë. Por si në paq ashtu dhe në luftë, si brenda ashtu edhe jashtë, kudo njohu virtytin romak; dhe më tepër se të gjitha, fitorja mbi Tarentin tregoi energjinë e popullit romak, urtësinë e senatit, madhështinë e prijësave.

info@balkancultureheritage.com