Perandori /Konstanti/ kurorëzoi këtë seri suksesesh, duke i dhënë Ilirikut një sigurim të dyfishtë . Ai e pati këtë mendim dhe vetë e zbatoi. Popujt e shpëmgulur megjithëse dyshoheshin si të paqëndrueshëm, por që në të ardhmen mund të pritej nga ata një përmirësim, i vendosi në tokat e të parëve të tyre. Dhe për të kurorëzuar këtë mirësi, u dha atyre një mbret, dhe jo një të panjohur, por një të zgjedhur prej tij, një prijës me gjak mbretëror, shpirtmirë dhe me epërsi trupore. Kjo sjellje plotësisht e drejtë tregoi para ushtrisë karakterin e Konstantit, prandaj ushtria i dha për të dytën herë njëzëri titullin sarmatik të quajtur kështu nga populli që kishte nënshtruar. Në çastin e nisjes së tij, ai mblodhi të gjitha kohortet, centuriet e manipulet dhe pastaj duke hipur mbi podiumin e tij, i rrethuar nga flamuj e shqiponjat dhe krerët kryesorë të ushtrisë, u foli këto fjalë shumë të përshtatshme për të shkaktuar tek ata një përshtypje të mirë:
"Mbrojtës besnikë të fuqisë romake, kujtimet e lavdisë, unë e di, janë për njerëzit trima një kënaqësi shumë e këndshme. Unë dua, pra, pasi mbrojtja e një hyjnie na ka dhënë fitoren, të përmend parajush, i përmbajtur, atë që secili nga ju ka bërë para betejës dhe në zjarrin e saj. Ç'është më e bukur dhe më e drejtë që të arrijë në kujtimin e pasardhësve, se sa të përmendet ushtari për trimërinë e tij dhe komandanti për drejtimin e mirë? Armiku i egërsuar që kishte ngritur krye pa arsye në mungesë tonë, kur ishim të zënë në luftën për shpëtimin e Italisë e të Galisë, shkatërronte Hirikun, duke shkretuar tokat përtej kufijve.