Galët u shtuan kaq shumë sa që nuk i nxinte më toka ku kishin lindur. Sipas zakonit të "pranverës së shenjtë" ata dërguan treqind mijë vetë për të kërkuar vende të reja për t'u vendosur. Një pjesë prej këtyre trenqind mijëve u ngul në Itali; ata edhe e dogjën kryeqytetin romak. Pjesa tjetër hyri në gjirin ilirik, duke ndjekur fluturimin e zogjve, (sepse galët janë më të zotët se gjithë të tjerët për të paraparë fatin me anën e fluturimit të zogjve) dhe pasi përshkuan tokat e fiseve barbare, u vendosën në Panoni. Ata janë një popull i ashpër, trim dhe luftëtar. Pasi nënshtruan banorët e Panonisë, ata për shumë vjet me radhë luftuan kundër fqinjëve. Pastaj, duke marrë guxim nga sukseset e tyre, u ndanë në grupe. Një pjesë sulmoi Greqinë, të tjerët Maqedoninë të cilën e shkatërruan me armët e tyre. Emri i galëve kalli kaq tmerr sa që edhe ata mbretër që nuk ishin sulmuar akoma e blenin paqen me shuma të mëdha të hollash. Vetëm mbreti i Maqedonisë, Ptolemeu, e priti i çkujdesur lajmin e afrimit të galëve... Ai u soll me përbuzje ndaj propozimeve të dardanëve, të cilët i çuan fjalë me anë të delegatëve, se mund t'i jepnin njëzet mijë luftëtarë në ndihmë dhe ai në mënyrë fyese u tha se kjo është punë e Maqedonisë; maqedonasit Jshtoi aiJ që nënshtruan gjithë Lindjen, nuk kanë nevojë që dardanët t'u mbrojnë kufijtë e tyre.
Ushtarët e tij janë bijtë e atyre që me Aleksandrin pushtuan botën dhe i bënë të gjithë tributarë të tyre. Kur ia thanë këto fjalë mbretit të dardanëve, ai u përgjigj se së shpejti mbretëria e lavdishme maqedonase do të bjerë nga papjekuria e një të riu të prapë.
Pas disa ditësh u bë lufta. Maqedonasit u mundën e u shpartalluan. Ptolemeu, i mbuluar në gjak, ra rob... Kur ky lajm u përhap, në gjithë Maqedoninë filluan të mbyllin portat e qyteteve; kudo ndiheshin vajtime; në një anë qanin bijtë e vrarë, në anën tjetër kishin frikë nga shkatërrimi i qyteteve... Por kur të gjithë ishin në dëshpërim, vetëm njëri nga prijësit maqedon Sostheni... mblodhi të rinjtë, frenoi galët e harbuar nga fitimet dhe mbrojti Maqedoninë nga armiqtë.