Gjatë armëpushimit 4-vjeçar, Nadir Shahu arriti një sukses të rëndësishëm gjatë fushatave të tij në Indi. Në vitin 1156/1743, ai sulmoi territorin osman, ku u përfshi dhe Kirkuku dhe Bag-dadi. Por, sulmi i tij në kështjellën Mevsil (Mosul) u zmbraps nga Hysejin Pasha, dhe iranianët pësuan humbje në radhët e ushtrisë së tyre, rreth 6.000 ushtarë të vdekur. Në vitin 1158/1745, Nadir Shahu, u zu në një pozicion të vështirë midis territorit të Karsit dhe Revanit, nga Jegen (Yegen) Mehmed Pasha por shumë shpejt ai arriti ta kapërcente këtë vështirësi, për shkak të vdekjes së papritur të komandantit të ushtrisë os-mane dhe pështjellimit e rrëmujës që pasoi në radhët e ushtrisë së tyre. Megjithatë, me caktimin e Hekimogllu Ali Pashait si serdar (komandant i ushtrisë) në frontin lindor, Nadir Shahu kërkoi paqen, që u vendos nëpërmjet një, traktati në vitin 1159/1746. Sipas traktatit, kufiri midis Devletit Sublim Osman dhe Persisë do të qëndronte aty ku kishte qenë që në kohën e Sulltan Muradit IV.
Sulltan Mahmudi I, i cili ndërroi jetë në Safer 1168/nëntor 1754, kishte synuar fuqizimin dhe rritjen e autoritetit të ushtrisë osmane. Gjatë sundimit të tij, i mirënjohuri Klod Aleksandër Kont dë Boneval (Claude Alaxandre Comte de Bonneval) (1675-1747), që u bë i famshëm pas konvertimit të tij në musliman dhe mori emrin Humbaraxhë Ahmed Pasha, hyri në shërbimin osman dhe i shërbeu Islamit në mënyrë të shkëlqyer. Devleti Sublim Osman kishte pasur një njësi ushtarake, të quajtur humbaraxhë, prej 300 ushtarësh, që shërbenin në kështjella. Humbaraxhë Ahmed Pasha krijoi një njësi tjetër humbaraxhë prej 300 vetash, të cilët i solli nga Bosnja nën urdhrin e sadrazamit, dhe mori përsipër stërvitjen dhe administrimin e tyre.