Ndërsa po mblidheshin ushtritë ndihmëse në Greqi, Filipi po festonte dasmën e vajzës së tij Kleopatrës me Aleksandrin, të cilin e bëri mbret të Epirit...
Mendonin edhe se Pausania qe shtyrë nga Olympia, e ëma e Aleksandrit, por edhe vetë Aleksandri, me sa duket, kishte dijeni për kurthin që po kurdisej, për vrasjen e të atit, sepse Olympia vuante jo më pak nga që ishte braktisur dhe në vend të saj ishte preferuar Kleopatra, se sa Pausania nga poshtërimi që i ishte bërë.
Aleksandri, nga ana e tij, kishte frikë se vëllai lindur nga njerka do t'i bëhej rival; për këtë ai bile një ditë u grind gjatë pijes në fillim me Atalin dhe pastaj edhe me të atin; puna arriti deri atje sa që Filipi iu lëshua mbrapa Aleksandrit me shpatë të shpërveshur dhe vetëm miqtë mezi e përmbajtën mbretin që të mos vrasë të birin.
Për këtë shkak Aleksandri, së bashku me të ëmën, u largua në fillim tek daja, në Epir, dhe prej këndej tek mbreti i ilirëve. Me të atin, i cili e thirri të kthehej, u pajtua jo me qejf dhe u kthye kundër vullnetit të tij, vetëm për të mos u a prishur farefisit të tij që e lutën shumë. Olympia nga ana e saj, e nxiste të vëllanë Aleksandrin, mbretin e Epirit, në luftë kundër Filipit dhe do t'ia kishte arritur qëllimit, sikur Filipi të mos e kishte bërë Aleksanrin dhëndër, duke i dhënë të bijën. Mendonin se si njëri, si tjetra /Aleksandri/ dhe Olympiaj prej zemërimit e shtynë
Pausanien e pakënaqur, nga që ai që e kishte poshtëruar nuk po dënohej, të kryente këtë krim të shëmtuar. Olympia me sa duket, mbante të gatshëm kuajt për vrasësin, në qoftë se ai do të arratisej. Kur mori vesh për vrasjen e mbretit shpejtoi në varrosjen e tij, me pretekstin se kryente detyrën e fundit, por po atë natë i vuri në kokë Pausanies së kryqëzuar një kurorë të artë. Askush tjetër veç saj s'mund ta merrte këtë guxim, kur pas Filipit mbeti i biri. Pas disa ditësh, ajo e dogji trupin e vrasësit mbi mbeturinat e burrit të saj dhe urdhëroi që në atë vend të ngrihej një tumë; ajo u kujdes edhe që të vdekurit t'i bëheshin flijime çdo vit, sipas zakonit të popullit. Pastaj Olympia e detyroi Kleopatrën, për shkak të së cilës Filipi u nda me të, të varet, pasi i vrau, në duart e saj, të bijën. Me vrasjen e shemrës së saj ajo e shoi etjen që kishte për hakmarrje, të cilën u shpejtua ta kryente me vrasjen e të shoqit. Më në fund ajo i kushtoi Apollonit në emrin e Myrtales, shpatën, me të cilën u vra mbreti; këtë emër Olympia e mbante kur ishte e mitur. Të gjitha këto ajo i bënte kaq hapur, sikur të kishte frikë se mos krimin e kryer nuk do t'ia vishnin asaj.