Libri XVII

Libri XVII

Ptolemeu nuk e la pa i kushtuar vëmendje edhe Pirros, mbretit të Epirit, i cili mund t'i jepte një ndihmë të madhe palës me të cilën do të bashkohej; kurse ky mbret, duke dashur që të grabiste secilin prej tyre, u ofronte të gjithëve shërbimet e tij. Kështu, duke dashur të ndihmonte tarentasit kundër romakëve, i kërkoi hua Antigonit tridhjetë anije për të transportuar ushtrinë në Itali; Antiohut që kishte më shumë para se ushtri, ai i kërkoi para; Ptolemeut - njësi ndihmëse maqedonase.

Ptolemeu, duke ndjerë dobësinë e vet, nuk mundi t'i kundërshtojë Pirros dhe i dha pesë mijë këmbësorë, katër mijë kalorës dhe pesëdhjetë elefantë, me një afat jo më të gjatë se dy vjet. Për këtë Pirrua mori për grua të bijën e Ptolemeut dhe, pasi bëri paqe me të gjitha fiset fqinje, la vjehërrin si ruajtës të shtetit të tij, në mënyrë që ai të mos bëhej pre e armiqve, sepse gjithë burrat e moshës më të mirë ishin dërguar në Itali.

Por meqenëse u përmend këtu Epiri, duhet treguar diçka mbi prejardhjen e kësaj mbretërie. Si mbretëri e parë në atë krahinë qe ajo e molosve. Pastaj Pirrua, i biri i Akilit, pasi kishte humbur mbretërinë e trashëguar nga i ati, për shkak të mungesës së gjatë në kohën e luftës së Trojës, u vendos në këto vende, banorët e të cilave u quajtën në fillim pirridë pastaj epirotë. Më vonë, kur Pirrua erdhi për të pyetur orakullin në tempullin e Dodonës, rrëmbeu këtu Lanasën, të bijën e Herkulit. Nga kjo martesë ai pati tetë fëmijë. Nga këta, disa vajza i martoi me mbretërit kufitarë dhe me ndihmën e këtyre krushqive arriti të forcohet shumë. Edhe Helenit, birit të mbretit Priam, për merita të veçanta i dha mbretërinë e kaonëve dhe për grua Andromakën, të venë e Hektorit, të cilën e kishte marrë për vete kur ighte ndarë plaçka e Trojës.

Pas pak kohe Pirrua u vra nga Oresti, i biri i Agamemnonit, në Delf, në mes të altarëve të perëndisë. Pas tij erdhi i biri, Piali. Pastaj, sipas radhës, mbretëria zbriti gjer te Tarypa dhe meqenëse nga kjo familje fisnike ky kishte mbetur i vetmi pinjoll, me kujdesin më të madh të të gjithëve, u caktuan për të kujdestarë për ta rritur dhe për ta edukuar me shpenzime publike. E dërguan edhe në Athinë për studime. Sa qe i  ditur më shumë se të parët e tij, aq edhe populli e pati për zemër. Ai qe i pari që rregulloi ligjet, kuvendin e magjistratët e përvitshëm dhe formën e qeverisjes.

Kështu që nga Pirrua ata fituan vendin për të banuar, kurse me Tarypën populli fitoi një jetë më të ngritur. Djali i tij qe Neoptolemi, prej të cilit lindi Olympia, e ëma e Aleksandrit të Madh dhe Aleksandri që sundoi mbi mbretërinë e Epirit pas Neoplolemit dhe që vdiq duke luftuar në Itali në krahinën e brutëve. Pas vdekjes së tij fronin e trashëgoi i vëllai, Aiakidi, i cili me përleshje të parreshtura e në luftë kundër maqedonasve, e lodhi popullin dhe meritoi përbuzjen e qytetarëve; për këtë arsye u hodh në mërgim dhe la në mbretëri djalin e vetëm të tij, Pirron e vogël dyvjeçar. Meqë populli. nga urrejtja kundrejt të atit kërkonte vdekjen e tij, atëherë këtë e morën fshehurazi dhe e shpunë tek ilirët e ia dorëzuan Berojës, bashkëshortes së mbretit Glaukia, për ta mbajtur, se edhe ajo ishte nga familja e

aiakidëve. Atje mbreti, për mëshirë të fatit të djalit, apo i tërhequr nga përkëdheljet fëminore, e mbrojti për shumë kohë nga Kasandri, mbreti i Maqedonisë, i cili e kërkonte duke e kërcënuar edhe me luftë; përveç kësaj, Glaukia e ndihmoi Pirron edhe duke e bërë bir në shpirt. Epirotët, të prekur në zemër nga këto gjëra, e kthyen urrejtjen në mëshirë dhe atë djalë, në moshën njëmbëdhjetë vjeçare, e ftuan rishtazi në mbretëri dhe i vunë kujdestarë, që të qeverisnin, gjersa ai të vinte në moshë. Pastaj ai, që në moshë të re, bëri shumë luftëra dhe aq shumë zuri të çmohej kur i shkuan punët mbarë, sa që e pa se edhe i vetëm mund t'i mbronte tarentasit kundër romakëve.

info@balkancultureheritage.com