Libri XXI
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Roma Mbretërore
~Shaban Dervishi
Republika e hershme
~Shaban Dervishi
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit

Libri XXI

I kërcënuar nga të dy anët, Konstanti nuk dinte në çfarë krahu të shkonte. Duhej të shkonte larg të kërkonte Julianin, apo të qëndronte dhe t'i bënte ballë persëve të cilët po kalonin Eufratin? Pas shumë bisedimesh me oficerët kryesorë të tij, ai u ndal tek mendimi që së pari t'u jepte fund luftimeve ose së paku të merrej vesh me armikun, i cili e shtrëngonte gjithnjë më tepër, pastaj si të sigurohej kjo të kalonte Ilirikun e Italinë dhe t'i binte Julianit para se ai të vinte në zbatim planin e tij.

Ndërkaq, mijëra zëra dëgjoheshin për këtë, dhe nuk vonoi e u përhap lajmi në gjithë Ilirinë, si zakonisht duke u zmadhuar, se Juliani, fitues mbi popuj e mbretër, përparonte, duke u mburrur për sukseset, në krye të një ushtrie të madhe. Pas këtij lajmi prefekti i pretorëve Tauri iku sikurse të ishte para një invadimi të huaj dhe kaloi me shpejtësi Alpet Jule, duke bërë që të ndiqte shembullin e tij edhe prefekti Florenti. Konies Lucialiani që komandonte në Sirm ushtrinë e dy provincave, me të marrë vesh lajmin e afrimit të Julianit, tërhoqi nga vende të ndryshme të gjithë ushtarët dhe vendosi të qëndronte. Por barka e tij /e Julianit/ e shpejtë si një shigjetë ose si një urë zjarri e hedhur nga një makinë luftarake arriti në Bononi, 10 milje nga Sirmi; ai menjëherë u gjend në tokë, në atë kohë kur hëna po zhdukej e si rrjedhim nata ishte e errët; me të shpejtë nisi te Luciliani Dagalaitin me disa ushtarë të armatosur lehtë, duke i urdhëruar që t'a sillte atë qoftë edhe me forcë. /Luciliani/ po pushonte, i shqetësuar nga zhurma e armëve; duke parë se ishte rrethuar nga të panjohur ai e kuptoi se ç'kishte ngjarë, dhe i frikësuar nga emri i Julianit, megjithëse pa dashje, ju bind atyre. Ky komandant i kalorësisë, i shtrënguar të përulej para forcës, zuri vend në kalin parë që i dhanë dhe u dërgua te prijësi si një rob i thjeshtë. Frika dukej sikur e kishte bërë krejtësisht të paaftë, por kur pa se i dhanë për të puthur purpuren erdhi në vete dhe me një zë më të sigurt tha; "Ky vend nuk është për ju, dhe rrezikoni veten kot me një pakicë të tillë njerëzish". Juliani iu përgjigj me një buzëqeshje të hidhur: "Mbaji këshillat e tua për Konstantin. Nuk kam ndërmend të këshillohem me ju, por dua t’ju heq frikën, mos e kuptoni ndryshe butësinë time”.

Mbasi largoi Lucilianin ai nuk u deh nga suksesi, por duke u bërë gjithnjë më aktiv e më i vendosur, pasi edhe rrethanat ishin të tilla, ai marshoi drejt qytetit /Sirmit/ që sipas mendimit të tij ishte gati t'i dorëzohej. Sa iu afrua periferisë së gjerë të tij, banorë e ushtarë erdhën grumbuj-grumbuj para tij me flakse e lule, duke e përshëndetur me emrat zot e august dhe duke e brohoritur e përcollën deri në pallat. Kjo ngjarje e mbushi me gëzim: ai shihte të ardhmen plot shpresë, se edhe qytetet e tjera do të ndiqnin shembullin e metropolit, të përmendur për popullsinë e shumtë, se ai do të mirpritej kudo. Të nesërmen organizoi për popullin, i cili kishte shfaqur për të një gëzim të madh, një vrapim me karroca dhe ditën tjetër mori me shpejtësi rrugën drejt grykës së Sukëve, të cilën e pushtoi pa luftë duke i lënë pastaj mbrojtjen e saj Nevitas, për besnikërinë e të cilit nuk kishte asnjë dyshim. Është mirë që të japim një mendim rreth këtij vendi. Është një ngushticë e formuar nga bashkimi i dy vargmaleve të Hemit e të Rodopit, nga të cilët njëri mbështetet në brigjet e Istrit kurse tjetri në ato të Aksit.

Këto male formojnë midis Thrakisë e Ilirisë një pengesë të fortë, duke lënë nga njëra anë vendin e dakëve dhe Serdikën dhe nga tjetra qytetet e Thrakisë e Filipopolin... Nga ana që bie nga Iliria, mali ulet në një mënyrë shumë pak të rrëpirët, dhe pjerrësia thuajse nuk ndihet fare... Pasi rregulloi të gjitha gjërat ashtu si e kërkonin rrethanat dhe mbasi la aty komandantin e kalorësisë, perandori erdhi në Nes, një qytet i madh, që të mendonte i qetë për masat që nevojiteshin për të siguruar suksesin e veprimeve të tij. Ai dërgoi atje Viktorin shkrimtar-historian, të cilin e kishte parë në Sirm dhe e emëroi konsull të Panonisë së Dytë dhe e nderoi me një shtatore bronzi si një njeri me një virtyt shembullor, që shumë më vonë u bë prefekt i Romës.

Komes Marciani, thuhej, kishte formuar një rrjetë stacionesh të shpërndara në Thraki dhe marshonte drejt qafës së Sukëve. Juliani po ashtu merrte masa për të gjitha nevojat e rastit. Ai përqëndroi ushtrinë e tij të Ilirikut të përbërë nga trupa të sprovuara dhe të gatshme kurdoherë për të ndjekur udhëheqësin e tyre luftarak në mes rreziqeve...

Në mes këtij turbullimi, arrinin herë pas here lajme shumë të sigurta se Juliani, pas një marshimi të shpejtë, kishe kaluar Italinë e Ilirikun; se ai kishte pushtuar grykën e Sukëve, se nga të gjitha anët i vinin përforcime, dhe se më në fund do të sulmonte me të gjitha forcat Thrakinë...

"Në kohën kur ju zmbrapnit, duke i mundur, këto hordhi të egra që silleshin nëpër Ilirik, Juliani, në duart e të cilit kisha vënë ruajtjen e galëve, i fryrë nga ndonjë sukses që kishte pasur mbi germanët gjysmë të zhveshur dhe i shtyrë nga tërbimi i verbuar, u bashkua me një grusht nga këta njerëz, të cilët etja e gjakut dhe lakmia e paepur për plaçkitje, i hedh në ndërmarrje të dëshpëruara, dhe kundër çdo drejtësie kurdis me ta për përmbysjen e shtetit.

info@balkancultureheritage.com