Sulltan Abdylhamidi ishte i kujdesshëm ndaj Britanisë, nënvlerësonte Francën dhe nuk i besonte asnjëherë Rusisë, pasi kjo e fundit, kishte treguar armiqësi ndaj turqve dhe kishte pushtuar territore të gjera muslimano-turke. "Qëndrimi i Sulltan Abdylhamidit në lidhje me politikën e jashtme ishte: sjellja me takt ndaj Rusisë, kujdesi që të mos krijohej asnjë problem me Britaninë, mbështetja tek Gjermania, të mos harronte që Austria e kishte një sy tek Maqedonia, të krijonte marrëdhënie sa më të mira me shtetet e tjera, të shkaktonte probleme në Ballkan në mënyrë që të krijohej armiqësi midis Bullgarisë, Ser-bisë dhe Greqisë." Në këtë mënyrë, ai vëndosi që të punonte për të fituar mbështetjen dhe vullnetin e mirë të Gjermanisë. Pas një vizite në Greqi, Kajzer Vilhelmi II (Kaiser Wilhehn II) gjerman, vizitoi edhe Stambollin në vitin 1899, dhe më pas vizitoi edhe Damaskun, dhe Jerusalemin (Kudsin).
Edhe pse Britania shprehu dëshirën për ndërtimin e linjës hekurudhore Stamboll-Bagdad-Basra, në vitin 1903, sulltani ia dha këtë koncesion të rëndësishëm Gjermanisë. Përveç kësaj, u mblodhën para nga populli, për ndërtimin e hekurudhës së Hixhazit. Kjo linjë hekurudhore lidhte qendrën e Hilafetit, Stambollin me Medine el-Munevveren, me qytetin e Profetit Muhammed (a.s.), si dhe shërbente për pelegrinët muslimanë. Qëllimi ishte që kjo linjë të vazhdonte deri në qytetin e shenjtë Meke el-Mukerreme dhe më pas deri në Jemen. Osmanët ishin tepër të kujdesshëm për të ruajtur qetësinë e këtij qyteti të shenjtë dhe në këtë mënyrë linja e hekurudhës, dhe stacioni u vendosën në një pozicion të atillë që të mos binin ndesh me urdhrat e Profetit (a.s.). Britanikët nuk e pëlqenin krijimin e marrëdhënieve miqësore të sulltanit me Gjermaninë, pasi kjo kishte një ndikim negativ ndaj influencës së Britanisë në rajon. Linja hekurudhore do të kishte edhe një degë tjetër, atë të Bagdad-Basra-Kuvajt. Në këtë mënyrë, sulltani arriti të ngrinte nivelin e garës dhe të rivalitetit midis Gjermanisë dhe Britanisë.