Nja njëzet vjet pas luftës së parë romake-dalmate, romakët ndërmorën aksionin vendimtar kundër ardiejve dhe fqinjëve të tyre, plerejve. Ardiejt, të cilët në kohën e lulëzimit të shtetit ilir luajtën rolin dominues (Polibi, Livi, e autorë të tjerë antikë përmendin se disa nga sundimtarët ilirë sipas përkatësisë fisnore ishin ardiej), pas rënies së Gencit u shtynë në bregun e djathtë të Neretvës. Mirëpo, ata vazhduan përsëri zejen e tyre të luftës - piraterinë, për çka patën punë shumë herë me Romën gjithnjë e më të fortë dhe gjithnjë e më të pranishme në Ballkan. Ata tani sulmojnë bile edhe ato vise të cilat tashmë gjendeshin nën sundimin romak, prandaj kjo edhe shkaktoi reagimin e Romës. Dhe vërtet këtë reaksion të Romës nuk u desh shumë të presin. Në vitin 135 para e.re. konsulli Serv Fulv Flaku në krye të 10.000 këmbësorëve dhe të 600 kalorësve sulmoi qendrat e tyre dhe theu rezistencën e tyre. Për të penguar piraterinë e tyre të mëtejshme romakët i transferuan në brendësi dhe, si na njofton Straboni, i detyruan të merren me bujqësi. Të pamësuar me mënyrën e re të jetës dhe për shkak të klimës së ashpër ata vdiqën dalëngadalë dhe në kohën e Pliniut Plak (shek. I para e.re.) i cili shkruan për ta, kishin mbetur ende fare pak.