Mbi historinë e kafshëve
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Roma Mbretërore
~Shaban Dervishi
Republika e hershme
~Shaban Dervishi
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Mbi historinë e kafshëve

LIBRI II

1,499 b ... Në Iliri dhe në Paioni, sikundër edhe gjetkë, ka derra njëthundrakë...

LIBRI III

20,522 b ... Lopët e Epirit, të mëdhatë japin secila një shtamë e gjysëm nga të dy sisët. Mjelësi qëndron në këmbë, duke u kërrusur pak, sepse nuk mund të arrijë po t'i qendrojë ndenjur. Përveç gomarit, në Epir, rriten edhe kafshë të tjera të trasha, dhe mbi të gjitha qetë dhe qentë. Kafshët e mëdha kanë nevojë për shumë ushqim, por kjo krahinë ka shumë kullota të mira dhe vende të përshtatshme në çdo stinë.

Qetë dhe delet më të mëdha janë ato që quhen pirrike, të cilat e kanë emrin nga mbreti Pirro...

LIBRI VI

18,572 b ... Në kohën e ndërzimit demi kullot me lopët dhe zihet me demat e tjerë; në kohë tjetër sekset rrinë të veçuar; kjo quhet "përbuzja e kopesë", ata, në Epir, shpesh nuk shihen për tre muaj; dhe përgjithësisht të gjitha, ose afërsisht të gjitha kafshët e egra, nuk kullosin bashkë me femrat përpara kohës së ndërzimit...

LIBRI VIII

7,593 b ... Kopetë e bagëtive vuajnë më pak kur lëvizin në ngrica, se sa në dëborë. Ato rriten nëqoftëse veçohen për një kohë të gjatë nga ndërzimi, prandaj barinjtë në Epir i mbajnë kopetë pirrike, si quhen ato, për nëntë vjet pa i ndërzyer që të mund të rriten. Këtë ata e quajnë apotauri e lopëve. Numuri i këtyre kopeve arrin në katërqind dhe janë pronë e mbretit. Ato nuk rrojnë dot në vend tjetër, megjithëse është bërë një provë e tillë...

28,606 b ... Temperatura gjithashtu ndikon shumë; prandaj në Iliri, Thraki dhe Epir, gomarët janë të vegjël. Në Skythi dhe vendet keltike ata nuk gjenden fare, sepse në këto vende dimri është i ashpër...

LIBRI IX

1,608 a ... Qentë e gjuetisë të Molosisë nuk ndryshojnë aspak nga qentë e vendeve të tjera. Por qentë e kopeve të kësaj krahine ua kalojnë qenve të tjerë si në madhësi, ashtu edhe përsa i përket guximit të tyre, kur përleshen me kafshët e egra. Nga kryqëzimi i qenve molosë me ata lakonë del një lloj qeni që shquhet për guxim e durim...

45,630 a Bonasi gjendet në Paioni, në malin Messap, i cili ndan Paioninë nga Media. Paionët e quajnë monap. Është i madh sa një dem dhe më i rëndë; por nuk është një kafshë e gjatë dhe lëkura e tij kur rripet mund të mbulojë një shtresë ku të ulen shtatë vetë. Në formë i pëmgjan demit, por ay ka një perçe si të kalit që i arrin gjer te shpatullat, qimja e tij është më e butë e ajo e kalit dhe më e shkurtër. Ngjyra e qimes së tij është e kuqe. Ato janë të trasha e zbresin gjer te sytë dhe kanë një ngjyrë midis së kuqes dhe bojës së hirit jo si ajo e kuajve gështenjë po më e thellë: qimet e tij poshtë janë si lesh. Ato nuk janë as shumë të zeza, as shumë të kuqe.

Zëri i tyre është si ai i kaut. Brirët i kanë të përkulura e të mpleksura, të papërshtatshme për mbrojtje, të gjata një pëllëmbë ose diçka më shumë, aq të trasha sa secili prej tyre mund të mbajë një hemikoe ose diçka më shumë. Pjesa e zezë e brirëve është e mirë dhe e lëmuar. Një tufë flokësh është vendosur në mënyrë të tillë midis të dy syve, sa kafsha duket më mirë anash, se sa përballë. Si kau, ai nuk ka dhëmbë të sipërme përpara, ashtu si nuk kanë edhe kafshët e tjera me brirë. Këmbët i ka të ashpra dhe thundrat e çara. Bishtin të vogël në përpjestim me trupin, si atë të kaut, ai rrëmih tokën me thundrën e tij si demi. Lëkurën e pjesëve të sipërme e ka të fortë. Mishi i tij është një ushqim shumë i mirë dhe për këtë e gjuajnë...

info@balkancultureheritage.com