Lufta për ekzistencë dhe ripërtëritja e Shtetit Bizantin 610-711
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Lufta për ekzistencë dhe ripërtëritja e Shtetit Bizantin 610-711

~Georg Ostrogorski

Pas lulëzimit të jetës letrare në kohën e Justinianit, nga shekulli VII fillon një periudhë e varfër letrare, që për këtë arsye quhet shpesh herë si periudhë e errët e Bizantit. Në fakt, asnjë epokë e historisë bizantine nuk është aq e mangët në burime sa shekujt VII e VIII, që fillojnë më së pari me vitet e sundimit të Heraklit.

Georg Pisida, dhjak, shevofylaks e hartofylaks (intendent e sekretar) i Shën Sofisë në kohën e patrikut Sergj (610-639), u këndoi bëmave të Heraklit. Ishte një poet me vlera (bizantinët e krahasuan më vonë me Euripidin) e ndër të tjera shkroi poema me subjekt historik në trimetër jambik. Veçanërisht të rëndësishme, edhe pse me stil të theksuar retorik, janë poema mbi fushatën e Heraklit kundër persëve në vitin 622, ajo mbi agresionin e avarëve kundër Kostandinopojës më 626 dhe panegjiriku Heraklias, që i thur lavde fitores mbi perandorinë persiane. Për rrethimin avaro-sllav të Kostandinopojës më 626 bën fjalë në mënyrë të veçantë edhe një fjalim i Teodor Sincelit që, ashtu si Pisida, shkroi në kohën e Heraklit dhe qe shevofylaks dhe presbyter i Shën Sofisë. Bashkëkohës i Heraklit dhe njeri i besuar i patrikut Sergj ishte edhe autori i së ashtuquajturës Kronikë e Pashkëve (Chronikon Paschale). Vepra konsiston në një kronologji të pajisur me një koment historik, që fillon nga kohët e Adamit e përfundon në vitin 629. Por tek ne vepra nuk ka mbërritur e plotë, ajo ndalet në vitin 627. Për sa i përket vlerës, vetëm pjesa e fundit që fillon me vdekjen e Mauricit ka njëfarë rëndësie.

Burimet më të rëndësishme për periudhën e Heraklit dhe të vetmet burime në greqisht për periudhën e pasardhësve të tij, janë dy kronikat e Teofanit e të patrikut Niqifor. Kronika e murgut Teofan, shkruar midis viteve 810 e 814, është një vazhdim i kronikës universale të papërfunduar Georg Sincelit. Teofani e fillon tregimin nga pika ku e kishte lënë Sinceli, d.m.th. nga periudha e Dioklecianit, dhe e përfundon paksa pas ardhjes në fuqi të Leonit V, duke përfshirë kështu periudhën nga 284 më 813? Teofani lë shumë për të dëshiruar në pikëpamje të metodës, të qartësisë e të objektivitetit historik. Por vepra e tij, që mbështetet në burime më të hershme, ka një rëndësi të jashtëzakonshme sidomos për shekujt VII e VIII. Karakteristike për kronikën e Teofanit është sistemi kronologjik, i përpunuar me kujdes, që përbën bazën e kronologjisë bizantine për dy shekujt e errët. Tregimi është ndërtuar në mënyrë analistike, kronika e çdo viti paraprakisht nga tabela sinoptike, ku, krahas vitit nga krijimi i botës dhe nga lindja e Krishtit paraqitet jo vetëm, viti i sundimit të perandorit bizantin, por dhe ai i perandorit persian, i kalifit arab, i papës dhe i katër patrikëve. Bashkë me vitin (sipas kronologjisë aleksandrine që llogarit 5492 vjet nga krijimi i botës tek lindja e Krishtit), Teofani jep edhe kronologjinë sipas ciklit të indiksionit, edhe pse pjesa më e madhe e pjesëve nuk e jep qartë vitin e indiksionit. Duke theksuar, sidoqoftë, që për periudhën nga viti 6102 prej krijimit të botës (609-610 pas Krishtit), e deri më 6225 (772- 773) me përjashtim të periudhës nga 6207 më 6218 (713/715-725/726), për shkak të një gabimi në ndarjen e materialit, shifra e vitit nga krijimi i botës mbetet një vit më pak në raport me vitin e indiksionit të treguar ose që kuptohet. Sidoqoftë, viti i indiksionit që jep Teofani është i saktë, me kusht që kur përdorim kronologjinë e tij duhet t'i shtojmë një vit shifrës së dhënë prej tij. Kronika e Teofanit gëzoi një prestigj të madh në Bizant dhe formoi pikënisjen e gjithë analistikës së mëvonshme. Në dhjetëvjeçarin e tetë të shek. IX ajo u përkthye në latinisht nga bibliotekari i papës, Anastasi, dhe kështu u bë e njohur edhe në Perëndim. Ky përkthim ka një vlerë të veçantë për bizantinistikën moderne, pasi është bërë mbi bazën e një teksti më të hershëm nga të gjithë dorëshkrimet e Teofanit që kanë mbërritur deri tek ne.

Niqifori, që ishte patrik i Kostandinopojës prej vitit 806 deri në fillim të konfliktit për ikonat, më 815, veç shumë veprave teologjike, shkroi edhe një histori të shkurtër që përfshin periudhën nga viti 602 në vitin 769, dhe pjesërisht mbështetet mbi po ato burime që përdori edhe Teofani dhe që ne nuk i njohim. Kronika e Niqiforit është më pak e hollësishme se ajo e Teofanit, por ka një vlerë historike thuajse po aq të madhe dhe shquhet për objektivitetin e saj. Në të kundërt, ka fare pak vlerë vepra tjetër e Niqiforit,  (përmbledhje kronologjike), që fillon me Adamin e përfundon me vitin 829, kur autori vdiq.

Mangësinë e burimeve bizantine e plotësojnë, në njëfarë mase, të dhënat që japin shkrimtarët lindorë. Pikë së pari duhet të përmendim veprën e peshkopit armen Sebeo, që shkroi një "Histori të Heraklit" aty nga viti 661. Subjekti qendror i veprës është historia e Heraklit dhe e kundërshtarit të tij të madh, Khusravit I; por përveç kësaj bëhet edhe një paraqitje e shkurtër e ngjarjeve të periudhës pararendëse, paskëtaj kronika vazhdon deri në hipjen në fron të Kalifit Muavija (661) dhe bën edhe një trajtim të veçantë të gjendjes kishtare në Armeni.

Në fund të shek. VII, peshkopi egjiptian Johani i Nikit, shkroi një kronikë universale, me mjaft rëndësi sidomos për periudhën e viteve të para të Heraklit. Fatkeqësisht kjo vepër na ka ardhur e cunguar dhe vetëm sipas një versioni të vonë etiopian. Të denja për t'u përmendur janë edhe disa kronika anonime siriane, bashkëkohëse e të mëvonshme, si dhe kronika e metropolit Elia nga Nisibi, që shfrytëzon kronika më të hershme, si dhe vepra e rëndësishme e Mihal Sirit.

Për historinë e dyndjeve sllave në Ballkan, kanë vlerë të madhe "Mrekullitë e Shën Dhimitrit" (Miracula Sancti Demetrii), ku sulmet e sllavëve dhe të avarëve kundër Selanikut, në fund të shek. VI, në fillim të shek. VII dhe në gjysmën e dytë të shek. VII, përshkruhen me vërtetësi të madhe dhe me mjaft hollësi. Kjo vepër hagiografike i plotëson së tepërmi njohuritë tona të pakta mbi jetën e sllavëve të jugut në atdheun e tyre të ri. Ajo përbëhet nga dy pjesë: e para u hartua rreth vitit 620 nga kryepeshkop Johan i Selanikut; pjesa e dytë u shkrua nga një nxënës i tij, në vitet 80-të të shek. VII. Pjesa e tretë, që iu bashkëngjit më vonë veprës, nuk ka vlerë historike.

Për historinë kishtare të kësaj periudhe, përveç akteve të koncilit VI ekumenik dhe Kuinisekstit, 14 janë veçanërisht të rëndësishme veprat e Maksim Rëfenjësit (Homologetes).

Shekulli VII është jashtëzakonisht i varfër dhe për sa i përket burimeve me karakter juridik. Sidoqoftë, kemi arsye të forta për t'ia atribuuar kësaj periudhe ligjin shumë të rëndësishëm mbi fshatarësinë. Me siguri absolute mund të themi vetëm se ai i përket shekujve VII ose VIII, por studiuesit përgjithësisht mendojnë se s'mund të jetë hartuar më vonë se gjysma e parë e shek. VIII. Ky dokument pas çdo gjase i përket shekullit VII, aq më tepër që në titull përmendet Justiniani II. Nuk duhet lënë pa përmendur edhe "Ligji mbi lundrimin e Rodit", një përmbledhje rregullash për lundrimin. Nuk mund të përcaktohet me saktësi data e hartimit të tij, por mund të pranohet me afërsi periudha midis viteve 600 e 800.

Lufta me persianët e avarët dhe vepra reformiste e Heraklit

Perandoria ishte në buzë të greminës kur në fron hipi një ndër perandorët më të mëdhenj të historisë bizantine, Herakli. Vendi kishte humbur çdo forcë ekonomike e financiare, mekanizmi i ndryshkur administrativ kishte mbetur në vend. Organizimi ushtarak, i mbështetur në rekrutimin e mercenarëve nuk funksiononte më pasi mungonin të hollat dhe burimet e dikurshme të të ardhurave për ushtrinë qenë shterur. Provincat qendrore të perandorisë, ishin pushtuar nga armiqtë: Gadishulli Ballkanik ishte pushtuar nga avarët dhe nga sllavët, ndërsa persianët kishin zënë vend në zemrën e Azisë së Vogël. Vetëm një ngjenerim i brendshëm mund ta shpëtonte perandorinë nga vdekja.

Dhe shpëtimi erdhi: Bizanti mundi të gjejë në vetvete forcat për të kryer një ripërtëritje të thellë shoqërore, politike e kulturore. Ndërkaq perandoria e drobitur dhe e varfëruar, siç qe, qëndronte e pafuqishme përballë sulmeve armike. Për mjaft kohë Herakli mendoi ta zhvendosë selinë e tij në Kartagjenë ku të përgatiste kundërofensivën. Në fakt nga Kartagjena kishte nisur edhe revolta kundër regjimit të terrorit të Fokës. Por nga njëra anë dëshpërimi që do të përfshinte popullsinë e Kostandinopojës pas një hapi të tillë dhe nga ana tjetër kundërshtimi i vendosur i patrikut Sergj, e detyruan perandorin të hiqte dorë nga mendimi i tij. Por vetë fakti që një plan i tillë i ideua, flet për gjendjen tejet të rëndë në Lindje e njëkohësisht për rëndësinë që i jepej provincave perëndimore.

Qysh në vitet e fundit të shek. VI u konstatuan vendosje të grupeve të veçanta sllave në Gadishullin Ballkanik. Në vitet e para të shek. VII, pas dështimit të ekspeditës danubiane të Mauricit, ngulitja e sllavëve filloi të zhvillohej në shkallë të gjerë. Hordhi të pakufishme sllavësh dhe avarësh u derdhën në gjithë Gadishullin Ballkanik, deri në brigjet e Adriatikut në perëndim e në ato të Detit Egje në jug e në lindje. Pas shkatërrimeve e plaçkitjeve të tmerrshme, pjesa më e madhe e avarëve u kthye përsëri përtej Danubit, ndërsa sllavët u vendosën në gadishull dhe zunë pjesë të territorit. Hegjemonia bizantine në Ballkan mori fund. Jo vetëm provincat danubiane, por dhe gjithë Maqedonia u pushtua nga mizoritë sllave, kurse Traka u shkretua deri në muret e Kostandinopojës. Veçanërisht të rrepta qenë sulmet kundër Selanikut, që u rrethua dhe u sulmua në mënyrë të përsëritur nga hordhitë sllave dhe avare. Qyteti rezistoi, por viset rreth e rrotull ranë në dorë të sl- lavëve; rryma sllavo-avare u lëshua në Thesali e vazhdoi poshtë, në Greqinë e mesme e deri në Peloponez. Prej këndej sllavët, që ishin marinarë të mirë, kapën ishujt grekë e mbërritën deri në Kretë. Me pasoja qenë inkursionet sllave dhe në Dalmaci. Rreth vitit 614 u shkatërrua Salona, qendra adminis- trative romako-bizantine në Dalmaci, e me këtë vulosej dhe fundi i sundimit e i kulturës bizantine në pjesën perëndimore të gadishullit. Përveç Salonës dhe qyteteve të tjera dalmate, në këtë kohë ra në duar të invazorëve dhe shumica e qyteteve të mëdha të pjesës brendshme të Gadishullit Ballkanik, si Singiduni (Beograd), Viminaci (Kostolac), Naisus (Nish), Serdica (Sofie). Të vetmet kështjella të fuqisë bizantine përveç Kostandinopojës që rezistonin në gadishull ishin Selaniku dhe qytetet e bregdetit Adriatik, si Zara (Zadar), Trau (Trogir) në veri; Budva, Shkodra e Lezha në jug.

Në gjithë shtrirjen e Ballkanit ndodhi një transformim rrënjësor etnik, aq më shumë që shtegtimet sllave vazhdonin. I gjithë gadishulli, deri në skajin e tij jugor, u përmbyt nga invazioni sllav. Por kjo nuk do të thotë se u krye një sllavizim i plotë e përfundimtar i viseve greke. Nga ana tjetër s'duhet harruar se Peloponezi për më shumë se dy shekuj mbeti në duart e sllavëve. Pak nga pak pushteti bizantin mundi të rivendosë kontrollin mbi Greqinë dhe mbi territoret e tjera bregdetare, e kështu këto vise ia dolën të ruajnë apo të rifitojnë karakterin grek të tyre. Nën trysninë e marshimit sllav, popullsitë vendase tërhiqeshin kudo në zonat bregdetare ose në ishujt e afërt dhe një gjë e tillë bëri të mundur më vonë që në zonat bregdetare jugore e lindore popullsia greke të forcohej dhe të fitonte dora-dorës epërsi mbi sllavët. E njëjta gjë ndodhte në viset bregdetare perëndimore për sa i përket popullsisë romane. Sidoqoftë edhe në këto zona mbetën infiltrime sllave. Pjesa më e madhe e Gadishullit Ballkanik e viset e brendshme në tërësinë e tyre u kthyen në një vend thjesht sllav, ku ligjin tashmë e bënin fiset e veçanta sllave. Ballkani bizantin u nda në "sklavini", emër me të cilin burimet bizantine quajnë tash e tutje terntoret e pushtuara nga sllavët e mbi të cilët Bizanti nuk ushtronte më asnjë pushtet.

Në të njëjtën kohë në Azinë e Vogël përparonin pushtimet persiane. Për një çast u arrit të dëbohej armiku nga Cezarea (611), por përpjekja bizantine për të organizuar një kundërofensivë në Armeni e në Siri, dështoi plotësisht. Më 613 armata perandorake pësoi një disfatë të bujshme afër Antiokesë e paskëtaj persianët shpërthyen në të gjithë frontin. Në jug ata pushtuan Damaskun kurse në veri hapën shtegun drejt Kilikisë e pushtuan fortesën e rëndësishme të Tarsit. Njëkohësisht, bizantinët u dëbuan nga Armenia. Më 614, qyteti i shenjtë i Jeruzalemit, pas tre javësh rrethimi të rreptë, ra në duart e persianëve. Ky qe një grusht i rëndë për moralin e të krishterëve. Për ditë të tëra qyteti i pushtuar u shkretua nga zjarret e nga vrasjet, kisha e Varrit të Shenjtë që ishte ndërtuar nga Konstandini i Madh u dogj. Gjithë kjo pati një efekt të madh demoralizues për Bizantin, aq më shumë që edhe relika më e çmuar, Kryqi i Shenjtë, kishte rënë në duart e invazorëve dhe u dërgua në Ktesifont. Më 615 pati sulme të reja në Azinë e Vogël dhe një divizion i armatës persiane përparoi deri në bregun e Bosforit. Kryeqyteti bizantin kërcënohej njëkohësisht në të dy krahët: nga Lindja sulmonin persianët, nga veriu sllavët dhe avarët. Në qershor të vitit 617, gjatë një takimi me khanin e avarëve në Heraklea, vetë perandori për pak u bë viktimë e një sulmi në befasi.25 Në pranverë të vitit 619 filloi pushtimi i Egjiptit dhe shumë shpejt kjo provincë, më e pasura e perandorisë, iu shkëput sundimit bizantin. Me këtë vihej në rrezik furnizimi me grurë i kryeqytetit bizantin.

Tashmë pothuaj gjithë Azia e Vogël ishte nënsundimin persian. Perandoria e vjetër e Akemenidëve dukej se u restaurua, ashtu si u duk sikur u restaurua në kohën e Justinianit perandoria e vjetër romake. Por për Persinë dekadenca dhe shembja erdhën më shpejt e më dhunshëm. Në ato vite të tmerrshme, kur hordhitë sllave dhe avare përshkonin tej për tej Gadishullin Ballkanik dhe persianët lëshoheshin mbi provincat lindore të perandorisë, Bizanti filloi të mbledhë e të konsolidojë fuqitë e tij. Njoftimet e rralla që na japin burimet na lejojnë të ndjekim vetëm në vija të trasha ndryshimet e thella që ndodhën atë kohë nëzhvillimine brendshëm të Perandorisë Bizantine. Gjithçka flet në favor të asaj që pikërisht në ato vite kritike struktura e ushtrisë dhe e administratës bizantine pësoi një transformim të thellë dhe që atëherë filloi zbatimi i sistemit të "themave". Territori i Azisë së Vogël ende i pa shkelur nga armiku, u nda në qarqe ushtarake (thema), duke hedhur kështu bazën e një sistemi që do ta karakterizonte për shekuj të tërë administratën provinciale të shtetit bizantin mesjetar.26 Sistemi i themave i dha fund sistemit të Dioklecianit e të Konstandinit dhe çoi përpara procesin e filluar me organizimin e ekzarkateve. Ashtu si ekzarkatet e Ravenës e të Kartagjenës, themat e Azisë së Vogël janë njësi administrative me një karakter të qartë ushtarak. Në krye të themave janë strategët të cilët ushtrojnë pushtetin civil e ushtarak në juridiksionin e tyre. Nga ana tjetër, krijimi i themave qe një proces i gjatë, që pamjen e tij të plotë e mori në mënyrë graduale. Nëndarjet e mëparshme provinciale nuk u prishën menjëherë me krijimin e themave. Përkundrazi, provincat e vjetra mbijetuan gjatë brenda për brenda themave dhe fillimisht në krah të strategut të themës ishte prokonsulli i themës, në cilësinë e shefit të administratës.27 Porse strategu kishte qysh në fillim përparësi, përderisa një themë përfshinte më shumë se një nga provincat e vjetra.

Fjala "themë" tregon një trupë ushtarake e më tej u përdor për të shënuar distriktet e reja ushtarake, gjë që hedh dritë të plotë mbi gjenezën e sistemit të ri. Ky lindi nga vendosja e trupave, d.m.th. i "themave", në rajonet e Azisë së Vogël dhe pikërisht për këtë të tilla rajone e quajtën thema. Në fakt, ato nuk përfaqësonin vetëm njësi administrative, por edhe territore të kolonizuara nga trupat. Ushtarëve u jepej një fond toke i trashëgueshëm, që në burimet e mëvonshme quhet "pronë ushtarake",28 në këmbim të detyrimit të tyre për të kryer një shërbim ushtarak të trashëgueshëm. Në këtë mënyrë, organizimi i themave lidhet me institutin e vjetër të territorit kufitar (limes) me ushtarët- kolonë të tij (limitanei). Sistemi mbrojtës kufitar ishte shkatërruar nën presionin e invazionit armik dhe trupat kufitare qenë tërhequr në thellësi të Azisë së Vogël, ku u caktuan me mbrojtjen e territoreve që kishin mbetur ende në zotërim të Bizantit. Krahas ushtarëve të ardhur nga brezi kufitar, në Azinë e Vogël u shpërngulën edhe reparte të zgjedhura të ushtrisë bizantine. Në këtë mënyrë, nga koha e Heraklit lindën themat e Opsikanëve, të Armenëve dhe të anatolëve e ndoshta qysh atëherë u krijua edhe thema detare e Karabisianëve, në krahun jugor të bregdetit të Azisë së Vogël.

Duhet thënë se ndërtimi i sistemit të themave në këtë etapë të parë u kufizua vetëm me territoret e Azisë së Vogël. Aplikimi i tij në Gadishullin Ballkanik ishte ende i pamundur. Ky fakt jep një provë më shumë për përmasat e katastrofës bizantine në ato vise. Duhet të kalonte shumë kohë që administrata bizantine e me të edhe sistemi i themave të afirmoheshin dora- dorës në disa rajone të Ballkanit, veçanërisht në zonat bregdetare.

Organizimi i themave krijoi bazën për formimin e një ushtrie vendase dhe e çliroi perandorinë nga rekrutimi i ushtarëve të huaj, gjë që i kushtonte shumë nga pikëpamja financiare dhe që nuk e zgjidhte problemin ushtarak, pasi të tilla ushtri mercenare, linin për të dëshiruar qoftë nga numri i pamjaftushëm e qoftë nga besnikëria e dyshimtë e tyre. Përveç ushtarakëve të armatës së kufirit dhe trupave të zgjedhura bizantine, të rekrutuara sidomos midis fiseve luf- tarake të Azisë së Vogël e te Kaukazit, parcela ushtarake iu shpërndanë edhe një pjese të bujqve bizantinë, duke i lidhur kështu ata me detyrimin ushtarak. Këtyre iu shtuan edhe masa të mëdha me popullsi sllave, që qeveria bizantine i transferoi në Azinë e Vogël, duke i sistemuar si stratiote (ushtarë), në themat e atyshme. Në këtë mënyrë, forcat e armatosura bizantine, të cilat, me lëkund- jet e pashmangshme për shkak të karakterit mercenar të tyre, i kishin krijuar vështirësi të mëdha e të vazhdueshme perandorisë, falë vërshimit të forcave të reja u fuqizuan së tepërmi në kuadrin e sistemit të ri e të shëndoshë administra- tiv e ushtarak. Ushtria e re e themave përbëhej nga ushtarë-fshatarë vendas, të cilët nxirrnin nga parcelat ushtarake mjetet e nevojshme për mbajtjen dhe pajisjen e vet. Siç rezulton nga burimet më të vona, stratioti (ushtari-bujk) kishte, për detyrë të paraqitej në ushtri sa herë e thërrisnin i armatosur e me një kalë.31 Natyrisht, merrte dhe njëfarë page, por kjo qe minimale. Sistemi i ri solli kështu për pasojë një zvogëlim të jashtëzakonshëm të bilancit negativ të shtetit. Nga ana tjetër, krijimi i fondeve tokësore ushtarake solli një fuqizim të pronës së vogël të lirë. Si në administratën provinciale, ashtu dhe në atë qendrore, po kryheshin atë kohë ndryshime të rëndësishme që patën efekte të qëndrueshme për shtetin bizantin dhe që i dhanë fund sistemit administrativ të periudhës së hershme bizantine. Pushteti i prefekturës pretoriane, që ishte një ndër ti- paret kryesore të shtetit në periudhën e parë bizantine, po lihej në harresë. Si organ qeveritar, prefektura ishte dënuar të mbetej më tepër në aparencë, pasi krijimi i themave ia hiqte gurët e themelit, kurse në territoret ku ende nuk qe zbatuar sistemi i themave nuk ekzistonte më një administratë e rregullt për shkak të sulmeve armike. Dora-dorës që pushteti bizantin i rifitonte pozitat në këto territore, aty instalohej regjimi i themave, kështu që në fund të fundit, sistemi i prefekturës pushoi së ekzistuari edhe formalisht. Juridiksioni financiar i prefekturës, që ishte mjaft i gjerë, u nda midis disa autoriteteve financiare të pavarura. Me këtë, në evolucionin e administratës qendrore bizantine filloi si me thënë një proces me kah të kundërt, pasi rritja kolosale e prefekturës së pretorit në shekujt e mëparshëm kishte bërë që të mbyteshin zyrat e vjetra të administratës financiare qendrore, d.m.th. shërbimin e kontributeve të shenjta (comitiva sacrarum largitionuin) dhe shërbimin e pasurive private (comitiva rerum privatarum). Për të kënaqur nevojat financiare në rritje, prefektura arriti të verë dorë në të ardhurat që vinin nga res privatae dhe akoma më shumë nga largitiones. Në këtë mënyrë, shërbimi i kontributeve të shenjta, i varfëruar tej mase, duhej të fumizohej vazhdimisht nga arka private e perandorit, d.m.th. nga Sakellion. Kjo bëri që, aty nga fillimi i shek. VII, sakellari të zëvendësojë plotësisht kontin e kontributeve të Shenjta dhe pas çdo gjase të thithë edhe kompetencat e kontit të pasurive private, që tashmë kishte humbur çdo pushtet. Por shumë shpejt ad- ministrata financiare e prefektit të pretorit, që ishte fryrë tej mase, u shemb në mënyrë përfundimtare. Zyrat financiare të prefektit të pretorit u bënë organe të pavarura dhe shefat e dikurshëm të tyre me titujt e rinj, ngjiten në majat e organizmave të reja financiare. Funksionit të logotetit, të cilit i qenë besuar financat, i cili kryen pak a shumë detyrat e të dikurshmit magister officiorum e pak nga pak u bë një ndër funksionarët kryesorë të perandorisë.

Ashtu si themat në administratën provinciale, edhe krijimi i logoteve (ministrive Shën. i përkth.) i dha administratës qendrore të shtetit bizantin një strukturë që do të rezistojë në shekuj. Rëndësia e riorganizimit të ushtrisë dhe të administratës u pa në ngjarjet që pasuan. Në luftën midis Bizantit e persianëve në vitet njëzet të shekullit të VII ndodhi një përmbysje e vërtetë. Në vend të disfatave të dikurshme tani erdhën suksese të bujshme. Perandoria që dukej se po jepte shpirt, u shkund dhe gjeti forca të triumfojë mbi një armik që deri atëherë ishte superior.

Për këto suksese kontribuoi jo pak mbështetja e fuqishme e Kishës, që i vuri thesaret e saj në dispozicion të shtetit, për t'i mundësuar këtij kapërcimin e vështirësive të mëdha ekonomike në kohën kur bëhej gati të ndeshej me të pafetë. Lufta filloi në atmosferën e një tensioni fetar të panjohur deri atëherë. Kjo ishte lufta e parë me të vërtetë mesjetare, prelud i kryqëzatave të mëvonshme. Vetë perandori u vu në krye të ushtrisë dhe për kohën që do të qëndronte larg kryeqytetit ia besoi patrikut Sergj dhe patrikut Bon regjencën e djalit të tij të mitur. Si në shumë gjëra të tjera, edhe këtu Herakli ndiqte shembullin e perandorit Mauric, i cili kishte drejtuar personalisht një fushatë kundër avarëve. Një sjellje e tillë ishte fare e pazakonshme dhe, siç ndodhi me Mauricin, edhe Herakli hasi në kundërshtimin e vendosur të këshilltarëve të tij,3S pasi nga kohët e Teodosit I asnjë perandor nuk kishte zbritur personalisht në fushën e betejës.

Më 619 Herakli kishte nënshkruar një paqe me khanin e Avarëve, për të cilën detyrohej të paguante një tribut të rëndë. Megjithatë, kjo bënte të mundur zhvendosjen e trupave nga Europa në Azi.39 Më 5 prill 622, e hëna e Pashkëve, pasi mori pjesë në ceremonitë solemne fetare, perandori u largua nga kryeqyteti.40 Me të mbërritur në Azinë e Vogël u vendos në "territorin e themave", ku grumbulloi ushtrinë dhe e kaloi gjithë verën duke stërvitur trupatereja. Herakli kishte studiuar shkencat ushtarake dhe kishte përpunuar një taktikë të re. Rëndësia e kalorësisë në ushtrinë bizantine ishte rritur së tepërmi. Herakli i jepte rëndësi të veçantë harkëtarëve të lehtë kaluar. Ekspedita filloi me të vërtetë në shtator. Me një manovër të zgjuar, perandori mundi tëhapë një shteg kundër Armenisë. Kjo i detyroi persianët të braktisnin pozicionet në malet e Azisë së Vogël dhe të ndiqnin armatën perandorake "si një qen i lidhur". Ndeshja midis dy ushtrive u bë në territorin armen dhe përfundoi me një fitore të shkëlqyer të bizantinëve mbi gjeneralin e madh persian Shahrbaraz. Me këtë u arrit objektivi i parë: Azia e Vogël u çlirua nga armiqtë.

Por qëndrimi armiqësor i khanit të Avarëve e bindi perandorin të kthehej në Kostandinopojë. Tributi për avarët u rrit më tej dhe të afërm të perandorit e dërguan peng tek khani. Kështu në mars të vitit 623 Herakli mundi të rifillonte luftën kundër persianëve. Me gjithë humbjen e pësuar një vit më parëz Khusravi I e la mënjan traktatin e paqes dhe i dërgoi perandorit një letër plot me sharje fyese ndaj fesë së krishterë. Herakli iu drejtua përsëri Armenisë duke kaluar nëpër Kapadoki. Kështjella e Dvinit u pushtua dhe u shkatërrua e të njëjtin fat pësuan edhe shumë qytete të tjera Paskëtaj perandori bëri një inkursion drejt jugut dhe iu afrua Gandzhës, rezidencë e Ardashirit, të parit të Sasadinëve, dhe një ndër qendrat më të rëndësishmë fetare të persianëve. Khusravi u detyrua të braktiste qytetin, që ra në duart e bizantinëve. Tempulli i zjarrit të Zoroastrës, tempulli më i rëndësishëm i qytetit, u shkatërrua në shenjë hakmarrjeje për plaçkitjen e Jerusalemit. Së bashku me robër të shumtë, perandori u tërhoq për të kaluar dimnn përtej Araksit. Këtu mori kontakt me fiset e krishtera vendase dhe mundi ti fuqizojë efektivat e tij me rekrutë të rinj Lazë, Abasgë e Hiberë kaukazianë. Sidoqoftë, gjendja vazhdonte të ishte e vështirë dhe gjithë viti tjetër kaloi me luftime rraskapitëse kundër persianëve, që i kryenin luftimet e tyre në territorin armen. Qe e pamundur të çahej drejt Persisë e kështu, më 625, perandori u përpoq të depërtojë në territorin armik duke bërë një manovër krahëmarrjeje nëpër Kiliki. Por as kësaj radhe nuk u arrit dot një fitore përfundimtare dhe me të afruar dimri perandori u kthye në Pont, duke kaluar nëpër Sebastea.

Atëherë persianët kaluan edhe në kundërsulm e më 626 Kostandinopoja rrezikohej të sulmohej njëkohësisht nga persianët e nga avarët. Një gjë të tillë Herakli është përpjekur deri atëherë ta shmangë, qoftë edhe duke i bërë lëshime poshtëruese khanit të avarëve. Në krye të një armate të madhe, Shahrbaraz përshkoi Azinë e Vogël, pushtoi Kalcedoninë dhe u shfaq në Bosfor. Pak më vonë, më 27 korrik, khani i avarëve në krye të hordhive të shumta avare, sllave, bullgare e Gepide, u duk te portat e Kostandinopojës dhe e rrethoi qytetin nga toka e nga deti. Pariku Sergj e mbajti lart moralin e popullsisë me lutje, predikime dhe procesione solemne, ndërkohë që gamizoni i fuqishëm i qytetit i thyente të gjitha sulmet e armiqve. Më në fund epërsia e bizantinëve në luftën detare vendosi fatin e luftës dhe në betejën përfundimtare të 10 gushtit flota sllave u thye nga ajo bizantine. Avarët u detyruan të heqin dorë nga rrethimi dhe të tërhiqen në rrëmujë.48 Disfata e khanit të avarëve solli me vete edhe dështimin e planeve agresive të persianëve. Shahrbaraz braktisi Kalcedoninë e u tërhoq me trupat e tij në Siri, ndërsa vëllai e mëkëmbësi i tij Shahini, u mund keqas nga vëllai i perandorit, Teodori. Momenti kritik u kapërcye dhe tani mundi të fillonte ofensiva e madhe bizantine.

Ndërkohë që kryeqyteti bizantin luftonte për jetë a vdekje, Herakli dhe ushtria e tij ndodhej larg në Lazikë. Siç kishte ndodhur me fiset kaukaziane, ai u lidh në aleancë me kazarët, e aty zuri fill ai bashkëpunim bizantino-kazar që me kohë do të bëhet një ndër mbështetjet kryesore të politikës bizantine në Lindje. Në aleancë me bizantinët, kazarët luftuan kundër persianëve në tokat kaukaziane e armene. Në vjeshtën e vitit 627 filloi marshimi i madh i trupave bizantine drejt jugut, drejt zemrës së territorit armik. Këtu bizantinët duhet të mbështeteshin përsëri vetëm në forcat e tyre, pasi kazarët nuk mundën t'i durojnë vështirësitë dhe privacionet e fushatës e u kthyen prapa në vendin e tyre. Pavarësisht nga kjo, në fillim të dhjetorit Herakli mbërriti përballë Ninivës, ku u zhvillua beteja vendimtare për fatet e luftës persiano-bizantine. Armata persiane u mund e u asgjësua. Bizanti e fitoi luftën. Marshimi fitimtar i bizantinëve vazhdoi e në ditët e para të janarit 628 u pushtua rezidenca e preferuar e Khusravit, Dastagerdi, që perandori persian e braktisi në rrëmujë. Në pranverën e vitit 628 në Persi ndodhën ngjarje që e bënë të tepërt vazhdimin e luftës. Khusravi u shfronësua e më tej u vra dhe në fron hipi djali i tij Kavadh Shiroe, që nxitoi të bëjë paqe me perandorin bizantin. Rezultat i fitores bizantine dhe i shembjes së fuqisë persiane ishte kthimi i të gjitha territoreve që dikur kishin qenë të perandorisë, si Armenia, Mesopotamia romake, Siria, Palestina dhe Egjipti. Disa më vonë, në shtratin e vdekjes, Shiroe emëroi perandorin bizantin si tutor të të birit dhe ndërsa Khusravi II e kishte quajtur perandorin skllav i tij, tani Shiroe e quajti djalin e pasardhësin e tij skllav të perandorit bizantin.

Pas një mungese prej gjashtë vjetësh, Herakli u kthye në kryeqytet. Djali i tij, Konstandini, patriku Sergj, kleri, senati dhe populli dolën ta presin në bregdetin e Azisë së Vogël me degë ulliri, qirinj të ndezur, me britma fitoresh e me himne fetare, duke e quajtur atë triumfator i lavdishëm i armiqve të Krishtit. Ndërkohë që provincat bizantine liroheshin nga persianët, në pranverën e vitit 630 Herakli shkoi në Jerusalem ku, më 21 mars, në mes të një entuziazmi të paparë të popullit, u bë ceremonia e rikthimit të Kryqit të Shenjtë, që iu rrëmbye persianëve. Kjo ceremoni solemne sanksionoi përfundimin me fitore të së parës betejë të madhe fetare të erës së krishterë.

Dy armiqtë e mëdhenj, që dikur terrorizonin fuqinë bizantine ishin mposhtur plotësisht. Në fakt, ndërsa beteja e Ninvës e tronditi në themel fuqinë persiane, beteja e Kostandinopojës shpartalloi fuqinë e avarëve. Thyerja e avarëve pati një efekt edhe përtej kufijve të perandorisë. Për popujt që ishin nën sundimin e Khanit të avarëve, e sidomos për shumë fise sllave, kjo disfatë shërbeu si sinjal për të ngritur krye e për të hedhur tej zgjedhën avare. Në luftë me avarët, sllavët perëndimorë nën udhëheqjen e Samit, mundën të krijojnë atëherë perandorinë e parë të madhe sllave.51 Disa vjet më vonë edhe federata e fiseve bullgare në veri të Detit të Zi e të Detit Kaspik, nën drejtimin e princit Kuvrat, mundi të çlirohej nga sundimi avar. Në luftën e tij kundër avarëve, Kuvrati u mbështet nga Bizanti: përmbylli një aleancë me Heraklin, mori titullin patric dhe u pagëzua në Kostandinopojë.52 Në kuadrin e migrimit të popujve që iu shtua proceseve të transformimit që ndodhën në atë periudhë, duhet parë edhe migrimi i serbëve dhe i kroatëve, mbi të cilën Konstandin Porfyrogjeneti na ka lënë një kronikë mjaft të detajuar.53 Edhe ky fakt ndodhi me mbështetjen e Bizantit e në funksion të luftës kundër fuqisë së rënies të avarëve. Serbët e kroatët braktisën territorin që kishin zënë përtej Karpateve dhe me miratimin e Heraklit, u vendosën në Gadishullin Ballkanik. Serbët zunë territoret kufitare në jug-lindje të tij.

Elementi etnik sllav njohu kështu një fuqizim të ri në Gadishullin Ballkanik. Perandori Konstandini VII Porfyrogjeneti nuk rresht së përsërituri që serbët dhe kroatët, pas ardhjes së tyre në Ballkan, njohën sovranitetin e perandorit të Bizantit. Nëse merren parasysh rrethanat e shkaktuara nga fitorja bizantine mbi avarët e persianët, një gjë e tillë nuk është e pamundur. Por sidoqoftë nuk duhet mbivlerësuar rëndësia e kësaj njohje e në asnjë mënyrë nuk duhet parë tek ajo një rivendosje e sundimit bizantin në ato anë. Duke thënë këtë, nuk duhet mohuar se thyerja e avarëve përfaqësoi për Bizantin një lehtësim të rëndësishëm në rajonin ballkanik: sulmet avare morën fund njëherë e përgjithmonë.

Epoka e Heraklit përfaqëson në historinë bizantine një kthesë jo vetëm në jetën politike por edhe në atë kulturore. Me Heraklin mbyllet faza romake dhe hapet ajo bizantine në kuptimin e vërtetë të fjalës. Greqizimi i plotë dhe klerikalizimi i fuqishëm i gjithë jetës publike, i japin një fizionomi të re shtetit në tërësinë e tij. Në periudhën e parë bizantine gjuha latine rezistoi me një këmbëngulje të jashtëzakonshme në jetën publike: shteti nuk dëgjonte ta njihte greqizimin progresiv të perandorisë veçse pak nga pak e me një pavendosmëri të madhe, duke mos guxuar të bëjë një ndryshim përfundimtar në këtë drejtim. Karakteristikë e periudhës së parë të shtetit bizantin është dygjuhësia (bilinguizmi) midis qeverisë e popullit. Gjuha zyrtare e administratës dhe e ushtrisë ishte latinishtja, që pjesa dërrmuese e popullsisë lindore nuk e kuptonte. Në kohën e Heraklit, kjo gjendje mori fund dhe gjuha greke u bë gjuha zyrtare e Perandorisë Bizantine. Gjuha e popullit dhe e Kishës u bë kështu edhe gjuha e shtetit. Procesi i greqizimit, që më përpara pengohej artificialisht, u zhvillua akoma më shpejt dhe në brezat që erdhën menjëherë pas njohja e latinishtes u bë diçka tepër e rrallë madje edhe në mjediset e kulturës.

Greqizimi i Shtetit Bizantin solli me vete, veç të tjerash, dhe ndryshimin e thjeshtëzimin e theksuar të titujve perandorakë. Herakli hoqi dorë nga titujt perandorakë latinë, tepër të ndërlikuar, dhe u quajt basileus, sipas emërtimit popullor grek. Titulli i vjetër mbretëror grek, me të cilin quhej perandori vetëm në gjuhën e popullit, zëvendësoi titujt perandorakë romakë imperator, caesar, augustus. Basileus u bë kështu titulli zyrtar i perandorit bizantin dhe tash e tutje konsiderohet titulli i vërtetë perandorak. Herakli ia akordoi këtë titull djalit dhe bashkësundimtarit të tij Herakël Neo Konstandinit, e më vonë edhe djalit të dytë, Herakleonit. Nga ky moment e deri në rënien e perandorisë, të gjithë perandorët e bashkëperandorët bizantinë e mbajtën këtë titull, ndërkohë që titulli caesar e humbi plotësisht përmbajtjen e tij perandorake.

Institucioni i bashkësundimit pati si funksion kryesor përcaktimin e trashëgimtarit, që në Bizant, ashtu si në Romë, nuk rregullohej me ligj të veçantë. Pasardhësi i paracaktuar, në këtë mënyrë kurorëzohej ndërsa perandori ishte ende gjallë dhe në cilësinë e bashkëperandorit mbante kurorën dhe titullin perandorak (në gjuhën e përditshme thërritej deuteros ose mikros basileus, d.m.th. perandor i dytë ose i vogël). Portreti i tij paraqitej në moneta pranë atij të perandorit në fuqi dhe shpesh herë emri i tij përmendej së bashku me atë të perandorit në aktet perandorake. Me vdekjen e perandorit, ai i zinte vendin dhe grumbullonte në duart e tij gjithë pushtetin dhe të drejtat e perandorit. Në këtë mënyrë sigurohej vazhdimësia e kurorës dhe krijimi i dinastive. Por do të duhej të kalonte shumë kohë derisa të afirmohej përfundimisht sistemi i trashëgimisë së fronit. Vetë Herakli futi mjaft elemente konfuzë në sistem, pasi emëroi bashkëperandor e trashëgimtar jo vetëm djalin e madh, por edhe djalin e dytë.

Ripushtimi i provincave lindore shtroi përsëri problemin e monofizizmit. Patriku Sergj e kishte trajtuar mjaft seriozisht këtë problem dhe u përpoq për rivendosjen e paqes fetare. Përpjekjen e tij gjetën mbështetje në doktrinën mbi unitetin e energjisë te Krishti, që u përhap atë kohë në Lindje. Sipas saj, dy natyrave të Krishtit i përgjigjej një forcë vepruese e vetme (energeia). Një pozicion i tillë dukej se formonte një urë midis dogmës së Kalcedonit dhe monofizizmit. Sergji përqafoi doktrinën monoergjetike dhe u vu në kontakt me përfaqësuesit e Kishave lindore. Ngjarjet politike u duk se i justifikuan përpjekjet e patrikut, pasi pushtimi i Persisë natyrisht i kishte dobësuar së tepërmi tensionet midis Kostandinopojës. dhe popullsive monofizite të lindjes. Edhe Herakli u bashkua me doktrinën monoergjetike Qysh gjatë fushatave të tij në lindje, ai kishte filluar traktaktivat me klerin vendas për bashkimin e Kishës. Pas ripushtimit të provincave monofizite rifilluan në stil të gjerë e me intensitet më të madh. Tani marrëveshja me monofizët dukej më urgjente se kurrë. Fillimi qe inkurajues dhe ribashkimi po bëhej fakt i kryer si në Armeni ashtu dhe në Siri e Egjipt, ku patriku Kir i zgjedhur më 613 u përpoq me zell të madh për arritjen e këtij objektivi. Së fundi edhe papa Honori dha miratimin e tij për politikën kishtare të Sergjit e të Kirit. Por shumë shpejt erdhën zhgënjimet e para. Në Siri e sidomos në Egjipt bashkimi qe arritur vetëm me përdorimin e forcës. Kundërshtarët u shtuan si në kampin ortodoks ashtu dhe në atë monofizit. Në krahun ortodoks, zëdhënës i opozitës u bë murgu orator Sofroni, që më 634 ishte zgjedhur patrik i Jeruzalemit. Sofroni e sulmoi ashpër doktrinën e re që ai e quajti një variant të ri të monofizizmit dhe një falsifikim të dogmës së Kalcedonisë. Nën presionin e kësaj opozite dhe nën efektin e deklaratave të papa Honorit, që shfaqte rezerva mbi problemin e .monoenergjisë ndërsa njihte një vullnet të vetëm tek Krishti, Sergji e korrigjoi qëndrimin e tij. Duke lënë mënjanë problemin e energjisë, ai deklaroi se tek Krishti ekzistonte vetëm një vullnet. Ky formulim i ri monotelit përbën thelbin e ediktit të hartuar nga Sergji, që perandori e botoi më 638 me titullin Ekthesis dhe e ekspozoi në nartekstin e Shën Sofisë. Krerët e shtetit e të Kishës ishin angazhuar tashmë seriozisht në favor të monotelizmit dhe pas vdekjes së Sergjit, më 9 dhjetor 638, edhe pasardhësi i tij Pirrua u bë një përkrahës i zellshëm i kësaj doktrine. Sidoqoftë, shumë shpejt u pa se Ekthesis s'kishte qenë gjë tjetër veçse një vrimë në ujë. Ajo u hodh poshtë si nga ortodoksët ashtu dhe nga monofizët. Edhe pasardhësit e Honorit në Romë e hodhën atë poshtë me vendosmëri. Ashtu siç kishte ndodhur në të gjitha përpjekjet për kompromis në shekujt e shkuar, edhe monotelizmi nuk mundi të krijojë unitetin, dhe ashtu si në përpjekjet e mëparshme, edhe monotelizmi s'bëri gjë tjetër veçse shkaktoi diskutime të reja dhe shtoi konfuzionin. Për më tepër, më 638 Siria dhe Palestina ishin tashmë nën sundimin arab dhe Egjipti po kërcënohej nga i njëjti fat. Në këtë mënyrë, monotelizmi kishte dështuar në qëllimin e tij politik. Në fund të fundit grindjet fetare, që në të kaluarën kishin iehtësuar pushtimet persiane, tani lehtësuan pushtimin arab.

Epoka e pushtimeve arabe: vitet e fundit të Heraklit Konstanti II

Viti me të cilin filluan fitoret e Perandorisë Bizantine kundër Persisë, është dhe vitit hixhra i arabëve. Në kohën kur Herakli mposhti perandorinë persiane Muhamedi hidhte themelet e bashkimit politik e fetar të arabëve. Ndonëse me zhvillim e ide të mangëta, vepra e Muhamedit fshihte në vetvete një energji fillestare, që kthehej sakaq në një nxitje të fuqishme për veprim. Vetëm disa vjet pas vdekjes së profetit filloi dyndja e madhe e arabëve. Të frymëzuar nga vepra e Muhamedit këta, si një forcë elementare, u hodhën në një lëvizje ekspansive përtej tokave të tyre të varfra. Qëllimi i tyre nuk ishte aq konvertimi i popujve në besimin e ri, sesa nënshtrimi i vendeve të reja dhe sundimi mbi të pafetë.59 Viktimat e para të etjes të tyre për pushtime u bënë dy perandoritë e mëdha fqinjë: Persia u mposht qysh në sulmin e parë, Bizanti humbi provincat e tij lindore vetëm dhjetë mbas vdekjes së profetit. Luftërat e vazhdueshme i kishin dobësuar dy shtetet duke u sheshuar rrugën arabëve. Në Persinë e mundur nga Herakli mbretëronte rrëmujë e madhe, uzurpimet e fronit ndiqnin njëri- tjetrin, shtylla kurrizore e mbretërisë së Sasanidëve ishte thyer. Por edhe forcat e Bizantit fitimtar kishin shteruar nga përleshja e gjatë dhe e lodhshme. Veç kësaj, grindjet fetare të pashuara kishin ngritur një mur të pakapërcyeshëm urrejtjeje midis Kostandinopojës dhe provincave të saj lindore. Ishin forcuar përpjekjet separatiste të popullsisë siriane dhe kopte dhe ishte mposhtur përfundimisht vullneti i tyre për fu mbrojtur. Dobësitë në organizimin e ushtrisë dhe në administratën e shkatërruar nga prepotenca e pronarëve të mëdhenj të tokave ishin gjithashtu faktorë që lehtësuan detyrën e pushtuesve.

Qysh më 634, nën udhëheqjen e kalifit Omar, pushtuesit të madh, arabët vërshuan në trevat e perandorisë dhe me një fushatë të shpejtë fitimtare marshuan përmes krahinave që sapo u ishin marrë persianëve. Në betejën e famshme të Jarmukut më 20 gusht 636 ata korrën një fitore të bujshme mbi ushtritë bizantine. Kështu qëndresa bizantine u thye dhe fati i Sirisë u vendos.

Metropoli sirian Antiokia dhe shumica e qyteteve të vendit iu dorëzuan pa luftë armikut ngadhënjimtar. Më e fortë ishte qëndresa në Palestinë. Nën udhëheqjen e patrikut Sofron Jerusalemi i rezistoi gjatë armikut, por ashpërsia e rrethimit e detyroi më në fund edhe Qytetin e Shenjtë t'i hapte portat kalifit Omar (638). Ndërkohë mbretëria perse ishte nënshtruar dhe pas kësaj u pushtua dhe Mesopotamia bizantine (639/40). Prej këndej arabët u hodhën në Armeni dhe morën Kështjellën më të fuqishme armene, Dvin (tetor 640). Njëkohësisht filloi pushtimi i Egjiptit.

Herakli, i cili kishte udhëhequr vetë të gjitha fushatat kundër Persisë, në luftën me arabët nuk mori pjesë aktive. Në fillim u përpoq të drejtojë veprimet luftarake nga Antiokia, por pas betejës së Jeruzalemit mendoi që tashmë çdo gjë kishte marrë fund dhe u tërhoq. Përpara syve po i copëtohej krejt vepra e jetës së tij. Lufta heroike kundër Persisë dukej të kishte qenë e kotë: duke rrëzuar perandorinë persiane vetëm se i kishte përgatitur rrugën arabëve. Në Tokën e Shenjtë, që mendonte se ia kishte rikthyer krishterimit, tani sundonin sërish të pabesët. Kjo përmbysje mizore e fatit e goditi rëndë, në trup e në shpirt, perandorin plak. Kur u kthye nga Siria, u ndal gjatë në pallatin e Hierias, në Azinë e Vogël. Ngurronte të kalonte ngushticën për fu kthyer në Kostandinopojë, pasi nuk mund ta duronte dot pamjen e detit. Vetëm kur në Kostandinopojë, u zbulua një komplot, vendosi të nisej dhe të mposhte fobinë e tij, duke e kaluar Bosforin mbi një urë varkash të mbuluar me rërë e me gjethe.

Ndërkaq edhe jeta familjare e Heraklit kishte pësuar tragjedi. Ditën e kurorëzimit të tij ishte martuar me Fabia-Eudokian, e cila i kishte lindur një vajzë e një djalë, Herakël Neo Konstandinin. Fabia-Eudokia u bë epileptike dhe vdiq pak muaj pas lindjes së djalit (612). Një vit më vonë perandori mori për grua mbesën e tij Martinën. Kjo martesë shkaktoi skandal të madh: kisha dhe populli e quajtën një bashkim inasti dhe në fakt një martesë midis kushërinjsh kaq të afërt ishte në kundërshtim si me rregullat Kanonike ashtu dhe me ligjet e shtetit. Martinën e urrenin në Kostandinopojë, por me gjithë urrejtjen e shtetasve të vet perandori shfaqi një dashuri të madhe ndaj gruas së dytë, e cila ndau me të gëzime e hidhërime dhe e shoqëroi në ekspeditat më të vështira ushtarake. Pavarësisht nga kjo, fakti që nga nëntë fëmijët që i lindi Martina, katër vdiqën në moshë të njomë dhe dy më të mëdhenjtë lindën të deformuar, qe një sprovë e rëndë për perandorin dhe populli pa këtu një shenjë të zemërimit hyjnor. armiqësia e popullit ndaj Martinës u shtua më shumë kur ajo nga ambicia u përpoq t'u siguronte bijve të saj trashëgimin e fronit në dëm të djalit të Fabia-Eudokias. Grindja familjare që lindi ia hidhëroi akoma më shumë pleqërinë perandorit, dhe pas vdekjes së tij (pas një vuajtje të gjatë më 11 shkurt 641) perandoria u përfshi nga trazira të mëdha.

Në përpjekjet për ti siguruar bijve të Martinës një pjesëmarrje në pushtet, pa ia hequr djalit të tij madh të drejtat perandorake, Herakli ua la perandorinë të dy djemve të tij më të mëdhenj. Me gjithë ndryshimin e madh në moshë (Konstandini ishte 28 vjeç, ndërsa Herakleoni, i biri i Martinës, ishte 15), me vullnetin e shprehur të Heraklit të dy vëllezërit prej babe do të qeverisnin së bashku si sundimtarë me të drejta të barabarta. Ky është një nga shembujt më tipikë të çifteve të bashkëperandorëve që njeh historia e perandorive romake e bizantine.62 63 Për t'i siguruar edhe vetë Martinës një ndikim të drejtpërdrejtë në punët e shtetit, Herakli vendosi në testament që ajo të përfillej nga të dy perandorë si "nënë e perandoreshë"

Por kur Martina bëri të njohur testamentin e bashkëshortit të saj, u shfaq një kundërshtim i hapur ndaj këtij vendimi: me ç'rast urrejtjes së vjetër ndaj personit të perandoreshës i shtoheshin edhe konsiderata të mirëfillta juridike. Pa asnjë kundërshtim populli përshëndeti të dy djemtë e bashkëperandorët e deriatëhershëm të Heraklit si perandorët e vet, por nuk deshi të pranonte pjesëmarrjen e Martinës në pushtet dhe e hodhi poshtë me arsyetimin që ajo si grua nuk mund të përfaqësonte perandorinë romake dhe nuk mund të priste ambasadorë të huaj.

Martina u tërhoq por nuk e quajti veten të humbur. Grindja midis dy vijave të shtëpisë perandorake erdhi duke u ashpërsuar: dy parti qëndronin si armike përballë njëra-tjetrës, njëra ishte me Konstandinin dhe tjetra me Herakleonin e Martinën. Pa dyshim Konstandini III kishte një përkrahje më të fuqishme, por vuante nga një sëmundje e rëndë me sa duket nga tuberkulozi - dhe vdiq më 25 maj të po atij viti, vetëm pas tre muaj mbretërimi.

Herakleoni i ri mbeti tani i vetmi perandor. Por në fakt i mori Martina frenat e qeverisjes, ndërsa përkrahësit më të shquar të Konstandinit u detyruan të mërgonin. Me Martinën edhe patriku Pirro fitoi përsëri një ndikim më të madh në jetën politike që do të thoshte një ringjallje e politikës kishtare monotelite, nga e cila Konstandini III kishte dashur të hiqte dorë. Tani edhe përkrahësi i zjarrtë i monotelizmit, Kiri, u kthye në stolin patriarkal të Aleksandrisë, dhe ashtu siç kishin bërë dhe disa paraardhës të tij, mori në duar jo vetëm drejtimin fetar por edhe atë politik të Egjiptit. I ngarkuar nga qeveria e re, që e quante të pashpresë vazhdimin e luftës me arabët, filloi traktativat me pushtuesit fitimtarë dhe nënshkroi me ta një traktat paqeje, që u jepte atyre faktikisht krejt Egjiptin. Veçse ky traktat, për të cilin u deshën bisedime të gjata, u realizua vetëm pas përmbysjes së Martinës dhe të Herakleonasit (fillimi i nëntorit 641)

Qysh në fillim u grumbulluan re kërcënuese mbi kokat e Martinës e Herakleonasit. Shtresat më të larta të perandorisë, aristokracia senatoriale, krerët ushtarakë dhe kleri ortodoks iu kundërvunë qeverisjes së tyre dhe populli nuk hiqte dorë nga urrejtja kundër perandoreshës dhe patriku monotelit Pirro. Vdekjen e parakohshme të Konstandinit III ia veshën një helmimi nga dora e Martinës dhe e Pirros dhe kërkonin ngritjen në fron të djalit të tij që ishte ende i vogël. Një ithtar i Konstandinit III, armeni Valentin Arsakidi (Arshakuni) nxiti kundër Martinës dhe Herakleonasit trupat e Azisë së Vogël dhe u duk në krye të tyre perpara Kalcedonisë. Nga ky kërcënim Heraklonasi u ngut të kurorëzojë si bashkëperandor të birin e Konstandinit III, por megjithatë nuk mundi të ndalojë përmbysjen e vet të fundit të shtatit të vitit 641. Me urdhër të senatit Martina dhe Herakleoni u shkarkuan dhe ky akt u vulos me gjym-timin e tyre: Martinës i prenë gjuhën, ndërsa Herakleonasit hundën. Për herë të parë kështu ndeshim në truallin bizantin zakonin oriental të gjymtimit me prerjen e hundës. Kjo ishte shenjtë e paaftësisë së të gjymtuarit për të kryer funksione publike. Nënë e bir u internuan në ishullin e Rodit; edhe patriku Pirro u internua, ndërsa Pali ekonomi i deriatëhershëm i Shën Sofisë, u ngjit në fronin e patrikut.

Senati ia dha fronin djalit të Konstandinit III, që atëherë ishte 11 vjeç. Ashtu si i ati, edhe ai kishte marrë në pagëzim emrin Herakël, por u kororëzua iu vu emri Konstandin. Populli e quajti Konstant (Kovorao), që është një zvogëlues i Konstandinit, ashtu si Heraklonas është zvogëlues i Heraklit. Më vonë i vunë nofkën "Pogonati" (mjekroshi), për shkak të mjekrës së gjatë e të dendur që la kur u rrit.

Fuqia e senatit, që kishte dalë qartë në shkarkimin e Martinës dhe Her- akleonit, tani u shfaq sërish në faktin që tutela e perandorit të ri Konstanti II iu besua senatorëve. Në një fjalim që lexoi përpara asamblesë së senatorëve kur do të ngjitej në fron, Konstanti tha që Martina dhe Herakleoni ishin lar- guar "me vendim të senatit të marrë me ndihmën e Zotit", pasi senatorët "për shkak të devotshmërisë së tyre të jashtëzakonshme e të mirënjohur nuk mund të duronin paligjshmërinë në perandorinë e romejve." Ai i ftoi senatorët që edhe në të ardhmen të ishin "këshilltarë dhe kujdestarë të mirëqenies së shtetasve." Natyrisht këto fjalë iu diktuan perandorit të ri nga vetë sena- torët, por megjithatë janë mjaft domethënëse për të gjykuar sa e lartë dhe e rëndësishme ishte pozita e senatit bizantin në atë kohë.

Senati i Kostandinopojës ishte mënjanuar nga qeverisja prej gjithpushtetit të Justinianit, por shpejt rifitoi një rëndësi të madhe dhe duke filluar nga shek. VII përjetoi një periudhë lulëzimi të veçantë. Nën dinastinë e Heraklit senatorët patën një funksion të rëndësishëm si këshilltarë të kurorës dhe edhe si gjykatës të lartë. Roli i saj ishte veçanërisht i dukshëm në ndërrimin e fronit dhe s'është për t'u çuditur që Konstanti i ri iu besua në fillim tutelës dhe udhëheqjes së senatorëve. Por nuk e duroi shumë gjatë tutelën: ashtu si shumica e përfaqësuesve të dinastisë së Heraklit kishte një natyrë të theksuar sundimtari dhe në moshë të pjekur shfaqi madje një pavarësi dhe vendosmëri të tepruar.

Problemi kryesor në politikën e jashtme ishte, si më parë, përparimi i vazhdueshëm i arabëve. Në përputhje me klauzolat e traktatit që patriarku i Aleksandrisë, Kiri, kishte nënshkruar me arabët me urdhër të Martinës, dhe që parashikonte një afat të caktuar për zbrazjen e vendit nga ana e bizantinëve, trupat bizantine u larguan nga Aleksandria më 12 shtator 642 dhe u drejtuan për në ishullin e Rodit. Ndërkaq gjenerali fitimtar arab Amr hyri më 29 shtator në qytetin e Aleksandrit të Madh, prej nga arabët vazhduan të shtriheshin gjatë bregdetit afrikano-verior, pushtuan Pentapolin dhe më 643 morën qytetin e Tripolit mbi Sirte. Pas vdekjes së Omarit, në nëntor 644, Amri u thirr nga kalifi i ri Othman dhe kjo u dha zemër bizantinëve për të ndërmarrë një kundërofensivë të re. Gjenerali bizantin Manueli u nis drejt Egjiptit në krye të një flote të madhe. Arriti të kapë në befasi garnizonin arab dhe të ripushtojë Aleksandrinë. Por ky sukses nuk pati jetë të gjatë. Amri u ridërgua me urgjencë në Egjipt, shpartalloi pranë Nikut armatën e Manuelit dhe në verën e vitit 646 hyri përsëri triumfues në Aleksandri. Manueli u detyrua të tërhiqet në Kostandinopojë, ndërsa popullsia kopte e Aleksandrisë, me në krye patrikun monofizist Beniamin, iu nënshtrua vullnetarisht arabëve dhe e rafitikoi formalisht nënshtrimin e saj duke deklaruar se preferonte zgjedhën arabe më mirë se atë bizantine. Pas këtij pushtimi të ri të Aleksandrisë, Egjipti mbeti përgjithmonë nën sundimin mysliman. Perandoria Bizantine kishte humbur përfundimisht provincën e saj më të pasur dhe ekonomikisht më të rëndësishme.

Muavija, atë kohë qeveritar i Sirisë, ishte një gjeneral akoma më i zoti se vetë Amri. Pasi konsoliduan sundimin e tyre në Siri e Mesopotami, arabët i kthyen sytë nga Armenia dhe Azia e Vogël. Qysh më 642-643 ata bënë një inkursion të ri në territorin armen. Më 647 Muavija ia beu në Kapadokli dhe pushtoi Cezarenë. Paskëtaj iu drejtua Frigjisë, por përpjekja e tij për të marrë qytetin e fortifikuar të Amorit dështoi. Atëherë përshkoi gjithë këtë provincë të pasur dhe u kthye në Damask me një plaçkë të madhe dhe me një numër të madh robërish.

Sukseset në Mesdhe i vunë arabët përballë nevojës për t'u bërë një fuqi detare. Kjo qe diçka krejt e re për një popull që deri atëherë kishte jetuar në shkretëtirë. Vetë Omari, pushtuesi i madh, nuk e kishte idenë për rëndësinë e flotës. Muavija qe qeveritari i parë arab që e kuptoi se lufta kundër Bizantit nuk mund të bëhej pa një flotë të fuqishme. Pak kohë pas vdekjes së Omarit, Muavija filloi të ndërtojë flotën dhe më 649 filloi ekspedita e parë detare arabe. Nën komandën personale të Muavijas, flota arabe lundroi drejt Qipros dhe pushtoi kryeqytetin e ishullit, Kostancën. Qeveria bizantine arriti një armëpushim prej tre vjetësh me kusht të paguante një tribut tepër të rëndë. Por as kjo nuk e zgjidhi problemin. Muavija e shfrytëzoi armëpushimin për të fuqizuar flotën e tij dhe me të kaluar tre vjetët e tij, rifilloi operacionet detare me forca të reja. Më 654 rrethoi Rodin. Kolosi i famshëm i Rodit, që ishte rrëzuar nga një tërmet në vitin 225 para Krishtit por që vazhdonte të konsiderohej një nga shtatë mrekullitë e botës, iu shit një tregtari çifut nga Odesa, që e transportoi statujën e rëndë prej metali me nëntëqind deve. Pak më vonë edhe ishulli Koos ra në dorë të arabëve, ndërsa Kreta iu nënshtrua plaçkitjeve të tyre. Sukej qartë se objektivi i vërtetë i Muavijas ishte Kostandinopoja. Këtë e tregon vetë itinerari Qipro-Rodi-Koos që ai ndoqi. Bizanti nuk mund të rrinte duarlidhur përballë këtij marshimi që e kërcënonte drejtpërsëdrejti. Konstanti II u vu personalisht në krye të flotës bizantine e më 655 i sulmoi arabët pranë bregdetit të Lidisë. Kjo betejë e parë midis arabëve e Bizantit përfundoi me një disfatë të plotë të bizantinëve. Vetë perandori u rrezikua me jetë dhe u shpëtua vetëm nga heroizmi dhe nga shpirti i sakrificës i një ushtari të ri bizantin.

Hegjemonia bizantine në det u trondit rëndë. Por fitorja e madhe arabe nuk pati pasoja të menjëhershme për shkak të rrethanave të komplikuara që u krijuan brenda për brenda kalifatit. Qysh në vitet e fundit të Othmanit në perandorinë arabe shpërthyen çrregullime të mëdha, që arritën kulmin pas vrasjes së tij (17 qershor 656). Në Siri u shpall kalif Muavija, ndërsa në Medinë u zgjodh ortodoksi Ali, dhëndër i profetit. Kështu plasi një luftë e rreptë civile që përfundoi më 661 me vrasjen e Aliut. Në këto kushte, Muavija ishte i shtrënguar të përpiqej për marrëveshje me bizantinët. Më 659 nënshkroi me ta një paqe, duke premtuar edhe pagimin e tributeve për perandorinë. Ndryshime të rëndësishme ndodhën edhe në Armeni dhe familjet më të shquara armeve rivendosën lidhjet me Bizantin.

Pasi shmangu rrezikun që vinte nga Lindja, perandori Konstant mundi t'i kushtohej provincave perëndimore të perandorisë. Më 658 ndërmori një fushatë në rajonin e Ballkanit të pushtuar nga sllavët. Kështu sulmoi "Slla- vonitë" ku "shumë vetë u nënshtruan e u zunë rob." Mungesa e njoftimeve historike nuk na lejon të përcaktojmë me saktësi se cilat qenë pasojat e kësaj fushate të Konstantit II. Ajo çka mund të thuhet me siguri është se Konstanti II e detyroi një pjesë të sllavëve, ka të ngjarë në Maqedoni, të njihnin push- tetin bizantin. Kjo qe e para kundërofensivë e madhe bizantine kundër sllavëve nga koha e Mauricit. Ka të ngjarë që ekspedita e Konstantit II të jetë shoqëruar me shpërngulje në masë të sllavëve në Azinë e Vogël. Në fakt, nga ai çast burimet bëjnë fjallë për sllavë në Azi të Vogël dhe për ushtarë sllavë në shërbim të perandorit. Më 665 një trupë prej pesëmijë ushtarësh sllavë kaloi në anën e arabëve dhe u vendos prej këtyre në Siri.

Pas fushatës fitimtare në Ballkan, Konstanti II e drejtoi vëmendjen e tij drejt skajit më perëndimor të perandorisë së tij, ku gjendja qe ndërlikuar së tepërmi edhe për shkak të grindjeve kishtare të shkaktuara nga monotelizmi. Pasojat e këtyre grindjeve qenë veçanërisht të rënda në Afrikën latine, që kër- cënohej seriozisht pas pushtimit arab të Egjiptit. Acarimi i luftës së mono- fizitëve sirianë dhe egjiptianë kundër Bizantit kishte lehtësuar pushtimin e provincave lindore nga ana e arabëve. I njëjti fat i kërcënohej tani edhe Af- rikës latine, popullsia ortodokse e së cilës ishte po aq e armiqësuar me per- andorinë. Afrika veriore ishte atë kohë djepi i ortodoksisë në luftën kundër monotelizmit. Këtu, prej shumë vitesh udhëheqës i opozitës ortodokse ishte Maksim Konfesori (Rrëfyesi), teologu më i madh i kohës. Me iniciativë të tij, në fillim të vitit 646 në shumë qytete të Afrikës veriore u mbajtën sinode, që dënuan unanimisht si heretikë doktrinën monotelite të mbrojtur ng qeveria bizantine. Ky kundërshtim ndaj pushtetit qendror bizantin mori shumë shpejt ngjyra politike shumë të rrezikshme. Ekzarku i Kartagjenës, Grigori, ngriti krye kundër perandorit dhe gjeti mbështetje jo vetëm tek shtetasit af- rikanoveriorë të perandorisë, por edhe tek fiset fqinje mauritane. Qeveria bi- zantine u çlirua prej kësaj situate të rrezikshme pikërisht nga arabët. Këta, pasi konsoliduan sundimin e tyre në Egjipt, më 647 sulmuan ekzarkatin afrikanoverior. Antiperandori Grigor gjeti vdekjen në luftën kundër invazorëve të cilët, pasi plaçkitën Sufetulën rezidencën e antiperandorit dhe pasi morën një tribut të majmë, u tërhoqën përsëri në Egjipt.

Ekzarkati i Kartagjenës qëndroi akoma për pak kohë në duar bizantine. Por ngjarjet e fundit përbënin një paralajmërim serioz dhe patën efekte të fuqishme në Romë. Perandori Konstant e kuptoi atëherë domosdoshmërinë e një pajtimi fetar dhe u përpoq të realizojë një zgjidhje kompromisi. Më 648 ai promovoi botimin e të famshmit Typos, në të cilin vendosej heqja e Ekthesis nga holli i Shën Sofisë. Por në të njëjtën kohë i bëhej bisht problemit të vërtetë, siç kishte bërë edhe vetë Herakli me ediktin e tij. U ndalua rreptësisht çdo lloj diskutimi jo vetëm mbi problemin e energjisë, por edhe mbi atë të vullnetit. Problemi i energjisë dhe i vullnetit mbërriti në po atë pikë ku kishte mbërritur një shekull e gjysmë më parë problemi i natyrës së Krishtit, kur u botua Henotikoni i Zenonit. Por ashtu si atëherë Henotikoni, as Typosi nuk mund të shërbente si bazë për të rikthyer unitetin, pasi nuk mund të kënaqte as përfaqësuesit e bindur të doktrinës ortodokse, as monotelitët e bindur. Shumë shpejt u konstatua dështimi i kësaj përpjekjeje, që synonte të zhdukte mosmarrëveshjet doktrinale duke injoruar problemin e vërtetë dhe duke ndaluar në mënyrë despotike çdo diskutim mbi të.

Papa Martini, që kishte hipur në fronin papal më 5 korrik 649 pa miratimin e ekzarkut perandorak, në tetor të po atij viti mbajti një koncil të madh në kishën e Shpëtimtarit në pallatin Laterano në Romë. Pjesa më e madhe e njëqindepesë peshkopëve që morën pjesë i përkisnin dioqezës së fronit patriarkal të Romës, por nga pikëpamja teologjike sinodi lateran ndodhej plotësisht nën ndikimin grek madje edhe procedura ndoqi shembullin e koncileve ekumenike bizantine. Sinodi lateran dënoi si Ekthesis ashtu dhe Typos, por për motive politike nuk ia hodhi fajin qeverisë bizantine, por patrikëve Sergj e Pal, të cilët u çkishëruan, ashtu si dhe Pirroja. Papa i dërgoi një enciklikë të gjithë peshkopëve dhe gjithë klerit të Kishës së krishterë dhe i kaloi perandorit një përkthim grek të akteve të koncilit së bashku me një letër, të hartuar me tone mjaft të matura.

Por mjaftoi mënyra se si Martini qe zgjedhur papë për ta shtyrë Konstantin II të ndërhyjë shpejt e me vendosmëri. Ekzarku i Ravenës, Olimpi, u dërgua në Romë për të arrestuar papën që nuk qe njohur nga perandori dhe për të detyruar peshkopët italianë që të nënshkruanin Typos-in. Olimpi mbërriti në Romë ende pa u mbyllur punimet e sinodit lateran dhe konstatoi menjëherë se gjendja ishte krejt e pafavorshme për të plotësuar detyrën e besuar. Ndaj vendosi të përfitojë nga tensioni midis Romës e Kostandinopojës për ta shkëputur Italinë nga perandoria e për të marrë vetë në dorë qeverisjen e saj. Politika kishtare e qeverisë bizantine solli, pra, edhe në Itali të njëjtat pasoja që kishte sjellë në Afrikën veriore: përfaqësuesit më të mëdhenj të pushtetit lokal ngrinin krye kundër qeverisë qendrore të Kostandinopojës. Uzurpatori shkoi në Sicili bashkë me ushtrinë e tij dhe qeveria bizantine me sa duket nuk bëri asgjë për ta luftuar, e zënë siç ishte në Lindje me arabët e Muavijas, që atë kohë kishte organizuar fushatën e parë detare kundër Bizantit. Me vdekjen e Olimpit më 652 kryengritja u shuajt vetë.

Llogaritë me papën Martin mundën të shlyen vetëm pas një viti. Ekzarku i ri, në krye të ushtrisë së tij mbërriti në Romë më 15 qershor 653; ai zuri rob papën, që ndërkohë lëngonte nga një sëmundje e rëndë, dhe duke përfituar nga errësira e natës e nxori atë nga qyteti i përfshirë nga revolta. Martini u përcoll në Kostandinopojë e në fund të dhjetorit u nxor përpara senatit. Procesi pati një karakter të hapur politik. Martini u akuzua për tradhti të lartë dhe u fajësua, ndoshta jo pa bazë, për përkrahje ndaj Olimpit. Për sa i përket problemit fetar, ky i zhvendos krejtësisht në plan të dytë dhe përpjekja e papës për të folur për Typos-in u hodh poshtë vendosmërisht nga gjykatësit. Martini u dënua me vdekje, por pas leximit të vendimit, me urdhër të vetë perandorit, u poshtërua publikisht e më në fund ashtu i sëmurë rëndë siç ishte u internua në Kersonin e largët, ku mes urisë dhe privacioneve të shumta vdiq në prill të vitit 656. Pak kohë pasi u dënua Martini, edhe Maksimi u zu rob, u çua në Kostandinopojë dhe po ashtu u nxor përpara senatit. Ashtu si Martini ishte akuzuar për bashkëpunim me Olimpin, po ashtu edhe Maksimit iu mvesh akuza s£ kishte mbështetur ekzarkun rebel afrikan, Grigorin, e sidomos se nuk kishte pranuar Typos-in perandorak. Por, ndërsa procesi i Martinit kishte qenë fare i shkurtër dhe gjykatësit nuk u morën me argumentet e tij fetare, për sa i përket Maksimit që ishte kreu shpirtëror i grekëve ortodoksë, qeveria perandorake bëri ç'qe e mundur për ta detyruar të hiqte dorë nga pozitat e tij. Por të gjitha përpjekjet qenë të kota, sado që Maksimi kaloi vite të tëra i syrgjynosur nga njëri vend tek tjetri dhe u keqtrajtua në mënyrë çnjerëzore. Intemimin e tij të fundit duhej ta kalonte në kështjellën Skemarium në Lazikë (afër Murit të sotëm). Këtu vdiq në moshën tetëdhjetëvjeçare, më 13 gusht 662.

Lufta doktrinale u shpreh në fushën e politikës kishtare dhe në kundër- shtimin e klerit ndaj nënshkrimit të Kishës nga ana e pushtetit perandorak. 'Maksimi kishte mbrojtur parimin sipas të cilit perandori, si person laik, nuk kishte asnjë të drejtë të shprehej mbi çështje të fesë, që qenë një kompetencë ekskluzive e Kishës.82 Ky parim nuk qe aspak i ri, atë e ndeshim qysh tek etërit e Kishës së periudhës së parë bizantine. Por deri tani askush veç Maksimit nuk kishte luftuar aq vendosmërisht për pavarësinë e Kishës. Maksimi është ati i parë i Kishës mesjetare bizantine. Ai përligji mistikën e një pseudo-Dionizi në Kishën e krishterë e, gjithashtu, në fushën e politikës kishtare ai futi ide të reja me karakter të qartë mesjetar, që rinovuan klimën kulturore të kohës, të mbushur akoma me mbeturina të botës antike. Në luftën midis personit të perandorit Konstant dhe atij të murgut Maksim mund të shihet simboli i një lufte midis dy botëve që qëndronin njëra përballë tjetrës. Maksimi u mposht nga pushteti i perandorit, por idetë që ai mbrojti do të gjallojnë vazhdimisht në konfliktet fetare të shekujve që do të vijnë.

Pasi sundoi për njëzet vjet në Kostandinopojë, perandori Konstant vendosi në mënyrë kuptimplote të braktisë qytetin e Bosforit e të zhvendosë rezidencën e vet në Perëndim. Këtë e bëri jo se e konsideronte të humbur Lindjen. Në fakt, ai qëndroi në vendin e tij atëherë kur lufta ishte në kulmin e vet dhe vetëm kur rreziku më i madh ishte kapërcyer, vetëm atëherë u largua nga qyteti i vjetër bizantin. Kalimi i tij në Perëndim provon sesa shumë rëndësi i jepte akoma Perandoria Bizantine ruajtjes së zotërimeve të saj në Perëndim. Nëse krahasohet vendimi i Konstantit II me planet e dikurshme të perandorëve Mauric e Herakël, do të konstatohet një vazhdimësi mjaft e madhe e politikës bizantine, gjë që provon se bizantinët nuk kishin aspak ndër mend të hiqnin dorë nga Perëndimi e të kufizoheshin vetëm me Lindjen.

Në fakt, arsyet me të cilat burimet historike mundohen të justifikojnë këtë zhvendosje të perandorit në Perëndim, përbëjnë vetëm shtysën e fundit. Për shkak të politikës së tij kishtare dhe të trajtimit mizor që i rezervoi Martinit e Maksimit, Konstanti i humbi simpatitë e popullsisë bizantine ortodokse. I pakënaqur nga kjo, më 660 ai detyroi vëllanë e vet Teodosin të bëhej prift e pastaj urdhëroi të ekzekutohej nën akuzën e tradhtisë së lartë. Në fakt, arsyeja e vërtetë e këtij krimi qe se sipas zakonit të kohës vëllai i perandorit kishte të drejtën e bashkësundimit, porse Konstanti nuk donte në asnjë mënyrë të lejonte të kufizohej pushteti i vet absolut. Shkas për përplasjen me Teodosin u bë fakti se Konstanti pasi ia kishte akorduar bashkësundimin djalit të tij të madh Konstandinit IV më 654, disa vjet më vonë, më 659 ia akordoi edhe djemve të tij më të vegjël, Heraklit e Tiberit, duke lënë përsëri mënjanë të vëllanë. Fundi i përgjakshëm i konfliktit shkaktoi maraz të madh në popullsinë bizantine. Perandorin e ndiqte ngado urrejtja e njerëzve, që e quanin Kain.83 Ky konflikt jo i zakonshëm me popullsinë e kryeqytetit të tij e përforcoi vendimin e Konstantit për të braktisur Kostandinopojën. Nisja e sovranit për në Perëndim mori kështu ngjyrate një armiqësimi me rezidencën e tij të vjetër.

Duket se Konstanti kishte ndër mend të vizitonte qendrat më të rëndësishme europiane të perandorisë. Fillimisht u ndal në Selanik, pastaj bujti më gjatë në Athinë dhe vetëm më 663 mbërriti në Tarent. Prej këndej organizoi një fushatë kundër Longobardëve. Në fillim arriti ndonjë sukses, qytete të ndryshme ia hapën portat pa bërë kurrfarë qëndrese dhe perandori vuri në rrethim edhe qytetin e Beneventit. Por, me gjithë plaçkitjen brutale të shtetasve italianë, burimet ushtarake e financiare të perandorit qenë të pamjaftueshme për të përballuar një fushatë të gjatë dhe shumë shpejt Konstanti u shtrëngua të ndërpresë rrethimin dhe të tërhiqet në Napoli. Në këtë mënyrë, me gjithë sukseset e fillimit, përpjekja për të çliruar Italinë nga Longobardët dështoi.

Nga Napoli Konstanti iu drejtua Romës. Papa Vitaliani doli gjashtë milje jashtë murit të qytetit dhe e priti personalisht perandorin, mbi të cilin rëndonte vrasja e papë Martinit. E priti i shoqëruar nga kleri i Romës dhe e shoqëroi solemnisht në kryeqytetin e lashtë, që tashmë ruante vetëm kujtimin e madhështisë së dikurshme. Konstanti ishte i pari perandor që vizitonte Romën pas rënies së Perandorisë Romake të Perëndimit. Natyrisht, qëndrimi i tij në Romë nuk qe më tepër se një vizitë e thjeshtë. Qëndroi vetëm dymbëdhjetë ditë gjatë të cilave u mjaftua të merrte pjesë në procesione e në ceremoni fetare. Më 17 korrik 663 Konstanti u largua nga qyteti i amshuar, kaloi nëpër Napoli dhe mori rrugën e Sicilisë për ta mbrojtur këtë nga sulmet arabe. Rezidencën e tij të re e vendosi në Sirakuzë dhe po aty kishte ndër mend të sillte familjen, gruan e fëmijët. Por Kostandinopoja iu kundërvu këtij projekti. Ai s'mund ta pranonte idenë e transferimit të rezidencës perandorake në Perëndim.

Vendi i rezidencës së re sidoqoftë qe zgjedhur mirë. Në Sicili, ku dikur kishte vendosur shtabin e vet edhe uzurpatori Olimp, perandori kontrollonte pikën kyç midis territoreve italiane të kërcënuar nga lombardët dhe Afrikës veriore të kërcënuar nga sulmet arabe. Mbi veprimet e Konstantit II në Sirakuzë dimë vetëm fare pak gjëra. E sigurt është se mbajtja e oborrit dhe e ushtrisë perandorake i ngarkoi me detyrime të rënda të gjithë viset perëndimore të perandorisë dhe se despotizmi autokratik i perandorit e armiqësoi atë me të gjithë. Kjo shpjegon katastrofën me të cilën u mbyll qëndrimi i Kontantit në Sirakuzë. Bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë organizuan një komplot dhe më 15 shtator 668 perandori u vra në banjë nga një shërbëtor i tij. Në komplot morën pjesë edhe shumë përfaqësues të familjeve aristokrate bizantine e armene. Armen ishte edhe njëfarë Mezezi, që pas vrasjes së Konstantit u shpall perandor nga ushtria. Por në fillim të vitit 669 rebelimi u shtyp nga forcat e ekzarkut të Ravenës.86 Uzurpatori dhe shumë ndër komplotistët kryesorë u vranë. Kufoma e perandorit u përcoll në Kostandinopojë dhe u varros në kishën e Apostujve.

Mbrojtja e Kostandinopojës dhe zhvillimi i sistemit të ri. Konstandini IV dhe Justiniani II

Pas vdekjes së Konstantit II, froni u trashëgua nga djali i tij i vogël Konstandini IV (668-685). Me sundimin e tij fillon një periudhë me rëndësi themelore qoftë për historinë botërore e qoftë për atë bizantine. Atë kohë në luftën bizantino-arabe u krye kthesa vendimtare.

Gjatë kohës që Konstanti II ishte në perëndim, pushuan luftërat e brend- shme të kalifatit dhe Muavija rifilloi luftën kundër Perandorisë Bizantine. Më 663 arabët u shfaqën përsëri në Azinë e Vogël e që nga ai çast sulmet e tyre përsëriteshin çdo vit. Vendi u shkretua plotësisht dhe banorët u shpërn- gulën me dhunë dhe u kthyen në skllevër. Arabët përparuan deri në Kalcedoni dhe shumë prej tyre qëndrua ta kalojnë dimrin në territorin bizantin. Por lufta vendimtare, lufta për Kostandinopojën, pra për vetë ekzistencën e Perandorisë Bizantine u zhvillua në det. Kalifi Muavija rifilloi programin e pushtimeve që kishte përpunuar kur kishte qenë qeveritar i Sirisë dhe që kishte qenë i shtrënguar ta ndërpriste para një dekade. Arabët kishin pushtuar Qipron, Rodin, Koosin. Vargu i ishujve u plotësua me pushtimin e Kios. Më 670, një gjeneral i Muavijas zuri gadishullin e Cizikut, fare pranë kryeqytetit bizantin. Arabët u vunë kështu në zotërim të një baze të sigurt për veprimet e mëtejshme kundër Kostandinopojës. Para se të fillonin sulmin kundër kryeqytetit, një skuadër e flotës arabe mori, më 672, qytetin e Smirnit (Izmir), ndërsa një tjetër shtiu në dorë brigjet e Kilikisë.

Në pranverë 674 filloi operacioni vendimtar. Një skuadër e fuqishme detare u shfaq përballë mureve të Kostandinopojës. Beteja vazhdoi gjatë gjithë verës e në vjeshtë flota arabe u tërhoq në Cizik. Por me ardhjen e pranverës ajo u rishfaq dhe kryeqyteti bizantin mbeti i rrethuar për gjithë periudhën e verës. Kjo u përsërit për vite me radhë. Por përpjekjet e arabëvepër të pushtuar fortesën më të mbrojtur të botës shkuan të gjitha kot. Arabët u shtrënguan të heqin dorë nga lufta e më 678 u iarguan nga ujërat bizantine duke lënë prapa humbje të mëdha të pësuara në betejat e pareshtura përballë mureve të Kostandinopojës.88 Për herë të parë në këto beteja u përdor i famshmi "zjarr grek", që këtej e tutje do të jetë një armë e çmuar për bizantinët. Bëhej fjalë për një shpikje të arkitektit grek Kalinik, që kishte ardhur si emigrant në Bizant nga Siria: një eksploziv, sekretin për prodhimin e të cilit e njihnin vetëm bizantinët. Ky nëpërmjet të ashtuquajturit "sifon" lëshohej nga një distancë e madhe kundër anijes armike, ky u shkaktonte një zjarr të madh. Pas nisjes së saj, flota arabe pësoi humbje të reja për shkak të një furtune në bregdetin e Panfilisë, ndërkohë qe një tjetër grusht i rëndë i flotës arabe që ndodhej në Azinë e Vogël. Kalifi plak Muavija u detyrua të nënshkruajë një traktat paqeje tridhjetëvjeçare me Bizanin, me anë të të cilit angazhohej t'i paguante perandorit çdo vit një tribut prej tremijë monedhash të arta, pesëdhjetë robër e pesëdhjetë kuaj.

Dështimi i ofensivës së madhe arabe bëri përshtypje të madhe edhe përtej kufijve të Perandorisë Bizantine. Khani i avarëve dhe krerët e tribuve sllave të vendosura në Gadishullin Ballkanik dërguan në Kostandinopojë përfaqësi që i bënë homazhe perandorit bizantin, iu lutën atij për paqe e miqësi dhe njohën sovranitetin e Perandorisë Bizantine në tokat e tyre. "Kështu u vendos një paqe e qëndrueshme si në Lindje ashtu dhe në Perëndim". Me këto fjalë e mbyll kronikën e tij Teofani.

Në të vërtetë rëndësia e fitores bizantine të vitit 678 nuk duhet nënvlerësuar. Për herë të parë ishte ndaluar marshimi arab. Invazioni arab, që deri atëherë kishte përparuar si një ortek që nuk ndesh pengesa, mbeti në vend. Në luftën e madhe për mbrojtjen e Europës nga marshimi arab, fitorja e Konstandinit IV përfaqëson një kthesë me rëndësi botërore, ashtu si më vonë fitorja e Leonit III, më 718, ajo e Karl Martelit e vitit 732 në Puatje, në skajin tjetër të botës së atëhershme. Nga këto tre fitore, që shpëtuan Europën nga pllakosja e myslimanëve, fitorja e Konstandinit IV është jo vetëm e para, por edhe më e madhja. Pa dyshim, ofensiva arabe kundër Kostandinopojës ishte ofensiva arabe më e rrezikshme që bota e krishterë njohu ndonjëherë. Kostandinopoli ishte prita e fundit që qëndronte përpara invazorëve. Kjo pritë rezistoi dhe ky qe shpëtimi jo vetëm i Perandorisë Bizantine, por i gjithë kulturës europiane.

Por Perandoria Bizantine u ndesh me rreziqe të tjera për shkak të vërshimit të popullit turk të bullgarëve në Ballkan. Perandoria bullgare apo onoguro-bullgare, me të cilën Perandoria Bizantme kishte vendosur marrëdhënie miqësore në kohën e Heraklit, aty nga mesi i shek. VII ishte ndodhur nën trysninë e kazarëve që përparonin drejt Perëndimit. Ndërkohë që një pjesë e bullgarëve i ishte nënshtruar kazarëve, shumë fise të tjera braktisën vendbanimet e tyre. Një ndër grupet më të mëdha, nën drejtimin e Asparukut, lëvizi drejt Perëndimit dhe në vitet shtatëdhjetë u shfaq në grykën e Danubit. Konstandini IV e kuptoi rrezikun që përfaqësonte për shtetin bizantin shfaqja e këtij populli luftarak në kufijtë veriorë të perandorisë. Kështu që, pasi nënshkroi traktatin e paqes me arabët, filloi përgatitjet për një ekspeditë kundër bullgarëve. Lufta filloi më 680. Një flotë e madhe, nën komandën e vetë perandorit, kaloi Detin e Zi dhe u ankorua në veri të grykës së Danubit, ndërkohë që kalorësia bizantine, që u soll nga Azia e Vogël nëpërmjet Thrakës, kapërceu Danubin. Terreni moçalor i vështirësoi së tepërmi veprimet luftarake për bizantinët, ndërsa bullgarët përfitonin nga kjo rrethanë për të shmangur çdo ndeshje ballore me forcat superiore të armikut. Armata bizantine i konsumoi pa sukses forcat dhe filloi tërheqjen ndërkohë që vetë perandori i mbërthyer nga një sëmundje, ishte shtrënguar qysh më parë të braktiste trupat e veta. Por ndërsa kalonte Danubin u sulmua nga bullgarët dhe pësoi humbje të rënda. Edhe bullgarët kapërcyen Danubin, duke ndjekur armikun që tërhiqej dhe pushtuan rajonin e Varnës. Ekspedita e Konstandinit IV s'bëri gjë tjetër veçse i hapi rrugën katastrofës që ai donte të shmangte dhe ia lehtësoi armikut hapin e fundit.

Territori që zunë bullgarët kishte qenë sllavizuar prej kohësh. Ai banohej nga fisi i Severëve dhe nga shtatë fise të tjera sllave, që tani u detyruan t'u jepnin haraç pushtuesve bullgarë me të cilët me sa duket u bashkuan në luftën kundër bizantinëve. Kështu, në territorin e provincës së vjetër të Mezisë, midis Danubit dhe vargmaleve Ballkan u krijua një perandori sllavo- bullgare. Vërshimi i bullgarëve në pjesën verilindore të Gadishullit Ballkanik të pushtuar nga sllavët e përshpejtoi procesin e strukturimit shtetëror dhe çoi në krijimin e perandorisë së parë të sllavëve të jugut. Fillimisht bullgarët dhe sllavët përbënin dy entitetet etnike të ndryshme dhe akoma për shumë kohë do të dallohen qartë si të tilla nga burimet bizantine. Por me kalimin e kohës bullgarët u shkrinë plotësisht me masën sllave.

Perandori bizantin u shtrëngua të njohë faktin e kryer nëpërmjet nënsh- krimit të një paqe formale dhe, "për turpin më të madh të emrit bizantin" pranoi’ f i paguajë haraç vjetor perandorisë së re bullgare. Për herë të parë në territorin bizantin qe krijuar një perandori e pavarur, që Bizanti u detyrua ta njohë si të tillë. Ky është një fakt jashtëzakonisht kuptimplotë, sado që nuk duhet as mbivlerësuar pesha e vërtetë e humbjes që pushtimi bullgar i shkaktoi perandorisë. Në fakt, këto territore i ishin shkëputur sundimit bizantin që me invazionin sllav.

Zhvillimi i ngjarjeve në Lindje e detyroi qeverinë bizantine të rishqyrtojë politikën e saj kishtare. Meqenëse nuk kishte më shpresë të rifitoheshin provincat lindore të pushtuara nga arabët, e humbte kuptimin besnikëria e mëtejshme ndaj doktrinës monotelite, që nuk pati ndonjë efekt si mjet për ripajtim me popullsitë e krishtera të Lindjes dhe nga ana tjetër kishte shkaktuar ndërlikime të pashërueshme në Bizant e në Perëndim. Pasi u këshillua me Romën, Konstandini IV thirri një koncil në Kostandinopojë, që duhej t'i jepte fund monotelizmit. Ky koncil, që është i gjashti koncil ekumenik i Kishës së krishterë dhe që pati një kohëzgjatje të jashtëzakonshme, nga 7 nëntori 680 deri më 16 shtator 681, me tetëmbëdhjetë seanca, e ngriti në dogmë doktrinën e dy energjive e të dy vullneteve, që deri pak kohë më parë kishte qenë e dënuar. Monotelizmi u dënua dhe krerët e partisë monotelite si dhe kampionët e tyre më të hershëm, ndër të cilët patrikët Sergj, Pirro, Kir dhe papa Honor, u ndëshkuan me çkishërim. Perandori mori pjesë aktivisht në punimet e koncilit. Ai mori pjesë në njëmbëdhjetë seancat e para, që ishin edhe më të rëndësishmet si dhe në seancën përmbyllëse, drejtoi punimet dhe debatet teologjike. Në seancën e fundit ai u brohorit nga asambleja kishtare si mbrojtës e përçues i besimit të vërtetë: "Jetë të gjatë perandorit! Ti zbulove thelbin e natyrës së Krishtit! Zot, ruaj Dritën e botës! Kujtim i përjetshëm Konstandinit, Marcianit të ri! Kujtim i përjetshëm Konstandinit, Justinianit të ri! Ti shkatërrove të gjithë heretikët!"

Pak kohë pas koncilit ekumenik, në familjen perandorake u hap një konflikt i ashpër, që dukej se do degjeneronte në një luftë të përgjakshme si ajo midis Konstantit II e vëllait të tij Teodosit. Ashtu si Konstanti II edhe Konstandini IV aspironte për pushtet absolut ndaj dhe vendosi t'i zhveshë vëllezërit e tij Herakël e Tiber nga të drejtat perandorake, që u ishin njohur nga i ati që në të gjallë të tij. Por ndeshi në kundërshtimin e senatit e të ushtrisë, që i qëndronte besnike rregullave në fuqi, të cilat tani interpretoheshin në një mënyrë të re, duke u mveshur atyre një kuptim mistikokristian. Thuhet se trupat e themës së Anatolisë e shprehën protestën e tyre kundër sjelljes së perandorit me fjalët: "Ne i besojmë trinisë, ndaj duam të shohim tre perandorë të kurorëzuar." Por Konstandini IV nuk e lëshoi veten. Ai e filloi duke u hequr vëllezërve titujt perandorakë, që u takonin, dhe aty nga fundi i vitit 681 u preu atyre hundën. Përfaqësuesit e themës së Anatolisë, që kishin bërë presion mbi perandorin që ky të hiqte dorë nga planet e tij, u zunë dhe u vranë. Grushti i shtetit i Konstandinit IV pati rrjedhoja të mëdha në zhvillimin e shtetit bizantin. Pas luftërave të gjata vëllavrasëse, që vazhduan për brezni të tëra, dukej se parimi i pushtetit absolut të një perandori të vetëm u konsolidua përfundimisht dhe parimi sipas të cilit e drejta e trashëgimit të fronit i takonte vetëm djalit të madh të perandorit, bëri një tjetër hap të madh vendimtar përpara. Parimi i bashkësundimit, si mjet për të garantuar trashëgiminë e pushtetit, vazhdon të ruajë rëndësi të madhe. Ppor tash e tutje, nëse perandori ishe në moshë madhore dhe i aftë për të qeverisur, bashkëperandorit nuk i lihej kurrfarë hapësire për të marrë pjesë në ushtrimin e pushtetit. I gjithë pushteti përqendrohej në duart e perandorit, autokratik.

Vdekja e parakohshme e gjeti Konstandinin IV në moshën tridhjetë e tre vjeçare, pasi kishte sunduar plot shtatëmbëdhjetë vjet (shtator 685). Periudha e sundimit të tij la gjurmë të thella në politikën e brendshme e të jashtme, në politikën kishtare dhe në zhvillimin e organizimit shtetëror. E ndoqi në fron i biri, Justiniani II (685-695, 705-711). Ashtu si i ati, edhe ai hipi në pushtet kur ishte vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeç. Por i mungonte si maturia ashtu edhe ekuilibri, që karakterizon një burrë shteti. Kishte një natyrë pasionale, të pakontrolluar dhe nga karakteri i ngjante më shumë gjyshit. Shpirti autokrat që karakterizon të gjithë përfaqësuesit e dinastisë herakliane shprehej tek ai ashtu si te Konstanti II, në një dispotizëm të papërmbajtur, që nuk njihte pengesa e nuk duronte kundërshtime. Mbante një emër që pretendonte shumë, por që në të njëjtën kohë shkaktonte tundime të rrezikshme. Me shembullin e Justinianit në mendje, i dehur nga pushtetit që i jepte posti i tij perandorak, sovrani i ri i papjekur e i paekuilibruar u dha pas ambicieve e pas dëshirës së tij të pashuar për lavdi. Despotizmi i tij i shfrenuar, shpërthimet e pakontrolluara e bënë të kryejë veprime të cilat i dhanë famë të keqe te bashkëkohësit dhe te pasardhësit. Është kjo arsyeja që edhe historiografia moderne e ka nënvleftësuar rëndësinë e qeverisjes së tij. Megjithatë, si përfaqësues i vërtetë i dinastisë herakliane, Justiniani II qe një sovran me aftësi të mëdha, që kishte vizion të qartë mbi nevojat e shtetit.

Falë fitoreve vendimtare të Konstantit IV, gjendja në Lindje ishte mjaft e qëndrueshme, ndërsa pas vdekjes së Muavijas kalifati u paralizua nga luftëra të brendshme. Abdal Malik Ibn Marvani, që hipi në fron në po të vit kur Justiniani u kurorëzua perandor, u mundua ta stabilizojë situatën me një traktat të ri paqe me Bizantin. Traktati i solli mjaft fitim perandorisë. Nga njëra anë u shtuan tributet që arabët i paguanin Konstandinit IV, kurse nga ana tjetër u ndanë më dysh të ardhurat që nxirreshin nga Qiprua, nga Armenia dhe nga Hiberia.104 Nga ai çast, Qiprua u kthye në një zotërim të përbashkët të të dy fuqive.

Paqja në Lindje i krijoi Justinianit II mundësinë për t'u marrë me Ballkanin. Më 687-688 ai transferoi trupa të kalorësisë nga Azia e Vogël në Thrakë "për të nënshtruar bullgarët sklavinitë", siç thotë Teofani.106 Në krye të kësaj armate, më 688-689 ndërmori një fushatë të madhe, objektiv i së cilës qenë kryesisht sllavët. Pas një ndeshjeje me bullgarët, marshoi drejt Selanikut dhe "nënshtroi masa të mëdha sllavësh."107 Ecuria e kësaj fushate ofron një shembull të qartë të gjendjes së Ballkanit në atë kohë. Për të mbërritur nga Kostandinopoja në Selanik, perandorit dhe ushtrisë së tij të mobilizuar posaçërisht për këtë fushatë, iu desh të çante nëpër një territor të pushtuar nga sllavët. Hyrja e tij në Selanik u quajt një sukses i madh. Ai e festoi fitoren me një hyrje solemne në qytet dhe me dhurata të çmuara për kishën e Shën Dhimitrit, mbrojtës i Selanikut.108

Justiniani i shpërnguli në Azinë e Vogël sllavët e nënshtruar dhe i vendosi si stratiotë në themën e opsikanëve.109 Kështu vazhdoi në Azinë e Vogël procesi i kolonizimit të sllavëve, i filluar nga Konstanti II, tashmë në përmasa më të gjera. Fiset sllave të vendosura në Opsikion qenë në gjendje të nxirrnin rreth tridhjetë mijë ushtarë. Ky fluks i madh forcash të reja solli jo vetëm një rritje të ndjeshme numerike të armatës bizantine, por edhe kontribuoi në ringjalljen ekonomike të një vendi të shkretuar nga sulmet armike.

Shpërngulja e sllavëve në Azinë e Vogël qe sigurisht më masivja, por jo e vetmja. Edhe mardaitët, një popull prej grabitësish të krishterë, i vendosur në zonën e Amanit, i cili fillimisht i bëri shërbime të mira Bizantit në luftën kundër arabëve, por pastaj filloi të lidhej gjithnjë e më shumë me arabët, u tërhoq e u shpërngul në brendësi të perandorisë. Mardaitët u vendosën si garnizon detar sa në Peloponez, aq dhe në ishullin e Qefalonisë, në Nikopojë, port i Epirit si dhe në territorin e Atalisë në bregun jugor të Azisë së Vogël. Justiniani II transferoi banorët e Qipros në territorin e Cizikos, që qe dëmtuar shumë gjatë rrethimit të Kostandinopojës dhe që kishte nevojë veçanërisht për marinarë me përvojë.

Shpërngulja e qipriotëve binte ndesh me interesat e kalifatit, por Justiniani II, i ndërgjegjshëm për epërsinë e tij i hodhi poshtë me përbuzje protestat e kalifit. Më 691-692 shpërtheu lufta e hapur. Ndërkohë trupat e reja sllave kaluan në anën e armikut dhe për pasojë bizantinët pësuan një disfatë të rëndë pranë Sebastopolit në Armeni (Sulusaraj i sotëm). Pjesa bizantine e Armenisë kaloi përsëri nën sundimin e kalifit. Duke ndjekur shembullin e bizantinëve, arabët i deportuan edhe ata dezertorët sllavë në Siri dhe i përdorënsi ushtarë në luftërat me Bizantin. Natyrisht, nuk mund t'i zëmë besë dëshmisë së Teofanit, sipas së cilës Jusiniani II i masakroi, për hakmarrje, të gjithë sllavët e Bitinisë, as edhe thënies së tij se deportimi i Mardaitëve e zhveshi pa qenë nevoja kufirin lindor të perandorisë, ndërsa shpërngulja e qipriotëve dështoi plotësisht dhe se një pjesë e madhe e të shpërngulurve vdiq gjatë udhëtimit. Është e vërtetë se pas çdo gjase qipriotët u kthyen përsëri në atdheun e tyre, por nga ana tjetër akoma në shek. X ne gjejmë sllavë në themën e Opsikionit dhe Mardaitë sa në themën e Kibereotëve, ku komandanti i tyre, katepani i Mardaitëve zinte një vend të rëndësishëm krahas strategut të Kibereotëve, qoftë në Greqi, ku numri i tyre gabonte kur donte ta datonte në vitin 710-711 (më e saktë do të ishte 709-710). Kjo datë nuk përputhet me pamjen rinore të portretit të perandorit; veç kësaj në pjesën e dytë të sundimit të Justinianit zakonisht portretizohej në monedha së bashku me djalin e tij bashkëperandor Tiber arrinte në 5087 ose 4087 ushtarë. Me një fjalë, politika kolonizuese e Justinianit II rezultoi se ishte realiste dhe, sadoqë e dhimbshme për popullsitë e prekura, i përgjigjej një nevoje jetësore të shtetit bizantin. Me vendosjen e stratiotëve në themat në kohën e Heraklit, kishte filluar ripërtëritja e perandorisë. Pasardhësit e vazhduan veprën e tij e i dhanë një shtytje të fuqishme procesit të rifreskimit duke i rikonolizuar viset më të dëmtuara të perandorisë me kolonë që ishin njëkohësisht ushtarë e bujq.

Organizimi i sistemit të themave është një ndër problemet më të rëndë- sishme të zhvillimit të shtetit bizantin në mesjetën e hershme. Veprat histor- ike bizantine nuk e trajtojnë kurrë me hollësi këtë problem, por duke filluar nga gjysma e dytë e shekullit VII në burime ndeshen njoftime më të dendura mbi themat. Kjo tregon se ky organizim administrativ po bëhej gjithnjë e më shumë pjesë organike e Perandorisë Bizantine. Një dokument i Justinianit i 17 shkurtit 687, krahas dy ekzarkëve të Italisë e të Afrikës përmend edhe pesë strategët e Opsikionit, e Anatolisë, e Armenisë, e themës detare të Karabisia- nëve dhe e themës së Thrakës.

Ndërsa themat e Azisë së Vogël zvogëlohen si numër në kohën e Herak- lit, thema e Trakës u krijua nga Konstandini IV për t'u mbrojtur kundër bullgarëve. Nën sundimin e Justinianit II në Greqinë e mesme u krijua thema e Heladës. Ka të ngjarë që Justiniani II të ketë krijuar edhe në territorin e Strimonës disa elementë të një organizimi ushtarako-administrativ, përderisa vendosi aty përsëri stratiotë sllavë. Sidoqoftë, pjesa më e madhe e Gadish- ullit Ballkanik mbeti me siguri jashtë rrezes së veprimit të pushtetit bizantin, në duart e bullgarëve e të fiseve të veçanta sllave. Sfera e veprimit e prefekturës së dikurshme të Ilirikut u kufizua praktikisht vetëm me Selanikun e me rrethet e tij. Ndonëse zyrtarisht nuk u shkri asnjëherë, prefektura ilirike shkoi vazhdimisht duke u zhdukur dhe prefekti i Ilirisë u bë prefekt i Selanikut.

Regjimi i themave, që po fuqizohej në Azinë e Vogël dhe që po përhapej edhe në disa vise të Gadishullit Ballkanik, formon mjedisin ku kryhet rilindja e Perandorisë Bizantine. Për një kohë të gjatë, qeveria bizantine u përkujdes me një këmbëngulje të çuditshme të fuste një numër sa më të madh sllavësh në perandori dhe t'i vendoste ata, si stratiotë e si bujq, në themat e krijuara sërishmi, për të rritur në këtë mënyrë forcat e armatosura të perandorisë dhe për të forcuar ekonomikisht vendin. Rinovimi i brendshëm që Perandoria Bizantinenjohu duke filluar nga shek. VII, konsiston para sëgjithash në krijimin e një klase fshatare të fuqishme dhe në krijimin e një ushtrie të re stratiotësh, me një fjalë në fuqizimin e pronës së vogël fshatare, duke qenë se edhe stratiotët e ngulitur diku janë në fakt pronarë të vegjël tokash. Kryerja e shërbimit luftarak trashëgohej si rregull nga djali i madh, që trashëgonte edhe parcelën ushtarake mbi të cilën rëndonte detyrimi i shërbimit. Pasardhësit e tjerë të tij formonin tepricën e forcës së lirë bujqësore, që gjente një fushë të natyrshme veprimi te tokat e lira të bollshme. Në këtë mënyrë, edhe bujku inkuadrohej në sistemin e stratiotëve. Fshatarët e lirë dhe stratiotët i përkisnin një klase të vetme dhe kjo klasë formonte forcën themelore të Perandorisë Bizantine.

Prona e madhe e tokës, që ishte sunduese në kohën e hershme bizantine, pësoi një tërheqje të fortë në periudhën e krizës, midis shek. VI e VII dhe më vonë pësoi goditje të rënda nga sulmet e armiqve të perandorisë. Nuk mund të mendohet që zotërimet e vjetra tokësore mundën të mbijetojnë në një masë të mirë përballë sulmeve të avarëve e të sllavëve, nga njëra anë, dhe të persianëve nga ana tjetër. Për sa mund të gjykojmë, të tilla prona efektivisht zhduken në pjesën më të madhe të tyre dhe zëvendësohen nga prona të vogla tokësore: fshatarë të lirë, që marrin në dorëzim tokën e lëndë djerrë, dhe stratiotët të ushtrisë së re të themave.

Kështu, edhe në kuadrin e shtetit bizantin, në tokat fushore ndodh një ndryshim, që e vë strukturën shoqërore të perandorisë mbi një themel të ri. Në krahasim me gjithë sa u tha më sipër, qyteti në Perandorinë Bizantine tregon një qëndrueshmëri të lartë.124 Ndryshe nga Perëndimi, jeta qytetare në Bizant nuk njeh ndërprerje. Është e vërtetë se qytete të shumta, sidomos në zonën e Ballkanit, u shkatërruan nga sulmet armike, aq sa në një pjesë të mirë të Gadishullit Ballkanik që ishte shkëputur nga pushteti bizantin, jeta qytetare heshti për një kohë të gjatë. Në Azinë e Vogël nën sundimin bizantin, qytetet vazhdojnë të ekzistojnë dhe numri i tyre këtu nuk tregon asnjë shenjë recesioni. Sado të mangëta të jenë të dhënat që kemi për jetën qytetare në Perandorinë Bizantine gjatë mesjetës së hershme, nuk mund të vihet në dyshin fakti që shumë qytete bizantine e ruajtën rëndësinë e tyre si qendra të tregtisë e të artizanatit. Kjo shpjegon edhe faktin përse ekonomia monetare ruajti epërsi në Bizant. Jeta qytetare është elementi i vërtetë i vazhdimësisë në zhvillimin bizantin. Ajo siguroi vazhdimin e formës shtetërore tradicionale dhe mbijetesën e kulturës së lashtë shpirtërore e materiale.

Marrëdhëniet e reja në fshatin bizantin shprehen në mënyrën më të qartë nëligjine famshëm fshatar, që na ofron një portret të jetëssë përditshme të shtresës fshatare të Bizantit gjatë mesjetës së hershme. Mund të duket se nomos georgikos i kushton vëmendje kryesisht përqendrimeve të reja bujqësore-ushtarake, që lindën nëpërmjet kolonizimit të territoreve të shkretuara. Fitohet përshtypja se fshatrat janë vendosur në zona pyjore, pasi vazhdimisht flitet për çpyllëzim e kultivim të tokave djerr. Fshatarët, marrëdhëniet juridike të të cilëve ishin rregulluar nga ligji, janë pronarë tokash të pavarur. Nuk kanë detyrime ndaj askujt, përveç ndaj shtetit, si taksapagues. Liria e tyre e lëvizjes është e pakufizuar. Kjo sigurisht nuk do të thotë se atë kohë nuk kishte asnjë fshatar të bujkrobëruar, por se fshatarët e pavarur përfaqësojnë një shtresë të gjerë dhe se nën emrin e bujqve kuptohen pikësëpari pronarë të pavarur tokash. Në mënyrë domethënëse, ligji i cilëson zotër të pasurive të tyre. Nga ana tjetër ata nuk zotërojnë vetëm tokë e bagëti, por herë-herë edhe skllevër, të cilit vazhdojnë të kenë ende një funksion aspak të papërfillshëm në bujqësinë bizantine. Ligji agrar është konceptuar kryesisht për të mbrojtur pronën private të gjithsecilit.

Pavarësisht nga kjo, banorët e fshatit formojnë një bashkësi (koinotes), kolektiviteti i së cilës shprehej në forma të ndryshme. Arat, vreshtat, frutoret dhe kopshtet ishin pronë e plotë personale e bujqve ose e familjes fshatare. Ndonjëherë dhe sipërfaqet pyjore ishin pronë e një individi. Megjithatë, këto prona individuale, rridhnin nga një ndarje fillestare e territorit që i ishte caktuar bashkësisë së fshatit dhe, në rast nevoje mund të kryheshin ndarje të reja plotësuese. Pjesë të caktuara të territorit të fshatit mbeteshin, si pronë e pandashme e bashkësisë. Kullotat përdoreshin bashkërisht, tufat e fshati ruheshin e kulloteshin nga barinj të paguar nga bashkësia.

Aty nga shek. VII, sistemi i taksimit personal pësoi ndryshime të rëndësishme. Bashkëshoqërimi i taksimit mbi personin me taksimin mbi tokën, pra capitatio-jugatio e krijuar nga Diokleciani dhe ende në fuqi në vitet e para të Justinianit 11, tani u la mënjanë. Taksimi i personit veçohet nga taksimi i tokës. Masa e tij rritet dukshëm dhe i kërkohet pa dallim çdo taksapaguesi. Vjelja e taksës personale nuk varej më nga prona tokësore. Në këtë mënyrë zhdukej njëra nga arsyet që në periudhën e parë të shtetit bizantin e shtynin administratën ta lidhte taksapaguesin me tokën për të siguruar në kushtet e sistemit fiskal në fuqi vjeljen e taksave në një periudhë mungese të madhe të fuqisë punëtore. Në këtë mënyrë edhe reforma e sistemit fiskal çoi në rritjen e numrit të fshatarëve të lirë.

Por një rritje të konsiderueshme njohu edhe prona tokësore e Kishës dhe e manastireve, falë dhurimeve të bëra nga bizantinët e devotshëm të të gjitha klasave e shtresave shoqërore. Ky fenomen, së bashku me atë të zhvillimit të pandalshëm të manastireve, është shprehje e fuqisë në rritje të Kishës. Një ide më të qartë mbi zhvillimin e jashtëzakonshëm të manastireve në Bizant na e jep një dëshmi disi më e vonë e patrikut Johan i Antiokesë, në fund të shek. XI, i cili, pavarësisht nga ekzagjerime të pamohueshme, ofron një imazh mjaft real. Ky përfaqësues i lartë i kleritlindor, mbrojtës i vendosur i paprekshmërisë së pasurive të manastireve, thoshte se popullsia e Perandorisë Bizantine, përpara fillimit të krizës ikonoklastike, ndahej në dy grupe të mëdha: murgj e laikë.131 Rritja e numrit të manastireve dhe të murgjve u shoqëruan dhe me rritjen e pronave kishtare.

Justiniani i II ishte një sovran mjaft fetar. Në monedhat e kohës, figura e tij shoqërohej nga fjalët servus Christi (skllav i Krishtit). Ai qe i pari perandor bizantin që në anën e prapme të monedhave shtypi figurën e Krishtit. Gjatë sundimit të tij, më 691-692, u mbajt një koncil që u quajt Quinisextum (Pesëgjashta), pasi vendosi një sërë rregullash disiplinore që plotësonin dekretet dogmatike të koncilit të pestë (553) dhe të koncilit të gjashtë (680). Prej emrit të vendit ku u mbajt, në sallën me kupolë të pallatit perandorak, e ashtuquajtura sallë e trulit, quhet edhe Koncili Trulan. Te njëqinded kapitujt e koncilit rregullojnë probleme të ndryshme të dogmës kishtare liturgjike dhe nënvizojnë nevojën e forcimit të moralit kristian në radhët e popullit e të klerit. Dënimet e mjaft zakoneve e praktikave për shkak të origjinës pagane të tyre ose pjesërisht për arsye morale, janë për ne dokumente shumë interesante mbi mënyrën e jetesës së popullit në atë kohë. Kështu prej tyre mësojmë se akoma festoheshin festa pagane, ndër to dhe festa bruinalia, gjatë së cilës burra e gra endeshin rrugëve të maskuar dhe të travestuar; mësojmë gjithashtu se gjatë vjeljes së rrushit vazhdonin të këndoheshin himne për nder të Dionizit dhe se gjatë hënës së re, përpara shtëpive ngriheshin podiume dhe të rinjtë vraponin mbi zjarr. Këto dhe të tjera praktika të trashëguara nga kohët pagane u ndaluan në këtë koncil. Veç të tjerash, edhe studentët e Kostandinopojës u ndaluan të merrnin pjesë në shfaqje teatrale. Por vendimet më të rëndësishme të Quinisextum janë ato që frymëzoheshin nga konceptet e ndryshme të Kishës lindore dhe të asaj perëndimore, si për shembull mbi problemin e martesës së priftërinjve apo mbi atë të agjërimit të së shtunës, që dënohej prerë nga riti roman. Pra, vetëm një dekadë pas ripajtimit për çështjet e dogmës së krishterë, që ishte arritur në koncilin e IV ekumenik, u rishfaqën divergjenca midis Romës e Bizantit. Kësaj radhe nuk bëhej më fjalë për çështje të besimit, por për probleme që dëshmonin qartë zhvillimin divergjent të të dy metropoleve.

Asgjë për t'u çuditur, pra, nëse papa i hodhi poshtë përfundimet e Quinisextum. Justiniani besoi për njëçastse mund ta shuanteshpejt konfliktin, sipas shembullit të gjyshit të tij. Ndaj dërgoi në Romë një përfaqësues me detyrë të zinte rob papën dhe ta sillte atë në Kostandinopojë për ta nxjerrë përpara gjyqit perandorak. Por nuk ishin më kohët e papa Martinit. Autoriteti i perandorit në Itali nuk qe më ai i pari dhe pozitat e papës ishin forcuar. Repartet ushtarake të Romës dhe ato të Ravenës iu kundërvunë ashpër planeve të të dërguarit të perandorit, aq sa ky i fundit mundi të largohej shëndoshë e mirë vetëm në sajë të zemërgjerësisë së papës. Kjo ishte një marrje revanshi mbi poshtërimin që papa kishte pësuar dyzet vjet më parë nga perandori bizantin. Por kësaj radhe perandori nuk mundi të merrte hak për poshtërimin e tij, pasi pas pak kohe ai u rrëzua nga froni.

Politika e dinastisë herakliane, e cila e bëri pronën e vogël të stratiotëve dhe të fshatarëve të lirë shtyllën kryesore të perandorisë, nuk mundi të pranohej nga aristokracia bizantine. Me Justinianin II politika e qeverisë mori një drejtim antiaristokratik veçanërisht të theksuar dhe qëndrimi i prerë e provokues i perandorit të ri, që nuk hezitonte të përdorte mjetet e dhunës, e ngriti tensionin në shkallën më të lartë. Burime lindore të mirë informuara dëshmojnë se qëndrimi i Justinianit e kërcënonte aristokracinë me asgjësim të plotë. Nga ana tjetër, disa nga masat e marra prej tij nuk i siguruan atij një mbështetje popullore. Politika e tij kolonizuese, ndonëse përputhej me nevojat e shtetit, ishte mjaft e rëndë për ata që goditeshin prej saj, të cilët shkuleshin me forcë nga atdheu i tyre dhe përplaseshin në vise të panjohura e të pabanuara. Për më tepër, qeveria e Justinianit II i ngarkoi me detyrime të rënda financiare shtetasit e vet sidomos për programet madhështore të ndërtimit që perandon i kishte shumë për zemër dhe për të cilat kërkonte të matej me homonimin tij të madh. Politika e pamëshirshme fiskale shkaktoi zemërimin e popullsisë kundër zyrtarëve të ngarkuar me financat, , që ishin shquar për brutalitetin e arrogancën e tyre. Aty nga fundi i vitit 695 shpërthen kryengritja kundër qeverisjes së Justinianit II dhe partia e të kaltërve ngriti në fronin perandorak Leoncin, strategun e themës së re të Heladës. Dy mëkëmbësit e Justinianit, sakellari Stefan dhe Logoteti Teodot u masakruan nga masat e revoltuara. Vetë Justinianit iu pre hunda. Paskëtaj, perandori i përmbysur u syrgjynos në Kerson, ku para tij kishte mbyllur vitet e tij të internimit papa Martini.

Përmbysja e dinastisë së Heraklit

Ngjarjet e vitit 695 sollën elemente pasigurie në politikën bizantine. Filloi një politikë turbullirash që zgjatën për njëzet vjet. Kjo periudhë rrëmuje e brendshme e ekspozoi perandorinë faqe rreziqeve të reja dhe i shkaktoi asaj humbje të rënda. E para ndër to qe humbja e bregdetit të Afrikës veriore. Sulmet arabe kundër ekzarkatit të Kartagjenës ishin ndërprerë nga një armëpushim i gjatë, por, pas dështimit të planit të Konstantit II për një mbrojtje më efikase të provincave perëndimore të perandorisë, humbja e këtyre territoreve mbetej tashmë një çështje kohe. Më 697 arabët u sulën në Afrikën latine dhe pas një fushate tëshpejtë triumfuese pushtuan Kartagjenën. Flota bizantine e dërguar me ngut nga perandori Leonc (695-698) mundi ta marrë përsëri në dorë situatën. Por me ardhjen e pranverës mbërritën përforcime të mëdha arabe me tokë e me det dhe bizantinët u detyruan të tërhiqen përballë epërsisë së armikut dhe të braktisin vendin. Pas kësaj humbjeje flota bizantine ngriti krye kundër Leoncit dhe shpalli perandor cirungarin e Kibereotëve, Absimarin. I mbështetur nga garnizoni i qytetit që ishte me partinë e të gjelbërve, ky mundi të bëhet zot i kryeqytetit dhe hipi në fron me emrin Tiber II (698-705). Ndërsa pararendësi i tij e kishte marrë pushtetin me ndihmën e të kaltërve, Tiberi e mori atë me ndihmën e të gjelbërve. Perandori i shfronësuar u mbyll në një manastir, por më përpara i ishte prerë hunda, ashtu siç kishte ndodhur me Justinianin II, që ishte përmbysur prej tij tre vjet më parë.

Tiberi nuk bëri asnjë përpjekje për të ripushtuar ekzarkatin e Kartagjenës tashmë në duar të myslimanëve, as edhe për ndaluar marshimin e mëtejshëm të invazorëve. Marshimit arab iu kundërvunë vetëm fiset vendase mauritane. Porqysh në vitet e para tëshek. VIII, arabët prekënbrigjeteOqeanit: Pengesën e parë serioze ata e ndeshën tek shtatë vëllezërit, avamposti perëndimor i Perandorisë Bizantine (sot Centa, gjatë rrugës për në Gjibraltar). Por më 711 ra dhe kjo fortesë dhe arabët u vunë në zotëri të të gjithë bregdetit afrikan dhe filluan menjëherë pushtimin e Spanjës, ku në krye të pak viteve asgjësuan sundimin visigot. Arabët e realizuan kështu depërtimin e tyre në Europë nga krahu i perëndimit, pasi kishin përshkruar gjithë Afrikën veriore: rrugën e lindjes ua kishte mbyllur në mënyrë të pashpresë Kostandinopoja.

Ndërkaq dinastia e Heraklit do të përpiqej të rrëmbente përsëri pushtetin nëpërmjet Justinianit II. Asgjymtimi i tij i tmerrshëm, assyrgjynosjanë Kersonin e largët nuk kishin mundur ta qetësojnë shpirtin e tij të trazuar. Justiniani asnjëherë nuk iu nënshtrua fatit të tij dhe gjithmonë ëndërronte të hakmerrej. E inkurajoi sidomos përmbysja e Leoncit më 698. Sjellja e tij u bë gjithnjë e më e dyshimtë saqë autoritetet lokale të Kersonit vendosën fia dorëzojnë qeverisë së Kostandinopojës. Jutiniani u mformua në kohë dhe u arratis në perandorinë e Kazarëve, ku khani e priti me të gjitha nderet dhe i dha për grua të motrën, e cila u bë e krishterë duke marrë emrin Teodora, të njëjtin emër si gruaja e Justinianit I. Por manovrat e Justinianit ngjallën shqetësime të mëdha në Kostandinopojë, derisa në oborrin e Kazarëve mbërriti një dërgatë e perandorit Tiber, që kërkonte dorëzimin e Justinianit. Me qëllim që të mos turbullonte marrëdhëniet e mira me Bizantin, khani vendosi të plotësojë kërkesëne qeverisë bizantine. Por Justiniani që ndërkohë qe informuar për rrezikun, iku përsëri dhe pas aventurave të shumta mbërriti në bregun perëndimor të Detit të Zi.

Këtu hyri në lidhje me khanin e bullgarëve, Tervelin, dhe siguroi përkrahjen e tij. Në shtator të vitit 705, i shoqëruar nga Terveli dhe në krye të një ushtrie të madhe bullgaro-sllave, Justiniani u shfaq përpara Kostandinopojës. Por kjo ushtri ishte e pafuqishme përballë mureve të kryeqytetit. Tre ditë kaluan pa asnjë rezultat dhe pretendimet për fronin e Justinianit u pritën me përçmim e shpoti. Më në fund, së bashku me disa shokë të guximshëm, Justiniani mundi të futej natën në Kostandinopojë, duke kaluar nëpër tubat e ujësjellësit. Qyteti i zënë në befasi u përfshi nga paniku. Tiberi ia mbathi, duke i lënë fushë të lirë rivalit të tij kurajoz. Justiniani gjeti përkrahës në qytet dhe mundi të pushtojë pallatin Blahema dhe kështu, pas dhjetë vjetësh syrgjynosjeje plot aventura, hipi për herë të dytë në fronin e të atit. "Perandori hundërprerë" (rinotmetos) sundoi dhe shtatë vjet të tjerë (705-711) në metropolin buzë Bosforit, pa u bërë fort merak për gjymtimin e tij të frikshëm. Fakti që ky gjymtim, krejt i zakonshëm në shekullin VII, nuk e tuti Justinianin është një tjetër provë e etjes së tij të pashuar për pushtet. Më vonë, një ndëshkim i tillë trupor nuk u zbatua më mbi pretendentët e fronit apo mbi perandorë të shfronësuar. Justiniani e ndau pushtetin me gruan e tij, Teodorën, e cila pas grushtit të suksesshëm u kthye nga perandoria e Kazarëve duke sjellë me vete dhe një fëmijë që e kishte lindur ndërkohë. Ky u quajt Tiber dhe u emërua bashkëperandor.

Jo vetëm shpërblimi që iu dha miqve e përkrahësve të Justinianit, por edhe hakmarrja që goditi armiqtë e tij, i kapërcyen kufijtë e imagjinatës. Nga ana tjetër, Justiniani i pagoi bullgarëve haraçin që perandoria u detyrohej atyre që nga koha e Konstandinit IV. Për më tepër, si shenjë nderimi e veçantë, Tervelit iu akordua titulli Cezar, që e kishte humbur kuptimin e tij të dikurshëm, por që mbetej titulli më i lartë bizantin pas atij të perandorit. Ishte hera e parë që një sovran i huaj fitonte këtë titull të lartë, që vërtet nuk i siguronte të interesuarit një pjesëmarrje në pushtet, por i siguronte atij pjesëmarrjen në nderet perandorake dhe kjo s'ishte gjë e vogël. Përpara se të kthehej në atdhe i mbushur me dhurata të çmuara, Terveli priti nderimet e popullit bizantin pasi dinjiteti i cezarit që tashmë mbante, i jepte të drejtën të ulej në fron në krah të perandorit. Kurse Tiber Absimiari, që kishte arritur të ikte por pastaj qe zënë, si dhe Leonci, që kishte qenë shfronësuar para shtatë vjetësh dhe qe gjymtuar, u nxorën përpara popullit e pas sharjeve e talljeve poshtëruese, u ekzekutuan. Shumë zyrtarë të lartë u varën mbi muret e Kostandinopojës. Patrikut Kalinit, që kishte kurorëzuar Leoncin, iu nxorën sytë. Por këta s'qenë veçse viktimat e para të terrori sistematik, që synonte të zhdukte të gjithë armiqtë e perandorit. Gjatë periudhës së dytë të sundimit të tij, Justiniani e justifikoi plotësisht famën e tiranit të etur për gjak, që gëzonte te bashkëkombësit. I pushtuar nga një etje e pashuar hakmarrjeje dhe i verbuar prej saj, i harroi detyrat urgjente të qeverisjes, e la pas dore luftën kundër armiqve të perandorisë dhe i angazhoi të gjitha forcat e tij në luftën sfilitëse kundër armiqve të tij të brendshëm.

Nga një situatë e tillë përfituan arabët. Më 709 ata rrethuan Tianën, një ndër fortesat më të rëndësishme kufitare në Kapadoki. Armata bizantine që mbronte atë front, ishte e pamjaftueshme dhe komandantët e saj të paaftë, ndërkohë që më të zotët kishin rënë viktimë e terrorit. Bizantinët u thyen keqas, ndërsa fortesa e Tianës, e dobësuar nga rrethimi i gjatë dhe nga mosardhja e ndihmave, iu dorëzua armikut. Më 710 e 711 arabët kryen disa inkursione në Kiliki pa ndeshur në kurrfarë qëndrese dhe pushtuan disa fortesa. Një detashment i vogël arab guxoi të depërtojë deri në Krisopojë.

Ndërkaq perandori i pakënaqur nga vrasjet në masë në Bizant, organizoi një ekspeditë ndëshkimore kundër Ravenës për t'u hakmarrë për qëndrimin armiqësor që ravenatët kishin mbajtur ndaj tij gjatë periudhës së parë të sundimit të tij. Qyteti u plaçkit e u shkretua, qytetarët e saj më të shquar u zunë rob e u çuan në Kostandinopojë ku u vranë të gjithë, ndërkohë që peshkopit iu nxorën sytë. Ndryshe nga ç'ndodhi me Ravenën, konflikti me Romën mbi dekretet Quinisextumit u kapërcye në mënyrë paqësore. Në fund të vitit 710 papa Konstandin u ftua në Kostandinopojë ku u prit me nderimet më të mëdha.

Ekspedita ndëshkimore e vitit 709 shkaktoi në Ravenë një kryengritje qysh në fund të vitit 710 apo në fillim të vitit 711. Megjithatë Justiniani diçka më vonë dërgoi një ekspeditë analoge në Kerson, vendi ku dikur kishte qenë internuar. Hakmarrja e tij qe këtu akoma më mizore se në Ravenë. Por ajo i mori jetën edhe vetë Justinianit. Popullsia e Kersonit ngriti krye, e ndjekur nga rebelimi i ushtrisë dhe i flotës, komandantët e të cilave pas çdo disfate duhet të prisnin hakmarrjen e perandorit mosbesues. Kryengritja u mbështet nga kazarët, të cilët ndërkohë e kishin shtrirë sundimin e tyre në gjithë Krimenë.140 Armeni Bardhan Filipiku u shpall perandor e në fillim të vitit 711 mbërriti përpara Kostandinopojës me një flotë. Kryeqyteti i hapi portat dhe tashmë nuk kishte mbetur njeri që të përpiqej të mbronte Justinianin. Perandori i shfronësuar u vra nga një oficer i tij. Koka e tij u dërgua në Romë e në Ravenë dhe iu ekspozua publikut. Edhe djali e trashëgimtari i tij, Tiberi u vra. Dinastia e lavdishme e Heraklit u zhduk, kështu, mes gjakut e tmerrit.

Ajo qe e para dinasti bizantine në kuptimin e vërtetë të fjalës, një dinasti që e drejtoi perandorinë për pesë breza, plot një shekull. Nëse i hedhim një sy historisë së kësaj familjeje të jashtëzakonshme, do të kalonim në revistë një galeri të tërë njerëzish, tek të cilët dhuntitë e padiskutueshme të politikanit shoqëroheshin nga një pasion i sëmurë: Herakli i madh, reformatori i peran- dorisë, që në krye të armatës së tij udhëhoqi luftën e shenjtë dhe korri fitore madhështore mbi perandorinë e fuqishme persiane, më në fund, i lodhur e i drobitur, qëndroi duarlidhur përballë fitoreve arabe dhe i kaloi vitet e fundit të jetës në një gjendje turbullire psikike; Konstanti II, djali i një njeriu të shkatërruar nga tuberkulozi, që hipi në fron akoma foshnjë, me kujtimin ende të freskët të luftërave të përgjakshme brenda familjes, që u bë një sovran me vullnet autokratik të papërmbajtur dhe që bie për një ideal të madh, por utopik; Konstandini IV, fitimtari heroik i luftës kundër arabëve që, pas gjyshit të tij, qe ai që meritoi më shumë se kushdo tjetër titullin e shpëtimtarit të perandorisë, një gjeneral e politikan i madh, vdekur para kohe në moshën tridhjetetrevjeçare; e në fund Justiniani II, një sovran me dhunti të jashtëzakonshme, që kontribuoi më shumë se kushdo në përpunimin e strukturës së re shtetërore, por që për shkak të despotizmit të tij që s'njihte kufi, të mungesës së vetëkontrollit e të mizorisë së tij thuajse patetike, i përgatiti vetes një fund tragjik dhe u bë përgjegjës për rënien e dinastisë.

Periudha krijuese e dinastisë herakliane u mbyll me fazën e parë të sundimit të Justinianit II. Gjatë periudhës që fillon me ardhjen në pushtet të Heraklit dhe mbaron me shfronësimin e parë të Justinianit u zhvillua lufta më e egër ku u vu në lojë vetë ekzistenca e perandorisë dhe u kryen ndryshimet e brendshme më të mëdha, që perandoria kishte njohur ndonjëherë. Edhe pse i theu persianët e avarët, Bizanti u detyrua t'u lëshojë territore të gjera arabëve. Sidoqoftë, pas luftërash të ashpra, mundi të ruajë zemrën e territoreve të tij, t'u pengojë myslimanëve daljen në Europë e të shpëtojë qenien e vet si fuqi e madhe. Shtrirja gjeografike e perandorisë u reduktua së tepërmi, por brenda kufijve të rinj Bizanti rezultoi më i fortë e më i qëndrueshëm. Organizimi i vjetër shtetëror i periudhës së vonë romake u ripërtëri nëpërmjet reformave të thella të brendshme e ardhjes nga jashtë të forcave të reja e të freskëta. Struktura e saj ushtarake u riorganizua në mënyrë të vendosur e të njësuar dhe organizimi i ushtrisë u transformua dhe u mbështet tek forcat e stratiotëve bujq. U rrit së tepërmi klasa e fshatarëve të lirë, që i kushtoheshin kultivimit të tokave të reja dhe që, me detyrimet që paguajnë, përfaqësojnë shtyllën më të sigurt të arkës perandorake. Forca e shtetit bizantin në të ardhmen do të mbështetet pikërisht mbi themelet e hedhura në shekullin VII Falë reformave të zbatuara nga dinastia e Heraklit, Bizanti mundi të realizojë mbrojtjen kundër arabëve dhe bullgarëve e së fundi të shpërthejë një ofensivë vendimtare e triumfale në Azi e në Gadishullin ballkanik.

Por, ashtu si është e pasur me luftëra heroike, kjo epokë është gjithashtu e varfër për sa i përket jetës kulturore, veprimtarisë letrare dhe artistike. Në fakt, me zhdukjen e shtresës së vjetër aristokratike, shuhet edhe kultura e vjetër që ajo mishëron dhe pas shkëlqimit e pasurisë së letërsisë e të artit të kohës së Justinianit, në shekullin e VII ndoqi një periudhë kulturalisht e varfër. Një gjë e tillë i jep kësaj periudhe një pamje të zymtë, aq më shumë që në Bizant depërtojnë zakone e praktika të vrazhda të tipit oriental. Artet figurative janë të papërfillshme. Letërsia laike dhe shkencat mbeten memece. E inkurajuar nga grindjet fetare, teologjia është e vetmja që i dëgjohet zëri. Kisha fiton një rëndësi gjithnjë e më të madhe. Jeta bizantine merr një karakter mistik e asketik. Vetë perandorët janë njerëz mistikë: "Herakli, "çlirimtar i Tokës së Shenjtë", Konstandini "fanar i ortodoksisë", Justiniani "skllav i Krishtit".

Perandoria universale romake i takon tani së shkuarës. Ndërsa në Perën- dim formohen shtete gjermanike, Bizanti, edhe pse i qëndron gjithmonë besnik ideve shtetërore dhe traditave romake, bëhet një perandori mesjetare greke. Kultura dhe gjuha greke, që korr fitoren përfundimtare në lindje pas romantizmit artificial të epokës kalimtare të bizantizmit të hershëm, i jep kësaj perandorie vulën e vet dhe e kanalizon zhvillimin e saj në një drejtim të ri.

info@balkancultureheritage.com