Dhe kështu, kur Demetri kishte në dorë forcat e gjithë shtetit maqedonas dhe vendosi të pushtojë Azinë, Ptolemeu, Seleuku dhe Lysimahu, duke kuptuar nga përvoja e luftës së mëparshme se ç'forcë përbën bashkimi, u lidhën prapë me aleancë, bashkuan forcat e tyre ushtarake dhe e shpërngulën luftën në Evropë. Me ta u bashkua si shok dhe aleat lufte, Pirrua, mbret i Epirit, i cili shpresonte se Demetri do ta humbiste Maqedoninë me po aq lehtësi sa edhe e fitoi. Dhe kjo shpresë nuk ishte e kotë; Pirrua e asgjësoi ushtrinë e Demetrit, atë e detyroi të ikë, kurse vetë zuri mbretërinë e Maqedonisë. Ndërsa po ndodhnin këto, Lysimahu vrau dhëndërin e tij
Antipatrin, i cili e akuzonte vjehërrin se në saj të dinakërisë së tij, ai kishte humbur fronin mbretëror të Maqedonisë. Vajzën e tij Eurydikën, që i mbështeste këto akuza, Lysimahu e burgosi...
Por ja, midis Lysimahut dhe mbretit Pirro, të cilët pak më parë vepruan si aleatë kundër Demetrit, filluan grindjet, një e keqe e zakonshme midis dy barbarëve, dhe plasi lufta. Lysimahu e mundi Pirron dhe pushtoi Maqedoninë...