Për arsyet që treguam, Themistokliu la qytetin Argo0 dhe shkoi si lutës në oborrin e Admetit, mbretit të molosëve. Ky mbret në fillim e priti me dashamirësi, i dha zemër dhe i premtoi se do të kujdesej për sigurinë e tij. Por lakedemonët dërguan tek Admeti qytetarët më të njohur të Spartës për të kërkuar dorëzimin e atij që e quanin tradhëtarin e korruptuesin e gjithë Helladës; shtuan se në rast të kundërt ata do t'i shpallnin luftë në emrin e të gjithë helenëve. Admeti i frikësuar nga këto kërcënime, por i prekur nga fati i lutësit të tij dhe duke dashur t'i shmanget turpit të një tradhëtie, e këshilloi Themistokliun t'i ikte fshehurazi lakedemonëve; në të njëjtën kohë i dha një shumë të hollash në ar për shpenzime. Themistokliu i rrethuar nga të gjitha anët, e pranoi arin dhe u arratis natën prej tokës së molosëve me mjetet që i kishte dhënë mbreti.