Magjistrati
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Magjistrati

Shkrirja e autoritetit politik dhe funksionit fetar në të njëjtin autoritet, nuk do të merrte fund me funksionin mbretëror. Revolucioni, i cili do të vendoste regjimin republikan, nuk i ndau funksionet, përzierja e të cilave dukej diçka shumë e natyrshme dhe përbënte ligjin themelor të shoqërisë njerëzore. Magjistrati që do të zëvendësonte mbretin, ishte ashtu si edhe ai, njëherazi prift dhe prijës politik.

Ngandonjëherë, ky magjistrat i zgjedhur çdo vit, mbante titullin e shenjtë mbret. Diku tjetër, emri pritan, që përdorej për të, do të tregonte funksionin e tij kryesor. Në qytete të tjera, do të mbizotëronte titulli arhont. Për shembull, në Tebë, magjistrati i parë quhej me këtë emër. Por ajo që Plutarku thotë rreth kësaj magjistrature, dëshmon se ajo ndryshonte fare pak nga funksioni priftëror. Gjatë kohës së ushtrimit të magjistraturës së tij, arhonti duhej të mbante një kurorë, ashtu siç mbanin edhe priftërinjtë; feja i ndalonte ata të mbanin leshra të gjata apo çdo lloj sendi prej hekuri me vete, udhëzime që e bëjnë atë disi të ngjashëm me flaminët romakë. Qyteti i Plateas kishte gjithashtu një arhont dhe feja e kësaj qyteze kërkonte që ai të vishej me të bardha, pra me ngjyrën e shenjtë, gjatë gjithë periudhës së magjistraturës së vet.

Ditën e fillimit të magjistraturës së tyre, arhontët athinas ngjiteshin në Akropol, një kurorë mirte mbi kokë, dhe bënin atje një flijim për hyjninë e tyre poliade. Gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre, ishte gjithashtu zakon që ata të vendosnin mbi kokë një kurorë me gjethe. Mirëpo, dihet se kurora, e tilla në afat të gjatë do të kthehej dhe do të mbetej emblemë e pushtetit, në atë kohë nuk ishte veç një emblemë fetare, një shenjë e jashtme, e cila shoqëronte lutjet dhe flijimet. Mes nëntë arhontëve, ai që quhej mbret ishte para së gjithash prijës i fesë; por secili nga kolegët e tij duhej të përmbushte gjithashtu edhe një funksion priftëror, të përkujdesej për ndonjë flijim që u duhej kushtuar perëndive.

Grekët kishin një shprehje të përgjithshme për emërtimin e magjistratëve; , që fjalë për fjalë do të thotë, ata që duhet të përmbushin flijimin: shprehje e lashtë që dëshmon për idenë që ekzistonte fillimisht rreth magjistratit. Lidhur me këto personazhe, Pindari thotë se, nëpërmjet dhurimeve që i bëjnë vatrës, ata sigurojnë shpëtimin e qytezës.

Në Romë, veprimi i parë i konsullit konsistonte në kryerjen e një flijimi në altarin e forumit. Viktimat silleshin në sheshin publik; kur prifti kryesor i shpallte ata të denjë për të kryer sakrificën, konsulli i therte me duart e tij, ndërkohë që një kasnec e urdhëronte turmën të ruante heshtjen, ndërsa dikush luante në fyell një melodi të shenjtë. Disa ditë më vonë, konsulli shkonte në Lavinium, prej ku rridhnin penatët romakë, dhe ofronte edhe një flijim tjetër.

Kur këqyrim me kujdes natyrën e magjistratit te njerëzit e lashtësisë, shohim se sa pak ngjason ai me kryetarët e shteteve të shoqërive moderne. Në personin e tij shkrihet prifti, gjykatësi, komandanti. Ai përfaqëson qytezën, e cila mishëron një shoqërim po aq fetar sa edhe politik. Ai ka në duart e veta oguret, ritet, lutjen, mbrojtjen e perëndive. Konsulli është diçka më shumë se njeriu i zakonshëm; ai është ndërmjetësi mes njeriut dhe hyjnisë. Nga fati i tij varet edhe fati publik; ai është si një lloj shpirti mbrojtës i qytezës. Vdekja e një konsulli funeste republikën. Kur konsulli Klaudius Neron braktis ushtrinë, për t'i shkuar në ndihmë shokut të tij, Tit-Livi përshkruan se sa shumë u alarmua Roma për fatin e kësaj ushtrie; sepse e privuar nga prijësi i saj ushtria do të ishte njëkohësisht e privuar edhe nga mbrojtja qiellore; bashkë me konsullin, ishin larguar edhe ogurët, domethënë besimi dhe perënditë.

Magjistraturat e tjera romake, që në njëfarë mënyre ishin gjymtyrë të shkëputura njëra pas tjetrës nga konsulati, grumbulluan mbi vete, sikurse edhe ai, atribute priftërore dhe atribute politike. Në ditë të caktuara, censori, me kurorë mbi kokë, shihej tek bënte flijime në emër të qytezës dhe godiste me dorën e tij viktimat. Pretorët, edilët kurulë, kryesonin festat fetare. Nuk kishte magjistrat që mos të përmbushte ndonjë rit të shenjtë; sipas mendimit të njerëzve të lashtësisë, çdo lloj autoriteti duhej të kishte, në njëfarë mënyre, një karakter të shenjtë. Të vetmit që nuk ishin të detyruar të përmbushnin kurrfarë flijimi, ishin tribunët e plebenjve; kjo është edhe arsyeja se përse ata nuk llogariteshin midis magjistratëve të vërtetë. Më tej, do të shohim se autoriteti i tyre ishte i një natyre krejtësisht të jashtëzakonshme.

Karakteri priftëror që i vishet magjistratit, shfaqet para së gjithash në mënyrën e zgjedhjes së tij. Sipas njerëzve të lashtësisë, thjesht votimi nuk ishte i mjaftueshëm për të vendosur se cili do të ishte prijës i qytezës. Për sa kohë që zgjati mbretëria primitive, ishte e natyrshme që ky prijës të caktohej mbi bazën e origjinës, në funksion të ligjit fetar, sipas të cilit, biri zinte, mbi bazë trashëgimie, vendin e të atit të tij, në ushtrimin e çdo funksioni fetar; ishte e qartë se statusi i origjinës zbulonte së tepërmi vullnetin e perëndive. Kur revolucionet do të zhduknin kudo këtë lloj mbretërimi, duket se njerëzit janë përpjekur të gjejnë kudo një mënyrë zgjedhjeje të pranuar nga perënditë, që të zëvendësonte të drejtën e origjinës; athinasit, sikurse shumë prej popujve të tjerë grekë, nuk gjetën mënyrë tjetër më të mirë sesa shorti. Por është e rëndësishme që rreth kësaj mënyre të vepruari të mos krijohet ndonjë ide e rreme, pasi, shpesh, ajo ka qenë objekt akuzash rreth demokracisë athinase; për këtë është e nevojshme të depërtojmë në mendimin e njerëzve të lashtësisë. Për ta, shorti nuk ishte rastësia; shorti ishte zbulimi i vullnetit hyjnor. Ashtu sikurse në tempuj, ai përdorej për të kapur të fshehtate qiellit, po ashtu qyteza i referohej atij edhe për zgjedhjen e magjistratit. Njerëzit qenë të bindur se, perënditë përzgjidhnin më të denjin mes njerëzve, nëpërmjet nxjerrjes së emrit nga uma. Platoni shpreh mendimin e njerëzve të lashtësisë, kur thotë: "Për njeriun që shorti cakton, themi se është i dashur për hyjninë dhe i denjë për të urdhëruar. Për të gjitha magjistraturat që kanë të bëjnë me sendet e shenjta, duke i lënë hyjnisë zgjedhjen e atyre që janë të pëlqyeshëm për të, ne i drejtohemi shortit." Kështu, qyteza besonte se ajo i merrte magjistratët e saj drejtpërdrejt nga perënditë.

Në thelb, por nën një paraqitje të jashtme të ndryshme, e njëjta gjë ndodhte edhe në Romë. Caktimi i konsullit nuk duhej t'u përkiste njerëzve. Një magjistrat nuk mund të krijohej legjitimisht nga vullneti apo trilli i popullit. Ja se si zgjidhej ai. Magjistrati në detyrë, pra njeriu që mbartte tashmë karakterin e shenjtë dhe oguret, caktonte një ditë, të cilën ai e konsideronte të përshtatshme për caktimin e konsullit. Gjatë natës që paraprinte këtë ditë, ai rrinte jashtë, zgjuar, me sy të ngulur drejt qiellit dhe vëzhgonte shenjat e dërguara prej perëndive, ndërkohë që, mendërisht, ai thoshte me vete edhe emrin e kandidatëve të ndryshëm për këtë magjistrafurë. Nëse shenjat ishin të mbara, kjo donte të thoshte se perënditë i pëlqenin kandidaturat. Të nesërmen, populli mblidhej në fushën e Marsit; i njëjti personazh që ishte këshilluar gjatë natës me perënditë, tani kryesonte kuvendin. Ai thërriste me zë të lartë emrat e kandidatëve, rreth të cilëve ai kishte grumbulluar ogurët; nëse mes atyre që kërkonin vendin e konsullit, gjendej edhe ndonjë syresh, për të cilin oguret nuk kishin qenë të favorshme, emri i tij nuk thuhej. Populli votonte vetëm për emrat e propozuar nga kryesuesi i kuvendit14. Nëse kryesuesi shqiptonte emrat e vetëm dy kandidatëve, populli do të votonte, domosdoshmërisht, vetëm për ta; nëse ai shqiptonte tre emra, populli zgjidhte mes tyre. Kuvendi nuk kishte kurrë të drejtë të votonte për emra të tjerë, të ndryshëm prej atyre që kryesuesi kishte shqiptuar; oguret kishin qenë të mbara vetëm për ta dhe kjo siguronte pëlqimin e perëndive.

Kjo mënyrë zgjedhjeje, e cila do të ndiqej me skrupulozitet edhe gjatë shekujve të parë të republikës, shpjegon disa veçori të historisë romake, që fillimisht na habisin. Për shembull, shihet shpesh se populli shprehet thuajse njëzëri për të shpënë drejt postit të konsullit dy njerëz njëherazi, por që, gjithsesi, është e pamundur; kjo për faktin se kryesuesi nuk ka mundur të nxjerrë oguret e nevojshme për këta dy njerëz, ose sepse për ta oguret nuk kanë qenë të mbara. Nga ana tjetër, shpesh kemi parë se si, në mjaft raste, populli ka qenë i detyruar të votojë në postin e konsullit dy njerëz të urryer prej tij; kjo për faktin se kryesuesi ka shqiptuar vetëm dy emra. Pra, populli është i detyruar të votojë vetëm për ta; vota e tij nuk shprehet vetëm me po ose jo; çdo zgjedhje duhet të zhvillohet mbi dy emra të përveçëm, pa prani emrash të tjerë, të ndryshëm nga ata që janë paraqitur. Populli, të cilit i vihen përpara kandidatura të urryera për të, mund të shprehë zemërimin e tij, duke u larguar pa votuar; brenda mureve mbetet gjithnjë një numër i mjaftueshëm qytetarësh për të votuar.

Shohim këtu se sa i madh ishte pushteti i kryesuesit të kuvendeve, ndaj nuk duhet të çuditemi nga shprehja e shenjtëruar creat consules, e cila i përkiste jo popullit, por kryesuesit të kuvendeve. Faktikisht, rreth tij dhe jo rreth popullit, mund të thuhej: Ai krijon konsujt; sepse është ai që zbulon vullnetin e perëndive. Nëse, në të vërtetë, nuk është ai që bën konsujt, të paktën, përmes tij, perënditë ushtrojnë vullnetin e tyre. Pushteti i popullit mjaftohet vetëm me ratifikimin e zgjedhjes, shumë-shumë deri në përzgjedhjen e tre ose katër emrave, nëse oguret ishin shfaqur të mbara për tre ose katër kandidatë.

Nuk ka dyshim që kjo mënyrë të vepruari do të rezultonte shumë e favorshme për aristokracinë romake; por do të ishte gabim të shihnim në këtë veprim një dinakëri të përfytyruar prej saj. Një dinakëri e tillë ishte e pamundur të konceptohej gjatë shekujve kur njerëzit i besonin kësaj feje. Politikisht, ajo do të kishte qenë e padobishme në kohërat e para, pasi në atë kohë, patricët kishin shumicën e votave. Madje, ajo mund të kthehej kundër atyre vetë, nëse dikush mes tyre do të vishej me pushtet shumë të madh. I vetmi shpjegim që mund të jepet rreth këtyre zakoneve, ose më mirë të themi, rreth këtyre riteve zgjedhore, është të pranojmë se të gjithë besonin sinqerisht se zgjedhja e magjistratëve nuk i përkiste popullit, por perëndive. Njeriu, që duhej të vendoste mbi fatin e fesë dhe të qytetit, duhej të zbulohej përmes zërit hyjnor.

Rregulli i parë për zgjedhjen e një magjistrati, ishte ai që jep Ciceroni: "Të caktohet sipas riteve." Nëse, disa muaj më pas, në Senat shkonte dikush dhe thoshte se lidhur me këtë çështje ishte lënë pas dore ky apo ai rit, apo se ai ishte përmbushur keq, Senati urdhëronte abdikimin e konsujve dhe këta nënshtroheshin. Shembujt janë të shumtë; edhe nëse mund të besojmë se mes tyre ka pasur dy ose tre raste, kur Senati mezi ka pritur të largonte nga detyra ndonjë konsull apo të paaftë dhe dashakeq, në pjesën më të madhe të rasteve, ai nuk mund të dyshohet për arsye të tjera veç për skrupulozitetin fetar.

Është e vërtetë se, kur shorti në Athinë apo auspicët në Romë, kishin emëruar arhontin ose konsullin, ekzistonte edhe një provë tjetër, përmes së cilës shqyrtohej merita e të sapozgjedhurit. Kjo provë dëshmon për atë që qyteza priste nga magjistrati i saj; ajo nuk ishte në kërkim të njeriut më trim në luftë, më të aftë apo më të drejtë në kohë paqeje, por të njeriut që perënditë pëlqenin më shumë. Senati athinas pyeste të sapozgjedhurin, nëse ai kishte një perëndi shtëpiake, nëse ai bënte pjesë në ndonjë fratri, nëse ai  kishte një varr të familjes dhe nëse i përmbushte të gjitha dety rimet ndaj të vdekurve. Përse të gjitha këto pyetje? Sepse, ai që nuk kishte kult familjar, nuk duhej të merrte pjesë në kultin kombëtar dhe nuk ishte i aftë të bënte flijime në emër të qytezës. Ai që nuk respektonte kultin e të vdekurve të vet, ishte objekt i zemërimit të tyre të llahtarshëm dhe përndiqej nga armiq të padukshëm. Qyteza duhej të ishte tejet kokëkrisur t'i besonte fatin e saj një njeriu të tillë. Ajo kërkonte që magjistrati i ri të rridhte, sipas shprehjes së Platonit, prej një familjeje të pastër. Me fjalë të tjera, në rast se dikush prej stërgjyshërve të tij kishte kryer ndonjë prej akteve që fyenin besimin, vatra e familjes konsiderohej e ndotur përjetë dhe trashëgimtarët e saj përbuzeshin nga perënditë. Të tilla ishin pyetjet kryesore që i drejtoheshin atij që do të bëhej magjistrat. Duket se qyteza nuk shqetësohej as për karakterin dhe as për zgjuarsinë e tij. Para së gjithash, kërkohej garancia se ai ishte në gjendje të përmbushte funksionet priftërore, në mënyrë që feja e qytezës të mos komprometohej në duart e tij.

Me fort të ngjarë, një shqyrtim i tillë gjente zbatim edhe në Romë. Është e vërtetë se ne nuk kemi asnjë të dhënë rreth pyetjeve që i bëheshin konsullit; por, të paktën, dimë se ky shqyrtim bëhej nga kryepriftërinjtë e besimit dhe se ai i referohej aftësisë fetare të magjistratit.

info@balkancultureheritage.com