Lisi dhe Akrolisi
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Lisi dhe Akrolisi

Muret rrethues

Lisi dhe Akrolisi shenjojnë cakun jugor të njësisë që oshilonte rreth Shkodrës dhe liqenit të saj: fisit të labeatëve, mbretërisë ardiane, tre Rex Publikae-ve që e shpërbënë atë në kohën romake dhe më tej Prevalit (297-306). Nga perëndimi atyre u harkohen fusha të gjëra, kurse pas shpine, nga lindja, nis terreni malor. Ndërsa Lumi Mat shënon kufirin natyral me jugun, veriu mbetet i hapur dhe përzihet me territorin e Shkodrës. Lisi dhe Akrolisi gjenden në pikën ku Mali i Velës shtyhet deri në Drin me një gjuhë shkëmbore. Në këtë gjuhë spikasin Maja e Shelbuemit, e Akrolisit (410 m) dhe ajo e Lisit (172 m), 1 km larg njëra-tjetrës.

Në Lis kalonin rrugët e Dalmacisë që pasi tufëzoheshin në Shkodër të nxirmin në Durrës (TP Miller IR 462-471) dhe po këtu niste rruga transversale për në Dardani (Polyb 38 8, TP Miller IR 555. 559). Poshtë kodrës së qytetit kalonte lumi Drin, në antikitet i lundrueshëm, çka e kthente Lisin në skelë lumore të lidhur me Adriatikun (Caes. B.civ. 40 5), ndërkohë që skelë e tija detare mbetej Nymfeumi/ Shën Gjini (Caes. B.civ.3 26 3). Simbolet e monedhave të prera në Lis tregojnë për drejtimet kryesore ekonomike të qytetit: Liburna qenien skelë dhe rëndësinë e lundrimit, ndërsa dhia rëndësinë e blegtorisë: Thënia e Cezarit se Lisi “ushqehet më tepër me drithë të ardhur nga jashtë”, tregon se bujqësia luante një rol të dorës së tretë.

Historia

Qyteti antik i Lisit (Lezha) ndodhet pothuajse në gjysmë të rrugës midis Dyrrahut të lashtë dhe Skodrës, i ndërtuar mbi një kodër që mbizotëron rrjedhën e lumit Drin. Problemi i themelimit të tij paraqet disa vështirësi. Diodori i Siqilisë (XV 13, 4) e lidh themelimin e qytetit me Dionisin e Sirakuzës, përpara vitit 385, por një boshllëk në tekstin e tij nuk na lejon të mësojmë më shumë. Përsa i takon vendndodhjes dhe organizimit të sistemit mbrojtës të tij, të çudit fakti se qyteti është i kthyer në drejtim të fushës bregdetare dhe detit, sikur shqetësimi kryesor të kishte qenë vrojtimi i agresorëve që mund të vinin nga deti. Por, normalisht, një themelim i bërë nga një sirakuzian do të kishte patur më shumë shqetësim që të mbrohej nga sulmet që vinin nga prapatoka, nga ku edhe muret mbrojtëse sirakuziane do kishte qenë dashur të ishin kthyer së pari kundër rreziqeve që vinin nga pjesa e brendëshme. Në vazhdim, Lisi nuk del më të jetë i lidhur me Sirakuzën. Zbulimi i mureve mbrojtës nga arkeologët shqiptarë (F. Prendi dhe K. Zheku, Iliria, II, 1972, f. 239-268 dhe 1986, I, f. 57-66) i çoi ata në përcaktimin e një date të ndërtimit të tij e afërt me fundin e shekullit të IV. Nëse, pra, pranohet vërtetësia e tekstit të Diodorit lidhur me një vendosje sirakuziane në Lis më 385 ose pak më përpara, ka shumë të ngjarë që kjo të ketë qenë për një kohë të shkurtër. Qyteti, pastaj, ka qenë zënë nga popullsi ilire të pjesës së brendëshme që kanë nërtuar një qytet të rrethuar me mure të kthyera në drejtim të luginës së poshtëme të lumit Drin dhe në drejtim të detit, për t’u bërë ballë agresorëve të ardhur nga deti. Duhet hequr dorë, pra, nga mendimi për ta parë murin rrethues të Lisit si një realizim të tiranit të Sirakuzës, por ai duhet lidhur më tepër me popullsinë vendase që i druhej një sulmi të ardhur nga deti.

Lisi rishfaqet nëpërmjet penës së autorëve antikë vetëm në mbarim të luftës së parë të Ilirisë. Ndërhyrja energjike e Romës (me 20 000 ushtarë dhe 200 anije) e detyroi mbretëreshën Teuta të nënshkruante një paqe poshtëruese për të (228). Përveç humbjeve tokësore, mbretëresha duhej të merrte përsipër që të mos dërgonte më shumë se dy lembe në jug të Lisit, dhe, për më tepër, këto duhej të ishin të paarmatosura (Polibi, II 12, 3; Apiani, Illyrika, 7). Roma kërkon, me këtë masë, të pengojë piraterinë ilire në jug të Lisit dhe të marrë në mbrojtje brigjet në Jug të Adriatikut dhe të detit Jon. Pikërisht këtë pikë të marrëveshjes e shkeli Demetër Fari më 219, duke kaluar në jug të Lisit me 50 anije sipas Polibit (III 16, 3), me 90 lembe sipas Polibit (IV, 16, 6-9), duke i dhënë shkas luftës së dytë të Ilirisë, që u ndërmor me shpejtësi nga Romakët, mbi të cilët rëndonte rreziku kartagjenas. Anijet ilire shkojnë kështu deri në Pilos dhe në Ciklade për të plaçkitur. Konsulli Pal-Emili fiton në Dimal, pastaj në Far dhe rivendos paqen sipas të njëjtave kushte si më 228.

Në vitin 213, Lisi bëhet port maqedonas në bregun e Adriatikut. Duke marrë zemër nga aleanca e arritur me Hanibalin më 215, dhe pa pritur fitoren kartagjenase, Filipi i V kërkon të shkatërrojë protektoratin romak në Iliri dhe mbi qytetet bregdetare (Korkyra, Apolonia, Epidamni). Ai dështon përpara Apolonisë më 216, pastaj edhe më 214, por më 213 arrin të marrë, me rrugë tokësore, Akrolisin dhe Lisin (Polibi, VIII 13-14). Maqedonia bëhet një shtet i fuqishëm që e përshkon gadishullin ballkanik nga lindja në perëndim. Por kjo dritare mbi Adriatik mbeti e hapur për shumë pak kohë. Duket se që nga viti 209 ilirët e Skerdilaidit dhe të birit të tij Pleuratit e rimarrin Lisin. Që atëherë, qyteti qëndron në duart e ilirëve deri në fund të luftës së tretë të Maqedonsë. Sipas Polibit (XXVIII, 8), Lisi është, më 169, një nga rezidencat e mbretit ilir Gentit, të cilin mbreti i Maqedonisë, Perseu, kërkon ta tërheqë në anën e vet, duke i dërguar një përfaqësi, në përbërjen e së cilës ishte edhe iliri Pleurat, që fliste gjuhën e vendit, gjë që dëshmon për përdorimin e një gjuhe tjetër nga greqishtja në oborrin e Gentit, në Skodër dhe në Lis (shih gjithashtu Tit-Livi, XLIII 20, 2). Në vitin 168, Genti e rreshton ushtrinë e vet prej 15 000 vetësh pikërisht në afërsi të Lisit (Tit-Livi, XLIV 30, 6), por më në fund beteja vendimtare u zhvillua përreth kalasë së Skodrës. Që atëherë, Lisi vihet nën kontrollin e Romës, pastaj përfshihet në provincën e Maqedonisë në vitin 168.

Një shekull më vonë, në luftën civile midis Pompeut dhe Cezarit, Lisi strehon flotën e Cezarit që era e jugut e shtyu shumë në veri (Cezari, de bell. civ. III 26, 4 ; 28); conventus-i i romakëve të vendosur në Lis mblidhet aty (III29); qyteti u bën ballë sulmeve të Pompeut (40, 5) dhe fumizon me grurë njerëzit e Cezarit (42, 4); Cezari vendos një kohortë në Lis (78, 4). Në vitin 48, Cezari rindërtoi murin rrethues, i shkatërruar padyshim në vitin 168; ai shton murin transversal që ndan qytetin e sipërm nga qyteti i poshtëm ; muri rrethues përforcohet me kulla të shumta. Një koloni duket të ketë qenë themeluar në vitin 33 para Krishtit (CIL III 1704), me një augur, II viri quinquennales, decuriones (F. Prendi, Iliria, 1981, 2 f. 153-163). Këto mbishkrime përmendin emrin e L. Gravarit që jep para për ribërjen e mureve, të portave dhe të kullave. Duhet shënuar se nga Lisi kemi deri tani vetëm një mbishkrim grek, mortor, që do të thotë se kjo gjuhë ka qenë aty pak e përhapur.

Lisi

Simbioza Akrolis/Lis përvijohet nga fragmenti i Polybit: “Filipi (V) pasi arriti në vend vuri re se Lisi ishte përforcuar shumë mirë... nga natyra dhe dora e njeriut. Akrolisi që ishte pranë kishte lartësi aq të madhe dhe ishte aq i fortë, sa që dhe një sy të vetëm të hidhte njeriu do të kuptonte se pushtimi i tij ishte i pamundur”.

Akrolisi

Kodra e Akrolisit rrëzohet drejt perëndimit, drejt pllajës që pararend Akropolin e Lisit, me pjerrësi tepër të madhe. Në anët e tjera shpatet e ndalin vrullin vetëm në fushë. Nga lart vështrimit i hapet një horizont i gjerë që nga veriu i liqenit të Shkodrës e gjer në Durrës.

Mali i Shelbuemit përfundon me një syprinë kurrizore (300 x 60 m) të pjerrur drejt lindjes (20-30°). Mbas saj pjerrësia e shpateve rritet në 45°, e këmbyer në gjysmën jugore me faqe të thikta shkëmbore. Ky konfiguracion kushtëzoi trasenë e murit i cili ndjek skajet e kurrizit duke rrethuar një sipërfaqe prej 1,50 hektarësh. Në trasenë e mureve dallohen dy faza nga të cilat e para e periudhës I të hekurit. Muret e fazës së I i përmbahen me valëzime të lehta së njëjtës vijë rrushkulluese. Muret, 3,20 m të gjerë, përbëhen nga dy këmishë me blloqe prej guri gëlqeror të thyer, por të palatuar, në formë paralelopipede dhe mbushja e mesit, me gurë të papunuar dhe çakëll.

Me lindjen e qytetit të Lisit fortifikimi ripërtërihet: Në anën jugore ndërtohet një mur i tërthortë i cili pret nga fortifikimi i parë një syprinë trekëndëshe (65 x 65 m). Në skajin juglindor të këtij muri gjendet hyrja 3 m e gjerë, e mbrojtur nga e djathta prej një kulle katrore.

Në skajin verior të fortifikimit gjendet një hyrje tjetër e mbrojtur nga një dhëmbëzim i dyfishtë i murit dhe një kullë e cekët. Traktet janë punuar me blloqe guri të latuar, me faqen e jashtme të mysët (0,5-1,4 x 0,3 - 0,6 m), të pajisur në skajet me vija peshimi. Blloqet kanë forma kuadratike, por fugat horizontale janë të valëzuara. Muret janë të ngjashëm me Lisin II, ndonëse faqet e bashkimit janë punuar më dobët se në muret e Lisit dhe nuk ka tendencë ndaj muraturës poligonale, karakteristike për muret e Lisit.

Fortifikimi paraurban

Ndërtimet më të hershme mbrojtëse të Lisit, të shek. VI/V p.e.sonë rrethojnë kupolën kodrinore 2,30 hektarëshe të akropolit të qytetit. Muret janë ndërtuar me blloqe të mëdhenj poligonalë të gdhendur ashpër (0,4 - 1,3 x 0,3 - 0,7 m). Në punimin e tyre ndjehet dalta por fugat ende nuk janë të përsosura.

Fortifikimi urban

Lisi i mirëfilltë lind në shek. 4 p.e.sonë, i konceptuar me një mendim unik dhe i zbatuar nga një dorë e vetme. Muret e fuqishme të qytetit të ri, 2150 m të gjatë, qarkojnë një sipërfaqe prej 20 hektarësh. Zhvillimi planimetrik e dëshmon atë qytet tipik shpati, me një sistem prej tre brezash të njëpasnjëshëm mbrojtës, me qytet të poshtëm (9 ha), qytet të sipërm (11 ha) dhe akropol brenda këtij të fundit (rreth 1,8 ha).

Akropoli zë pjesën më të lartë të kodrës duke ju përmbajtur me afërsi konturit paraurban. Nga lindja muri i tij njësohet me murin e jashtëm rrethues të mbrojtur prej 3 kullash kuadratike. Në brendi muret, të mbrojtur prej kullash rrethore, ndjekin izoipsin e sipërm të kodrës. Në lindje dhe veri muret vijojnë tërthor izoipseve deri në mesin e kodrës për të vijuar më tej, në jugë dhe perëndim, përgjatë izoipsit të këtij mesi. Në anën jugore traseja e mureve përfshinë edhe një pllajëz të vogël e cila mund të përdorej nga sulmuesit për vendosjen e makinave të sulmit.

Nga qytetit i sipërm shkëputen dy mëngë të gjata murale, të cilat vijonin ndeshas terrenit deri në buzë të lumit. Fragmenti i Cezarit se “Antoni pasi la anijet e tjera në Nymfe (Shëngjin) dërgoi në Lis 30 pontone (B.civ.3 26, 29 )” tregon se këtu gjendej skela lumore e qytetit, ndërkohë që skelë detare e tij ishte Nymfeu. Rreth 40 m larg bregut mëngët bashkohen me njëra-tjetrën nëpërmjet një muri të fuqishëm (3,95 m) i cili e mbyllte tërë qarkun e rrethimit të qytetit të poshtëm.

Në këtë mënyrë ndërmjet bregut dhe murit të mësipërm krijohej një bankinë e ngushtë, e kufizuar dhe mbrojtur anash prej zgjatimit të mëngëve dhe dy kullave buzëujore, e cila kufizonte numrin e sulmuesve dhe shmangte mundësinë e goditjeve dhe zbarkimit drejtpërdrejtë nga anijet. Shkallët tregojnë se kurtinat kanë qenë mbi 7,5 m të lartë. Kurtinat përforcoheshin prej më se 32 kullash të fuqishme, prej të cilave ruhen 24.

Kullat gjenden në çdo skaj dhe dalje me kënd, sado të lehtë të trasesë. Largësia midis tyre luhatet, në funksion të terenit, nga 33 në 55 m. Në dy vende ku muri zbret me pjerrësi 40° tërthor terrenit, kullat ja lënë vendin dy dhëmbëzimeve të dyfishtë me ballë 5-7 m.

Kullat, me përmasa 5,5 - 8 x 6 - 10 m, janë ndërtuar me muraturë pseudoizodomike me blloqe drejtkëndësh dhe pajisur në skajet me vija peshimi. Kati i parë i tyre është i mbushur me emplecton gurësh dhe çakëlli, i cili kompaktëson dhe forcon paretet e tyre të ngushta (0,7 m). Nga pas kullave nisin shkallët (1.5 m) për në katin e tyre të dytë prej ku dhe dilej në shtegun e kalimit.

E vetmja kullë rrethore ndodhet në një kthesë 120 gradëshe të murit, ku flankimi me kullë drejtkëndëshe do të qe i pa efektshëm. Prej hyrjeve të qytetit të sipërm njihen 8,3 tangenciale, 3 skajore, në cepat ku muret kthehen me 90°, dhe dy të vogla ballore. Në veri, ku terreni nuk siguron mbrojtje natyrale, hyrja ndodhet midis dy kullave ndërsa porta e tërhequr në 2/3 e thellësisë së korridorit.

Skema funksionale e hyijeve, përjashtuar një rast të vetëm, është me porta dy kanatesh, me flegra që rrotullohen në boshte metalike pas kasës së drunjtë, të bllokuara nga hapja para prej një blloku guri në mes dhe nga pas prej katarahut. Nga qyteti i poshtëm njihen 2 hyqe ballore të mbrojtura prej kullave anësore. Kompleksi i hyrjes jugore (24 x 17 m), një nga shembujt më të arritur të arkitekturës ushtarake, ndodhet në terren të rrafshët, i ekspozuar ndaj goditjeve.

Korridori i saj (6 x 17 m) ngjishet midis 2 kullave të jashtme, 9 x 9 m përfshirë zgjerimin mbi kurtinën, dhe 2 kullave të brendshme (7x7 m). Korridori i saj është pajisur me dy porta, prej të cilave e para, portë-kullsë, në një linjë me kurtinën. E dyta, dykanatëshe. e siguruar me katarah nga kulla e brendshme. Ky sistem krijonte një oborr të fortifikuar (6 x 6,4 m) (zvingulum, barbacan) i cili nëpërmjet lëshimit të menjëhershëm të portës-kulisë i kapte sulmuesit në grackën e zvingulum-it të ngushtë.

Kurtinat, gjerësia e të cilave lëviz nga 3,2 - 3,5 m në vartësi të terrenit, përbëhen prej dy këmishëve anësore të lidhura tërthor (4 - 5 m) me njëra - tjetrën dhe emplecton-it me gurë të papunuar dhe kryesisht çakëll të dalë nga përpunimi i blloqeve. Këmishët mbështeten në shkëmbin natyral ose, kur ky është nën taban, në një themel me blloqe, rreth 0.3 m më të gjerë, të rrafshuar sipër në formë foleje për të shmangur shkarjen. Lidhja tërthore mbështetet gjithaq mbi një themel prej blloqesh të papunuar.

Kurtinat janë ndërtuar me blloqe prej gëlqerori (rreth 0,6 -1,5 x 0,4 - 0,6). Faqet e bashkimit janë latuar mjaft mirë, ndërsa balli është punuar i mysët, me çekan. Masa më e madhe e blloqeve (rreth 90 %) ka formë katërkëndëshe, kryesisht trapezoidale. Por faqet e tyre rrallë herë janë paralele dhe nuk mungojnë kllapëzimet. Si pasojë fugat horizontale shpesh ndërpriten ose vijojnë të valëzuara.

Blloqet poligonale hasen në terrenet e pjerrëta, ku nivelojnë gropëzimet, në takimin e kurtinave me kullat dhe meset e kurtinave të gjata ku luajnë rolin e çemierave për balancimin e forcave: Në kurtinat e gjata linja e fugave horizontale vijon e pjerrur nga të dy anët në formë V-je, duke neutralizuar ndërsjellas në pikën e takimit, ku muratura është poligonale, ngarkesat statike dhe dinamike, të tërmeteve dhe goditjeve nga predhat.

Në terrenet me pjerrësi të madhe, për shmangien e shkarjes, blloqet vendosen me 8-12° kundrapendencë ndaj terrenit. Nga ana e brendshme e kurtinave terreni i pjerrët është niveluar me gurë e çakëll, çka e rrit rezistencën ndaj goditjeve dhe krijon një rragë kalimi bri mureve. Fazës së dytë, kapërcyellit shek. IV-III p. e. sonë, i përkasin rindërtimi i murit ndarës të qytetit të sipërm e të poshtëm, gjasisht i shkarë nga terreni i pastabilizuar, akropoli dhe disa meremetime pjesore hyrjesh.

Muri ndarës (1,80 m) përbëhet nga xokoli i gurtë, 2,2-3,2 m i lartë i shkallëzuar sipas terrenit, me blloqe të latuara në formë kryesisht trapezoidale (0,8xl,4x0,5m) me faqe të rrafshëta që janë pajisur me vija peshimi në skajet. Kurtinat përshkohen nga kanali i largimit të ujit, i cili del jashtë në formë lugu. Nga pas murit i mbështeten në varg mbi 25 ambiente qëndrimi për gamizonin të cilët njëkohësisht kontrafortonin murin. Shkallët për në shtegun e luftimit (5,5 x 2 m), të inkorporuara në vargun e ambienteve, tregojnë se lartësia e murit nga brenda ka qenë 5, 5 m dhe nga jashtë 7 m. Kjo lartësi tregon se ambientet (4,8 x 7, 2 m) mbuloheshin me tarracë.

Muri i kësaj ane përshkohej nga dy hyrje, njëra tangenciale dykanatëshe dhe tjetra e vogël, ballore. Muri përforcohej në mes prej një kulle (9,6 x 6,4 m). Kësaj faze i përket dhe rindërtimi i akropolit, traseja e të cilit përkon me trasenë e kështjellës mesjetare. Në mes të anës lindore ndodhet një daIje në trajtë bastioni, ndërsa nga ana veriore muret përforcoheshin me një kullë të fuqishme gjysmë-rrethore (12 m).

Urbanistika

Gjurmët e ndërtimeve në shpatet e kodrës janë të pakta. Në të kundërt në qytetin e poshtëm ato ruhen mirë. Nekropoli i qytetit gjendet në rrëzë të shpatit jugperëndimor, 300 m larg mureve.

Gjetjet arkeologjike

Dish of Apulian production, found in the necropolis of Lissus.
Middle of the 3-rd centry BC
Përkrenare bronzi ilire, e gjetur në Dushk (Lushnjë), fundi i shekullit të III p.e.sonë

Në blloqet e rrethimit antik janë gjetur dy mbishkrime të gdhendura si tabula ansata. Në to përmendet L(ucius) Gaviarius, duumvir quinquen-nales dhe Augur i Lisit, i cili pati ribërë bashkë me dumvirin Gai Jul Meges-in, për 3500 sesterca (por(tam) et turrim ex d(ecreto d(ecurionum) d(e) p(ropria) p(ecunia) reficiu(ndas) coeraverunt ei-demque pr(o)baverunt, conslat sestertium trium milium quingentorum CIL 3 1704).

info@balkancultureheritage.com