Kartagjenasit po ashtu dhe romakët e konsideronin këtë ballafaqim të ri ushtarak si luftë vendimtare. Tanimë shtrohej çështja: cili do të bëhej zot në Mesdhe, Kartagjena apo Roma ?
Duke e vlerësuar si të tillë, senati romak kishte përpunuar një plan të detajuar goditjesh të kombinuara kundër Kartagjenës. Sipas këtij plani, një ushtri romake e komanduar nga konsulli i këtij viti 218, Publ Skipioni, do të zbarkonte në Spanjë, kurse një ushtri tjetër e drejtuar nga kolegu i tij, Semprion Longo, do të dërgohej në Afrikë.
Në këtë mënyrë, Hanibali u izolua nga metropoli dhe Kartagjena nuk do të mund të ndihmohej nga Hanibali. Por, sido që ky plan ishte menduar hollë, përballë një strategu e takticieni të madh, siç ishte Hanibali, më pas ai dështoi. Kundërveprimet energjike, të ndërmara në kohën e duhur nga Hanibali i prishën llogaritë e Romës. Gjenerali kartagjenas nuk u la kohë romakëve të vepronin si të donin.
Si ushtarak i kalibrit të lartë që ishte, Hanibali e kishte të qartë se mbrojtja më e mirë ishte sulmi, prandaj vendosi që luftën ta shpëmgulte nga Spanja në Romë. Për këtë, në fillim të majit të vitit 218 p.e.s., ai nisi marshimin e madh nga Kartagjena e Re për në Itali, duke ndjekur rrjedhjen e lumit Rodan (Ronës së sotme). Në një segment të caktuar të rrugës buzë lumit, ai u ndesh me ushtrinë e Skipionit, e cila po shkonte për në Spanjë, dhe mundi ta anashkalonte. Romakët nuk ditën ta ndalonin lëvizjen e ushtrisë kundërshtare, madje as kur ajo kaloi lumin, që u “shërbeu” si aleat natyror.
Afër mesit të shtatorit 218 p.e.s. ushtria e Hanibalit arriti në Alpet e Europës. Kalimi i tyre ishte një provë tepër e rëndë, për shkak të terrenit shumë të thyer, të dëborës që binte, të ortekëve të papritura, të akujve malorë etj. Elefantët, kuajt e njerëzit rrëshqisnin dhe binin në greminë. Pas 33 ditë udhëtimi nëpër Alpe, ushtria e rraskapitur zbriti në luginën pjellore të lumit Pad.
Qëllimi i marshimit u arrit, por me një çmim jashtëzakonisht të shtrenjtë. Në qoftë se në fillim të marshimit ushtria kartagjenase përbëhej prej 80 mijë këmbësorësh, 10 mijë kalorësish e 37 elefantësh lufte, tanimë kishin mbetur vetëm 20 mijë këmbësorë, 6 mijë kalorës dhe disa elefantë. Humbje kaq të madhe Hanibali nuk kishte pësuar ’kurrë dhe nuk do të pësonte ndonjëherë. Sigurisht, ai i kishte marrë parasysh edhe dëmet, por nuk i kish përfytyruar në përmasa të tilla.
Si e çlodhi ushtrinë dhe i plotësoi radhët e saj me detashmente të reja, që rekrutoi nga popullsia gale, Hanibali e vuri atë në gjendje gatishmërie. Në dy betejat e para që zhvilloi me romakët në fund të vitit 218 p.e.s. pranë lumenjve Ticina dhe Trebia (degë të lumit Pad), ai i shkatërroi trupat e konsujve të këtij viti Publ Skipionit e Semprion Longos. Tanimë gjithë Galia Cizalpine kontrollohej nga kartagjenasit.
Pas këtyre disfatave, dy ushtritë romake, nën komandën e konsujve të vitit 217 p.e.s. u vunë në ndjekje të ushtrisë kartagjenase dhe i zunë pritë në jug të qytetit të Arrecit në Etruri. Hanibali iu shmang darës së rrethimit dhe i kaloi trupat e veta nëpër moçalishtet e lumit Amo, që konsideroheshin të pakalueshme. Për tri net e katër ditë ushtria kartagjenase marshoi nëpër to (në vende të caktuara, uji arrinte deri në gjoks). Asaj iu desh të përballonte sakrifica të rënda; shumë prej kuajve u mbytën ose mbetën në llucën e kënetës. Ushtarët mund të pushonin vetëm mbi kufomat e kafshëve të ngordhura, ndërsa vetë Hanibali udhëtonte mbi të vetmin elefant që i kishte mbetur akoma. Pavarësisht nga këto peripeci të mundimshme, kartagjenasit dolën në shpinë të ushtrisë romake dhe zunë rrugën që të shpinte në Romë.
Manovra e shkëlqyer taktike e ushtrisë kartagjenase aq sa e habiti, aq dhe e tmerroi konsullin romak Gai Flaminin, i cili me ushtrinë që drejtonte u vu në ndjekje të armikut. Në fakt ai viktimë e taktikës së kundërshtarit. Hanibali e tërhoqi atë në pritën e organizuar me kujdes në luginën e ngushtë që ndodhej midis liqenit Trazimen dhe kodrave përreth. Kur trupat romake hynë në luginën e veshur me pyje, njësitë e ushtrisë kartagjenase, duke pasur si pikënisje kodrat ë liqenit, u vërsulën mbi to dhe bënë kërdinë. Pothuajse gjithë ushtria romake dhe komandanti i saj Gai Flamini ranë në fushën e betejës. Kjo betejë u zhvillua më 21 qershor të vitit 217 p.e.s.
Tanimë rruga për në Romë ishte plotësisht e hapur. Në këto kushte senati shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Kuint Fab Maksimi u emërua diktator. Kudo u ngritën fortifikata të shumta; u krye mobilizimi i përgjithshëm i popullsisë romake për luftë. Megjithëse rruga për në Romë ishte e hapur, Hanibali nuk hyri në kryeqendrën e Italisë. Ai zgjodhi një rrugë tjetër: doli në bregdetin e detit Adriatik me qëllim që të tërhiqte fiset italike të asaj zone dhe ta çlodhte ushtrinë e vet.
Për sa i përket diktatorit romak, Kuint Fab Maksimit, ai ishte i pari prej gjeneralëve romakë, që u vu në kërkim të gjetjes së mënyrave të reja për zhvillimin e luftës. Kështu, ai u shmangej betejave të mëdha dhe luftës frontale, me qëllim që ta rraskapiste armikun përmes luftimesh të vogla në krahë e shpinë të tij. Por taktika e Maksimit nuk u prit mirë.
Veçanërisht e pakënaqur mbeti fshatarësia romake dhe ajo italike, sepse një taktikë e tillë çonte në zgjatjen e luftës, në prishjen e të mbjellave dhe, për rrjedhojë, në rrënimin ekonomik të pronarëve të vegjël e të mesëm të tokave. Dhe pikërisht për këto, gjeneralit romak i vunë nofkën “Kunktator”, që do të thotë “I ngadalshmi”. Por në fakt kjo ishte e vetmja taktikë e drejtë dhe këtë drejtësi e vërtetoi koha.
Në vitin 216 p.e.s. konsuj u zgjodhën Gai Terenc Varroni dhe Luc Emil Pauli, të cilët, si për të sfiduar Kuint Fab Maksimin, ndoqën një metodë krejt të kundërt me atë që kishte ndjekur “1 ngadalshmi”. Duke qenë partizanë të taktikës sulmuese e të “luftës-rrufe”, si dhe duke dashur t’i lanin hesapet sa më shpejt me Hanibalin, konsujt e rinj i imponuan atij betejën vendimtare.
Kështu, më 2 gusht të vitit 216 p.e.s. trupat romake prej 80 mijë këmbësorësh e 6 mijë kalorësish u ndeshën në Kanë pranë Apulias me forcat dy herë më të pakta të Hanibalit.
Beteja e famshme e Kanës përfundoi me disfatë të tmerrshme për romakët. Ushtria e tyre u shpartallua tërësisht, më se 70 mijë veta u vranë, bashkë me ta dhe Emil Pauli, kurse Terenc Varroni mezi mundi të shpëtonte kokën. Kjo disfatë e çoi Romën në prag të një katastrofës fatale. Megjithatë senati dhe strukturat e tjera të shtetit romak ditën ta përballonin situatëh tepër kritike. Të gjitha burimet ekonomike e ushtarake u vunë në shërbim të luftës, u mobilizuan tërë rezervat e mundshme ushtarake, duke përfshirë këtu dhe skllevërit. Nga kontingjenti i skllevërve të transportit të armëve u krijuan dy legjione të reja, të cilat duhej të bashkëvepronin me legjionet e tjera për mbrojtjen me çdo kusht të portave të kryeqytetit.
Në këtë kuadër, senati e rishikoi politikën ndaj aleatëve italikë, me qëllim që të mos lejonte largimin e mëtejshëm të tyre. Gjithashtu qeveria romake mori masa konkrete për të penguar depërtimin në Itali të ndihmave ekonomike apo përforcimeve ushtarake nga Kartagjena dhe kolonitë e saj në Mesdhe. Për më tepër, ajo filloi t’i përdorte forcat e saj ushtarake në mënyrë racionale dhe jo si mish për top, siç kishte ndodhur deri atëherë, të paktën në luftërat me Hanibalin.
Fitorja e shkëlqyer e Hanibalit në Kanë pati jehonë të gjerë brenda e jashtë Gadishullit Italik. Në Veri ngritën krye galët, të cilët e shkatërruan ushtrinë romake të komanduar nga konsulli Postum Albini. Në anën e Hanibalit kaloi pothuajse gjithë Jugu i Italisë: samnitët, lukanët, apulët, brutët etj. Me përjashtim të Neapolit (Napolit), kështu ndodhi dhe me të gjitha qytetet helene të Magna Grecias. Veç këtyre, me kartagjenasit u bashkua edhe qyteti i Kapuas, i cili ishte qyteti i dytë për nga madhësia e rëndësia, pas Romës. Në dispozicion të Hanibalit tanimë ishte pjesa dërrmuese e bregdetit të Italisë dhe kjo i dha atij mundësinë të lidhej me metropolin përmes detit.
Pas fitores në Kanë, flota kartagjenase prej 25 mijë ushtarësh zbarkoi në Sicili, pushtoi Akragantin dhe mbështeti kryengritjen antiromake në Sirakuzë, e cila në vitin 214 p.e.s. hyri në aleancë me kartagjenasit. Së fundi, kështu veproi edhe mbreti i Maqedonisë, Filipi V, i cili sulmoi zotërimet romake në Iliri.
Kana i dha një mësim të mirë Romës edhe në aspektin e strategjisë dhe të taktikës ushtarake. Strategët e saj hoqën dorë nga ballafaqimi frontal, betejat vendimtare dhe nga e ashtuquajtura “luftë- rrufe” me Hanibalin. Taktika e ndjekur në vitit 217 p.e.s.nga diktatori Kuint Fab Maksimin, e cila ishte përfolur dhe injoruar aq shumë, tashmë u pranua nga të gjithë si modeli i taktikës që duhej përdorur në të ardhmen. Ndërkohë vetë Kuint Fab Maksimin, i cilësuar më parë, jo pa ironi e tallje, si “Kunktator”, senati e nderoi me titullin “I jashtëzakonshmi” dhe e zgjodhi përsëri konsull. Për rrjedhojë, taktika e asgjësimit të armikut pjesë-pjesë mori përparësi absolute.
Kjo metodë lufte doli aq e suksesshme, saqë u dha mundësi romakëve të realizonin planin e tyre strategjik (i hartuar që në fillim të luftës) dhe ta zhvendosnin qendrën e gravitetit të veprimeve ushtarake jashtë Italisë.
Në shërbim të kësaj strategjie, diplomacia filloi të luante rol më aktiv. Ajo vuri në vepnm tërë arsenalin e vet, gjithë forcat dhe mjetet e saj. Kundër Filipit V, i cili në vitin 215 p.e.s. ishte angazhuar seriozisht për të dëbuar romakët nga tokat e pushtuara në Iliri, ajo krijoi një koalicion të gjerë, ku bënin pjesë; Lidhja Etole, Sparta, Mesenia dhe disa polise të tjera greke. Më pas në këtë koalicion antimaqedonas hyri dhe mbreti i Pergamit, Atali I.
Gjithashtu sukses i diplomacisë romake ishte edhe intensifikimi i sulmeve të fiseve luftarake ilire e trakase në kufijtë veriorë e lindorë të Maqedonisë, që e detyruan Filipin V të hynte në bisedime me Romën dhe në vitin 205 p.e.s. të bënte paqe me të.
Sipas Traktatit të paqes, romakët i lëshuan Filipit V disa territore në Iliri. Në pamje të parë duket se në këtë mes romakët humbën, por edhe në këtë rast ata dolën palë e fituar, sepse luftën e transferuan në Greqi. Veç kësaj, ajo çka është edhe më e rëndësishme, romakët evituan veprimet luftarake të Filipit V në Itali, që do të ishte me pasoja serioze për të. Në këtë mënyrë diplomacia romake ia hoqi Hanibalit mundësinë e përfitimit nga ndihma aktive e aleatit të tij maqedonas.
Këto fitore diplomatike dhe ushtarake romakët i përforcuan në luftën për rimarrjen e Sicilisë, ku ata dërguan forca të shumta ushtarake me në krye konsullin Mark Klaud Marçelini, i cili në vitin 213 p.e.s. rrethoi Sirakuzën.
Marrja e Sirakuzës nuk ishte e lehtë, sepse qyteti kishte gjithçka të nevojshme për mbrojtje efektive dhe vetë Sirakuza ishte jo vetëm një nga poliset helene më të zhvilluara nga pikëpamja ekonomike e kulturore në Sicili, por edhe një prej qendrave më të përparuara të shkencës e të teknikës të kësaj kohe.
Në luftën për mbrojtjen e Sirakuzës mori pjesë aktive dhe dha kontrubutin e vet të vyer edhe fizikani e matematikani i famshëm i antikitetit, Arkimendi. Shkencëtari i madh kishte shpikur një mekanizëm modem lufte, funksionimi i të cilit bazohej në shfrytëzimin e energjisë diellore, përmes sistemit të pasqyrave konkave. Kur energjia diellore e përqendruar në këto pasqyra rrezatonte mbi një objekt të caktuar, shkaktonte djegien e tij.
Kështu, dhjetëra anije luftarake që hynë fillimisht në portin e Sirakuzës, u përvëluan nga flakët e shkaktuara nga ky mekanizëm, prandaj romakët mezi mundën ta pushtonin Sirakuzën. Këtë e arritën në vitin 211 p.e.s., jo me anë të forcës ushtarake, por për shkak të urisë që solli rrethimi i gjatë prej më se një viti e gjysmë.
Pas rënies së Akragantit, një vit më vonë, romakët e zotëruan të gjithë Sicilinë. Në këtë mënyrë Sicilia përsëri u bë provincë romake.
Në vazhdën e këtyre luftërave fitimtare jashtë Italisë, radha i erdhi Spanjës. Si komandant të ushtrisë romake në Spanjë senati caktoi një nga strategët më të talentuar të Romës, Publ Komel Skipionin, i cili pas një lufte të ashpër me trupat kartagjenase, që kishin mbetur atje, shtiu në dorë, në vitin 209 p.e.s., bazën kryesore të kartagjenasve në Spanjë, “Kartagjenën e Re”. Skipioni i ri, ndonëse 24 vjeç, e konfirmoi veten si rival i denjë i Hanibalit. Në Spanjë ai nuk shkëlqeu vetëm si strateg ushtarak, por edhe si diplomat i shkathët.
Nën drejtimin e tij, ushtria romake, në bashkëpunim me fiset iberike, mori dhe pikëmbështetjet e tjera të sundimit kartagjenas në Spanjë. Pushtimet e Skipionit të ri i bënë romakët zot të pjesës jugore të Gadishullit Iberik.
Po kaq e suksesshme ishte kundërmësymja romake edhe në Itali. Në vitin 212 p.e.s. ushtria romake rrethoi qytetin e Kapuas. Duke shpresuar në ndihmën e Hanibalit, qyteti nuk u dorëzua.
Në vjeshtën e vitit 211 p.e.s. ai tentoi ta ndihmonte aleatin e vet, por pa rezultat. Romakët ishin pozicionuar mirë në fortifikata të forta. I bindur se me anën e forcës nuk mund ta thyente rezistencën e armikut, Hanibali bëri sikur marshoi drejt Romës. Ai mendonte se romakët do të hiqnin dorë nga rrethimi i Kapuas, për t’i shkuar në ndihmë kryeqytetit, por, me sa duket, ata e kuptuan dinakërinë e kartagjenasit të madh dhe nuk lëvizën asnjë hap, madje e ngushtuan edhe më shumë unazën e rrethimit.
Sido që marshimi drejt Romës ishte fals, ai ngjalli frikë, tmerr e panik të paparë në Romë. Për ditë e ditë të tëra klithma ogurzezë: “Hannibal ante portas"* qarkulloi si fantazma e vdekjes në çdo lagje, në çdo rrugë e shtëpi të popullsisë së çakërdisur të Romës së atëhershme.
Pasi qëndroi pak kohë përballë Romës, Hanibali u largua fillimisht për në Kampania dhe mandej u drejtua për në Italinë Jugore. Fili pas largimit të tij, qyteti i Kapuas u detyrua të kapitullonte dhe romakët u hakmorën egërsisht ndaj banorëve të tij.
Rënia e Kapuas tronditi rëndë autoritetin e Hanibalit në sytë e aleatëve të tij italikë. Në gjendjen shpirtërore e psikologjike të tyre filloi të kryhej një kthesë e vërtetë.
Duke parë disfatat e Kartagjenës dhe fitoret e Romës, aleatët preferuan të kalonin në anën e më të fortit. Qytet pas qyteti dhe fis pas fisi, italikët nisën të shkëputeshin nga Hanibali, i cili në ato momente kritike u kërkoi përforcime autoriteteve shtetërore të vendit të tij, por qeveria kartagjenase e bëri veshin të shurdhët. Ajo trembej se mos Hanibali, pas fitores ndaj Romës, do të uzurponte pushtetin dhe do të vendoste monarkinë në Kartagjenë.
Në këto rrethana, Hanibali iu drejtua të vëllait, Hazdrubalit, që t’i vinte në ndihmë me trupat e tij, të cilat kishin mbetur në Spanjë.
Që nga ajo kohë kjo shprehje ka hyrë në galerinë e fjalëve të urta popullore, për të treguar rrezikun që i kanoset një shteti nga jashtë.
Mirëpo romakët arritën ta shtinin në dorë letrën që Hazdrubali i dërgonte Hanibalit, ku e njoftonte se po nisej. Pasi kapërceu Alpet, ai zbriti në Italinë Veriore, por më tej nuk mundi të vazhdonte, për shkak se aty romakët e informuar që më parë, i kishin zënë pritë dhe e asgjësuan së bashku me trupat e tij.
Ndërkaq Hanibali priste lajme të mira nga i vëllai, por më kot. Vetëm kur romakët hodhën në kampin e tij kokën e Hazdrubalit, ai e kuptoi se çfarë kishte ngjarë dhe iu shua shpresa e fundit për ta fituar luftën. Roma zotëroi tërë Italinë.
Tanimë që shteti romak rivendosi status quo brenda dhe jashtë Italisë, lufta midis Romës dhe Kartagjenës hyri në fazën finale. Në vitin 205 p.e.s. filloi realizimi i hallkës së fundit të planit strategjik të romakëve. Mbasi përfunduan përgatitjet e gjithanshme për ofensivën e përgjithshme, ata ndërmorën marshimin për në Afrikë, i cili ishte kurorëzim logjik i luftës që ndërkohë ishte fituar.
Kur ushtria romake zbarkoi në Afrikën Veriore, qeveria kartagjenase i bëri thirrje Hanibalit që ta linte Italinë Jugore dhe të kthehej urgjentisht në Kartagjenë. Strategu i madh u kthye menjëherë, jo se iu bind qeverisë që e pati braktisur, por për t’i dalë zot atdheut kur kishte nevojë dhe ishte në rrezik.
Në betejën që u zhvillua në pranverën e vitit 202 p.e.s., pranë lokalitetit Zama të Kartagjenës Jugore, në njëfarë mënyre, ndonëse në përmasa më të vogla, u përsërit beteja e famshme e Kanës, veçse kësaj radhe ndodhi krejt e kundërta: nuk fitoi ushtria kartagjenase, por ajo romake; në vend të Hanibalit fitoi Skipioni. Për heroin e madh kartagjenas disfata në betejën e Zamës ishte humbja e parë dhe njëkohësisht e fundit në karrierën e tij ushtarake si strateg.
Një vit më vonë Roma i diktoi Kartagjenës kushtet e Traktatit të paqes, të cilat ishin tepër të rënda dhe poshtëruese për kartagjenasit. Ata i humbisnin të gjitha zotërimet e tyre përtej detit, midis të cilave edhe Spanjën. Gjithashtu kartagjenasve u ndalohej të bënin luftë në Afrikë, madje dhe me fiset fqinje, pa lejen e senatit romak. Veç këtyre, Kartagjena duhet t’i dorëzonte Romës gjithë flotën e saj luftarake prej 500 anijesh, si dhe t’i paguante gjatë 50 vjetëve një haraç të lartë prej 10 mijë talantash.
Për nder të fitores mbi Kartagjenën, ngadhënjimtari i Hanibalit, P. K. Skipioni u pagëzua me emrin “Afrikani”.