Libri XXV
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Libri XXV

Ndërsa po ndodhnin këto në Azi, Pirrua dështoi në Siqeli në një betejë detare me kartagasit dhe, nëpërmjet delegatëve, i kërkoi Antigonit, mbretit të Maqedonisë, përforcime, duke e kërcënuar se në qoftë se nuk do t'i dërgonte, atëherë Pirrua do të detyrohej të kthehej dhe do ta zgjeronte mbretërinë e tij në kurriz të Antigonit, gjë që më parë donte ta bënte me romakët. Kur delegatët u kthyen dhe i prunë përgjigje negative, Pirrua, nën pretekste të ndryshme, u largua me të shpejtë nga Siqelia.

Ndërkaq ai i urdhëroi aleatët e tij të përgatiteshin për luftë. Mbrojtjen e fortesës në Tarent ia besoi të birit, Helenit dhe mikut të tij Milonit. Me t'u kthyer në Epir sulmoi Maqedoninë. Antigoni i doli me ushtri përpara, por u thye dhe iku në rrëmujë. Kështu Pirrua zuri Maqedoninë, e cila iu dorëzua, dhe me këtë zëvendësoi humbjet që pësoi në Siqeli e Itali. Ai thirri edhe djalin e mikun që kishte lënë në Tarent. Kurse Antigoni me një njësi të vogël kalorësish, që e shoqëronin në tërheqje, pasi kishte humbur papritur të gjitha dhuratat e fatit, shkoi në Thesalonik me qëllim që të vëzhgonte që këndej, se si do të zhvilloheshin ngjarjet në mbretërinë e humbur dhe të rifillonte luftën me ndihmën e një ushtrie të mbledhur rishtas prej merenarësh galë. I thyer përsëri keqas nga i biri i Pirros, Ptolemeu, Antigoni, pas disfatës iku bashkë me shtatë shoqërues, pa ushqyer më shpresa për të rifituar mbretërinë e tij, duke kërkuar strehë që të fshihte kokën, si një i arratisur i vetmuar.

Kurse Pirros, pushteti i të cilit ishte rritur kaq shumë, pa u kënaqur me atë që i kishte caktuar fati, iu ngrit mendja të pushtonte Greqinë dhe Azinë. Dhe ai nuk dehej më pak nga lufta, se sa nga pushteti, dhe askush prej atyre që ai sulmonte nuk ishte në gjendje t'i qëndronte Pirros. Por aq sa ishte i pathyeshëm, kur i mundte mbretëritë, po aq shpejt i humbiste ato që kishte fituar; ai kujdesej më shumë për të marrë pushtetin, se sa për ta mbajtur atë. Dhe ja, kur Pirrua i shpuri ushtritë e tij në Peloponez, atë e pritën delegacionet e athinasve, ahejve, mesenasve; dhe gjithë Greqia priste ardhjen e tij, me një admirim të thellë ndaj emrit dhe heroizmave që ai kishte bërë kundër romakëve dhe kartagasve. Veprimet e para ushtarake i drejtoi kundër spartanëve. Këtu e pritën me një trimëri më të madhe gratë, se sa burrat dhe ai humbi të birin e tij Ptolemeun, bashkë me pjesën më të fortë të ushtrisë. Kur Pirrua filloi rrethimin e qytetit, për mbrojtjen e atdheut u mblodhën aq shumë gra, saqë ai u detyrua të tërhiqej, jo pse u mund, por prej turpit. Pastaj, thonë se i biri i Pirros, Ptolemeu, ishte kaq i rrëmbyer sa që qytetin Korkyra e mori me gjashtëdhjetë ushtarë; po ky, në një luftë detare, u hodh nga një varkë në një anije me pesë sërë lopatash vetëm me shtatë ushtarë dhe e kapi këtë anije. Në kohën e sulmit kundër spartanëve ai u fut me kalin e tij në mes të qytetit dhe u vra nga turma që u grumbullua atje. Kur trupin e tij ia prunë të atit, thonë se Pirrua tha që Ptolemeu vdiq më vonë se ç'kishte frikë ai dhe më vonë se sa pritej, po të gjykojmë nga trimëria e ti e papërmbajtur.

Pirrua i zmbrapsur nga spartanët iu sul Argos. Këtu, duke u munduar të kapte Antigonin, që ishte mbyllur në qytet, ra i goditur nga një gur që ia hodhën nga muri, kur po luftonte aty ku përleshja ishte ndezur më shumë. Kokën e tij ia prunë Antigonit, i cili e shfrytëzoi fitoren në mënyrë shumë të matur; të birin e Pirros, Helenin, që iu dorëzua së bashku me epirotët, ai e lejoi të kthehet në mbretërinë e tij dhe i dha me vete eshtrat e të atit që t'i çonte në atdhe. Të gjithë shkrimtarët janë thuajse njëzëri të mendimit se asnjë mbret, qoftë nga bashkëkohësit e Pirros, qoftë nga ata që kanë jetuar më përpara, nuk mund të krahasohet me të; rrallë mund të shihej, jo vetëm midis mbretërve, por edhe midis burrave të shquar, një njeri kaq pa të meta dhe kaq i drejtë. Aq mirë e njihte ai artin ushtarak saqë, duke luftuar me 5 Lysimahun, Demetrin, Antigonin, me këta mbretër të mëdhenj, ai dilte gjithmonë fitues, kurse në luftërat me ilirët, sikulët, romakët dhe kartagasit ai kurrë nuk u mund, por në pjesën më të madhe doli fitues. Atdheun e tij, një vend të vobektë dhe të padëgjuar, ai me lavdinë e heroizmave të tij dhe me shkëlqimin e emrit të tij, e bëri me të vërtetë të përmendur në të gjithë botën.

info@balkancultureheritage.com