Pyetja e fundit për këtë kapitull, gjithsesi, është nëse materiah arkeologjik duhet të mbahet mirë i ndarë nga traditat mitike të Romulit dhe Remit siç i kam parashtruar unë, apo jo. A është e mundur të lidhësh investigimin tonë mbi historinë më të hershme të Romës me rrëfenjat që vetë romakët kanë treguar apo me spekulimet e tyre të stërholluara mbi origjinën e qytetit? A mundemi të gjejmë pak më shumë histori te mitet?
Ky është një spekulim joshës që ka ndikuar shumë prej punës moderne mbi Romën e hershme si nga historianët ashtu edhe nga arkeologët. Ne sakaq kemi vërejtur tentativën për ta bërë historinë e Septimontiumit të reflektojë natyrën dualiste të qytetit - romak dhe sabin - të cilën e thekson edhe miti i Romulit. Së fundmi, zbulimi i disa punimeve mbrojtëse në këmbë të kodrës Palatine ka cytur lloj-lloj spekulimesh se këto mund të jenë pikërisht fortifikimet mbi të cilat Remi u hodh, për t’u përballur me vdekjen, në ditën e themelimit të qytetit. Kjo është fantazi arkeologjike. Nuk ka dyshim se disa punime të hershme muresh mbrojtëse janë zbuluar dhe se kjo është në vetvete e rëndësishme - por se si lidhen këto me vendbanimin e hershëm me kasolle në majë të Palatines, kjo është një mister. Gjithsesi, këto nuk kanë fare të bëjnë me personazhet joekzistente të Romulit dhe Remit. Përpjekjet për të masazhuar’ datimin e strukturës dhe gjetjet e lidhura me të, për të përfunduar në datën 21 prill 753 p.e.s. (unë po e ekzagjeroj vetëm pak) janë veçanërisht përqasje emocionale.
Ekziston vetëm një vend në të gjithë qytetin e Romës ku është e mundur të lidhësh mbetjet e hershme materiale drejtpërsëdrejti me traditën letrare. Me këtë lidhje, ne nuk gjejmë marrëveshje dhe harmoni mes të dyjave, por një hendek të gjerë dhe intrigues. Ky vend është në njërën anë të Forumit, pranë shpateve të kodrës Kapitoline, pak minuta më këmbë nga vendi ku Cicero sulmoi Katilinën në Tempullin e Jupiterit Stator dhe fare pranë platformës kryesore (ose rostrës) nga ku folësit i drejtoheshin popullit. Atje, para fundit të shekullit të parë p.e.s., në dyshemenë e Forumit kishte një seri pllakash të dallueshme prej guri që përbënin një drejtkëndësh afërsisht 4 me 3.5 metra, të shënjuar me një bordurë të ulët guri.
Në kapërcyell të shekujve nëntëmbëdhjetë dhe njëzet, arkeologu Giacomo Boni - një njeri i famshëm në atë kohë aq sa të rivalizonte Heinrich Schliemann, zbuluesin e Trojës, por pa reputacionin e dyshimtë si mashtrues të këtij të fundit - gërmoi poshtë gurit të zi, ku gjeti mbetjet e disa prej strukturave shumë më të hershme. Këto përfshinin një altar, pjesë të një kolone të madhe të lirë dhe një kolonë e shkurtër guri, e cila është e mbuluar me latinishte pothuajse të palexueshme, ndoshta një nga tekstet më të hershme të kësaj gjuhe që disponohen nga ne. Vendi ishte varrosur qëllimisht dhe mbushja e saj përfshinte gjithfarëlloj gjërash të jashtëzakonshme të jetës së përditshme, nga kupa në miniaturë, rruaza dhe kocka për lojë me zare, si dhe disa objekte poçerie athinase të shekullit të gjashtë p.e.s. të dekoruara bukur. Shpjegimi më i thjeshtë, nëse gjykojmë nga gjetjet, të cilat duket se përfshijnë dedikime fetare, është se ky ishte një kult i hershëm, ndoshta për zotin Vullkan. Kulti ishte mbuluar kur Forumi qe rishtruar diku rreth shekullit të parë p.e.s. - por për të ruajtur kujtimin e vendit të shenjtë poshtë saj, guri i dallueshëm i zi ishte shtruar sipër. Shkrimtarë të mëvonë romakë qenë të vetëdijshëm shumë mirë për gurin e zi dhe kishin ide të ndryshme se çfarë nënkuptonte ai. ‘Guri i zi, shkroi njëri prej tyre, shënjon një vend të mallkuar., Ata e dinin se kishte diçka poshtë saj shumë shekuj të vjetër: jo një kult fetar, siç besojnë përgjithësisht sot arkeologët, por një monument i lidhur me Romulin dhe familjen e tij. Shumë supozonin se aty gjendej varri i Romulit; të tjerë, ndoshta të shqetësuar për shkak se, nëse Romuli ishte bërë zot, ai nuk duhej të ishte me të vërtetë në varr, menduan se ai qe varri i Faustulus, babai adoptues i Romulit dhe Remit; të tjerë akoma e bënin atë varr të një prej shokëve të Romulit, Hostilius, gjyshit të njërit prej mbretërve të mëvonë të Romës.
Ata e dinin gjithashtu ose sepse e kishin parë atë më parë se të mbulohej apo për shkak të thashethemeve, se aty poshtë kishte një mbishkrim. Dionisi shënoi dy versione të asaj që thuhej: epitafi i Hostilius, ‘që dokumentonte trimërinë e tij’, ose një mbishkrim ‘që regjistronte bëmat e tij’ vendosur pas njërës prej fitoreve të Romulit. Natyrisht nuk ishte asnjëra prej këtyre gjërave. Ajo nuk ishte gjithashtu as ‘e shkruar me germa greke’, siç pretendon Dionisi: ajo është bona fide latinishte e hershme. Por ajo përbën një shembull të mrekullueshëm të faktit se sa pak dinin historianët romakë mbi të shkuarën e varrosur - dhe se sa shumë ata pëlqenin të imagjinonin gjurmë të Romulit ende të pranishme në qytetin e tyre, ose menjëherë poshtë tij.
Ajo çfarë do të thotë ky tekst - për aq sa ne mund ta lexojmë - na shpie në fazën tjetër të historisë së Romës dhe në serinë e mbretërve pothuajse po kaq mitikë që supozohet se pasuan Romulin.
13. Një diagramë e mbetjeve të një kulti të hershëm të gërmuar nga Giacomo Boni poshtë gurit të zi në Forum. Në të majtë është një altar (një strukturë e drejtë në formë U-je gjetur edhe në vende të tjera në Itali në këtë periudhë). Në të djathtë qëndron ajo që ka mbetur nga kolona, dhe pak e dukshme pas saj është shtylla me mbishkrime.