Mbas vdekjes së Filipit, mbretit të Maqedonisë, i cili kishte luftuar kundër romakëve dhe që u kishte dhënë pastaj ndihma atyre kundër Antiohut, i biri i tij, Perseu, ngriti krye në Maqedoni pasi përgatiti ushtri të ëmdha për luftë. Ai kishte 2 bërë për vete Kotyun, mbretin e Thrakisë, dhe mbretin e Ilirisë që quhej Gent. Nga ana tjetër në ndihmë të romakëve ishin Eumeni, mbreti i Azisë, Ariarati i Kapadokisë, Antiohu i Sirisë, Ptolemeu i Egjiptit, Masinisa i Numidisë. Sa për Prusinë e Bitynisë, megjithëse kishte për grua motrën e Perseut, u tregua njëlloj me të dy palët. Konsuli P.Licini, i dërguar si komandant i romakëve kundër Perseut, u mund prej mbretit /Perseut/ në një betejë të madhe. Por megjithëse romakët u mundën, ata nuk pranuan të bënin paqe, siç kërkonte mbreti, por vunë këto kushte: që t'i dorëzoheshin ai dhe njerëzit e tij senatit dhe popullit romak.
Menjëherë u dërgua kundër tij konsulli L.Emil Pauli, kurse kundër Gentit në Iliri pretori G.Anici . Por Genti, i mundur lehtë në një betejë të vetme, u dorëzua menjëherë. Së bashku me të në duart e romakëve ranë edhe nëna e tij, gruaja, dy bijtë dhe i vëllai.
Kështu mbaroi kjo luftë në 30 ditë...
Konsulli Emil Pauli u ndesh në luftë me Perseun, në nonën e tretë të Shtatorit dhe e mundi atë, mbasi la të vrarë në fushën e betejës njëzet mijë këmbësorë të tij. E tërë kolona u vu në ikje me mbretin bashkë. Nga romakët mbetën të vrarë njëqind ushtarë. Të gjitha qytetet e Maqedonisë, të cilat i kishte sunduar mbreti, iu dorëzuan romakëve; vetë mbreti i braktisur nga miqtë e tij iu dorëzua Paulit. Por konsulli e priti me nderime e jo si të mundur. Bile nuk lejoi që t'i binte ndër këmbë, siç donte ai, po e aviti pranë vetes në tryezë. Maqedonasve dhe ilirëve iu njoftuan këto vendime nga romakët: se ata i quanin të lirë dhe se do të jepnin gjysmën e atyre taksave që u kishin dhënë mbretërve, që të dukej se populli romak kishte luftuar më tepër për drejtësi, se sa për kopraci. Dhe këtë Pauli e shpalli në kuvendin e një mori popujsh...
Pa shkuar shumë kohë, shtatëdhjetë qytete të Epirit që kishin ngritur krye i pushtoi, plaçkën ua ndau ushtarëve. U kthye në Romë me një shkëlqim të paparë në anijen e Perseut e cila thonë se ishte jashtëzakonisht e madhe aq sa, siç tregojnë, ishte e pajisur me shtatëmbëdhjetë sërë lopatash. Hyri me një triumf madhështor mbi një karro ari me dy djemtë e tij, që i rrinin përkrah nga të dy anët. Ecnin përpara dy fëmijët e mbretit dhe vetë Perseu, dyzet e pesë vjeçar. Pas tij edhe Anici festoi triumfin e tij mbi ilirët. Përpara karros ecte Genti me të vëllanë e të bijtë e tij.
Mbretër të shumë popujve erdhën në Romë, për të marrë pjesë në këto festa madhështore. Ndër të tjerë erdhën edhe Atali dhe Eumeni, mbretër të Azisë, dhe Prusia i Bitynisë. U pritën me nderime të mëdha, dhe me lejen e senatit, dhuratat që kishin sjellë me vete, i vendosën në Kapitol.
Në kohën e konsullatit të M.Porc Katonit dhe Kuint Mark Regit, gjashtëqind e tridhjetë e tre vjet pas themelimit të Romës u dërgua një kalorës në Narbonë të Galisë dhe një vit më vonë konsujt L.Cecil Meteli dhe Kuint Muc Skevola festuan një triumf mbi Dalmatinë.