Në vitin 167 pas J. K., në Italinë Verilindore mbërritën markomanet dhe kuadët, të cilët i kanoseshin Akuilesë. Mark Aureli dhe L. Veri arritën t’i sprapsin dhe krijuan, në lindje të Akuilesë, një zonë ushtarake të quajtur Praetentura Italiae et Alpium (mbulesa e Italisë dhe e Alpeve), e cila e dublonte limes-in danubian. Më 169, L. Veri vdiq papritur pranë Akuilesë. Një ofensivë e re e markomanëve po i kanosej përsëri qytetit të madh të veriut të Adriatikut, sepse trupat romake ishin drobitur nga një epidemi murtaje. Ofensiva e udhëhequr më 171 nga Mark Aureli përtej Danubit korri suksese, por duhej pritur viti 174 që markomanët dhe kuadët të kërkonin paqe. Në zonat e rrënuara të veriut të Italisë ishin vendosur gjermanët dhe kjo nuk ishte pa rrezik, siç e tregoi kryengritja e atyre që ishin vendosur në afërsi të Ravenës.
Për shumë vite me radhë, perandori vinte për ta drejtuar vetë ushtrinë në Danub. Mark Aureli vdiq në mars 180 në Vindobona (Vjenë), pas disa operacioneve të reja në veri të Danubit. Epidemia që i mori jetën perandorit e kishte goditur rëndë popullatën, edhe në Itali. Ka shumë të ngjarë që sprapsja demografike në Itali t’i përkasë kohës së asaj epidemie, dhe të jetë rënduar nga epidemi të tjera në mesin e shekullit III, por vlerësimet sasiore janë të pamundura: arkeologjia mund ta vërë re pakësimin e numrit të fermave bujqësore, por jo ama shpërnguljen e punonjësve të bujqësisë drejt qyteteve fqinje. Prodhimet e të lashtave, ullishtave e vreshtave përkonin me tiparet e polikulturës mesdhetare. Nëse Roma furnizohej me grurë të importuar nga Egjipti apo nga Galia dhe nga Afrika, Italia vazhdonte të ushqehej me të korrat që siguronte vetë. Prodhimi i verës u shtri drejt Italisë së Veriut, veçanërisht në shpatin adriatik (Emilie, Picenum). Vaji i Apulies shitej në Perëndim dhe në Greqi në periudhën e fundit të rëpublikës; stafetën e mori më pas vaji i veriut të Adriatikut (Venetia dhe Istria) mes viteve 25 e 50. Rishpërndarjen e këtyre prodhimeve ne drejtim të Italisë së Veriut e të provincave veriore e bënte porti i Akuilesë, kryesisht për nozullimin e ushtrisë së kufijve.