Ndërsa (Nigri) mendonte këto gjëra dhe ushqente shpresa të kota, u njoftoi ilirëve dhe gjithë ushtrisë, që gjendej përtej brigjeve të Istrit dhe Rinit, ngjarjet, me qëllim që të pengonin barbarët që gjendeshin në atë anë dhe të ruanin kështu kufijtë e shtetit romak. Komandant i gjithë forcave panone ishte Severi, burrë, me prejardhje nga Libia...
Severi e dinte se ushtarët, që ishin në Iliri, ruanin akoma gjallë kujtimin e sundimit të Pertinaksit. Në të vërtetë në kohën e sundimit të Mark Aurelit, Pertinaksi, i cili ishte atëherë komandanti i tyre i përgjithshëm dhe sundimtar i Ilirisë, kishte korrur bashkë me ta fitore të shumta mbi germanët, duke dhënë shembuj trimërie në luftë kundër armiqve.
Duke i nxitur, pra me letra të gjithë ilirët... si edhe krerët, i bëri për vete. Pas kësaj duke mbledhur ushtarët nga të gjitha vendet, Severi, pasi i shtoi emrit të tij atë të Pertinaksit, (me këtë ai synonte t'u bënte përshtypje jo vetëm legjioneve të Ilirisë, por edhe popullit romak, i cili ruante kujtimin për Pertinaksin), i mblodhi në një fushë të hapur, hipi mbi një tribunë të përgatitur posaçërisht për të dhe u foli...
Juliani nuk guxonte as të dilte jashtë qytetit, por u tha, duke u lutur,
ushtarëve të tij të armatosen, të bëjnë ushtrime të rregullta dhe të hapin hendeqe përpara qytetit /Romësj, por përgatitjet e tij kundër Severit ishin bërë në mënyrë të tillë që lufta të zhvillohej brenda qytetit; të gjithë elefantët që nuk u shërbenin romakëve, vetëm se për kortezhe, i stërviste që të mbanin mbi shpinë kulla dhe njerëz, duke menduar se kështu ilirët do të frikësoheshin dhe kuajt e armiqve do të trembeshin nga pamja dhe madhësia e jashtëzakonshme e këtyre kafshëve që nuk i kishin parë deri atëherë. Në të njëjtën kohë i tërë qyteti përgatitej për luftë dhe farkëtonte armë.
Pasi mbaroi së dhëni urdhëra , ushtarët ilirë hynë në mes tyre dhe i kapën, u hoqën shpatat e shkurtëra të paradës të zbukurura me ar e argjend, që i mbanin të ngjeshura në brez, rripat, rrobet dhe plaçkat e tjera ushtarake, që kishin me vete, dhe i përcollën prej atje të zhveshur...