Po në këtë kohë Pirrua luftonte kundër romakëve. Kur sikulët, sikurse thamë më sipër, i kërkuan ndihmë, ai erdhi në Syrakuzë dhe u quajt mbret i Siqelisë dhe Epirit. I gëzuar nga ky sukses, ai ia caktoi mbretërinë e Siqelisë birit të tij Helenit, si trashëgim nga gjyshi (sepse Helenin e kishte nga e bija e mbretit Agathoki), kurse mbretërinë e Italisë, Aleksandrit . Pas kësaj ai bëri shumë luftëra me sukses kundër kartagasve. Si kaloi një kohë, tek Pirua erdhën delegatë nga aleatët e tij italikë me lajmin se ata nuk munden t'u qëndrojnë më romakëve dhe në qoftë se ai nuk arrin t'u vijë në ndihmë, do të dorëzohen. Pirrua u shqetësua nga rreziku që e kërcënonte nga të dy anët. Ai nuk dinte ç'të bënte dhe kujt t'i ndihmonte më parë, por lëkundej dhe nuk dinte çfarë vendimi të merrte, duke anuar herë nga një vendim, herë nga tjetri; meqenëse nga një anë e kërcënonin kartagasit, kurse nga ana tjetër romakët, i dukej se po të mos dërgonte ushtri në Itali ishte rrezik, kurse po të largonte ushtrinë nga Siqelia ishte edhe më rrezik; të mos u ndihmonte aleatëve do të thoshte t'i humbiste ata, kurse të braktiste Siqelinë do të thoshte ta humbte atë. Në këtë furtunë rreziqesh.
Pirros iu duk se më i sigurtë do të ishte ky vendim; të vinte në veprim të gjitha forcat e veta në Siqeli dhe, pasi të shkatërronte kargatasit, të transferonte ushtrinë fitimtare në Itali. Dhe kështu Pirrua u përlesh me kargatasit dhe i mundi ata; por meqenëse sipas kësaj ai u largua nga Siqelia, u duk sikur u mund dhe u dëbua; prandaj aleatët u shkëputën prej tij dhe ai e humbi pushtetin mbi Siqelinë po aq shpejt sa edhe e kishte fituar. Në Itali ai nuk pati fat më të mirë dhe u kthye në Epir. Të dy rastet mund të shërbejnë si një shembull për t'u admiruar. Në fillim fati e ndihmoi Pirron dhe në mënyrë krejt të papritur i dha pushtetin mbi Italinë e Siqelinë dhe një sërë fitoresh mbi romakët, kurse pastaj, sikur të donte të tregonte se sa delikat është fati i njeriut, u kthye kundër tijj dhe i shkatërroi të gjitha ato që kishte arritur, duke i shtuar katastrofës së Siqelisë shkatërrimin e anijeve në det, turpin e luftës pa sukses kundër romakëve dhe tërheqjen e turpshme nga Italia.