Aleksandrit i erdhi një letër nga Maqedonia, me të cilën Antipatri e njoftonte mbi rezultatin e luftës së mbretit Agis të Spartës në Greqi, të mbretit të Epirit Aleksandër në Itali dhe të mëkëmbësit /të Aleksandrit/ Zopyrit në Skythi. Këto lajme i ngjallën Aleksandrit ndjenja të kundërta; por sidoqoftë atë e gëzoi më tepër vdekja e dy mbretërve që ishin rivalë të tij, se sa e hidhëroi humbja e ushtrive të Zopyrit.
Aleksandri, mbreti i Epirit, u nis për në Itali i ftuar nga tarentasit, të cilët i kërkuan ndihmë kundër brutëve. Ai u hodh me kaq pasion në këtë fushatë, sikur, në ndarjen e botës, fati t'i kishte caktuar Aleksandrit, birit të motrës së tij Olympisë, Lindjen, kurse këtij Perëndimin, dhe shpresonte të tregonte në Itali, Afrikë dhe Siqeli jo më pak heroizma se Aleksandri në Azi e Persi. Këtu e shtyu edhe një rrethanë tjetër; ashtu sikurse Aleksandrin e Madh, orakulli i Delfit e paralajmëroi që duhet t'u ruhet intrigave në Maqedoni, ashtu edhe këto /Aleksandrin e Epirit/ Zeusi i Dodonës e paralajmëroi që qyteti Pandosia dhe rryma e Aheronit janë për të fatale. Edhe ky lum edhe qyteti ishin në Epir, por Aleksandri nuk e dinte se në Itali kishte një qytet dhe një lum me po këto emra dhe që t'i largohej rrezikut që i kishte paralajmëruar fati, ai edhe më me pasion e ndërmori këtë fushatë në një vend të huaj. Kur arriti në Itali, në fillim luftoi me apulët, por si mori vesh për fatin që i ishte caktuar qytetit të tyre të parë, bëri shpejt lidhje miqësore me mbretin e tyre...
Ai luftoi edhe me brutët e lukanët dhe u mori shumë qytete; me banorët e Metapontit, me pedikulët dhe me romakët ai hyri në marrëdhënie miqësore dhe lidhi me ta aleancë. Por brutët dhe lukanët, si morën ndihmë nga fqinjët, e rifilluan luftën me një ashpërsi edhe më të madhe. Kështu mbreti edhe u vra afër qytetit Pandosia, tek lumi Aheron, duke marrë vesh vetëm para vdekjes emrin e vendit fatal për të; duke vdekur ai e kuptoi se vdekja nuk e kërcënonte në atdhe prej nga ai u largua. Trupin e Aleksandrit e varrosën banorët e Turit, të cilët e blenë me shpenzime të shtetit.
Kur ditën e katërt Aleksandri e ndjeu se padyshim i kishte ardhur fundi, tha se sheh në këtë /vdekje/ fatin e fisit të tij, sepse shumica e aiakidëve ka vdekur në një moshë më të vogël se tridhjet vjeç.